”Java e Bibliotekës” po vazhdon të mbahet dhe këtë herë pikë takim kishte përsëri, ambientin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ’Pjetër Bogadani’, shkruan KultPlus.
Në hapsirën e këndit amerikan të bibliotekës, u mbajt sesioni ”Për një vlerësim të burimit të referencave për kulturën arbëreshe”.
Anton Nikë Berisha, shkrimtar dhe studiues i letërsisë shqipe mori fjalën në fillim e ai u shpreh se letërsia arbëreshe është një nga pjesët më cilësore, më të ngritura të letërsisë shqipe.E sa herë hapjet kjo temë, i hapim rrugë vlerave.
”Arbëreshët na kanë lënë një trashigimi të jashtëzakonshme dhe është mjerimi ynë që u njohim pak” shprehi shqetësimin e tij duke treguar se njerëzit mjaftohen me leximin e një vepre të De Radës apo Serembës dhe mendojnë se me kaq e njohin këtë letërsi”, u shpreh Berisha.
Ai përmendi veprën e parë në gjuhën shqipe, ”Meshari” i Buzukut dhe tregon se kjo nuk duhet konsideruar vepër e përkthyer sepse është vepër e hartuar nga Buzuku, pavarësisht se përmban pjesë të përkthyera.Pasi aty, kemi 13 tekste të Buzukut dhe një poemë të tij.
Buzuku,Budi dhe Bogdani nuk kanë vepra të mirëfillta letrare e Jul Varibova është njeriu i parë që boton një vepër të thjeshtë letrare, me një tematikë të veshtirë.Pastaj kemi Lekë Matrëngën me ”E mbsuame e krështerë”, që shfaqet përmes katekizmit.
”Gazetat dhe revistat e para i kemi nga arbëreshet”, shprehet Berisha.
Dhe pse në kohën kur u botuan këto vepra, ato nuk ishin të popullarizuara dhe nuk lexoheshin, autorët arbreshë i botonin, madje në nje rrafsh të lartë poetik.
Nga Berisha, u lexuan dy rapsodi arbëreshe, ”Ligjërojnë dy kunata” dhe ”Trimi zuri e ma puthi”.Për këto Anton Nikë Berisha shprehet se ”janë vargje që nuk i ka as Shekspiri”.
Profesori Kamber Kamberi nga Universiteti, Fehmi Agani në Gjakovë, nuk mund të ishte i pranishëm, megjithatë u lexua një kumtesë e tij.
Kamberi ndalet kryesisht te Ismail Kadareja, i cili i kushton rëndësi fatit tragjik të arbëreshëve gjatë ngulmimeve në Itali.Kadareja trajton këtë problem në dy linja,letrare dhe joletrare.Pjesa letrare është shume e qartë figurativisht,dhe shpreh ”një atdhe që vendoset përtej detit,një atdhe tjetër të dytë europian, ku ruhet identiteti shqiptar”.Kjo haset sidmos te ”Kush e solli Doruntinën” dhe ”Ura me tre harqe”.Kadareja ndalet kryesisht te shkimtarët rilindas si De Rada,Serembe,Gavril Dra i Ri,Kamarda,etj.
Studiuesi, Arben Veselaj tregoi se një grup studiuesish po bëjnë përpjekje që të hapen dyer të reja për interpretimin e kësaj letërsie.Gjatë realizmit socialist, kur kemi një formë të kontrolluar të mendimit, librat thanë se Rilindja Kombëtare niste me dy ngjarje, me botimin e Naum Veqilharxhit, 1845 dhe me hapjen e shkollës shqipe në Korcë, 1887.Shkollat arbërore ne Kalabri e Sicili, nuk u morën në konsideratë.
Arben Veselaj tregon se Rilindja nis në vitin 1735, me themelimin e kolegjit italo-arbëresh në Palermo, Sicili.Të kësaj përiudhe janë autorët si Nikollë Filja, Nikollë Keta, Nikollë Brankati, etj.
”Në kohën kur gjuha latine ishte gjuhë e të gjithave niveleve shoqërore,frengjishtja gjuhë e oborreve mbretërore, pionerët arbëresh e bën gjuhën shqipe, gjuhë të letërsisë.” vazhdoi ai.
Letërsia e arbëreshëve të Italisë nuk është degë e ndarë e letërsisë shqip, sic haset në disa shkrime, por është vetë burim i saj, vendi nga ku nis udhëtimin letërsia shqipe.
Arbërshët e Italisë, na dhurojnë letërsinë më të bukur shqipe dhe kryevepra që i rezistojnë kohës.Kultura dhe letërsia arbërshe duhet të njihet e të lexohet nga secili, të mesohen në shkolla dhe veprat të jenë në secilën bibliotekë, pasi paraqesin një vlerë të madhe kombëtare./KultPlus.com