Fillon ‘Java e Dizajnerëve’ në Teshavesha në Ferizaj

Lia Stublla, Albina Dyla, Minna Fashion, Kaonë Duriqi dhe Yllka Brada, janë kretatorët të cilët me anë të dhurimit të kreacioneve të tyre po bëjnë të mundur ‘Javën e Dizajnerëve’ këtë fundvit. 

Dyqani i bamirësisë ‘Teshavesha’, program në kuadër të fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, organizon ‘Javën e Dizajnerëve’ në Teshavesha në Ferizaj nga data 26 dhjetor deri më 29 dhjetor.

Për herë të pestë radhazi, dizajnerët Kosovarë mblidhen për të dhënë kontributin e tyre për përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në vend përmes dhurimit të kreacioneve të tyre për ‘Javën e Dizajnerëve’. Pas ekspozimit të kreacioneve të dizajnerëve në Teshavesha në Ferizaj, këto donacione do të janë në shitje me çmime më të lira për klientët e interesuar.

Fondet nga shitjet e kreacioneve do të financojnë furnizimin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Pediatrisë me medikamente, do të ndihmojnë hapjen dhe zhvillimin e ‘Klasave për Nëna’, si dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e transportit neonatal në vend.

Teshavesha është ndërmarrje shoqërore e themeluar nga fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ që nga qershori i 2016-ës, ku tashmë operon me dy dyqane në qytetin e Prishtinës dhe në një dyqan në Ferizaj, falë partnerëve dhe klientëve besnik. /KultPlus.com