Në Gjirokastër fillon “Java e Europës 2024”

Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, çeli sot në Gjirokastër “Javën e Evropës 2024”, një event që fton qytetarët të njihen më nga afër me projektet dhe të mësojnë se si BE po e mbështet Shqipërinë për të nxitur gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Qafës e Pazarit, në Gjirokastër ishte i pranishëm Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi dhe qytetarë të shumtë që iu bashkuan këtij eventi.

Ambasadori Silvio Gonzato, përshëndeti këtë event duke u shprehur se është kënaqësi që Java e Evropës po çelet në Gjirokastër.

“Ne kemi vendosur tre tema kryesore mbi të cilat do të fokusohemi, të cilat janë gjithëpërfshirja, larmishmëria në shoqëri dhe të drejtat e njeriut. Kjo për faktin se 27 vendet e BE-së janë të ndryshme, por të gjitha bëhen bashkë në BE. Pra në shoqërinë europiane secili ka vendin e vet dhe e gëzon atë”, tha Gonzato.

Gonzato tha se, gjatë vizitës në Gjirokastër inspektoi nga afër punimet për hapjen e një tregu të ri për grumbullimin dhe shitjen e të gjitha produkteve që do të prodhojë komuniteti rom në këtë bashki.

Ai nënvizoi faktin se “gjatë rrugëtimit që Shqipëria po bën për në BE, nuk duhet të lëmë askënd pas”.

“Të gjitha pjesët e shoqërisë bëhen pjesë e këtij rrugëtimi, duke kontribuar për një shoqëri më të mirë. Unë ju ftoj të vizitoni stendat në panairin e çelur me këtë rast këtu ku ekspozohet kontributi që BE jep për Shqipërinë, bashkë me shoqërinë civile, për ta bërë Shqipërinë një shoqëri më të drejtë më të mirë”, u shpreh Gonzato.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Golemi e vlerësoi nisjen e këtij aktiviteti fillimisht një ditë më parë në Shkodër dhe sot në Gjirokastër, një hap të rëndësishëm, që siç u shpreh ai “çelet në dy qytete të vatrës kombëtar me tradita e histori ku zë vend edhe diversiteti kulturor dhe fetar”.

“Projektet që BE ka mbështetur në zhvillimin e Gjirokastrës, kanë dhënë kontribut në përmirësimin e ekonomisë lokale. Ndërsa vihet re një interes i shtuar i turistëve për ta vizituar këtë qytet”, tha Golemi.

“Më shumë se 300 mijë turistë patëm vitin e kaluar dhe këtë vit presim shifra në rritje dhe kjo falë transformimit pozitiv që po shënon kjo zonë, në çdo drejtim ekonomik, social, e kulturor”, u shpreh ai.

“Javën e Evropës 2024” në Gjirokastër filloi me performanca artistike dhe një panair ku ekspozohen prodhime tradicionale të zonës, nga ato ushqimore e deri tek ato artizane. Ndërsa pjesëmarrës të shumtë në këtë takim u bënë pjesë në diskutime dhe shkëmbyen ide për bashkëpunime të reja./atsh/KultPlus.com

Java e Europës 2020 festohet virtualisht, performanca muzikore nga 4 deri në 10 maj

Java e Europës do të festohet virtualisht në një udhëtim muzikor midis të hënës 4 maj dhe të dielës 10 maj, duke na çuar në shtete të ndryshme anëtare të BE-së, po aq sa edhe nëpër Shqipëri me 15 interpretime në Internet.

Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë bën të ditur se “këtë vit, programi muzikor që do të transmetohet në faqen në Facebook të Bashkimit Europian në Shqipëri, feston bashkimin. Nga Bullgaria në Holandë, nga Greqia në Gjermani, nga Republika Çeke në Irlandë, nga Franca në Suedi, nga Kroacia në Poloni, nga Austria në Slloveni, nga Italia në Shqipëri. 18 artistë nga 14 vende”.

Java e Evropës 2020 ka të bëjë me më të mirën që ka sjellë situata aktuale te njerëzit: solidaritetin, forcën dhe rezistencën. Ka të bëjë me të qenit më të fortë së bashku.

Në prag të Javës së EUropës, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha se “muajt e kaluar nuk kanë qenë të lehtë për Shqipërinë. Kriza e tërmetit dhe ajo e Covid-19 kanë pasur një ndikim negativ për të gjithë ne. Në të njëjtën kohë, jemi bërë dëshmitarë të shembujve të shkëlqyer të solidaritetit, forcës dhe qëndrueshmërisë, të cilat duam t’i festojmë. Solidaritet mes shqiptarëve, solidaritet i shqiptarëve kundrejt miqve të tyre në Bashkimin Europian. Solidaritet i mbështetjes së pakrahasueshme nga BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare”.

Artistët e mirënjohur AMWIN, Ramona Tullumani, Stelios Kerasidis, ANDRRA, Remi Panossian, Eno Peçi, Diodato dhe shumë të tjerë do të interpretojnë për një javë rresht në faqet në Facebook dhe Instagram të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në Ditën e Europës, të shtunën, më 9 maj, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca do t’i bashkohet artistit shqiptar Alban Skënderaj në një shfaqje për të shënuar ditëlindjen e BE-së. Një paraqitje e veçantë e Al Banos do të mbyllë Javën e Evropës 2020. atsh / KultPlus.com