Pas zgjedhjes së shqiponjës që do të shoqërojë “Javën e Flamurit”, ka reaguar edhe artisti Zeni Ballazhi i cili është shpallur fitues e i cili uron të gjithë shqiptarët kudo në botë, përcjell KultPlus.
“Në kuadër të konkursit, për realizimin e “Logos” në kremtim të “Java e Flamurit” të shpallur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Shqiperisë, për logon e aktiviteteve festive për 28-29 Nëntorin, mes dhjetëra propozimesh, u shpalla fitues. Shqiponja ime tani shoqëron evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve në këtë kuadër. Logoja është simbolike përfaqësuese përgjat kremtimit të “Javës së Flamurit” për vitin 2021. Gëzuar, për dit më të lumtura për të gjithë shqiptarët kudo në botë, Gëzuar!”, ka shkruar Ballazhi në rrjetet sociale. / KultPlus.com
KultPlus ju sjell aktivitetet kulturore të planifikuara për Javën e Flamurit (23-30 Nëntor 2021):
Data 23.11.2021 – ora 20:00 Shfaqja “La Rrem” nga Arian Krasniqi, regjisor Kushtrim Koliqi Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës
Data 25.11.2021 – ora 13:00 -14:30 Dita e Bibliotekës Vendi: Holli i ekspozitave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Data 25.11.2021 – ora 14:30-15:15 Ekspozitë e librit: Kosova “My Home”, libra të punuar nga bibliotekarët gjatë punëtorive në kuadër të projektit “Programi Kombëtar i Arsimimit Bibliotekar” Vendi: Holli i ekspozitave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Data 25.11.2021 – ora 19:00 Shfaqja “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës
Data 27.11.2021 – ora 19:00 Koncert festiv Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës, organizatorë, AKKV “Shota”
Data 28.11.2021 – ora 11:00-12:00 Promovimi i librit: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri (artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës – dhjetor ‘91 – mars ‘98); Vendi: Holli i ekspozitave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Data 30.11.2021 ora 20:00 Shfaqja “Aroma e Hënës, nga Mehmet Kraja autor dhe regjisore Rozi Kostani Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi sot shpalljen e konkursit për realizimin e “Logos”, e cila do të jetë simbolikë përfaqësuese, përgjatë kremtimit të “Javës së Flamurit” për vitin 2021.
“Jemi në prag të festave të mëdha të nëntorit, që do t’i presim në një atmosferë të gëzueshme së bashku. Do të festojmë Javën e Flamurit!”, u shpreh Margariti.
“Ftojmë çdo krijues të bëhet pjesë, duke konkurruar për realizimin e logos së kësaj jave aktivitetesh”, tha ajo.
“Synimi i realizimit të kësaj “Logo”, në kremtim e “Javës së Flamurit”, duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë. Logoja, do të shoqërojë evenimentet zyrtare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve në këtë kuadër”, thuhet në thirrjen e shpallur nga Ministria e Kulturës.
“Sa i përket kohës së zhvillimit konkursi nis më datë 3 nëntor dhe mbyllet më datë 15 nëntor. Shpallja e fituesit do të bëhet jo më vonë se data 16 nëntor”, bën të ditur MK.
Ministria e Kulturës thekson se, “në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë studentë, artistë, krijues në fushën e arteve pamore. Artisti pjesëmarrës në konkurs duhet të aplikojë online në adresat zyrtare të Ministrisë së Kulturës: [email protected]”.
“Punimet duhet të jenë origjinale, të pa publikuara dhe autori mban përgjegjësi ligjore për autencitetin e tyre para ligjit. Në konkurs pranohen punime individuale dhe punime të realizuara në grup”, bën të ditur Ministria e Kulturës.
“Punimi i Logos, duhet të jetë shprehje artistike figurative ose grafike. Secili formateve duhet të paraqitet i punuar me ngjyra i printuar nga kompjuteri dhe në formë elektronike. Logo duhet të paraqitet në sfond të bardhë, të zi dhe me ngjyrë, si dhe të dorëzohet në formatet: Eps, Pdf, Jpg, Png”, vijon thirrja e shpallur nga MK.
“Aplikuesi do të marr një e-mail konfirmimi për aplikimin e pranuar të tij. Mungesa e një, ose më shumë dokumenteve të kërkuar më sipër, nuk ju kualifikon në konkurs”, informon Ministria.
“Ministria e Kulturës, do të realizojë të gjithë procesin e realizimit të konkursit për përzgjedhjen e Logos fituese. Vlerësimi artistik i çmimit fitues është 100.000 (njëqind mijë) lekë, ku përfshihet dhe taksa e aplikueshme sipas legjislacionit në fuqi”, theksohet në shpallje.
“Me përfundimin e Konkursit dhe shpalljes së bocetit fitues, ndërmjet artistit dhe Ministrisë së Kulturës, lidhet Kontrata për pagesën ku subjekti fitues në bazë të Ligjit “Për të drejtën e autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me to”, nuk i njihet e drejta e përfitimit material të mëtejshëm për përdorimin e veprës së tij nga ana e Shtetit Shqiptar”, vijon shpallja e Ministrisë së Kulturës.
“Fituesi i konkursit përcaktohet nga Kolegjiumi i përbërë me ekspertë të fushës, i ngritur për këtë qëllim në Ministrinë e Kulturës dhe do të njoftohet brenda 5 ditësh nga mbyllja e afatit të dorëzimit”, thuhet në thirrjen e shpallur nga Ministria e Kulturës./atsh/KultPlus.com