UP-ja shënon Javën e Krenarisë

Sot, Universiteti i Prishtinës shënon Javën e Krenarisë, duke ngritur flamurin LGBTQI+ në mjediset e rektoratit të universitetit.

Ky aktivitet përfaqëson përkushtimin e palëkundur institucional ndaj gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe drejtësisë sociale, vlera këto që përfaqësojnë idealin e institucionit dhe të ardhmes që synohet të modelohet.

UP-ja mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë, shoqëri që sfidon paragjykimet dhe promovon një mjedis, ku çdo zë dëgjohet dhe çdo këndvështrim vlerësohet.

Për komunitetin LGBTQI+: Urime muaji i krenarisë! Së bashku ne punojmë drejt një të ardhmeje, ku të gjithë mund ta jetojnë të vërtetën e tyre hapur dhe me krenari./KultPlus.com

Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je”, vjen edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë

Java e Krenarisë, paralelisht me fuqizimin e personave LGBTQI+, synon të ngrisë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTQI+ në Kosovë.

Sipas organizatorëve të “Prishtina Pride” kjo ngjarje vjen për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm në mënyrë sistematike, mospranimit e përjashtimit nga familja, shoqëria dhe shteti, personat LGBTQI+ përballen me një nivel të lartë të ankthit, stresit e depresionit në baza ditore. Si pasojë e krejt kësaj, mirëqenia emocionale, psikike dhe fizike është në gjendje shqetësuese. Shëndeti mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mbështetja e përhershme profesionale si dhe dashuria e pakushtëzume është më se e nevojshme për personat LGBTQI+ në Kosovë. Tutje, shteti vazhdon të mos ofrojë mbështetje institucionale adekuate për personat LGBTQI+ duke iu larguar përgjegjësisë që e ka në lidhje me këtë çështje dhe këtë grup shoqëror.

Sipas tyre, për të mbështetur të gjithë që janë duke u përballur me nivele të larta të stresit, ankthit, depresionit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor, edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë, do të fokusohet në shëndetin mendor të personave LGBTQI+.

“Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” në këtë edicion duam të përçojmë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është më se e nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor. Mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTQI+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikbërjes tonë. Kjo Javë e Krenarisë na rikujton që jetët e personave LGBTQI+ janë të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.

Java e Krenarisë nis më datë 10 qershor në ora 17:00. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Javën e Krenarisë: Barazia asnjëherë s’guxon të jetë selektive, duhet të vlejë për të gjithë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në nisjen e Javës së Krenarisë nëpërmjet sloganit “Edhe n’shtet, edhe n’familje”, ka thënë që Qeveria e Kosovës është duke punuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë pa dallime.

Tutje Osmani ka thënë që barazia asnjëherë nuk guxon të jetë selektive dhe se ajo duhet të vlejë për të gjithë.

“Stigmatizimi vazhdon të jetë prezent në shoqërinë tonë. Problemet janë pothuajse identike në vendin tonë e rajonin tonë e deri te kontinenti amerikan e aziatik. Në këto rrethana kemi shansin të bëjmë dallimin, se kuptojmë më mirë se deri tani, se duam më mirë se deri tani dhe se ne dashurojmë pa dallim. Sukseset nuk i arrijmë me kërcënime e gjuhë të pa pranueshme ndaj secilës palë. Kjo është mënyra jonë e vetme për ta luftuar stigmën”, ka thënë Osmani.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se duhet të kemi respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit dhe të mos diskriminim pavarësisht gjinisë apo orientimit seksual.

“Ndonëse kemi shënuar progres në ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë demokratik jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat që kemi, andaj angazhimi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut duhet dhe do të mbetet përkushtim i përhershëm i institucioneve tona…Ftoj të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që të jenë në shërbim të kauzave të përbashkëta për respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut”, tha Haxhiu.

Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier ka thënë se pavarësisht progresit të arritur, ka ende shumë punë për të bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTQI+.

“Ne jemi mbledhur këtu që të shënojmë dhe kremtojmë fuqizimin e diversitetit në Kosovë, si dhe të njihet kontributi i personave nga komuniteti LGBTQI+ këtu në Kosovë si dhe në gjithë botën, dhe derisa ne shënojmë progresin e arritur në SHBA, Kosovë dhe vendet e tjera në botë, ne po ashtu mbetemi në dijeni se mbetet edhe shumë për të bërë për të avancuar dhe fuqizuar të drejtat e njeriut për komunitetin LGBTQI+”, ka thënë ai.

Ndërsa, Tomas Szunyog, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se komuniteti LGBTQI+ vazhdon të përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual.

“Çështja e komunitetit LGBTQI+ është një proces kompleks. Kjo është një eksperiencë nëpër të cilën kalon BE. Të drejtat e personave të komunitetit LGBTQI+ janë në mbrojtje të ligjeve të vendeve të Bashkimit Evropian, por ata ende përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Parada e krenarisë në Kosovë është mbajtur për pesë vjet deri më tash dhe nuk ka pasur asnjë incident dhe ne jemi të lumtur të shohim këtë trend”, ka thënë ai.

Arbër Nuhiu, drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) ka ngritur shqetësime rreth debatit për draft kodin civil, ku ai tha se është përdorur gjuhë fyese ndaj komunitetit LGBTQI+.

“Një çështje tjetër që ka ndodhur dhe është shumë shqetësuese është gjuha e përdorur nga disa deputetë gjatë seancës së Parlamentit të Kosovës, më 16 mars kur i gjithë debati për draft kodin civil u kufizua në një paragraf që nuk rregullon asgjë. Ajo ishte gjuhë urrejtjeje dhe më së shumti gjuhë e gërditshme. Kuvendi i Kosovës lejoi që të një pjesë e qytetarëve të Kosovë të fyhen. Është dëshpëruese që askush nuk ka reaguar”, tha ai.

Ndryshe, Java e Krenarisë synon të ngritë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve të ndryshme seksuale dhe identiteteve të ndryshme gjinore në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin. / KultPlus.com

Hapja zyrtare e “Java e Krenarisë 2022” do të bëhet në Qeverinë e Kosovës

Organizatorët kanë njoftuar se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për Javën e Krenarisë 2022, dhe se hapja zyrtare do të bëhet dot në ora 18:00, pikërisht në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

“Hapja zyrtare e Javës së Krenarisë bëhet nën patronimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër Diskriminimit – Zyra e Kryeministrit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve, kurse me fjalë rasti do të paraqiten si më poshtë:

– Habit Hajredini, Drejtor, Zyra për qeverisje të mirë / Zyra e Kryeministrit.

– Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

– Albulena Haxhiu, Ministre e Ministrisë së Drejtësisë 

– Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë

– Tomas Szunyog, Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë

– Tea Blakaj – Hoxha, Këshilltare e Jashtme Ligjore e Kryeministrit

– Arbër Nuhiu, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e

Grupeve Shoqërore (CSGD)./ KultPlus.com

Nesër nis Java e Krenarisë në Kosovë

Nesër në orën 18:00 do të bëhet hapja zyrtare e Javës së Krenarisë, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Sipas një njoftimi nga “Prishtina Pride”, në këtë hapje fjalë rasti do të mbajnë presidentja Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,

Personat që do të mbajnë fjalë rasti janë:

Habit Hajredini, Drejtor, Zyra për qeverisje të mirë / Zyra e Kryeministrit.

Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

Albulena Haxhiu, Ministre e Ministrisë së Drejtësisë

Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë

Tomas Szunyog, Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë

Tea Blakaj – Hoxha, Këshilltare e Jashtme Ligjore e Kryeministrit

Arbër Nuhiu, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e
Grupeve Shoqërore (CSGD) / KultPlus.com

Këtë të shtunë nis ‘Java e Krenarisë’ në Kino Armata

Në Kino Armata këtë të shtunë prej orës 19:30 fillon nata e filmave “queer” e cila hapë javën e krenarisë.

Dylberizm në kuadër të Grupit organizativ të Javës së Krenarisë në Prishtinë, në bashkëpunim me Kino Armata, organizojnë natën e filmave queer në Prishtinë.

Pas Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës, Netët e filmave queer përmbyllen në Prishtinë në një ngjarje që ka për qëllim të mbledh personat queer dhe aleatët në qytetin e Prishtinës për t’i informuar rreth Javës së Krenarisë 2022 përmes shfaqjes të prodhimeve të regjisorëve të rinj kosovar të cilët trajtojnë tema që ndërlidhen me përjetimet e personave LGBTIQ+ si dhe sfidat që përjetojnë në shoqërinë kosovare.

Filmat e metrazhit të shkurtër që do të shfaqen janë:

“Invisibles” me regji të Ishak Jalimam, Monika Simunac, Nita Zeqiri dhe Petar Antevski

– Të fejuara dhe të lumtura në dashuri, këto dy vajza tregojnë historinë e jetës së tyre të përbashkët si një çift lezbik në Kosovë.

“I fshehur mes jush” me regji të Arbër Topalli

– Udhëtimi i një të riu, në përpjekje për të gjetur veten.

“KosovaTrans” me regji të Albrim Isufi

– Film i shkurtër për një 18 vjeçare transgjinore në Kosovë. Për rrugën, luftën dhe transformimin e saj.

“Përtej ylberit” me regji të Vlera Azizi

– Dokumentar i shkurtër që përqendrohet në ‘drag queens’ që bëjnë jetën në Kosovë dhe luftën kundër jo tolerancës së vendosur në kryeqytet.

Shfaqja e filmave do të përcillet me një sesion Q&A në të cilin do të flasim me regjisorët Nita Zeqiri dhe Arbër Topalli mbi prodhimet e tyre dhe mbi lëvizjen LGBTQ+ në Kosovë.

Ngjarja do të mbahet më 28 maj nga ora 19:30 në Kino Armata në Prishtinë.

Filmat të cilët do të shfaqen janë siguruar dhe prodhuar nga programet e DokuFest./ KultPlus.com

Me moton “Bashkë dhe Krenarë” organizohet Java e Krenarisë në Kosovë

Me 1 Korrik 2021, në Prishtinë, nga komuniteti LGBTI, përkrahës dhe aktivistë, do të organizohet Parada e Krenarisë në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Paradës do t’i paraprijnë aktivitete të shumta të Javës së Krenarisë që do të zhvillohen në datat 28, 29 dhe 30 Qershor. Parada e Krenarisë do të mbahet me 1 Korrik me fillim nga ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë duke u përmbyllur me një festë.

Këtë vit, Java e Krenarisë sjellë në pah çështjen e Kodit Civil dhe martesave të seksit të njëjtë.

Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është: “Bashkë dhe Krenarë.”

Përmes sloganit “Bashkë dhe Krenarë” bëjmë thirrje për solidaritet, barazi, drejtësi dhe ndryshim shoqëror. Bashkë – sepse qëllimi jonë është të qëndrojmë Bashkë ndaj çdo sfide, e vetëm të bashkuar mund të arrijmë të krijojmë një shoqëri të barabartë dhe të dinjitetshme, në të cilën mund të jetojmë Krenarë.

Krenarë – sepse personat LGBTI+ janë pjesë e pashmangshme e çdo segmenti shoqëror, dhe krenarë me orientimin dhe identitetin e tyre.”

Përmes aktiviteteve përgjatë Javës së Krenarisë, synohet fuqizimi i personave LGBTI për t’u perballur me diskriminimin e përditshmën në Kosovë.

Java e Krenarisë edhe këtë vit do të adresojë çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare, e cila vazhdon të mos i trajtoj personat LGBTI si të barabartë.

Gjithashtu, Parada e Krenarisë synon të fuqizoj personat LGBTI për tu përballur me diskriminimin e përditshmen në Kosovë.

Organizatorë janë Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL) me organizatat partnere Civil Rights Defenders (CRD) dhe Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS).

Organizatorët ftojnë institucionet, përfaqësuesit e shoqërisë civile, aktivistët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë që kjo paradë të shërbejë që shoqëria jonë të jetë më tolerante, pranuese, të çmojë diversitetin në mënyrë që çdo person të ndjehet i\e lirë pavarësisht racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, gjuhës, fesë ose të tjera. / KultPlus.com

Parada e Krenarisë këtë vit vjen “Në emër të lirisë”

Edhe këtë vit në Kosovë do të shënohet “Java e Krenarisë” e cila ka për qëllim të ngris vetëdijen, të fuqizojë personat LGBTI dhe të rris vizibilitetin në shoqërinë Kosovare për orientimet e ndryshme seksuale dhe identitetet gjinore, shkruan KultPlus.

Aktivitetet që do të mbahen përgjatë Javës së Krenarisë do t’i nxjerrë në pah këto çështje të cilat do të vijnë përmes diskutimeve, ekspozitave dhe eventeve artistike.

Për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm që ka ndodhur kundër personave LGBTI pas Paradës së Parë të Krenarisë “Në Emër të Dashurisë”, si dhe për shkak të nevojës së tyre për të jetuar në vende ku ndihen të lirë nga paragjykimet, pa u ballafaquar me refuzime dhe diskriminim, tash organizatat dhe personat LGBTI vendosën që këtë vit Paradën ta emërojnë “Në Emër të Lirisë”. Në këtë mënyrë ne shprehim reagimin tonë dhe kërkesën për liri dhe siguri për komunitetet.

Sllogani “Në Emër të Lirisë” kërkon liri të shprehjes, liri të të qenurit të sigurtë, për liri te ndryshme të identitetit dhe sekualitetit, për jo-diskriminim dhe liri në konfidencialitet.
Para e krenarisë do të mbahet të mërkurën më 10 tetor duke filluar nga ora 11:30 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Vitin e kaluar më 10 tetor është shënuar për herë të parë “Java e Krenarisë”/ KultPlus.com