Letërsi e muzikë në Javën e Kulturës Kineze

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Javës së Kulturës Kineze, çeli sot një ekspozitë me libra të autorëve kinezë më të spikatur, të përkthyer në shqip.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë kësaj jave në hollin kryesor të BKSH-së.

Ndërkohë dita e djeshme solli një mbrëmje të paharrueshme në Katedralen Ortodokse në Tiranë, në nder të 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë.

Publiku pati kënaqësinë të dëgjonte melodi të veçanta nga trashëgimia mijëra vjeçare kineze, të interpretuara me mjeshtëri nga artistët kinezë. Ritmet tradicionale përfshinë shpirtin e muzikës kineze, të mbushur me filozofi dhe spiritualitet.

Ndërkohë Teatri Kombëtar i Operas e Baletit kishte përgatitur një surprizë për artistët kinezë. Ansambli Popullor interpretoi një valle shqiptare në formë përshëndetjeje për të pranishmit, duke i ftuar edhe ata të bëheshin pjesëmarrës e duke treguar se muzika është ura më e bukur që bashkon kulturat dhe njerëzit./atsh/KultPlus.com

Art, kulinari dhe letërsi, përmbyllet Java e Kulturës Kineze

Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u përmbyll të premten në mbrëmje Java e Kulturës Kineze, me panairin e kulinarisë, organizuar nga Ambasada e Kinës në Shqipëri, Ministria e Kulturës dhe bashkia Tiranë.

Qytetarë të shumtë por dhe turistë shijuan ushqimet e shijshme kineze dhe çajin kinez  si dhe u njohën gjithashtu dhe me literaturën e Kinës pasi në shesh ishin vendosur stenda me libra dhe revista.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, i cili vizitoi disa prej stendave, artistë, qytetarë dhe turistë të shumtë.

Javës Kulturore Kineze, nisi me ekspozitën historike fotografike e cila u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Më pas në sheshin “Italia” u zhvillua një performancë Taiji, art marcial tradicional kinez.

Gjithashtu artistë kinezë performuan në sallën e Katedrales Ortodokse, së bashku me artistë të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve. /atsh /KultPlus.com