Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare çeli sot siparin përmes një ceremonie të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”.
Në ceremoninë festive ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë, qytetarë, etj.
Në fjalën e tij, ministri Blendi Gonxhja tha se “Javët Kulturore Ndërkombëtare do të rrokin gjithë vendin për 7 muaj rresht deri në nëntor, nisur nga Tirana për të mbushur salla, teatro, galeri arti, sheshe dhe qytete me programe të pasura aktivitetesh nga 20 shtete”.
“Nga nesër merr jetë “Java e Evropës” si rrënjë dhe perspektivë e jona, e para jo pa qëllim e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë. Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Holandën, Turiqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën e Kosovën, fqinj e miq të largët në sofrën shqiptare ditë e natë si në shtëpinë tuaj”, nënvizoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “kodi ynë gjenetik na thotë se shtëpia jonë është edhe Zotit, pavarësisht besimit të robit, e mikut pavarësisht prejardhjes racës, ngjyrës. Ndaj Shqipëria promovon manifestimet mbarëkombëtare, ndërkombëtare dhe nxit diversitetin”.
Kryebashkiaku Veliaj tha se “ne do t’i fillojmë javët e kulturës me atë që është bashkëpunëtori më i madh, adresa jonë destinacioni ynë, ambicia jonë e madhe me Javët e Bashkimit Evropian. Pastaj do të vazhdojmë me javën e Francës, ku do të kemi aktivitete të ndryshme“.
“Ftesa imë është që secili prej jush në vendin e tij të punës, në një institucion, në një shkollë, në një biznes që ka partneritet me një nga vendet të organizojë një minijavë të kulturës. Besoj se kultura, muzika, arti, teatri i bashkon njerëzit më shumë se politika”, tha Veliaj.
Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin kështu rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri. Dy edicionet e tjera kanë sjellë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, qindra artistë nga bota.
JKN filloi si një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës në vitin 2022, me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.
Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./KultPlus.com