Nga sot nis Java Britanike në Shqipëri, e cila kësaj here vjen me moton: “Partnerë për Progres”.
Lidhja e ngushtë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kremtohet përmes një festivali njëjavor të kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit.
Sipas JKN, ky program dinamik tregon se si dy vendet tona po punojnë së bashku si “partnerë për progres”, duke nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë, mësimin e përbashkët dhe shkëmbimin krijues.
Java Britanike do të vazhdojë deri më 22 shtator. Në programin e saj renditen konferenca, ekspozita që nxisin novacionin vendas, biseda me regjisorin e shquar Mike Figgis, performancë në sheshin “Skënderbej”, por edhe aktiviteti “Freedom and Transformation Festival” me shkrimtaren Lea Ypi, Sir Noel Malcolm e Misha Glenny, në tema që variojnë nga historia e përbashkët e deri tek të drejtat e njeriut./atsh/KultPlus.com
Shqipëria do të mikpresë Javën Kulturore Britanike nga 16-22 shtator, e cila do të sjellë konferenca, festivale, workshope speciale dhe evente që përfshijnë muzikën elektronike dhe diskutime.
Përmes një festivali një javor të kulturës, inovacionit e shkëmbimit krijues, ministri i Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se festohen lidhjet e ngushta midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Çelja e Javës Kulturore Britanike do të jetë mbrëmjen e së hënës me performancën “BED – In Memory of Derek Jarman”, në galerinë “Naan” në Tiranë, nga artisti Jez Dolan nga Manchester.
“BED – In Memory of Derek Jarman”, është një interpretim modern që pasqyron diversitetin e komunitetit LGBTQIA+ të vitit 2024. Çiftet që do të paraqiten gjatë performancës do të ndryshojnë çdo 45-60 minuta, dhe do të angazhohen në biseda të qeta, do të lexojnë ose do të flenë gjatë ditës.
Për të gjithë të apasionuarit pas kinematografisë, është rezervuar edhe një masterclass. Ky event ofron një mundësi të shkëlqyer për të mësuar nga një profesionist i njohur si regjisori Mike Figgis.
Pjesëmarrësit që duan të jenë në të ardhmen kineastë, do të kenë mundësinë të eksplorojnë teknikat dhe qasjet e reja në film dhe të angazhohen në biseda të frytshme që ndihmojnë në avancimin e industrisë së filmit në Shqipëri.
Me 18 shtator, ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Shqipëria do të diskutojnë praktikat më të mira në ligjin për statusin e artistëve. Me 19-të, do të ketë diskutime të hapura mbi Artet Vizuale.
Një hapësirë e veçantë i është rezervuar përgjatë kësaj jave edhe teknologjisë. Të rinjtë e qytetit verior të Hasit do të do të demonstrojnë aftësitë e reja që kanë fituar përmes projektit Alternative Pathways.
Ndërsa për të rinjtë e kryeqytetit dhe jo vetëm, të pasionuar pas muzikës elektronike do të kenë mundësi që pas orës 23:00 të datës 20 shtator të shijojnë një atmosferë elektrizuese në parkingun e sheshit “Skënderbe”. Artistë të këtij zhanri muzikor nga Britania e Madhe dhe Shqipëria premtojnë momente të paharrueshme.
Kjo javë premtuese, sjell në Tiranë dhe Durrës më 21 dhe 22 Shtator edhe “EA Festival – Liri dhe transformim” kuruar nga akademikja dhe autorja e shumë librave, LEA YPI.
Tematikat e diskutimeve lëvrojnë nga arti dhe letërsia te bujqësia e ripërtëritshme dhe drogërat haluçinative. Për më tepër, EA Festival i organizon ngjarjet e ndryshme në bashkëpunim me organizata të rëndësishme kulturore, duke përfshirë ‘’The Food Museum, Jockey Club Rooms, Gainsborough’s House, Battersea Power Station’’ dhe ‘’Essex Book Festival’’./atsh/KultPlus.com
Javët Kulturore Ndërkombëtare rikthehen së shpejti për t’i dhënë gjallëri jetës kulturore në vend. Një prej aktiviteteve që pritet të nisin në muajin shtator, është EA Festival – Freedom & Transformation. Ky festival vjen në Shqipëri përgjatë Javës Kulturore Britanike.
EA Festival – Freedom & Transformation është një festival idesh kuruar nga Lea Ypi, profesore në Teori Politike ne Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, Profesore Nderi në Filozofi në Universitetin Kombëtar Australian, autore e librit “Të Lirë”, përkthyer në 30 gjuhë të botës. Festivali vjen në Durrës e Tiranë më 21 dhe 22 shtator.
“Liri dhe Transformim” është një event dyditor kulturor ku shkrimtarë, publicistë dhe mendimtarë do të diskutojnë mbi historinë, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë dhe migracionit, politikën dhe poezinë.
Organizatorët e JKN ftojnë të bëheni pjesë e EA Festival për të përjetuar një pelegrinazh idesh drejt lirisë dhe shpresës pasi letërsia dhe arti kanë aftësinë magjike për të ndryshuar mendje dhe zemra./atsh/KultPlus.com