Përmbyllet Prishtina Jazz Festival, cilësohet organizim me kapacitet të lartë artistik

Me një koncert të ndarë në katër pjesë, mbrëmë është përmbyllur Prishtina Jazz Festival, i cili për pesë netë me radhë është mbajtur në ambientet e Teatrit Oda, shkruan KultPlus. Është cilësuar si i suksesshëm në tërësi organizimi i Jazz Festivalit, i cili me edicionin e dytë veçse e ka vulosur rikthimin e tij të fuqishëm pas një pauze disa vjeçare.

Mbrëmja e fundit e këtij edicioni filloi me Sheki Hoxhën & Friends, të cilët për rreth 40 minuta dhuruan emocione të shumta për adhuruesit e muzikës Jazz. Një harmoni e mrekullueshme mes kitarës elektrike, pianos, saksafonit dhe baterive ka zhytur audiencën në tinguj të larmishëm, prej të cilëve çdo moment shpërthente në adrenalinë e vallëzim gjithandej. Befasia e kësaj pjese ishte interpretimi i Taulant Mehmetit.

Pjesa e dytë u dha nga kitaristi Keidi Barbullushi dhe band- i tij nën përcjellje të instrumentit të kontrabasit dhe baterive. Kjo performancë ka përfshirë muzikë tradicionale të Jazz-it amerikan, në përgjithësi me tinguj dhe ritme të njëjta, të cilat të jepnin mundësi më shumë për ta shijuar se sa për të vallëzuar.

Krejt i veçantë ishte interpretimi i artistit Librun Jupolli. Përveç një stili unik interpretues, interferimi i fjalëve të gjuhës shqipe krahas tingujve muzikorë të rrëmbenin në origjinalitetin e tyre. Free Jazz dhe Fuison ishin stilet e muzikës të përfshira në këtë koncert. Lëvizjet e tij milimetrike flisnin shumë për profesionalizmin e tij. Për njëfarë kohe në skenë iu bashkua edhe band-i i tij në piano, kitarë dhe bateri.

Krejt në fund të koncertit u paraqit Visar Kuçi-Trio, i cili ndryshe prej koncerteve të tjera këtë herë interpretonte me kitarë. Kontrabasi dhe bateritë ishin instrumentet përcjellëse. “104”, “August”, “Departures”, “Enisa”, “Kurtulus”, e “Archaic” ishin veprat të cilat dhanë ritme të mrekullueshme për audiencën e cila me gota vere i ndjente në çdo qelizë gjatë tërë mbrëmjes.

Pas pjesës artistike, në një prononcim për media Sheki Hoxha ka thënë se është kënaqur në këtë festival, dhe se e vetmja gjë e keqe e festivalit është që ai tashmë kishte përfunduar.

“Xhaferi e ka organizuar në mënyrë maestrale, shumë të bukur. Interpretuam dy vepra origjinale, gjithsej katër kompozime, dy prej tyre standarde të mirënjohura që të gjithë jazzman-ët i njohin. E shfletova edhe albumin tim dhe e interpertova ‘Kosova Blues’ që e kam incizuar në vitin 1999 dhe deri më atëherë nuk ka pasur album jazz shqiptar. Unë ia kushtova Kosovës pasi Kosova ishte e vuajtur. Tek pjesa e dytë, e aranzhova enkas para një jave. Kështu që e provuam dhe me intruduksionin që ishte askush nuk mund ta dinte se për çfarë vepre bëhet fjalë sepse e përpunova në atë mënyrë. ‘Kosova Blues’ dhe ‘E dehur jam’ ishin autoriale ndërsa ‘Caravan’ e Duke Ellington e autorit të madh”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa artisti Liburn Jupolli festivalin Prishtina Jazz Festival e ka quajtur një perlë prej të cilit është zhvilluar edhe vet ai si artist.

“Shpresoj që njerëzit të vijnë sa më shumë në Jazz Fest. Ky festival është vërtetë një perlë e festivaleve me të cilin jemi zhvilluar unë dhe gjenerata ime. Shpresoj që edhe shumë gjenerata të tjera do të zhvillohen në të ardhmen. Është një festival i rrallë i cili duhet të jetë në skenë dhe të jetë tradicional në Kosovë, ashtu siç janë edhe dy festivale të tjera. Shpresoj që do të bëhet tash edhe një në Ferizaj” ka thënë Jupolli duke potencuar se veprat e interpretura ishin origjinale.

“Festivali që shumë vite ka inspiruar lloje të ndryshme te Jazz-it. Jazz-i është shumë i gjerë. Prej filleve të Jaz-it deri sot kemi disa lloje të ndryshme që janë zhvilluar. Janë interrpretuar Free Jazz, Fusion e disa stile të tjera, të cilat i gjen nga pak nëpër Jazz Muzikën e Kosovës, ka qenë pak a shumë në atë vazhdë. Brenda këtij mini-koncerti janë disa pjesë që ende nuk janë të përfunduara, që kanë me qenë për band të cilat pres me i zhvillu në ndërkohë. Është material prej periudhës kur kam qenë në Francë (2017), që kanë mbetur pa u përfunduar. Është një lloj kaleidoskopi i ideve që i kam mbledhur për publikun e sotëm”.

Ndërkaq, kitaristi Keidi Barbullushi tha se si çdo herë tjetër interpretimi në Kosovë për të ka qenë fantastik.

“Ishte më shumë program amerikan, nuk kemi luajtuar asnjë pjesë origjinale. Ne kishim një format trio, pati shumë liri për secilin, por gjithmonë duke qëndruar te struktura e pjesëve. Të gjitha ishin pjesë amerikane nga kompozitorë të ndryshëm. Koncerti ishte pure Jazz, nuk kishte ndonjë përzierje tjetër. Të gjitha pjesët ishin të fokusuara te Jazz-i tradicional, të gjitha pjesët ishin vepra që janë krijuar në vitet 40- 50-ta. Ishte më shumë në formatin e Jazz-it dhe nuk kishte ndonjë veçanti tjetër”, ka thënë Keidi.

Ndërkaq, Ilir Bajri i cili ka qenë organizator i festivalit qysh në fillet e tij ka thënë ky edicion i këtij festivalit ka pasur nivel të lartë artistik, ritmi i të cilit do të duhej të vazhdohej dhe të shpeshtohej edhe përgjatë vitit.

“Më gëzon fakti që festivali po vazhdon. Ka qenë kohë e gjatë prej kur është mbajtur edicioni i fundit i grupit të parë të koncertve të viteve 2005-2014. Armendi vendosi ta vazhdojë. Ky është edicioni i dytë, shpresoj që të vazhdojë edhe në të ardhmen. I falënderoj institucionet të cilat e kanë përkrahur këtë festival. Duke e marrë parasysh suksesin e këtij edicioni, i cili nuk është vështirë të vërehet besoj që do të përkrahet edhe në vazhdim, pasi një organizim i tillë kulturor është i dobishëm për qytetin. Një festival i tillë e pasuron jo vetëm jetën kulturore të kryeqytetit po iu jep mundësi edhe muzikantëve të rinj që të kenë mundësi me pas mundësi të njihen me muzikë të re, të krijojnë miqësi me artistë të huaj. E kjo është shumë e rëndësishme në zhvillimin e tyre” ka thënë artisti Bajri.

Ai më tej ka thënë se Kosova ka potencial kreativ edhe artistik të gjeneratës së re, dhe sipas tij është mëkat të mos trajtohet me sinqeritet, kualitet dhe përkushtim më të madh.

“Liburni në moment të fundit e pati idenë që me më ftu me interpretu së bashku. Muzika e Liburnit është shumë unike. Kjo është karakteritikë e tij. Interpretuam bashkë e gjetëm balancin. Do të dëshiroja që studentët e shkollave e fakulteteve me qenë më shumë aktiv në pjesëmarrje këtu sepse numri nuk është ndoshta ende shumë i madh, por punojmë edhe në këtë drejtim”, ka përfunduar Bajri.

Prishtina Jazz Festival është mbajtur më 14-18 nëntor, në hapësirën e Teatrit Oda./ KultPlus.com

Festivali i muzikës Jazz ‘Mitrovica International Jazz Days’ sjell edicionin e radhës me talentë nga Kosova dhe rajoni

Rikthehet Mitrovica International Jazz Days, festivali më i madh i muzikës Jazz i organizuar në Kosovë, në vendlindjen e muzikës Jazz kosovare, në qytetin që bashkë me mineralet e çmuara i ka falur Kosovës kaq shumë zëra e tinguj të rrallë, në Mitrovicë, nga 22 deri më 24 gusht.

MIJD 2024, i mbështetur fuqishëm nga publiku i etur për cilësi, nga institucionet qendrore dhe lokale, si dhe nga shumë organizata dhe misione ndërkombëtare në Kosovë, këtë vit e konsolidon pozitën e vet në panoramën kulturore vendore dhe rajonale duke e rikthyer vëmendjen në Mitrovicë për arsyet që ky qytet dhe njerëzit e tij të mrekullueshëm i meritojnë me të vërtetë.

Skena e MIJD 2024 do të jetë shtëpia e re e muzikës Jazz në Sheshin Isa Boletini dhe, si çdo shtëpi e lumtur, do të marrë jetë nga vepra dhe zëri i grave muzikante, yje ndërkombëtare që po e rishkruajnë historinë e këtij zhanri të muzikës dhe që me talentin dhe shpirtin e tyre inovator po e çojnë gjithçka në një nivel të ri.

Programin e pasur të MIJD 2024 e plotësojnë seria e performancave të muzikantëve të rinj tepër të talentuar që vijnë nga Kosova e të gjitha vendet e rajonit, të cilët me energjinë dhe entuziazmin e tyre do ta bëjnë MIJD Big Band-in të buçasë dhe që me projektet e tyre individuale dhe në grupe do të angazhohen në serinë e eventeve shoqëruese që trashëgiminë muzikore ballkanike e vënë në shërbim të krijimit të sound-it unik të Jazz-it ballkanik.

Harta e eventeve nuk do të ishte e plotë pa e menduar edhe diçka të posaçme për fëmijët, andaj MIJD 2024 është kujdesur të krijojë mundësi që fëmijët ta zbulojnë botën e Jazz-it në mënyrë argëtuese dhe interaktive, për ta krijuar një gjeneratë të re të dashamirësve të Jazz-it, si qershi e ëmbël mbi tortë.

Një tjetër risi absolute është edhe organizimi i seancave muzikore terapeutike që synojnë përmirësimin e mirëqenies së individëve me aftësi të kufizuara, duke demonstruar fuqinë shëruese të muzikës.

Në misionin tonë që të frymëzojmë, të edukojmë dhe t’i bashkojmë qytetarët e këtij vendi dhe të rajonit përmes gjuhës universale të muzikës, MIJD 2024 i ka të gjitha eventet falas dhe i pret krahëhapur publikun dhe të gjitha mediat e interesuara.

Për përditësimet më të fundit, informacion të detajuar rreth programit, si dhe për të reja ekskluzive, ndiqni kanalet tona në rrjete sociale./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Muzikës Jazz

30 prilli njihet si dita ndërkombëtare e muzikës Jazz , e cila festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e Jazzit si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve.

Për të shënuar këtë datë, në shumë vende bëhen organizime të ndryshme duke u promovuar këtë rrymë të muzikës, e cila nëpër botë është mjaft e popullarizuar.

UNESCO ka caktuar 30 prillin për këtë ditë, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor të 2011-ës.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ndikon për një ormë tjetër të menduarit të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë.

Instrumentet më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentet elektrike mbas viteve 70-të.

Eda Zari sjell festivalin e jazz-it në Tiranë

Për të apasionuarit e muzikës jazz, në Tiranë do të vijë festivali Jazz & Wine International Festival Albania.

Ky festival jazz-i do të sjellë në Tiranë artisten Eda Zari dhe miqtë e saj artistë, nga vende të ndryshme të botës. Ky edicion i Jazz & Wine, me moton “Tingulli dhe fjala si një palimpsest”, vjen në kuadër të “tetorit gjerman”.

Së bashku me kolegë të tjerë, Eda Zari do të interpretojë mbrëmjen e datës 28 tetor, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse Tiranë.

Me të do të jetë Rhani Krija, artist me të cilin prej më shumë se dy dekadash, Zari ka krijuar një simbiozë melo-ritmike unike, kimi që ka rivitalizuar repertorin e këngëve tradicionale shqiptare.

Rhani Krija, zotëron çdo instrument perkusiv. Ai ka lindur në Marok por jeton e krijon në Këln të Gjermanisë. Krija ka realizuar turne koncertale me yje botërore dhe vlerësohet jashtëzakonisht në skenën ndërkombëtare, ku shquhet për duart magjike dhe sensin e pakrahasueshëm ritmik. Ai ka luajtur me Sting, Peter Gabriel, Annie Lennox, Herbie Hancock dhe Prince, Lady Gaga etj.  Sipas tij “Muzika tradicionale shqiptare, është një pasuri për muzikën botërore”.

Në këtë natë “Jazz dhe Poezi”, artistja, e cila këtë herë do të performojë në skenë edhe me djalin e saj Henning Jung, bashkon ‘creme de la creme’ të skenës aktuale të xhazit për të formuar një septet unik, botë orkestrale, ritme dhe poezi, të bashkuara në një ngjarje zanore kinematografike. Një varietet shpërthyes, i sofistikuar dhe tërheqës.

32 vitet e Eda Zarit mes shqipes dhe gjermanishtes tashmë, na sjellin “një shkëlqim të fshehtë ”brenda “Palimpsestit” të mendjes dhe zemrës, Lasgush Poradecit dhe Heinrich Heine-s. / atsh / KultPlus.com

Si dhe ku lindi magjia e Jazz-it, kush ishin ata që e shndërruan atë në kaplimin hyjnor të shekullit?

Jazz është shkrirje e te shprehurit muzikor laik e shpirtëror e zezakeve amerikane me prejardhje afrikane dhe e elementeve muzikore evropiane. U paraqit ne mbarimim të shekullit XIX në Amerikë si rezultat i vuajtjeve nen roberin e te bardhëve. Karakteristike e tij është ritmi me akcent jo te drejte, forma josimetrike, sinkopat e shpeshta dhe intervalet e zbritura e te zvoguluara.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ka një rol shumë të madh në edukimin dhe formimin e individit. Muzika Jazz ndikon për një formë tjetër të menduari të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti. Muzika Jazz shquhet për një teknikë të veçantë, improvizime dhe fantazi. Ajo ka aftësinë të depërtojë në skutat më të thella të ëndjes dhe nevojës së muzikëdashësit për t’iu dhënë i gjithi një fluturimi të lirë në qiellin e thyer të ëndrrave.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Muzika Jazz ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe europiane. Prejardhja afrikane e muzikës Jazz është e dukshme në përdorimin e “notave blu”, që janë tinguj të vecantë, improvizimin, poliritmin, sinkopat, muzikën modale etj. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz, Afro-Kuban jazz, Modal-jazz, Free-jazz, Latin Jazz, Soul-Jazz, Fuzion Jazz dhe Rock jazz, Smooth jazz, Funk jazz, Jazz punk, Acid jazz, Ethno jazz, Indo jazz dhe mënyra të tjera për të luajtur muzikë.

Instrumentët më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentët elektrikë mbas viteve 70-të.

Instrumenti i trombës ka një vend shumë të rëndësishëm në muzikën Jazz. Tromba si një instrument shumë i vecantë për muzikën në përgjithësi ka një pozicion prominent në muzikën Jazz. Tromba është edhe simboli i muzikës Jazz. Krahas instrumenteve të tjerë ajo është përdorur nga shumë kompozitorë të muzikës Jazz. Tingulli i saj, notat e larta i japin trombës vlera të mëdha dhe ky instrument shpreh tinguj dhe ngjyra shumë origjinale në këtë lloj zhanrri.

Krahas një seri instrumentistësh të mëdhenj në instrumeta të ndryshëm, një rol të madh kanë luajtur edhe trombistët amerikanë: Louis Armstrong, Dizzy Gillespie, Miles Davis dhe vazhdojnë ta lozin në ditët tona këtë rol Wynton Marsalis dhe Arturo Sandoval.

Muzika xhazSatchmo

Louis Armstrong, me nofkën Satchmo, ka qenë një trombist dhe këngëtar amerikan i muzikës Jazz, nga New Orleans, Louisiana.

Armstrong filloi të marrë famë në fillim të viteve 1920-të. Armstrong ka patur një ndikim themelor në muzikën Jazz. Ai ishte një trombist shumë i mirë dhe shpikës në muzikë.

Ai zhvendosi fokusin e muzikës nga improvizimet kolektive në lojën solo. Me zërin e tij të veçantë si “zhavorr”, Armstrong ishte gjithashtu një këngëtare me influencë, duke demonstruar shkathtësi të madhe si një improvizues. Ai e lidhi lirikën me melodinë e këngës për qëllime shprehëse. Ai ishte gjithashtu shumë i aftë në të kënduarit Scat, një lloj të kënduari (duke vokalizuar, përdorur tingujt dhe rrokjet në vend të këngëve lirike aktuale të kohës).

Armstrong u lind në një familje shumë të varfër në New Orleans, Louisiana dhe vinte nga një familje skllevërish.

Armstrong vdiq nga një atak në zemër në gjumë në vitin 1971, një muaj para ditëlindjes së tij të 70-të .

Një kritik shkruan për Louis Armstrong: “Ai lindi i varfër, vdiq i pasur dhe nuk shqetësoi asnjeri përgjatë rrugës së tij”

“When the Saints go marching in” është një pjesë tipike, spiritual, që ishte edhe simboli i Armstrong. Armstrong lot në trombë në këtë këngë dhe këndon me shumë emocion këtë pjesë tipike, spiritual duke dhënë mesazhe jetësore dhe të shenjta nëpërmmjet artit, muzikës së tij. Dizzy Gillespie, ishte një trombist amerikan i muzikës Jazz , drejtues orkestre muzikore, kompozitor dhe këngëtar.

Scott Yanow shkruante, “Kontributet e Gillespie për muzikën Jazz ishin të mëdha. Gillespie ishte një prej trombistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Jazz. Ndoshta Gillespie kujtohet, nga kritikët dhe tifozët, si një prej borizanëve të Jazzit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. ” Gillespie ishte një virtuoz borisë dhe improvizues, por duke shtuar edhe shtresa të kompleksitetit harmonik të panjohur më parë në xhaz. Gillespie përdori harmoni të vecantë në lojën e tij, gjuhë të re harmonike.

Bebop është i njohur si stil i parë i Jazzit modern. Bebop u konsiderua si një produkt i Swingut, por jo një revolucion në muzikë. Swing prezantonte një diversitet të muzikantëve të rinj në epokën e Bebop si: Charlie Parker, Thelonious Monk, Bud Powell, Oscar Pettiford dhe Gillespie. Sistemi Charlie Parker ka mbajtur gjithashtu metodat duke shtuar akorde me akordet ekzistuese progresive dhe duke nënkuptuar akorde shtesë brenda linjave të improvizuara. Dizzie Gillespie është i famshëm dhe është një nga themeluesve të Bebop modern (së bashku me Charlie Parker) dhe muzikës Kubane kanë ndikuar tek Jazz. Ai vdiq në vitin 1993 duke lënë prapa një trashëgimi artistike të madhe. Ai e vuri në shërbim të artit edhe fëtyrën e tij, duke fryrë faqet kur luante në trombë.

“A night in Tunizia” e luajtur nga Gillespie në trombë me sordinë, nëpërmjet ritmit, melodisë dhe interpretimit, krijon një pejsazh surrealist dhe shumë emocional.

Miles

Miles Davis ka qenë një muzikant amerikan i Jazz-it, drejtues i bandës muzikore dhe kompozitor. Ai konsiderohet gjerësisht si një prej muzikantëve me më shumë ndikim në shekullin e 20-të. Miles Davis ishte në ballë të zhvillimeve muzikore të mëdha në Jazz me grupet e tij muzikore, duke përfshirë Bebop, Cool Jazz, Modal Jazz dhe Jazz fuzion.

Më 7 tetor 2008, albumi “Kind of Blu” i vitit 1959 mori certifikatën e katërt platinit nga Shoqata e Industrisë Regjistrimi në Amerikë, (RIAA) për dërgimin e të paktën katër milionë kopjeve të disqeve të tij në Shtetet e Bashkuara.

“Summertime” është një pjesë nga albumi ”Porgy dhe Bess” e muzikantit Miles Davis, botuar në vitin 1958 në Columbia Records. Albumi përmban rregullimet e bëra nga Davis në bashkëpunim me Gil Evans nga opera e George Gershwin “Porgy and Bess”. Për shumë kritikë të Jazz , “Porgy and Bess” konsiderohet si vepër historike.

Në vitin 1958, Davis ishte njëri prej muzikantëve të Jazzit më të pakënaqur me Bebop-in, duke parë ndryshimet e tij gjithnjë e më komplekse akordike si pengesa krijimtarisë. Pesë vjet më parë, në vitin 1953, pianisti George Russell botoi konceptin e tij kromatik lidian të organizimit të tonaliteteve, e cili ofronte një alternativë për praktikën e improvizimit bazuar në akorde. Kompozimi modal, me mbështetjen e tij mbi shkallë dhe mode përfaqësonte, sic shkruante Davis: “një për kthimin melodi”.

Një dëgjues kur dëgjoi “Summertime” nga “Porgy and Bees”, të luajtur nga Davis shkruan: “Ju mund të ndjeni flladin e verës duke prekur fytyrën tuaj nga muzika e Trombës së Davis”.

Marsalis

Wynton Marsalis, është trombist, kompozitor, mësues muzike dhe drejtori artistik i Jazzit në qendrën Linkoln në New York City. Marsalis ka promovuar shpesh muzikën klasike dhe Jazz në audienca me të rinj. Marsalis ka marrë nëntë cmime Grammys në të dy zhanret, atë klasik dhe Jazz. Marsalis është djali i muzikantit të Jazzit Ellis Marsalis.

Një dëgjues shkruan për Marsalis: “Faleminderit ju të gjithëve që më kujtuat mua se diskutimi për muzikën ndryshon subjektin prej tingujve në fjalë”. Marsalis arrin ti kthejë tingujt në fjalë.

Marsalis është një muzikant universal. Ai lot shumë mirë muzikën klasike dhe atë Jazz. Marsalis shquhet për teknikën shumë të lartë dhe një tingull të vecantë. Ai krijon nëpërmjet talentit të tij emocione të vecanta tek dëgjuesit. Marsalis e bën trombën të flasë, falë një kombinimi të artit muzikorë, aftësive dhe mendjes së tij, aftësive mendore dhe komunikimit.“Cherokee” e luajtur nga Marsalis, është një pjesë tipike me teknikë të lartë, ku dallohet qartë kthimi i tingujve në fjalë nga muzikanti i madh amerikan.

Sandoval

Arturo Sandoval është një trombist Jazzi, pianist dhe kompozitor. Ai ka lindur në Artemisa, Kubë.

Sandoval ndërsa jetonte në Kubë, ishte ndikuar nga legjendat e Jazzit, Charlie Parker, Clifford Brown dhe Gillespie. Ai e takoi më në fund Dizzy Gillespie në vitin 1977. Gillespie menjëherë u bë një mësues dhe koleg, duke luajtur me Arturo Sandoval në koncerte në Evropë dhe Kubë dhe më vonë në orkestrën e Kombeve të Bashkuara. Sandoval dezertoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Spanjë, në një turne me Gillespie në vitin 1990, dhe u bë një qytetar amerikan në vitin 1999. Jeta Sandoval ishte subjekt i filmit 2000 TV, “For Love or Country”: Ai aktualisht banon në Calabasas, Kaliforni.

“Aniversario” e luajtur nga Sndoval dhe Gillespie është një pjesë me teknikë të lartë komunikimi, ku Gillespie mentori i Sandoval dhe ai vetë lozin në një mënyrë të magjishme pjesën “Aniversario”.

Talenti i madh i Sandoval e ka udhëhequr atë që të lidhet me muzikantë shumë të mëdhenj, por ndër më të rëndësishmit është Dizzy Gillespie. Gillespie ka qenë idhtarë i muzikës afro-kubane dhe ka qenë “babai shpirtëror” për Sandoval. Sandoval shquhet për një talent brilant dhe një lojë të vecantë në instrumentin e trombës, sidomos për notat shumë të larta dhe natyrale. Ky ishte një historik modest për këto muzikantë të mëdhenj amerikanë të trombës të të gjitha kohrave në muzikën Jazz. /Albert Vataj / KultPlus.com

Nga Vjena në Kosovë, Fiona Llapashtica vjen me performancë në KultPlus Caffe Gallery

Fiona Llapashtica nesër vjen në KultPlus Caffe Gallery në një mbrëmje muzikore që do të jehojë në këngë të zhanrit pop dhe jazz, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të keni rastin të dëgjoni një këngëtare me sharmë e me zë që të futet thellë brenda poreve të trupit.

Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium.

Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë disa nga këngët më të fuqishme, në mesin e tyre edhe: ‘What ever Lola wants’ nga Jerry Ross, ‘Give me give me’ nga ABBA, ‘Love on the Brain’ nga Rihanna e shumë të tjera.

Ngjarja do të filloj nga ora 20:00. / KultPlus.com

Arben Ramadani & Armend Xhaferi mbrëmë erdhën “Pa kornizë”, sollën një koncert që doli përtej limiteve

Era Berisha

Një mprehtësi e thellë e tingullit jo të zakonshëm që buronte lehtësisht dhe sillte një emocion të pakrahasueshëm që vendosej pikërisht përbrenda qenies së njeriut, erdhi mbrëmë nëpërmjet mbizotërimit të dy instrumentistëve kosovar, pianistit Arben Ramadani dhe kitaristit Armend Xhaferi, të cilët mbrëmë pushtuan skenën me madhështinë e muzikës xhaz e cila për herë të parë shkeli me këmbë në festivalin “Chopin Piano Fest”, shkruan KultPlus.

Në edicionin e dymbëdhjetë të festivalit, kjo është hera e parë që muzika xhaz ka një hapësirë tejet të veçantë në programin e larmishëm të tyre. E kjo ndërhyrje dukshëm solli me vete edhe një publik krejt ndryshe mbrëmë në sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Ndonëse ndriçimi ishte i njëjtë si në katër netët paraprake, përsëri ishin dritat e ngrohta përreth dhe sipër skenës ato të cilat dukshëm iu vinin në ndihmë publikut i cili shikonte me ëndje interpretimin e dy instrumentistëve në skenë. Me reflektorë me ngjyrë të bardhë që vinin në pah logon e dizajnit në prapaskenë dhe dritën natyrale e cila gjithmonë rri e vendosur sipër hapësirës në publik, të pranishmit mirëpritën me duartrokitje e buzëqeshje një mbrëmje e cila vulosi këtë edicion me kujtime të paharrueshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që në mbrëmjen e pestë të këtij edicioni, është një natë krejtësisht ndryshe nga të tjerat, madje për të gjithë festivalin në përgjithësi.

Për të pranishmit të cilët nuk kishin dëgjuar akoma talentin e mirënjohur të dy instrumentistëve, ishte prezent dhe një libërth që përmbante fakte dhe informacione për pjesëmarrësit në edicionin e 12-të të Chopin Piano Fest. Ndërkaq, përpara se koncerti të shënonte fillimin e tij, skena ishte pushtuar nga tela të cilët janë të njohur për skenën e një koncerti xhaz. Të gërshetuar mes vete, ata ndihmonin për një audio më të mirë të kitarës që pas pak do të pushtohej nga kitaristi Armend Xhaferi.

Në skenë, doli kitaristi Armend Xhaferi i cili e nisi koncertin me një interpretim të dy pjesëve të xhazit dhe e përfundoi atë me një pjesë të vetë kompozimit të tij. Ky interpretim që u shoqërua gjithandej me një qetësi absolute nga ana e publikut, solli melodi të cilat i dhanë jetë skenës dhe e gjallëruan atë në një mënyrë tejet të çoroditur. Ishin tingujt ata të cilët këndshëm rrotulloheshin në atmosferë për të kapluar kështu gjithë vëmendjen e të pranishmëve ndaj vijës melodike sa të butë e të lehtë aq edhe intime.

Ndërkaq, kitara e cila ishte shndërruar në një trup të dytë në skenë krahas kitaristit, ishte ajo që mori vështrime ziliqare. E bukur në pamje, por madhështore në ndezjen e saj, ajo kaploi çdo shpirt të pranishëm nën vorbullën e saj magjike. E interpretimi mahnitës nga kitaristi Xhaferi bëri që pjesa e parë e kësaj mbrëmjeje të jehojë në plot katër muret e vendit dhe jo vetëm.

Gishtërinjtë mbi kitarë dukeshin se kishin marrë një elektrizim të tyrin i cili të jepte ndjenjën se nuk do të kishte fund. Që nga fillimi e deri në përfundim, ata nuk pushonin lëvizjet e tyre precize të kontrolluara nga vetë kitaristi. Ndërsa, ishin vetë shprehjet e fytyrës së tij dhe luhatjet e lehta trupore të cilat dëshmonin për një pasion të zjarrtë për muzikën xhaz. Përgjatë gjithë natës, ti nuk mund të definoje se kush kënd e kishte kapluar në një rënkim melodish. Kitara kitaristin apo e kundërta.

Gjithashtu, pjesa e dytë solli pianistin Arben Ramadani për një rikthim të fuqishëm në skenën shqiptare. Pas rreth shtatë vitesh, ai përsëri shkeli skenën shqiptare dhe e pushtoi atë me një interpretim të pashoq në piano. Prezenca e tij skenike dhe ndryshe nga të gjithë interpretuesit e tjerë, po tregonte për një talent që rrallëherë e gjejmë në mesin tonë. Pianoja përballë tij dhe ai përballë pianos, ishte një dyshe e mrekullueshme që qysh në sekondën e parë tërhoqi dëgjuesin e pranishëm pas vijës melodike.

Meloditë e pastra që vinin ëmbëlsisht nga instrumenti gjigand arrinin të hynin lehtazi përbrenda shpirtit të gjithsecilit. Me një kompleks tingullor, pianisti interpretoi vepra të cilat erdhën krejtësisht ndryshe nga që e prisnim. Introverte në thelb, por aq të fuqishme në atmosferë, veprat e performuara sollën një koncert pianistik që asnjëherë nuk është shfaqur më parë. Nata e mbrëmshme dukshëm la përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku kosovar dhe kjo vërehej më së miri edhe atëherë kur të gjithë sytë e pranishëm nuk po largoheshin aspak nga skena e cila ishte e dekoruar me lule shumëngjyrëshe të cilat njëlloj portretizonin llojllojshmërinë e tingujve dhe melodive që buronin nga pianoja.

Eleganca e pianistit Arben Ramadani nuk erdhi vetëm nëpërmjet qëndrimit të tij skenik, ajo u shfaq dhe në lojën e tij pianistike. Vija e tij melodike që posedonte një qartësi të paparë po e fuste publikun në një drithërimë sa të lehtë aq edhe frymëzuese. Karakteristik në lëvizjet e tij, pianisti zotëronte një teknikë autentike të vetën, gjë kjo që të gjithë sallën e shndërroi në pronësinë e tij muzikale. Me sy e vesh drejt skenës, të pranishmit u magjepsën pas jo vetëm instrumentit bardh e zi, por edhe pas pianistit që këtë instrument e bënte të dukej i vogël në krahasim me talentin e tij.

“Chopin Piano Fest” po vazhdon që edhe në natën e pestë të tij të dëshmoj një kapacitet të lartë të profesionistëve kosovarë në muzikë, për të cilët publiku dukej se ishte i etur për t’i parë e dëgjuar.

Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga “Martesa jonë”. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptarë, mbrëmë erdhi nga dueti unik i pianistit Ramadani dhe kitaristit Xhaferi. Interpretimi i tyre aq i afërt me njëri-tjetrin erdhi në një nivel që se kishim dëgjuar e parë më herët. Një emocion i rrallë në skenë u ngjall nga kjo dyshe e cila gërshetoi pianon dhe kitarën në një këngë shqipe që shënoi fundin e kësaj mbrëmje madhështore.

Ky koncert në thelb përmbante disa vepra popullore dhe “Nokturna” të kompozitorit Frédéric Chopin, në fakt nuk kishte një përmbajtje të saktë të programit, për arsye se dyshja me dëshirën e tyre sollën improvizime në vepra të ndryshme të xhazit. Kjo ndodhi me qëllim që gjithçka të ishte spontane jo vetëm në skenë por edhe në muzikë. Kjo padyshim që solli një koncert tejet unik, duke filluar nga vetë programi që ishte i titulluar “The story of Arben” dhe “The story of Armend”. Ndërsa vetë koncerti erdhi në emërtimin “Pa kornizë”, një emërtim ky i saktë për këtë mbrëmje që me të vërtetë doli përtej limitit dhe solli një interpretim shpirtëror dhe tejet personal të vetë instrumentistëve.

Pas këtyre perfomancave të shumta ku secila erdhi në një frymë ndryshe, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato të cilat u bënë pjesë kyçe në hapësirën e publikut i cili u ngrit në këmbë dhe vazhdonte të falënderonte të dy instrumentistët.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani i cili e vlerësoi lartë këtë dyshe.

“Kjo është diçka e re përbrenda festivalit. Është diçka shumë e bukur sepse edhe unë shpesh kam eksperimentuar dhe jam adhurues i të dy zhanreve, klasikes dhe xhazit. Arbeni është një pianist shumë i veçantë duke marrë parasysh se në interpretimin e tij ka edhe shumë ngjyrime të impresionizmit dhe klasicizmit. Ai është edhe një njohës shumë i mirë i polifonisë së barokut dhe të gjitha këto ai i shfrytëzon shumë bukur dhe krijon një stil unik të vetes si xhaz pianist”, thotë Ramadani.

Sipas tij, publiku kosovar e mirëpret shumë mirë muzikën xhaz dhe natyrisht është shumë i etur për të dëgjuar këtë zhanër në mungesë të koncerteve dhe festivaleve xhaz.

Ndërkaq pianisti Arben Ramadani për KultPlus tregoi emocionet e tij për një rikthim në vendin e tij si dhe bashkëpunimin me kitaristin.

“Është shumë emocionues rikthimi pas shumë viteve në një vend ku unë kam lind dhe kam performuar në prani të audiencës shqiptare. Unë ende e ndjej veten këtu dhe jam i lidhur në njëfarë mënyre mistike me këtë vend. Andaj, ky ka qenë rast shumë i qëlluar. Ne me Armendin kemi ushtruar dje dhe menjëherë kishim një interaksion të paparë me të në muzikë”, thotë ai.

Arbeni tregoi tutje se programi ka qenë jo i planifikuar por një improvizim i hapur, gjithmonë duke u bazuar në disa shtylla.

Po ashtu, kitaristi Armend Xhaferi për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij pas një koncerti të tillë.

“Kjo është hera e parë që po marr pjesë në një festival të muzikës klasike. Ishte një kënaqësi e madhe për të performuar me Arbenin sepse kemi pasur dëshirë qysh herët që të performojmë së bashku. Kryesisht ideja ishte që të mos shkojmë me muzikë të përgatitur që në njëfarë mënyre të nxjerrim muzikën që na është mbledhur në shpirt tash e sa vite. Donim që muzika të dilte spontanisht”, thotë Xhaferi i cili tutje tregoi se kjo është hera e parë që ata të dy interpretojnë së bashku në një koncert.

Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 10 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e gjashtë e këtij festivali vjen më datë 20 maj ku do të interpretojë pianisti gjerman, Florian Uhlig në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës Jazz

30 prilli njihet si dita ndërkombëtare e muzikës Jazz , e cila festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e Jazzit si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve.

Për të shënuar këtë datë, në shumë vende bëhen organizime të ndryshme duke u promovuar këtë rrymë të muzikës, e cila nëpër botë është mjaft e popullarizuar.

UNESCO ka caktuar 30 prillin për këtë ditë, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor të 2011-ës.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ndikon për një ormë tjetër të menduarit të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë.

Instrumentet më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentet elektrike mbas viteve 70-të. / KultPlus.com

Prej jazz në shqiptaren

I.

II – Prej jazz në shqiptaren

Nga Ballsor Hoxha

Bregoviq, dhe muzika e tij në Korçë e Tiranë (para disa viteve) duke shpërfaqur kompleksin e të qenit shqiptarë, është dhembje e këtij qëniesimi, apo keqkuptim i të qënit shqiptarë? Atëherë çka do të thotë tërë kjo përsiatje mbi serben, nëse e tëra është një dhembje e thellë, e të qenit serb. Çka do të thotë e tëra nëse po humbim një dëshmi të vetme të mundshme të të qenit shqiptarë në të vërtetë. Por a mund të jetë kjo tranzicion i kongicionit, e që në të vërtetë është kalim në kognicion selektiv apo të kufizuar. Dhe me këtë tranzicion i qëniesimit shqiptarë.

Nëse muzika lindi si liri, pse duhet ta kontrollojmë atë, me teknikë profesionale apo teknologjike? Është apori e njeriut, si edhe  qëniesimi i tij. Është pikërisht kjo apori që mund të na shërbejë si gjurmë për të përsiatur mbi qëniesimin tonë, shqiptarë.

E tëra është domosdoja për kontroll. Duke qenë se muzika është zë, si mund të kontrollohet zëri? Apo nëse kjo është arritur dhe ngulitur në ne, si mund të kontrollohet përjetimi i dëgjuesit të saj?

Prej këtu, të pyetemi, çka është në të vërtetë muzika e Nexhmije Pagarushës dhe Vaçe Zelës? Çka është muzika shqipe, apo muzika që e njohim si muzikë shqipe? Nëse të dyjat ishin përpjekje për të shprehur shpirtin, psikën apo kulturën, përbrenda padrejtësisë (lexo: robërisë) në të cilën ishim gjendur, çka është muzika e Dafina Zeqirit sot?

A nuk është e njëjta gjë, përpjekje për të shprehur shpirtin, kulturën apo psikën bashkëkohore shqiptare? Të njëjtën gjë që bëri Pagarusha dhe Zela, për të ngadhënjyer mbi robërinë tonë, e që ishte muzika përmes skemave muzikore të kohës së saj, është duke e bërë Dafina Zeqiri, me huazimin e skemave bashkëkohore për të shprehur, apo ngadhënjyer mbi zhdukjen, zhbërjen dhe asimilimin shqiptarë. Pavarësisht se jemi në liri, pavarësisht se kemi ngadhënjyer, përpjekja për të shprehur shqipen është imperativ dhe nevojë esenciale.

Nëse improvizimi, apo ajo që në filozofi quhet spekulim, dhe shprehur në mirëkuptim si kreativitet, është vetë jazz, dhe kjo shprehja e cila ndërtoi njerëzimin nga modernizmi e këndej, dhe shprehja më e lartësuar dhe më e çmuar muzikore në botë sot, e prej një kohe të gjatë, kjo është karakteristikë dhe mënyrë e qëniesimit e të gjithë popujve dhe shoqërive të robëruara, e të ndalura, pavarësisht aktuales së tyre.

Është shprangosje dhe – çarje – tej robërisë, apo skemave muzikore të cilat e robërojnë po të njëjtën shoqëri të robëruar. Apo, sikur që ndodhi me jazz, është të qëniesuar, me qenë se ky nuk ndalet, përmes botës që e robëron.

Gjë që e kemi shumë të njohur, në përvojë dhe në qëniesimin tonë si shqiptarë.

Por, le ta marrim jazz, si gjurmë në zhbërjen e të tashmes, apo fuzionimin e të tashmes në të shkuarën dhe të ardhmen aq më shumë, në pafundësi prezencash. Që është pafundësi të vërtetash që e bëjnë të tashmen tonë.

Jazz është pikërisht ajo që bëri njerëzimi në tërë përvojën e tij: sajimi spontan i një skeme, mbi të cilën më vonë improvizoi një qëniesim të tërë.

Jazz është lufta dhe mbijetesa e qëniesimit të njeriut në një Tokë (sipas Heidegger) në të cilën nuk kemi kontroll. Në të cilën kemi sajuar dhe ndërtuar skemën e Botës (sipas Heidegger), për të fshehur pikërisht këtë mungesë kontrolli. Thënë më saktë këtë pafuqi tonën.

Jazz është të lundruarit në gjithë pafundësinë e të vërtetave, apo thënë saktë në padrejtësinë e të vërtetës.

Jazz është shprehja e njeriut i cili ka përjetuar ankthin e asgjësë, hiçit, dhe të pafundësisë së të keqes. Është qëniesim përballë kësaj pafuqie të njeriut. Dhe pikërisht për këtë një prej shprehjeve më autentike, më të besueshme dhe më të fuqishme të njerëzimit.

Kjo gjurmë jazz është edhe gjurma e përvojës së njeriut në Tokë, por edhe themel i ndërtimit dhe sajimit të Botës. Në atë se hasë dhe mbahet në naiven, primitiven dhe zanafillën e shprehjes së njeriut në Tokë, pavarësisht përkatësisë dhe të vetëdijshmes. Është vetë kujtesa e Tokës, dhe e Botës. Duke qenë se e tëra ishte humbur për afrikano – amerikanët, dhe jazz e riktheu tërë kujtesësn e përvojën e tyre.

Kjo gjurmë përmban edhe të shkuarën, të tashmen por edhe të ardhmen e njeriut. Në atë se është autentikja e krijimit dhe shprehjes së njeriut. Si skemë e improvizuar, dhe si improvizim i skemës.

Këto që u thanë për gjurmën e jazz, apo çka na thotë jazz si gjurmë, janë krejtësisht identike me muzikën shqiptare. Shprangosja, improvizimi dhe kujtesa e qëniesimit shqiptarë. Por, sikur jazz, po ashtu edhe shqiptarja, në përgjithësi a janë ndërtim mbi atë që ishte, apo huazim dhe asimilim i qëniesimit si ndër – kulturore, apo janë autentike?

Ajo që është më e qarta në tërë këtë, është përpjekja dhe ankthi jonë për të kontrolluar qëniesimin tonë. Si shqiptarë, si serbë apo si njerëzim. Të vetëdijshëm tanimë, me COVID posaçërisht, për pafuqinë tonë ndaj vdekjes, ne duhet të kontrollojmë edhe më shumë të qenit tonë.

Ne duhet të kontrollojmë edhe më shumë të qënit shqiptarë, apo serbë. Ne duhet të kontrollojmë çdo gjë. Ashtu siç kontrollohet romja në muzikën e Bregoviq, e që është kontrollimi i primitives dhe parakes në ne. Gjithherë duke vuajtur aporinë e të qënit: si kulturë, e kultura si ndalesë, derisa universalja e qëniesimit as nuk arrin të asimilohet tërësisht dhe as të harrohet. Apo në të vërtetë, dhembja e të qënit shqiptarë është veçim të cilin nuk e kemi zgjedhur, dhe zgjedhje për të ndjerë dhembjen. Dhe kur përpiqemi të harrojmë këtë, ne festojmë me Bregoviq. Sikur, kemi harruar ç’është të qenit shqiptarë. Apo ndoshta, sikur është e pamundshme sot të festosh të qënit shqiptarë. / KultPlus.com

Pas turit në Maqedoninë e Veriut, Elina Duni performon sot në Shqipëri

Artistja e mirënjohur Elina Duni, e cila jeton në Zvicër, do të interpretojë sot në mbrëmje në një koncert në “Pepperon the Beach”, Dhërmi.

Këngëtarja shqiptare e xhazit, e cila kombinon këngët tradicionale folklorike shqiptare me jazzin, do të interpretojë me Rob Luftin, Gent Rushin dhe Viktor Filipovskin.

Më herët Elina dhe grupi i saj prej 30 korrikut deri më 2 gusht performoi në Maqedoninë e Veriut.

“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / KultPlus.com

Albumi i Elina Dunit vlerësohet nga revista prestigjioze e muzikës në Angli

Albumi më i ri i këngëtares shqiptare, Elina Duni është vlerësuar lartë nga revista e famshme “Jazzwise” në Angli, shkruan KultPlus.

Albumi i dedikuar emigrantëve “Lost ships” ka marrë katër yje, e që nënkupton vlerësimin më të lartë nga kjo revistë e muzikës jazz, teksa lajmin e ka bërë të ditur Duni.

“Vlerësim i madh me katër yje nga Jazzwise Magazine në Mbretërinë e Bashkuar për albumin tonë të ri, ku ne jemi paraqitur edhe këtë muaj si përzgjedhje e redaktorit! “Rob Luft bën debutimin e tij në ECM, dhe Elina Duni paraqet një ansambël të ri – dhe rezultati thjesht ndodh të jetë një klasik i vogël”, ka shkruar ajo në facebook.

Albumi “Lost Ships” ishte realizuar nga Elina Duninë bashkëpunim me Rob Luft, Fred Thomas  dhe është publikuar në ECM Records. / KultPlus.com

Elina Duni do të mahnis dashamirët e muzikës jazz në Egjipt

Këngëtarja e njohur shqiptare e cila ka shkelur skena të shumta të botës, Elina Duni do të performoj në Festivalin e Muzikës Jazz në Kajro të Egjiptit, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Duni nëpërmjet një postimi në profilin e saj në facebook, teksa ka postuar edhe fotografi në afërsi të piramidave të Egjiptit.

Elina bashkë me dy bashkëpunëtor të saj, do të ngjitet në skenën ku mbahet ky festival, teksa do t’i fal momente të bukura dashamirëve të muzikës Jazz.

Këngëtarja shqiptare së fundmi ka publikuar albumin e saj të ri “Lost Ships”, i cili iu dedikua të gjithë emigrantëve. /KultPlus.com

Vlashent Sata, mbyll festivalin “Jazz Fest Tetova 2020”

Shkruan: Jesir Hoxha – Muzikolog

Rrjedha e koncerteve në edicionin e pestë të festivalit JazzFest 2020, ka qenë e përfaqësuar me tre mbrëmje të cilat mbanin peshë të rëndësishme artistike. Duke filluar nga data 25 deri më 27 gusht, në skenën e festivalit janë paraqitur grupe të ndryshme artistësh të cilët veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Në një kuadër të tillë, mbrëmja e fundit e festivalit ishte e para parë për këngëtarin, pianistin e talentuar shqiptar Vlashent Sata.
Artdashësit Tetovarë, por jo vetëm, mirëpriten në shkollën e mesme të muzikës “Todor Skallovski Tetoec” talentin shqiptar sëbashku me muzikantët e tij si: Gent Rushi në fizarmonikë, Ermal Rodin në saksofon-klarinetë, Roni Gjura në kontrabas dhe bas kitarë si dhe Emiljano Dhimo në bateri.

Një ambient i ngrohtë, por jo edhe mjaft i rehatshëm për muzikantët, duke pasur parasysh epideminë globale që po kalon njerëzimi ata duheshin t’ju përshtateshin edhe këtij momenti kaq të pazakont. Ishte hera e parë që këngëtari Vlashent Sata kishte koncertin e tij për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Si rrjedhojë për këtë, ai ishte edhe i entusiazmuar që kishte ardhur në këtë qytet, duke treguar edhe dashurinë që kishte për qytetin, por edhe historinë e shqiptarëve që ai e kishte pikë të dobët.

Mbrëmja nisi me këngët dhe krijimet e vet këngëtarit Sata, që kryesisht janë krijime që ai i ka kompozuar dhe orkestruar për formacionin që përmendëm më sipër. Mënyra e këndimit që ky këngëtar shpreh në këngët e tij është nga ato mënyra që rrallë herë e shohim në skenat shqiptare. Me një timbër mjaft të butë dhe me një teknikë këndimi majft të avancuar, që kur vihen në bashkëveprim krijojnë korpusin e një këngëtari siç është Vlashent Sata. Prandaj, ai sot ka gjetur edhe shtegun e tij që ka depertuar aq shpejt, por edhe me aq cilësi të arrira artistike.

E vërteta është, që gjatë interpretimit të këngëve ai bën edhe improvizime të papritura, në disa raste të ndryshme edhe recitative duke shpreh ndjenjat në forma të tjera. Megjithatë, krijimet e tij gjithmonë janë të bazuara në historitë e tij intime, por edhe familjare që vet ai i shpjegonte gjatë rrjedhës së koncertit.

Ai ka kënduar majft këngë nga repertori i tij, por ndër to mund të theksojmë: “Copëzat”, “Me jetu”, “Erdhi Dita”, “Hana”, “Kaçurelat”, “Delja Rude” e shumë të tjera.

Mbrëmje të tilla, me artistë të tillë janë gjithmonë një hap i rëndësishëm për kulturën e vendit, por edhe rajonit duke krijuar miqësi artistike që këta këngëtarë mos ta harrojnë publikun jashtë trojeve të tyre.

JazzFest Tetova, tashmë ka krijuar identitetin si një festival që ka shije majft të theksuar artistike, që këtë më së miri e vërtetojnë artistët që ata ftojnë në skenën e tyre. / KultPlus.com

Si dhe ku lindi magjia e Jazz-it, kush ishin ata që e shndërruan atë në kaplimin hyjnor të shekullit?

Jazz është shkrirje e te shprehurit muzikor laik e shpirtëror e zezakeve amerikane me prejardhje afrikane dhe e elementeve muzikore evropiane. U paraqit ne mbarimim të shekullit XIX në Amerikë si rezultat i vuajtjeve nen roberin e te bardhëve. Karakteristike e tij është ritmi me akcent jo te drejte, forma josimetrike, sinkopat e shpeshta dhe intervalet e zbritura e te zvoguluara.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ka një rol shumë të madh në edukimin dhe formimin e individit. Muzika Jazz ndikon për një formë tjetër të menduari të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti. Muzika Jazz shquhet për një teknikë të veçantë, improvizime dhe fantazi. Ajo ka aftësinë të depërtojë në skutat më të thella të ëndjes dhe nevojës së muzikëdashësit për t’iu dhënë i gjithi një fluturimi të lirë në qiellin e thyer të ëndrrave.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Muzika Jazz ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe europiane. Prejardhja afrikane e muzikës Jazz është e dukshme në përdorimin e “notave blu”, që janë tinguj të vecantë, improvizimin, poliritmin, sinkopat, muzikën modale etj. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz, Afro-Kuban jazz, Modal-jazz, Free-jazz, Latin Jazz, Soul-Jazz, Fuzion Jazz dhe Rock jazz, Smooth jazz, Funk jazz, Jazz punk, Acid jazz, Ethno jazz, Indo jazz dhe mënyra të tjera për të luajtur muzikë.

Instrumentët më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentët elektrikë mbas viteve 70-të.

Instrumenti i trombës ka një vend shumë të rëndësishëm në muzikën Jazz. Tromba si një instrument shumë i vecantë për muzikën në përgjithësi ka një pozicion prominent në muzikën Jazz. Tromba është edhe simboli i muzikës Jazz. Krahas instrumenteve të tjerë ajo është përdorur nga shumë kompozitorë të muzikës Jazz. Tingulli i saj, notat e larta i japin trombës vlera të mëdha dhe ky instrument shpreh tinguj dhe ngjyra shumë origjinale në këtë lloj zhanrri.

Krahas një seri instrumentistësh të mëdhenj në instrumeta të ndryshëm, një rol të madh kanë luajtur edhe trombistët amerikanë: Louis Armstrong, Dizzy Gillespie, Miles Davis dhe vazhdojnë ta lozin në ditët tona këtë rol Wynton Marsalis dhe Arturo Sandoval.

Muzika xhazSatchmo

Louis Armstrong, me nofkën Satchmo, ka qenë një trombist dhe këngëtar amerikan i muzikës Jazz, nga New Orleans, Louisiana.

Armstrong filloi të marrë famë në fillim të viteve 1920-të. Armstrong ka patur një ndikim themelor në muzikën Jazz. Ai ishte një trombist shumë i mirë dhe shpikës në muzikë.

Ai zhvendosi fokusin e muzikës nga improvizimet kolektive në lojën solo. Me zërin e tij të vecantë si “zhavorr”, Armstrong ishte gjithashtu një këngëtare me influencë, duke demonstruar shkathtësi të madhe si një improvizues. Ai e lidhi lirikën me melodinë e këngës për qëllime shprehëse. Ai ishte gjithashtu shumë i aftë në të kënduarit Scat, një lloj të kënduari (duke vokalizuar, përdorur tingujt dhe rrokjet në vend të këngëve lirike aktuale të kohës).

Armstrong u lind në një familje shumë të varfër në New Orleans, Louisiana dhe vinte nga një familje skllevërish.

Armstrong vdiq nga një atak në zemër në gjumë në vitin 1971, një muaj para ditëlindjes së tij të 70-të .

Një kritik shkruan për Louis Armstrong: “Ai lindi i varfër, vdiq i pasur dhe nuk shqetësoi asnjeri përgjatë rrugës së tij”

“When the Saints go marching in” është një pjesë tipike, spiritual, që ishte edhe simboli i Armstrong. Armstrong lot në trombë në këtë këngë dhe këndon me shumë emocion këtë pjesë tipike, spiritual duke dhënë mesazhe jetësore dhe të shenjta nëpërmmjet artit, muzikës së tij. Dizzy Gillespie, ishte një trombist amerikan i muzikës Jazz , drejtues orkestre muzikore, kompozitor dhe këngëtar.

Scott Yanow shkruante, “Kontributet e Gillespie për muzikën Jazz ishin të mëdha. Gillespie ishte një prej trombistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Jazz. Ndoshta Gillespie kujtohet, nga kritikët dhe tifozët, si një prej borizanëve të Jazzit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. ” Gillespie ishte një virtuoz borisë dhe improvizues, por duke shtuar edhe shtresa të kompleksitetit harmonik të panjohur më parë në xhaz. Gillespie përdori harmoni të vecantë në lojën e tij, gjuhë të re harmonike.

Bebop është i njohur si stil i parë i Jazzit modern. Bebop u konsiderua si një produkt i Swingut, por jo një revolucion në muzikë. Swing prezantonte një diversitet të muzikantëve të rinj në epokën e Bebop si: Charlie Parker, Thelonious Monk, Bud Powell, Oscar Pettiford dhe Gillespie. Sistemi Charlie Parker ka mbajtur gjithashtu metodat duke shtuar akorde me akordet ekzistuese progresive dhe duke nënkuptuar akorde shtesë brenda linjave të improvizuara. Dizzie Gillespie është i famshëm dhe është një nga themeluesve të Bebop modern (së bashku me Charlie Parker) dhe muzikës Kubane kanë ndikuar tek Jazz. Ai vdiq në vitin 1993 duke lënë prapa një trashëgimi artistike të madhe. Ai e vuri në shërbim të artit edhe fëtyrën e tij, duke fryrë faqet kur luante në trombë.

“A night in Tunizia” e luajtur nga Gillespie në trombë me sordinë, nëpërmjet ritmit, melodisë dhe interpretimit, krijon një pejsazh surrealist dhe shumë emocional.

Miles

Miles Davis ka qenë një muzikant amerikan i Jazz-it, drejtues i bandës muzikore dhe kompozitor. Ai konsiderohet gjerësisht si një prej muzikantëve me më shumë ndikim në shekullin e 20-të. Miles Davis ishte në ballë të zhvillimeve muzikore të mëdha në Jazz me grupet e tij muzikore, duke përfshirë Bebop, Cool Jazz, Modal Jazz dhe Jazz fuzion.

Më 7 tetor 2008, albumi “Kind of Blu” i vitit 1959 mori certifikatën e katërt platinit nga Shoqata e Industrisë Regjistrimi në Amerikë, (RIAA) për dërgimin e të paktën katër milionë kopjeve të disqeve të tij në Shtetet e Bashkuara.

“Summertime” është një pjesë nga albumi” Porgy dhe Bess ” e muzikantit Miles Davis, botuar në vitin 1958 në Columbia Records. Albumi përmban rregullimet e bëra nga Davis në bashkëpunim me Gil Evans nga opera e George Gershwin “Porgy and Bess”. Për shumë kritikë të Jazz , “Porgy and Bess” konsiderohet si vepër historike.

Në vitin 1958, Davis ishte njëri prej muzikantëve të Jazzit më të pakënaqur me Bebop-in, duke parë ndryshimet e tij gjithnjë e më komplekse akordike si pengesa krijimtarisë. Pesë vjet më parë, në vitin 1953, pianisti George Russell botoi konceptin e tij kromatik lidian të organizimit të tonaliteteve, e cili ofronte një alternativë për praktikën e improvizimit bazuar në akorde. Kompozimi modal, me mbështetjen e tij mbi shkallë dhe mode përfaqësonte, sic shkruante Davis: “një për kthimin melodi”.

Një dëgjues kur dëgjoi “Summertime” nga “Porgy and Bees”, të luajtur nga Davis shkruan: “Ju mund të ndjeni flladin e verës duke prekur fytyrën tuaj nga muzika e Trombës së Davis”.

Marsalis

Wynton Marsalis, është trombist, kompozitor, mësues muzike dhe drejtori artistik i Jazzit në qendrën Linkoln në New York City. Marsalis ka promovuar shpesh muzikën klasike dhe Jazz në audienca me të rinj. Marsalis ka marrë nëntë cmime Grammys në të dy zhanret, atë klasik dhe Jazz. Marsalis është djali i muzikantit të Jazzit Ellis Marsalis.

Një dëgjues shkruan për Marsalis: “Faleminderit ju të gjithëve që më kujtuat mua se diskutimi për muzikën ndryshon subjektin prej tingujve në fjalë”. Marsalis arrin ti kthejë tingujt në fjalë.

Marsalis është një muzikant universal. Ai lot shumë mirë muzikën klasike dhe atë Jazz. Marsalis shquhet për teknikën shumë të lartë dhe një tingull të vecantë. Ai krijon nëpërmjet talentit të tij emocione të vecanta tek dëgjuesit. Marsalis e bën trombën të flasë, falë një kombinimi të artit muzikorë, aftësive dhe mendjes së tij, aftësive mendore dhe komunikimit.“Cherokee” e luajtur nga Marsalis, është një pjesë tipike me teknikë të lartë, ku dallohet qartë kthimi i tingujve në fjalë nga muzikanti i madh amerikan.

Sandoval

Arturo Sandoval është një trombist Jazzi, pianist dhe kompozitor. Ai ka lindur në Artemisa, Kubë.

Sandoval ndërsa jetonte në Kubë, ishte ndikuar nga legjendat e Jazzit, Charlie Parker, Clifford Brown dhe Gillespie. Ai e takoi më në fund Dizzy Gillespie në vitin 1977. Gillespie menjëherë u bë një mësues dhe koleg, duke luajtur me Arturo Sandoval në koncerte në Evropë dhe Kubë dhe më vonë në orkestrën e Kombeve të Bashkuara. Sandoval dezertoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Spanjë, në një turne me Gillespie në vitin 1990, dhe u bë një qytetar amerikan në vitin 1999. Jeta Sandoval ishte subjekt i filmit 2000 TV, “For Love or Country”: Ai aktualisht banon në Calabasas, Kaliforni.

“Aniversario” e luajtur nga Sndoval dhe Gillespie është një pjesë me teknikë të lartë komunikimi, ku Gillespie mentori i Sandoval dhe ai vetë lozin në një mënyrë të magjishme pjesën “Aniversario”.

Talenti i madh i Sandoval e ka udhëhequr atë që të lidhet me muzikantë shumë të mëdhenj, por ndër më të rëndësishmit është Dizzy Gillespie. Gillespie ka qenë idhtarë i muzikës afro-kubane dhe ka qenë “babai shpirtëror” për Sandoval. Sandoval shquhet për një talent brilant dhe një lojë të vecantë në instrumentin e trombës, sidomos për notat shumë të larta dhe natyrale. Ky ishte një historik modest për këto muzikantë të mëdhenj amerikanë të trombës të të gjitha kohrave në muzikën Jazz. /Albert Vataj /KultPlus.com

Ellis Marsalis, prijësi i rilindjes së xhazit

Ellis Marsalis Jr., pianist dhe edukator që u bë forcë prijatare e rilindjes së jazzit në fund të shekullit XX, derisa i ka vënë në udhë të mbarë katër djemtë e tij për goxha karriera, ka vdekur të mërkurën. Ai ishte 85 vjeç.

Shkak u bënë ndërlikimet nga COVID-19, sëmundje e shkaktuar nga koronavirusi, ka thënë nëpërmjet një deklarate djali i tij, që nuk ka bërë të ditur se ku ka vdekur ai. Marsalis ka kaluar dekada të tëra si muzikant dhe mësues në New Orleans, para se dy djemtë e tij të mëdhenj, Wyntoni dhe Branfordi, që mishëronin një përtëritje të freskët të jazzit tradicional, të fitonin famë kombëtare në fillim të viteve ’80.

Ylli i zotit Marsalis u ngrit tok me djemtë e tij, dhe ata u bënë një familje e përmendur. “Ellis Marsalis ishte legjendë”, ka shkruar të mërkurën mbrëma në Twitter LaToya Cantrell, kryetar i New Orleansit. “Ai ishte prototipi i asaj çfarë kemi në mendje kur flasim për jazzin e New Orleansit”, shkruan KOHA.

Por nuk ishte gjithnjë kështu. Përkushtimi i zotit Marsalis për bebopin e gjysmës së shekullit dhe pasardhësve të tij për një kohë të gjatë e ka bërë atë njëfarë jabanxhiu në qytet me një besnikëri shtrënguese për rrënjët e hershme të jazzit.

Megjithatë, ai siguroi respektin e kolegëve muzikantë falë dhuntisë së tij të patjetërsueshme si pianist dhe kompozitor dhe mënyrës së tij të rreptë dhe mbështetëse si mësues. Sapo ata shkelën skenën kombëtare, mbrojtja që Marsalisët i bënë jazzit të kulluar i bëri ata renegatë të një lloji tjetër. Trumbetisti Wynton shpalosi me guxim devocionin e të atit për heronj si Charlie Parker dhe Thelonious Monk, madje ai fshikulloi publikisht kundër përzierjes së ligshtë mes jazzit dhe rockut që e zhvendosi me të madhe jazzin akustik në fund të viteve ‘60 dhe ‘70.

Të pashëm, eruditë dhe jashtëzakonisht të dhuntishëm, fëmijët e zotit Marsalis dhe shumë muzikantë të rinj të jazzit që i mësoi – përfshirë Terence Blanchard, Donald Harrison Jr., Harry Connick Jr. dhe Nicholas Payton – u bënë prijatarë në lëvizjen tradicionale në rritje, përhumbshëm e quajtur edhe si “Luanët e rinj”.

“Im atë ishte një gjigand prej muzikanti e mësuesi, por edhe një baba i madh”, ka thënë në një kumtesë Branford Marsalis. “Ai vuri gjithë çka kishte për të na bërë më të mirët”. Si mirënjohje për ndikimin e patriarkut dhe për dhuntitë e tij, “National Endowment for the Arts” më 2011 i emëroi Marsalisin dhe të bijtë e tij si mjeshtër të jazzit.

Ai konsiderohet si një prej ndereve më të larta për një muzikant amerikan të jazzit, dhe deri asokohe ai ishte dhënë vetëm në baza individuale. Në këtë pikë Maraslisët konsideroheshin gjerësisht si familja mbretërore e jazzit. Wynton ishte bërë drejtor artistik që themeloi jazzin në “Lincoln Center”, organizatë e shquar jofitimprurëse që i kushtohet jazzit, dhe ai fitoi çmimin “Pultizer” për muzikë më 1997. /KultPlus.com

Rikthehet festivali i Jazz-it

Dhjetë grupe nga vende të ndryshme të botës e mbi 28 artistë të huaj mbërrijnë në Tiranë këtë javë.

Si çdo vit, kjo verë jehon me ritmet e muzikës Jazz. Disa artistë rikthehen për të tretin vit në këtë edicion të shtatë të festivalit.

Ndryshe nga vitet e shkuara festivali sjell edhe një program të veçantë ku bëhen bashkë artistët e Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Ky edicion starton nga mbrëmja e se martës në Tiranë e Apoloni./ KultPlus.com

Në Shkodër me tren shënohet Dita Ndërkombëtare e Jazzit

Muzikantë e artistë, pjesëmarrës në Ditën Ndërkombëtare të Jazzit, shkuan në Shkodër me tren. Ngjarja solli ndër të tjera një origjinalitet të kohës kur kjo muzikë kulmonte.

Ata mbërritën me tren në Shkodër. Muzika jazz, e cila thyen çdo zinxhir mbërthyes, solli në Shkodër 500 pjesëmarrës në këtë edicion të tretë të “Swing Marathon”, raporton “Abcnews”.

Klubi i fansave të Hemingway-t në Shqipëri organizuan Ditën Ndërkombëtare të Jazzit, “Swing Marathon”. Treni dhe veshjet e kohës pushtuan qytetin e Shkodrës.

Qendra e qytetit u mbush nga muzikantët e jazzit që për orë të tëra i dhanë Shkodrës muzikën e shpirtit që nuk pranon të kufizohet./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Jazz-it

Dita Ndërkombëtare e Jazz-it u vendos nga UNESCO në bashkëpunim me Institutin Thelonious Jazz, në vitin 2011, duke e njohur rolin e xhazit në promovimin e lirisë, kreativitetit, dialogut ndërkulturor dhe duke bashkuar njerëzit nga të gjitha anët e globit. Sot, partnerët e shtatë kontinenteve të botës do të festojnë Jazz-in si një gjuhë universale të paqes në Ditën Ndërkombëtare të Jazz-it.

Drejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s Audrey Azoulay dhe Ambasadori i Vullnetit të Mirë në UNESCO, Herbie Hancock ditë më parë kanë njoftuar se Dita Ndërkombëtare e Jazz-it këtë vit do të shënohet në Shën Petersburg të Rusisë. Në këtë qytet nikoqir të sivjetmë, do të organizohen programe të shumta arsimore dhe informuese, por theksi i veçantë do të jetë tek koncerti i jashtëzakonshëm me yje botërore të Jazz-it. Koncerti në fjalë do të transmetohet direkt në mbarë botën.

Po ashtu bëhet e ditur se shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Jazz-it për vitin 2019-të do të shënohet në Shtëpinë e Operës, në Sidni të Australisë, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s./KultPlus.com