“Mbretëresha e polemikave të Kanës”, kështu e ka cilësuar The Telegraph, regjisoren Maïwenn, regjisoren që guxoi t’i jepte një rol në filmin e saj, aktorit Johnny Depp.
Maïwenn është etiketuar si feministe apo “grua që nuk i pëlqejnë burrat”, përbuzi lëvizjen hollivudiane “MeToo”, madje edhe pështyu në fytyrë një gazetar. Por a mund të jetë pikërisht kjo gruaja që do ta shpëtojë karrierën e Depp?
Megjithëse u duk se për shkak të një procesi gjyqësor që kishte të bënte me jetën e tij private, karriera e Johnny Depp mori tatëpjetën, në industrinë e filmit ka ende njerëz që besojnë tek ai dhe e shohin vetëm si aktor.
Drejtori i Kanës, Fremaux ftoi gazetarët t’ia drejtonin komentet e tyre një figure që është edhe më e diskutueshme se aktori. Kjo është Maïwenn Le Besco (e njohur thjesht si Maïwenn), regjisorja e filmit të ri të Depp-it, “Jeanne du Barry”.
Shumica e kineastëve, nëse do të paraqisnin një film me buxhet të madh, siç është rasti për një film epik të periudhës së Luigjit XV, nuk do të donin të zinin titujt e parë të gazetave duke shpërqendruar vëmendjen. Por regjisorja Maïwenn si një nga figurat më të diskutuara të Francës, nuk i është shmangur kurrë publicitetit, qoftë i mirë apo i keq.
Cilado qoftë pritja që filmi “Jeanne du Barry” do të marrë në Francë, thashethemet tashmë kanë qarkulluar se Depp dhe regjisorja kishin mosmarrëveshje gjatë xhirimeve dhe si rezultat, ajo preu në montazh pjesën më të madhe të dialogjeve të Johnny Depp. E pyetur mbi këtë, regjisorja e pohoi me mënyrën e saj, kur tha se, “për mua, si një person që pëlqen filmat ku flitet pak, është magjepsëse të shoh gjithçka që Johnny përcjell përmes fytyrës, shikimit të tij. Si aktorët e filmave pa zë”.
Megjithatë, ajo ka rrëfyer se një pjesë e tensionit që u ngrit mes tyre erdhi nga përplasjet kulturore. “E kuptova se në Shtetet e Bashkuara, yjet e Hollivudit nuk i drejton kush”, tha Maïwenn. “Ata i shpjegojnë regjisorit se si do ta luajnë skenën dhe regjisori ndjek rrjedhën. Por në Francë, shefi është regjisori. Pra, për secilin plan xhirimi, padyshim që unë ndoqa propozimet e tij, por gjithashtu i kërkova të interpretonte edhe vizionin tim, në mënyrë që të kishim një zgjedhje gjatë montazhit”./ atsh / KultPlus.com