“Të çlirojmë nga zgjedha kujtime” nga Yehuda Amichai
Ditëve si këto mendoj flladin ndër flokt’ e tu, vitet që kalova para se ti të lindje, përjetësinë që do të ndesh përpara teje,
plumbat që s’më vranë në betejë, edhe pse vranë shokët e mi, më të mirë se unë pasi nuk jetuan përtej sikundër unë, mendoj për ty, të zhveshur në kuzhinë gjatë beharit, e përkulur mbi libër për të lexuar qartë nën ndriçimin e ditës që dalëngadalë vdes.
Hidh një sy, kemi jetuar më shumë se një jetë, tani duhet që ta peshojmë gjithçka në kandarin e ëndrrave dhe të çlirojmë nga zgjedha kujtime e ato ta përpijnë gjithë të tashmen.
Trupat e njerëzve janë të ndyshëm njëri nga tjetri kurse shpirtrat e tyre janë përplot me të njëjtin fryt buçitës njësoj si aeroportet. Mos më jep pra shpirtin tënd, më jep trupin tënd, që të mos i gjej kurrë fundin, më jep qypin, jo se ç’ka brenda.
Ji pra me mua brenda aeroportesh atje ku mbështillen brenga ndarjesh fjalë të ndjera, jetime, ku ushqimi dhe pija kushtojnë shtrenjtë e ku njerëzit dhe fatet e tyre kanë pazar të mirë.
Bisedohet në telefon goja përtyp hidhërimin dhe dashurinë në aparat.
Kush vajton ka duar po aq të bardha sa gratë që martohen, ndërsa ato krahë që nuk kanë kë të pushtojnë si do ta shtynë përndryshe këtë jetë?
Tani, në mes të zhurmës që paraprin heshtjen mund të të them do gjëra që nuk të kam thënë në mes të heshtjes para zhurmës, se mund t’na kishin përgjuar dhe streha jonë të ish zbuluar.
Se ne mund të ishim fqinjë nën erën që fryn, kumbisur njëri-tjetrit në kamshinin e moçëm të Aram Naraimit*. Dhe se profetët e mbramë të mbretërisë së arterieve të mia kanë hedhur fall nën qiellin e mishit tënd.
Kohët na kishin me sy të mirë siç dhe në zemër, muskujt e diellit qenë fuqizuar me prarime në olimpiada ndjesish, mbi fytyrën e mijëra spektatorëve, me qëllim që ne të dinim, që ne të rrinim, që sërish retë të vinin.
Shiko, ne jemi takuar në vendodhje të mbrojtur, në qoshkun ku historia ka nisur zbritjen mbi tokë, e qetë dhe e strehuar nga veprime të ngutura. Zëri nisi të rrëfejë, natën, buzë krevatit të fëmijëve.
Tash është shumë herët për arkeologjinë e shumë vonë për të ndrequr atë që u bë. Vera do të vijë dhe zhurma e sandaleve të ngurta do të zhytet në rërën e butë njëherë e përgjithmonë.
*Kamishini është, sipas Biblës hebraike, era që fryn përgjatë trevave egjiptiane – ku gjendeshin të skllavëruar herbrejtë – e që sipas traditës ka prejardhje levantine nga zonat e Mesopotamisë së sipërmen, në brigjet e lumit Eufrat ku gjendeshin fiset aramaike (Aram Naraimi).
Përkthyer sipas versionit në frëngjishte të pranishëm në vëllimin:Yehuda Amichaï, Perdu danas la gráce, traduit de l’hébreu par Emmanuel Moses, 2006, Gallimard, fq. 71./ KultPlus.com
Gjeta një gazetë të njëzet viteve më parë të javës në të cilën ne u ndamë. Shkruhej për gjithçka, me përjashtim të ndarjes.
Ti më fut në dhé. Je ti që më fut në dhé. Ja pra, këto janë gjërat që kemi thënë atëbotë lojërat e purpurosura që i rrinë larg vdekjes.
Me raste harroj dhe jepem pas rrugëve që nuk na përkasin më, hap kanate të ndonjë kthese të qetë. « Nuk të lë përshtypjen, por kam dalë thjesht për të bërë vrap. » Apo hyj në ndonjë shtëpi për të pyetur, si në kohët biblike: Atje është ajo ende? Ajo do të qendrojë atje për shumë e shumë vite. Lus Zotin që ajo të jetë gjallë.
Mandej bëj një prapakthim që zgjat me vite e vite, vë dorën në ballin tim të gjerë sa një brezni.
Marr flakë. Marr flakë edhe unë. Ja pra, këto janë gjërat që kemi thënë atëbotë. Do të kish mjaftuar që veç njëri nga ne të merrte flakë që me zjarrin e tij të ndriçonte tjetrin dhe ditët që i mbeteshin. / KultPlus.com
Ç’do të thotë të jesh grua?
Si ndihesh vallë me
boshllëkun mes kofshëve,
syrin kureshtar nën fustan – kur behari fryn –
e të pacipë ndër vithe?
Burri s’ka ç’i bën traut të çuditshëm
që ka mes këmbëve. “Nga cila anë
dëshironi ta mbani?” më pyeste rrobaqepësi hijerëndë
teksa maste pantallonat e mia.
Si ta shpreh diçka tërësore që s’copëzohet?
Si mund të vishesh e zhvishesh
mes rrëshqitjesh të mefshta dhe ledhatimesh
si të mbathësh vaj ulliri,
t’i derdhësh trupit petka puplash,
prej mëndafshi, mërmërime dhe një hiçi trëndafili a kaltërimi?
Burri vishet me vrazhdësinë e
e grisjes mbytur në tharti,
të thepisur dhe kockore, që shkelmon ajrin.
Era i korkolepset mes qerpikësh.
Si ndihesh kur je grua,
kur vetë turpi yt të ëndërron.
Gjurmë gruaje mbi trupin tim mashkullor
dhe mbresa burrnore mbi tëndin femëror –
janë kasnecët e skëterrës
që po vlon për ne
e për vdekjen tonë të ndërsjellë.