Jeleku i Faik Konicës, relike e çmuar në Boston

Për afro 70 vjet, jeleku u ruajt nga familja dardhare, Pani. Sot ndodhet në Boston, në shtëpinë e Andrea Panit – shkruan Fuat Memelli.

Ishte një befasi për mua, kur para disa ditësh gjatë një vizite në shtëpinë e Andrea Panit në Boston, djalë i të ndjerit Sotir Pani që u nda nga jeta këtë vit prej Covid-it. Andrea më tregoi jelekun e Faik Konicës. Ky jelek është një dëshmi e rrallë e kësaj figure të shquar të kombit shqiptar, që është ruajtur nga familja e Sotir Panit. Jeleku është në gjendje të mirë, vetëm katër kopsa i janë shkëputur.

Andrea më tregoi historinë e këtij jeleku.

Kur vdiq Konica në Uashington, më 15 dhjetor të vitit 1942, një nga miqtë e ngushtë që iu ndodh pranë, ishte edhe dardhari Vasil Pani, i cili jetonte në Boston. Vasili ishte një veprimtar i shquar i ‘Vatrës’ dhe disa vjet ka qënë kryetar i saj. Faiku rrallë afronte njeri, por te Vasili ai vlerësonte njeriun besnik dhe patriot. Vasili ishte edhe djali i patriotit tjetër dardhar, Josif Panit, i cili ka jetuar në Boston, të cilin Faiku e njihte mirë dhe e vlerësonte shumë. Miqësinë e Faikut dhe Vasilit, e dëshmon edhe një foto e rrallë që Faiku i ka dhnë atij me dedikim.

Këtë foto që e kishte Sotir Pani ia tregoi gazetarit Kolec Traboini dhe ai e publikoi. Është fotua me republikë që tashmë ndodhet kudo. Por le të kthehemi te jeleku. Duke qënë mik i afërt i Konicës, Vasili u kujdes për bibliotekën e tij, të cilën e sistemoi në një magazinë, por që fati i tyre nuk dihet dhe ka mbetur tek-tuk vetëm ndonjë kopje. Rrobat vetiake të Faikut, Vasil i dërgoi tek shtëpia e tij në Dardhë për t’i ruajtur. Por, në vitin 1947 ndërroi jetë pa pritur dhe nuk u kujdes dot për to. Një pjesë e tyre u përdorën nga familja e tij në Dardhë dhe u dëmtuan nga koha, ndërsa jelekun, Soitiri e ruajti me fanatizëm.

Kur erdhi në Amerikë në vitin 1996, krahas fotografive e dokumentave të ndryshme, krahas flamurit shqiptar, xixunit e kitarës, solli edhe jelekun e Konicës. E ruajti atë me kujdes, deri sa ndërroi jetë në fillim të këtij viti . I kishte lënë porosi edhe djemve të tij, Andreas e Vaskës që ta ruanin me kujdes. Dhe ata e ruajnë, jo vetëm se është i Faik Konicës, por e kanë amanet edhe nga babai i tyre, Sotiri, bir i një familje patriotësh dhe veprimtar i shquar i shqiptarëve të Bostonit.

Duke biseduar me Andrean, në shtëpinë e të cilit ruhet flamuri, ai thotë se ky jelek, e ka vendin në Muzeun Historik Kombëtar. Dhe vërtet, aty në stendat e atij muzeu, duhet të zerë vend kjo relike e rrallë e Faik Konicës, e këtij personaliteti të shquar të kulturës, letërsisë e jetës politike shqiptare, e këtij intelektuali të dimensioneve evropiane. Shpresojmë se Muzeu Historik Kombëtar, do interesohet për këtë relike të çmuar të Faik Konicës, njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar. / KultPlus.com