Jeleku shqiptar që iu dhurua Edith Durhamit ekspozohet në galerinë “Two Temple Place” në Londër.
Të shtunën është hapur ekspozita “Unbound: Visionary Women Collecting Textiles”, me veshje tradicionale të grave gjatë shekullit XX nga Ballkani e deri tek ato aziatike.
Pjesë e kësaj ekspozite është edhe jeleku shqiptar me qëndismat ngjyrë ari, dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për Edith Durham. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 prill.
Është një jelek i punuar mjeshtërisht me qëndismat ngjyrë ari që enden mes ornamenteve floreale. Aq fort i kishte pëlqyer, sa udhëpërshkruesja angleze, Edith Durham, do ta vishte atë sipër një fustani të lehtë. Kjo veshje e femrave kishte qenë dhuratë e popullit të Beratit më 1918 për anglezen që asokohe kishte fituar namin e “mbretëreshës së maleve”. Sipas studiuesve, jeleku dëshmon për një nivel të lartë të mjeshtërive artizanale shqiptare. Jeleku pa mëngë dhe i qëndisur me fije ari ishte një veshje e aristokracisë së lartë beratase, transmeton kohanet.
E ky jelek shqiptar është vetëm një nga veprat e paraqitura në ekspozitën me tekstile nga Ballkani e Azia. Në ekspozitën që është hapur të shtunën në “Two Temple Place” në Londër, tekstilet e mbledhura gjatë shekullit XX nga shtatë gra, kanë marrë statusin e veprave artistike. /Koha Ditore///KultPlus.com
