(Botohet me rastin e ndarjes nga jeta të autorit, Profesor Nasho Jorgaqit (1931-2022)
Agim Vinca
Një vepër që i ka munguar kulturës shqiptare, e shkruar me dashuri e përkushtim; që hedh
dritë të plotë mbi jetën dhe veprën e njërit nga personalitetet më të mëdha të kulturës dhe të historisë
shqiptare, Fan S. Nolit (1882-1965) – kështu do të mund të cilësohej vepra më e re e profesor Nasho
Jorgaqit (1931), “Jeta e Fan S. Nolit” (botues OMBRA GVG, Tiranë 2005). Në dy vëllime dhe në
mbi një mijë faqe, ky shkrimtar dhe studiues i njohur, njohës i thellë i jetës dhe veprës së Nolit, i
ofron lexuesit jetëshkrimin e plotë – nga lindja deri në vdekje – të shkrimtarit, intelektualit, klerikut,
politikanit, shkencëtarit e diplomatit të madh, Fan S. Nolit, por edhe kënaqësinë e leximit të një
vepre, e cila, ndonëse tejet e vëllimshme, falë paraqitjes sugjestive të lëndës, gjuhës së rrjedhshme
dhe stilit të kultivuar, lexohet me ëndje. Njëzet e pesë vjet autori ka jetuar shpirtërisht e mendërisht
me këtë vepër, e cila i takon llojit të letërsisë dokumentare.
I sprovuar edhe më parë në këtë lloj letrar, autori i kësaj vepre, Nasho Jorgaqi, thekson se
ekzistojnë dy modele kryesore biografish: biografitë e tipit shkencor kritik a la Andre Morua e Emil
Ludvig dhe biografitë e mirëfillta letrare të tipit të Stefan Cvajgut. Të parët i japin përparësi
faktografisë shkencore, kurse të dytët, edhe pse mbështeten mbi fakte, i japin përparësi fantazisë. I
ndodhur përpara kësaj dileme që në fillim të punës së tij, Nasho Jorgaqi ka zgjedhur një rrugë të
ndërmjetme: vepra e tij e gjerë jetëshkrimore mbështetet mbi fakte burimore të jetës së Nolit, të
cilën e ndjek në mënyrë kronologjike, por trajtohet në formë të lirë e inventive, ashtu siç i ka hije një
shkrimtari e jo historiani. Rindërtimi i jetës së Nolit, duke u mbështetur te faktet dhe dokumentet,
por duke qëmtuar edhe hollësi nga përditshmëria jetësore dhe tipare nga karakteri i tij, duket të ketë
qenë parim bazë i punës së autorit. “T’i jepja jetë jetës së Nolit”, si thotë vetë autori, ky ka qenë
synim i studiuesit Nasho Jorgaqi. Mund të konstatojmë me kënaqësi se këtij synimi ky studiues i
rryer i ka dalë në krye me sukses.
Vepra “Jeta e Fan S. Nolit” e Nasho Jorgaqit, siç mund të shihet nga vetë titulli, i takon llojit
të literaturës dokumentare. Ajo është biografia më e plotë e shkruar deri më sot për Nolin dhe jo
vetëm për Nolin, por edhe për cilindo krijues tjetër të letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Duke qenë
një vepër me karakter gjithëpërfshirës, vepra në fjalë sjell fakte e të dhëna të shumta, herë-herë edhe
të panjohura më parë për Nolin, por edhe interpretime të reja e origjinale, që figurës së Nolit ia japin
përmasat e saj të vërteta, me vlerat e mëdha e të paçmuara, që realisht ajo i ka, por edhe me
mistifikimet eventuale që e kanë përcjellë në rrjedhë të viteve këtë kolos të letërsisë dhe kulturës
shqiptare.
Falë punës së tij të madhe hulumtuese e krijuese dhe qasjes objektive temës së zgjedhur për
trajtim, autori i kësaj vepre ka arritur të ndriçojë shumë rrethana nga jeta e gjatë e Nolit dhe shumë
aspekte të veprimtarisë së tij të gjerë e komplekse politike, shoqërore, letrare, artistike, diplomatike,
shkencore, kulturore, kishtare etj., të cilat, deri tani, në literaturën noliane, letrare dhe shkencore,
janë trajtuar në mënyrë jo të plotë e të njëanshme, qoftë për shkak të të dhënave jo të plota e të
paverifikuara, qoftë si pasojë e pasioneve a paragjykimeve politike, ideologjike, fetare, krahinore e
të tjera.
Nasho Jorgaqi ka pasur në dispozicion shumë materiale (letra, dokumente, dëshmi, kujtime
etj.); ka bërë shumë vizita e udhëtime (nga Ibrik-Tepeja, Greqia, Egjypti, Vjena, Gjeneva, Berlini,
Nju-Jorku, Uashingtoni e deri në Boston e tutje), duke ndjekur hap pas hapi itinerarin jetësor të
Nolit; ka kontaktuar me shumë njerëz, që nga të afërmit e familjarët e gjer te miqtë e
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë; ka konsultuar pothuajse tërë literaturën për Nolin, në gjuhën shqipe
dhe në gjuhë të tjera; është zotuar të ngrihet mbi simpatinë e dashurinë e tij për të dhe mbi bindjet e
preferencat e vetjake politike e ideologjike, pra të jetë objektiv; ka punuar një kohë të gjatë me
përkushtim të veçantë mbi këtë vepër, prandaj ka arritur ta japë në mënyrë të plotë jetën e Nolit dhe
t’u përgjigjet në mënyrë të saktë shumë çështjeve që kanë të bëjnë me veprën dhe figurën e tij, duke
e shikuar atë gjithmonë në kontektin shoqëror, politik, kulturor dhe shpirtëror të kohës dhe “duke u
mbajtur fort pas sensit të historisë dhe të dialektikës njerëzore”.
Në monografinë e N. Jorgaqit ndriçohen për herë të parë në mënyrë të plotë e të
gjithanshme marrëdhëniet e Nolit me Tiranën zyrtare; pozita e tij mes dy zjarreve – mes
emigracionit antikomunist shqiptar dhe diplomacisë intolerante të Shqipërisë, por edhe ruajtja e
“ekuilibrit të admirueshëm” nga ana e tij, duke qëndruar gjithmonë në pozita atdhetare e
demokrate. Dashuria për atdheun e të parëve dhe mbështetja e të gjitha përparimeve të bëra në
Shqipëri, në cilindo sektor të jetës, por edhe respektimi i ligjeve të atdheut të tij të dytë, SHBA-
ve dhe rregullave të jetës amerikane, si edhe respekti e dashuria për mërgatën shqiptare të
Amerikës dhe organizatën e saj emblematike, “Vatrën”, pa harruar të mirat që ata kishin bërë për
të, do ta stolisin personalitetin e Nolit deri në vdekje.
Në këtë vepër gjen përgjigje edhe një pyetje, që i ka intriguar në vazhdimësi lexuesit e
veprës së Nolit dhe adhuruesit e figurës së tij, shqiptarët në përgjithësi, kudo që janë: përse Noli
nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë në të gjallë të tij, edhe pse jetoi, siç dihet, deri në vitin 1965?
Nga vepra e Nasho Jorgaqit, e cila mbështetet mbi dokumente e dëshmi autentike, del se
Noli iu shmang ofertave të lidershipit të Shqipërisë për ta vizituar atë në vitet ’40-’50 për të mos
rënë në sy të keq te autoritetet amerikane, sidomos në kohën e makartizmit, por edhe më herët e
më vonë, aq më shumë që ai akuzohej vazhdimisht nga kundërshtarët e tij të shumtë si “i kuq” e
“bolshevik”, kurse në në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur qenë
krijuar kushtet për këtë vizitë, kur Noli, sado në moshë, ishte i gatshëm të merrte rrugën për në
mëmëdhe dhe kur me këtë udhëtim kishin rënë dakord edhe autoritetet amerikane, qeveria
shqiptare refuzoi t’i ofronte atij mikpritje, me pretekstin se nuk ishte distancuar nga qarqet
ekstreme (antikomuniste) të mërgatës shqiptare të Amerikës, që mbanin qëndrim të hapur kritik
ndaj regjimit të Tiranës. N. Jorgaqi citon telegramin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të dt.
28 korrik 1962 drejtuar Misionit Shqiptar në Nju-Jork (OKB), në të cilin thuhet tekstualisht:
“Mos tregoni asnjë interesim për ardhjen e Fan Nolit dhe mos e inkurajoni atë”. Pra porosia nga
Tirana ishte e qartë. Nolit i refuzohej mikpritja! Ky ishte shansi i fundit që Marathonomaku i
madh, njeriu që kishte bërë aq shumë për këtë vend; që e kishte shpëtuar atë dy herë nga
copëtimi (herën e parë, pas Luftës së Parë Botërore, më 1918, kurse herën e dytë gjatë dhe pas
Luftës së Dytë Botërore) dhe që ia kishte ngritur namin lart e më lart, të vizitonte atdheun, të
cilin nuk e kishte parë plot 38 vjet, nga dhjetori i vitit 1924, kur kishte qenë i detyruar ta braktiste
atë.
Tre vjet më vonë, më 13 mars 1965, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë me këtë peng, pra
pa e parë edhe një herë Shqipërinë të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën punoi pa u lodhur
gjatë tërë jetës.
Harku kohor i jetës së Nolit është tejet i gjatë dhe i gjerë, si në kohë, ashtu edhe në
hapësirë. Noli jetoi, siç dihet, 83 vjet, prej të cilave 18 vjet i kaloi në Trakë, kryesisht në
vendlindjen e tij, Ibrik-Tepe ose Qytezë; 6 në Greqi dhe Egjypt, 2-3 nëpër Evropë, 50 në SHBA
dhe vetëm 4-5 në Shqipëri. Gjatë jetës së tij ai pati të bënte me shumë njerëz, politikanë,
diplomatë, shkrimtarë, intelektualë, klerikë, njerëz të thjeshtë, shqiptarë e të huaj. Për jetën dhe
veprën e tij kanë shkruar shumë pena të njohura të shkencës, letërsisë dhe historiografisë
shqiptare. Pati korrespondencë me shumë personalitete të shquara të kohës së tij. Njohu e takoi
në jetë shumë njerëz, në mesin e të cilëve edhe burrështetas e intelektualë nga më të mëdhenjtë.
Vetë u mor me shumë personalitete e krijues të mëdhenj si Krishti, Muhameti, Skënderbeu,
Napoleoni, Shekspiri, Servantesi, Khajami, Poja, Ibseni, Tolstoji, Stendali, Bethoveni etj.
Përktheu vepra të tyre ose shkroi artikuj, introdukta e monografi mbi ta. Për të gjitha këto flitet
gjerë e gjatë dhe me shumë kompetencë në librin “Jeta e Fan S. Nolit”.
Ajo që i mungon këtij libri është një tregues emrash të vendeve e personave të shumtë që
përmenden në të, i cili do t’i ndihmonte lexuesit që të orientohej më mirë në materialin e gjerë të
veprës dhe në morinë e fakteve që sjell ajo, si edhe një bibliografi e plotë e shkrimeve për Nolin,
një bibliografi e shteruese e jo selektive, siç është dhënë në këtë rast. Mendimi ynë është se
treguesi i emrave dhe bibliografia e shkrimeve në një libër siç është ky kanë qenë më të
nevojshme se albumi i fotografive, me të cilat është i pajisur libri (të dy vëllimet), të cilat, sado
me interes që janë, tashmë janë publikuar nga autori në një libër të veçantë (në librin “Fan S.
Noli: antologji fotografike”, Tiranë 2002).
Duke u nisur nga përvoja e Nolit si biograf i Skënderbeut dhe Bethovenit, Jorgaqi ka bërë
përpjekje të çlirohet nga mitizimi, që i kanoset çdo biografi, veçanërisht kur shkruan për njerëz që i
do dhe i çmon shumë, çfarë është për të dhe për të gjithë ne Noli i madh dhe ka bërë përpjekje që ta
paraqesë figurën e Nolit me dritat dhe hijet e saj, aq më shumë që disa nga miqtë dhe
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që e kanë njohur atë për së afërmi, pohojnë se si individ Noli “nuk
ishte imun ndaj dobësive njerëzore” (Qerim Panariti) dhe se shpesh ai ishte “një kombinim
paradoksesh” (At Artur Liolini). Çlirimi nga “kuçedra me shtatë krerë”, si i quante Noli mitet, është
sfidë e çdo biografi, që nga Plutarku e këndej. Falë përvojës së tij të gjatë si krijues dhe në mënyrë
të veçantë si hartues biografish, Nasho Jorgaqi ka arritur t’i shmanget me sukses kësaj sfide dhe ta
japë figurën e Nolit në mënyrë të plotë e objektive, gjithnjë në kontekst të kohës dhe rrethanave
historike.
Noli ynë, ky demiurg i fjalës shqipe, kampion i lirisë e pavarësisë kombëtare dhe pionier i
qytetërimit dhe demokracisë së vërtetë, në penën e biografit të tij të pasionuar, Nasho Jorgaqit, është
njeri i gjallë e jo figurë skematike. / KultPlus.com