Në këtë muaj të tetorit, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta Vita” me themeluese Nafije Latifin, për herë të 16-të, do të organizoj një varg aktivitetesh në gjithë vendin, përcjell KultPlus.
Ndërsa në Prishtinë, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, do të organizohet manifestimi tradicional informativo-kulturor me moto “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë” i cili do të mbahet të premten, në datën 28 tetor në ora 12:00, para Teatrit Kombëtar.
Gjatë këtij muaji, në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës SHOK, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit njofton se do të organizohen punëtori interaktive nëpër disa Universitete të Kosovës, me ç’ rast para studenteve do të ligjërojnë mjekët-ekspertë.
Gjithashtu gjatë muajit tetor do të shpërndajnë falas për 100 paciente, paruke, gjoksore dhe proteza.
Në Kosovë çdo vit zbulohen rreth 400 raste të reja me kancer të gjirit, prandaj, informimi dhe ndërgjegjësimi i të rejave ka një vlerë të madhe nga aspekti shëndetësor, sepse zbulimi i hershëm është mbijetesë.
Ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm janë faktorë kryesor që ndihmojnë në fitimin e betejës kundër kancerit.
“Duke marr parasysh se fushatat sensibilizuese kanë bërë që të rritet ndjeshëm numri i rasteve të grave, të cilat falë informacioneve, vetkontrolleve e kontrolleve të rregullta mjekësore e zbulojnë sëmundjen në faza fillestare. Dhe, sot, zhvillimi shkencor, teknologjik dhe farmakologjik bën të mundur trajtimin e suksesshëm të një numri të madh të pacienteve nëse identifikohen në fazën fillestare. Dhe Ju ftojmë të Ecni bashkë me ne, për ta fituar betejën për Jetë!”, thuhet në njoftim.
Si çdo vit, edhe kësaj radhe “Jeta Vita” ka realizuar edhe promon për ndërgjegjësimin rreth kancerit të gjirit, nën regjinë e Arlinda Morinës. / KultPlus.com