Alberina Haxhijaj
Në sallën e promovimit të improvizuar në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë kanë zënë vend sot edhe dy vëllimet e romanit “Valsi i dashurisë” nga Jetlira Avdijaj, botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, shkruan KultPlus.
Panairi i Librit në Prishtinë si çdo vit nuk harron që të iu ofrojë hapësirë edhe shkrimtarëve të ri të cilët po fillojnë që të krijojnë vepra të cilat po kërkohen nga lexuesit. Pikërisht si pjesë e gjeneratës më të re të shkrimtarëve, shkrimtarja Jetlira Avdijaj solli promovimin e romanit të saj më të ri “Valsi i Dashurisë”.
Promovimi i dy vëllimeve të romanit, i cili tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të panairit ishte një befasi e këndshme për autoren. Ajo ishte përgatitur për botimin e librit por jo edhe për promovimin e tij pikërisht në kuadër të panairit, të cilin ajo e konsideron një pasuri.
“Panairi është një pasuri e cila një herë në vit prezantohet dhe i dedikohet të gjithëve. Të gjithë që marrin pjesë në të pasurojnë njohuritë e tyre, me një fjali më shumë, një titull, një libër, prandaj edhe është kënaqësi e veçantë që unë e kam bërë promovimin e librit pikërisht këtu në panair”, tha ajo për KultPlus.
Romani “Valsi i dashurisë”, i cili mund të mendohet se trajton vetëm temën e dashurisë fsheh prapa tij edhe tema të tjera të cilat shkrimtarja i sheh si aktuale në Kosovë. Një libër që ndërthur në mënyrë të përsosur jetët e njerëzve që marrin frymë në botë krejtësisht të ndryshëm.
““Valsi i dashurisë” trajton sfidat, sakrificat, krimin e organizuar, ndjenjat e mbi të gjitha fuqinë kolosale të dashurisë. Libri trajton edhe tema të tilla si krimi, lufta që ndodh brenda familjeve tona prej kundërthënieve, armiqësive që nuk marrin fund pavarësisht se sa shumë ne mundohemi që ato të përfundojnë e sidomos për dashurinë dhe shpresën e cila i mbanë në këmbë dy personazhet kryesore”, tha autorja.
Sipas autores një copë nga jeta e secilit lexues, fshihet në aventurat e rrezikshme të protagonistëve në libër. Libri sjellë historinë e një studentes e cila bie në dashuri me një agjent sekret.
Pikërisht ky libër ka qenë një ndër librat që i ka marrë më së shumti kohë për ta shkruar shkrimtares Jetlira Avdijaj, ndërsa zbuloi për KultPlus, se ajo u ka dërguar shtëpive botuese edhe libra të tjerë të cilët tashmë i ka përfunduar e që priten të publikohen së shpejti.
Në mesin e këtyre librave është romani “Premtimi”, një roman i cili trajton dashurinë në disa aspekte, duke vënë në pah një premtim të dhënë i cili mbetet për të parë nëse do i mbijetojë sfidave që sjellë jeta. Po ashtu në botim është dërguar edhe libri “Simfonia e fundit”, një simfoni e cila po ashtu trajton dashurinë e cila në këtë libër është në presion të vazhdueshëm nga plumbat, një dashuri që kërkon sakrifica.
Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com