Anatema pikturale

Ekspozita me titullin „Idile të rëndomta të jetës modern” të piktorit Jeton Gusia, e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, (08.11.2022 – 30-11-2022) e kuruar nga Blerta Hoçia, prezanton piktura të krijuara brenda viteve 2018-2022, sikur mëton të fus në kujtesën kolektive një jetë të përjetuar e perceptuar brenda një filozofie globalizuese.

Konteksti kohor dhe jetësor është kriza globale e imponuar nga Pandemia e korona virusit, duke krijuar kështu një motivacion për gjakimin e pamjeve jetësore që autori do t’i quaj idile të rëndomta, dhe të dimensionuar në hapësirë dhe kohë si shfaqje të jetës moderne , pra një perceptim dhe vizion gjithëpërfshirës i  dimensioneve jetësore përbrenda  rruzullit tokësor. Pra, ato vijnë si pamje të rikujtuara, të përjetuara dikur dhe vijnë si një idile, si një dashuri universale për jetën që po rrezikohet të zhbëhet!

Hapësira e errët ku janë aranzhuar e ekspozuar punimet mbase do të jetë një zgjedhje e përbashkët autor-kurator, sepse kështu i jep një dimension kreativ tërë opusit të veprave,( diku 35 sosh), sugjeron idenë se këto pamje dalin nga thellësia e kujtesës së njeriut të kohës së caktuar, që shpaloset në këtë mënyrë dhe me këtë koncept për t´u dhënë një dimension edhe më kuptimor pikturave, pra pasurimin me nëntekstin artistik! Konteksti përgjithësues global, hapësira  e gjerë e mini – konteksteve, pamjet e jetës së rëndomtë, gjithandej globit, te shpalosura me një thjeshtësi gati ilustruese, duke e përshkuar me një ind perceptimi e materializimi artistik figurative gati fëmijëror. Ky anatemim i politikës globale vjen natyrshëm pa një fije të vetme të deklarativizmit!… Edhe figuracioni i larmishëm i njerëzve, hapësirave urbane e rurale, mjetet teknike, shtazët e shpezët, arkitektura etj. te gjitha trajtohen kujdesshëm me këtë qasje estetike. Ky infantilitet estetik modern, edhe në koncept estetik, edhe në trajtim e vizualizim estetik, me kujton piktorin amerikan te Pop Artit  Jemes Rizzi, me një botë komplekse tematike e figurative të jetës moderne , kur krijoi e veproj ky piktor vërtet me një veçanti e origjinalitet krijues. Pra, ky vizion globalizues  në trajtimin e temave dhe motiveve, i pikanterive jetësore,  përshkohet nga një vizion fëmijëror, që nga fusha e letërsisë sonë shqipe na përkujton “Kronikën ne gur” të Kadaresë si qasje dhe filozofi artistike! Dhe ajo ofrohet shumë natyrshëm, dhe pranohet si e tillë, dhe më nuk ndalemi të mendojmë se përse kështu është trajtuar figura, peizazhi, flora, fauna, etj., por të shfaqet imazhi që ofron mesazh, tepër natyrshëm , thjesht dhe bukur. Dhe kështu tejkalohet dimensioni ilustrativ, dhe trajtimi figurativ koloristik, ngjyrat e përdorura me një ndjeshmëri të theksuar piktoreske, e bëjnë  që vepra të befasojë edhe përtej asaj që shohim ne moment… Pra, kjo qasje dhe formë e vizualizimit, na bënë të mendojmë me thellë, me psetë që vetvetiu shfaqën. Pse pikërisht kështu?… Sepse piktori Jeton Gusia kështu e sheh jetën në gjerësinë e thellësinë e saj, dhe aty kapen larushitë e jetës, gëzimet, hidhërimet, sukseset, dështimet, humorin e lehtë dhe simbolikën e  metaforiken që shkon edhe deri në sarkazëm!

U ndjeva vërtetë i kënaqur në botën e pikturave të Jeton Gusisë të ekspozuar në këtë fund vit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, dhe kjo qasje dhe ky  modernitet piktural i bën mirë  skenës së artit ndër ne, për t´i dhënë me shumë hapësirë pikturës së mirëfilltë, përtej disa trendëve e tendencave eksperimentuese artistike, të tipit të instilacioneve, apo video projekteve, që sikur kanë zënë shumë hapësirë viteve të fundit!… / Arsim Kajtazi / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” nga Jeton Gusia, vjen si reflektim ndaj esencës së të jetuarit

Era Berisha

Afro tridhjetë piktura kanë pushtuar mbrëmë muret e ngjyrosura në ngjyrë të zezë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me ç’rast është shpërfaqur një atmosferë që rëndom përshtatet njëtrajtshëm me përditshmërinë e jetesës së njeriut. Në secilin qosh, ndjehet prezenca e një atmosfere të pastër, ku mbizotërojnë tonet e ngrohta të tokës. Ngjyrat si: kafe, verdhë, rozë, kaltër, kuqe, zezë, portokalli, e të tjera, dukshëm janë ngatërruar me njëra-tjetrën, asisoj që secili vizitor të ndjehet si muza e çdo pikture. Këto emocione janë përcjell me rastin e hapjes së ekspozitës personale të artistit Jeton Gusia, nën emërtimin “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, shkruan KultPlus.

Të pranishmit qenë në një numër tejet të lartë, andaj prezenca e madhe e tyre ka krijuar një ngrohtësi mes shikuesve dhe veprave. Fokusi dhe vëmendja e tyre iu dedikua plotësisht pikturave, andaj në fillim publiku u përball me dy piktura në një format më të vogël, me ç’rast ato dy vepra që dukshëm dallohen nga të tjerat, e jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga teknika, kanë dhuruar një emocion të papërshkrueshëm. Muret e zeza përreth të jepnin një ndjesi që ke hyrë brenda dheut të tokës, diku në një errësirë të thellë që ka një ngjashmëri me shpirtin e qenies njerëzore, dhe kjo qe një nga veçantitë e kësaj ekspozite.

E kuruar nga Blerta Hoçia, ekspozita na vjen si një luftë e brendshme që tregohet nëpërmjet dy skajeve ekstreme; shtëpia dhe ekskavatori. Këto dy elemente shpalosin një pamundësi për të parë dritën nga themeli si dhe qetësinë e jetës së përditshme, kësisoj edhe pranohen siç janë të tilla, por që janë mjaft qenësore në vetë ekzistencën e njeriut. Bota jonë tregohet nëpërmjet imtësimeve që shfaqen qartazi në peizazhet urbane, rurale, situata në vende si pishina, qendra masazhi, autobusë, mensa e qendrës tregtare apo thjesht nga luajtja e shahut.

Ndonëse, anash pikturave nuk ishin të vendosura emrat e tyre, mungesa e prezencës u zëvendësua nga imagjinata e gjithsecilit. Të veçanta për t’u admiruar e analizuar, pikturat frymonin nëpër emocionin e durimit e rezistencës dhe kjo vërehej në secilën situatë të plasaritur. Gjendja e ngatërruar e ngjyrave, situatave diversive e detajeve të futura me një precizitet tejet të përsosur, kanë pikasur syrin e gjithsecilit mbrëmë, andaj artisti Gusia intensitetin e pasur pamor e ka thumbuar në pikturë në një mënyrë të mrekullueshme.

Problematikat shoqërore janë qëndisur lehtazi nga pena e piktorit Gusia. Ai ka komunikuar ndryshe me audiencën, e cila ka perceptuar me vëmendje të gjitha nivelet e të jetuarit. Pjesa vizuale e pikturave i ka ofruar të pranishmëve një ritëm të vazhdueshëm të fragmenteve që përmes imazheve kanë interpretuar thjeshtësinë e veprimeve njerëzore. Sendet e çmuara kanë qenë muzat e çdo personazhi në secilën vepër artistike, pra ato të cilat kanë portretizuar gjithë se çfarë personazhet kanë tentuar të përfaqësojnë faktikisht.

Alisa Gojani-Berisha, kuratore në Muzeun Kombëtar të Kosovës për KultPlus ka potencuar se artisti Jeton Gusia veçse e ka publikun e vetë që i sheh ekspozitat e tij.

“Kjo ekspozitë e Jetonit është ekspozita e parafundit që po hapet në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ne kemi pasur një kënaqësi të madhe për të mirëpritur me ekspozitën e tij personale. Jetoni është një artist i jashtëzakonshëm dhe mjaft i veçantë në punën e tij. Gjithashtu, kuratorja Blerta me kurimin e saj, e ka bërë këtë ekspozitë ende më të pasur. Në fakt, Jetoni e ka publikun e tij, dhe kjo është parë edhe sonte me pjesëmarrjen e tyre, mirëpo shpresojmë që edhe ditëve në vazhdim, të vijnë edhe vizitorë të tjerë për të parë këtë ekspozitë, sepse ia vlen të vizitohet”, thotë ajo.

Ndërsa, kuratorja e kësaj ekspozite Blerta Hoçia për KultPlus ka thënë se imazhet në piktura rilindin nga imagjinata, përditshmëria dhe rikthehen në formën e pavetëdijes kolektive.

“Qëllimisht e kemi quajtur ekspozitën ‘Idile të rëndomta të jetës moderne’ sepse edhe vetë pikturat ta rikujtojnë një lloj idili edhe pse ndoshta jo të gjitha skemat e pikturuara janë idilike, pra që të ngjallin atë mallëngjimin apo ndërrimin e jetës së përditshme. Ekspozita nis me një pikturë që e merr më shumë vëmendjen, pra piktura në të cilën është një ekskavator dhe një shtëpi në sfond. Në mënyrë figurative, kemi dashur që kjo pikturë të jetë e para dhe në një farë mënyre, e gërryen gjithë këtë hapësirën e errët dhe kjo hapësirë nënkupton pavetëdijen kolektive. Imazhet rilindin nga imagjinata, përditshmëria dhe rikthehen në formën e pavetëdijes kolektive. Pra, në një farë mënyre, këto ambiente të errëta prezantojnë vetë këtë pavetëdije por edhe ndoshta një tunel ku veprat janë të ndriçuara njëjtë sikur janë të ndriçuara gurët e çmuar”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” do të qëndrojë e hapur deri më 30 nëntor 2022. / KultPlus.com

Sot në GKK hapet ekspozita personale e Jeton Gusisë, “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”

Sot vjen hapja e ekspozitës personale të autorit Jeton Gusia “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, kuruar nga Blerta Hoçia, përcjell KultPlus.

Peisazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë skena që përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.

Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.

Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here copëza dite si idile të pikturuara të përditshmërisë shfaqen me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një sheshi të rëndomtë e të populluar, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson. / KultPlus.com

Jeton Gusia vjen me ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës

“Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” është ekspozita e radhës që do të zërë vend në ambientet e Galerisë Kombëtarë të Kosovës.

Ekspozita personale e autorit Jeton Gusia e që është kuruar nga Blerta Hoçia, paraqet një atmosferë të paqtë ku mbizotërojnë tonet e ngrohta të tokës, të kafta, të verdha, rozë, diku të ndritshme por më shumë të pista, ngjyrat përzihen me dheun që e dominon pikturën e që ngrihet deri në qiell me anë të gjetheve të pemëve edhe ato prej dheu dhe pluhuri.
Midis shtëpisë dhe ekskavatorit; një tension i fshehur, një duel i brendshëm.
Në të vërtetë i pikturuar nuk është një përbindësh i hekurt por një gërmadhë e pamundësuar tashmë ta gërryej dheun e të hapë themele. E shtrirë, me kockat që formojnë zgavrën e kraharorit të një kafshe të stërmadhe.
Ndërkohë, shtëpia rozë merr trajtat e të gjitha shtëpive dhe njerëzve që e banojnë, të heshtur dhe pasivë në pranimin e kohës, të dheut dhe të dritëhijeve lozonjare të prodhuara nga loja e gjetheve me diellin.

Peizazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë copëza dite që e përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.

Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.
Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar. Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një skene të rëndomtë me personazhet e panumërta që e popullojnë, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson.

Piktura e Jeton Gusisë është gjithmonë pak e largët e në mënyrë të natyrshme merr këndvështrimin që njihet si bird eye për shkak të rrafshtësisë por edhe plotësisë së vizionit. Ai liston detajet me dëlirësinë e fëmijës në pazarin e kerreve, ku njerëzit janë të renditur njëjtë me këpucët shumëngjyrëshe, çantat, kafshët në kafazë, radiot, veglat muzikore e orenditë e panumërta të përditshmërisë kapitaliste ballkanase. Larg pretendimeve dhe temave politike apo atyre që u jepet njëfarë peshe historike, artisti ka krijuar një mikrokosmos të tematikave por edhe problematikave vetjake e shoqërore me punë që prekin të gjitha sferat e të jetuarit, si komunikacioni, qentë në strehimore, periferia, ndërtimet, vendet e kënaqësisë, pjesë nga jeta e fshatit, punëtorët, fabrika etj.

Ekspozita hapet nesër, më 08 nëntor, në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Jeton Gusia së shpejti me ekspozitën personale “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” në GKK

Së shpejti vjen hapja e ekspozitës personale të autorit Jeton Gusia “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, kuruar nga Blerta Hoçia, përcjell KultPlus.

Peisazhet urbane, jeta rurale, pjesë nga aktivitete të përditshmërisë, në pishina, në qendra masazhi, në autobus, në mensën e qendrës tregtare; janë skena që përbëjnë të jetuarit në tërësinë e vet, një botë e vogël e treguar në imtësi, një botë e duruar edhe kur është dhunshme edhe kur një tension nën lëkurë duket se do ta plasarisë telajon e bashkë me të edhe pikturën.

Duke imituar gjestin dhe formën piktorike të artistit edhe shikimi i punëve në ekspozitë ofrohet në terr, si në hyrjen e një miniere, ku avancimi në brendësinë e galerisë nëntokësore nënkupton pakësimin e dritës që vjen nga jashtë. Kjo mund të shërbejë si një metaforë kuptimplotë ku humbja e dritës së ndërgjegjes shkëmbehet me fitimin e errësirës ose aftësinë për të avancuar më në brendësi të të panjohurave që nuk mundet ti ofrojë vetëdija.

Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here copëza dite si idile të pikturuara të përditshmërisë shfaqen me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Si për të thënë se të vërtetat thelbësore, kuptimet e çmuara gjenden aty para nesh në pamjen e një sheshi të rëndomtë e të populluar, ku secili subjekt është kuintesenca e asaj që përfaqëson. / KultPlus.com