Ilir Muharremi, kritik i artit
Mbrëmë në hapësirën e restaurantit “Apollonia” në periferi të qytetit të Gjilanit, u hap ekspozita personale në kuadër të 75 vjetorit të lindjes së artistit Jetullah Halitit-Etit. Ekspozita erdhi si retrospektivë ndonëse u prezantua edhe një punim për koronavirusin.
Krijimtaria e artistit Jetullah Halitit është një teatër modern me skena të absurdit të Joneskos dhe të Becketit, dhe ky absurd është i thellë dhe ne esencë ka një të vërtetë triumufse. Qëllimi është zhytja në thellësi, dhe ikja në sipërfaqe e ngjyrosur mu me atë thellësi.
Tri ngjyrat e Etit
Ngjyra më e preferuara e artistit Halitit, shkurt të cilin e thërrasin ETI, është e bardha, ngase kjo ngjyrë është tek veza, tek sinqeriteti, pafajësia, tek vellua e nuseve, tek gëzimi, hareja, tek plisi, tek qefini i Rugovasevë, dhe jo rastësisht Eti e gjen shpirtin e tij tek kjo ngjyrë. Kjo ngjyrë e pastër, pasqyron edhe pastërtinë, ose thënë më bukur fshinë brengat, vuajtjet, na liron nga energjia negative, andaj Eti më shumë e gjen sekretin e artit tek kjo ngjyrë mistike, kjo ngjyrë engjëllore e cila mban edhe aromë të engjëjve. Ndërkaq, ngjyra tjetër e cila shqetëson piktorin Eti është e kuqja, ngjyra e gjakut, e historisë, ngjyra e flamurit, vullkaneve të cilat kur shuhen krijojnë toka të reja, e në këto toka të reja artisti Eti zhytet i tëri pas sekreteve, dhe përmes brushës ai kërkon një zgjidhje ose na paralajmëron me një këshillë të lartë. Por, edhe e kaltërta ngritët si një betejë në pëlhurën e Etit, ajo nganjëherë është e ftohët, e thellë, e kthjellët, kufizuese e formave, një qiell pa kufi, por nuk ngulfatet nga ngjyrat e tjera. Të gjitha këto ngjyra si një ombrella ngritën në pentagramin e Etit, ato kanë tinguj dhe secili tingull nga një shkronjë në vete.
“Ngrohja globale” “Shkrirja e akullnajave” “Trekëndëshi i Bërmudës”
Ky cikël është një teatër avangardë, që prek majat e absurdit dhe në asnjë moment nuk të lë të qetë, të jesh pjesë e një finale reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek, Heraklitit, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”, domethënë, fitues na del ajri, dhe këtë frymë mistike, Eti dukshëm na e shfaq, nëpërmjet potezave të brushës që janë tejet shpërthyese dhe që nuk mund të lirohen nga e kuqja gjakatare, ose armikja e natyrës dhe humbësja e pa ngjyrës. Në disa pjesë të ngrohjes, e bardha ngrihet në këtë betejës si diçka shpëtuese, por prapë se prapë është kufizuar nga një e vërtetë e pandryshueshme, absolute në teorinë e vet magjike. Ndërkaq, tek “Shkrirja e akullnajave”, një vdekje më e bardhë, më qetësuese, më e lehtë, disi tinëzisht ngre optimizmin, duke e rrënuar teorinë e zezë të vdekjes me një zëvendësim gëzimi. Pikërisht këtu hasim në teorinë e filozofit Friedrih Nietzche, që thotë: “Përdore dhimbjen si një instrument gëzimi”, e këtë instrument gëzimi Eti, në formë simbolike e gjen tek e bardha, e cila nuk është aq e ashpër, por një vrasëse e buzëqeshur. Kjo ngjyrë e përdorur konfliktin kryesor e ka me të zezën, nga e skuqura e tepërt ka fituar një të zezë të përkryer.
Shpirtin e pastër të Etit nuk e lë të qetë edhe misteri më i madh në botë “Trekëndëshi i Bermudës” dhe këtë mister, ai e pasqyron si diçka të vërtetë, që ka raporte në këtë kohë.
Profondizmi
E tërë artin e tij, krijuesi Eti e përfundon me stilin e quajtur “Profondizmit”. Mesazhi i profondizmit është i thellë, i pa skajshëm, nuk mund t’ia gjesh fundin, sepse artisti nuk ia përcakton fillimin, dhe në esencë, ende nuk dihet pikënisja, që të vendoset finalja.
Postmodernia e Etit e quajtur “Profondizëm”, tentohet të trajtohet dhe të hulumtohet , njëkohësisht, nga disa kritikë të artit, shqiptarë dhe të huaj. Në këto tentativa, të cilat duhen përgëzuar, por edhe pranuar se janë fillesë, synohet zbërthimi i disa prej veprave më të arrira të Eti-t, duke gërshetuar analizën ideore konkrete, me tentativën për ta zbërthyer teorikisht. Në Profondizëm, nxirret në pah dominimi i brendësisë dhe i thellësisë së krijimit mbi formën e shfaqjes, përndryshe, të paraqitjes.
Postmodernia profondiste Eti-ane vështrohet nga disa pozicione a këndvështrime, që lidhen me tematikën, me poetikën, me metodën, kulturën, stilin dhe krahasimin. Studimi mbi këtë stil a rrymë, i cili, duam s’duam ne, është sipërfaqësor, tani për tani, ka marrë formën e piketave apo tezave për studime zbërthime , analiza, debate të thukta.
Artistët e vërtetë modernistë nuk e kanë të vështirë ta pranojnë postmodernen. Ata, përkundrazi, e pohojnë, e njohin dhe jo pak herë e afirmojnë si një realitet, duke e quajtur “piktura e së ardhmes”.
“Qofsh bekuar pikturë, pikturë gjuha ime, pikturë universale e shpirtit tim, jam i dashuruar në ty, më mbaj se të dua shumë dhe vetëm shumë”. Jetullah Haliti.
“Unë kurrë nuk kam hyrë në fizikë ose në trupat e astronautëve për t’u bërë një model. Por pas fluturimit tim të parë, u bë e qartë për mua që isha një. Dhe fillova të kuptoj rëndësinë e kësaj për njerëzit. Vajzat e reja duhet të shohin rolin modele në çfarëdo karriere që ata mund të zgjedhin, vetëm në mënyrë që ata të mund të imagjinojnë veten duke bërë atë punë një ditë. Ju nuk mund të jeni ajo që nuk mund ta shihni “.
Sally Ride, gruaja e parë amerikane në hapësirë . / KultPlus.com