Dy gjysma dorëshkrimesh të rralla me tekste të nënshkruara nga kitaristi legjendar Jimi Hendrix u bashkuan pas 55 vitesh.
Muzikanti amerikan ishte në fazat e hershme të karrierës së tij kur grupi i tij ”Jimi Hendrix Experience”, luajti në Bath Pavilion në mbrëmjen e 20 shkurtit 1967 pasi zëvendësoi Chuck Berry-n.
Para koncertit, dy vajza vendase, 15 dhe 16 vjeçare, u nisën drejt derës së prapaskenës në kërkim të një autografi të çmuar.
Hendrix doli për t’i takuar, por u tha atyre se nuk kishte letër kur ato i kërkuan autograf.
Në vend të kësaj, ai grisi një faqe në gjysmë nga një fletore që mbante dhe më pas nënshkroi të dyja pjesët.
Anëtarët e grupit, Mitch Mitchell dhe Noel Redding gjithashtu nënshkruan.
Dy mikeshat u ndanë më vonë pasi jetët e tyre morën drejtime të ndryshme dhe bashkë me to edhe dy pjesët e tekstit.
Por, vitin e kaluar njëra arriti të gjente shoqen e saj, pavarësisht kontakteve të kufizuara gjatë pesë dekadave të fundit, e cila gjithashtu kishte mbajtur të paprekur pjesën e saj të faqes./ KultPlus.com