Mes memecëve

              

Poezi nga: Jiří Kolář
Përktheu: Maksim Rakipaj

Të jetosh mes memecëve
është ku e ku më vështirë
se të jetosh mes kafshëve
Kafsha rri larg zjarrit
armëve dhe fjalëve
mund të jetosh me kafshët
në përulësi dhe duke hequr dorë
nga zbutja e vetes
por jetohet memec
mes memecëve?

S’të bën gjë dobi.
Këtu fjala s’është fjalë
zjarri s’është zjarr
arma s’është armë
përulësia s’është përulësi
heqja dorë s’është heqje dorë
ende je mes të shushaturish
dhe ç’është më e keqja
do s’do ti
ke për t’u bërë dalëngadalë
njëri prej tyre.

Thuaj atij trapit
se jeta është ndryshe
nga rehatia
se është luftë e paprerë
sa e plotë, aq e vështirë
se gëzimi
kushtëzohet nga përpjekjet,
dlirësia, dashuria,
e vërtetë sigurisht,
e hidhur e vërteta
nëse pyet dikë
dhe e pyet ç’mban të fshehtë,
nëse e sheh në sy
asgjë s’ke për të kuptuar
nëse s’je në shpirtin e tij

Zot shpëtomë! / KultPlus.com