Jennifer Lopez i ka entuziazmuar fansat e muzikës latine anembanë botës, me ta bërë të ditur lajmin se së shpejti do ta lansojë bashkëpunim e parë muzikor me këngëtarin, Maluma.
JLo e bëri të ditur këtë lajm përmes rrjeteve sociale, me ç’rast i informoi 131 milionë ndjekësit e saj se ky videoprojekt i përfshinë dy këngë në një vend, “Pa Ti” dhe “Lonely”.
Dyshja e famshme e muzikës latine po ashtu ka ndarë pamje prapa xhirimeve të klipit, dhe si gjithmonë 51-vjeçarja Lopez shfaqet tejet tërheqëse dhe në disa skena edhe shumë intime me këngëtarin kolumbian, Maluma, transmeton Koha.
Këngët e fundit të lansuara nga JLo janë “Medicine” në bashkëpunim me reperin French Montana dhe “El Anillo”, këngë kjo e cila u publikua para dy vjetëve dhe i numëron më shumë se 330 milionë klikime në YouTube.
Megjithëse këngët, “Pa Ti” dhe “Lonely” e shënojnë bashkëpunimin e parë muzikor të dyshes, JLo dhe Maluma, ata së fundmi e kanë realizuar një film se bashku me titull “Marry Me”, dhe ku krahas tyre luan edhe aktori i njohur hollywoodian Owen Wilson. Me regji të Kat Cairo, filmi që i takon zhanrit komedi dhe romancë do të lansohet nëpër kinema, më 12 shkurt të vitit 2021.
Po ashtu, këngëtarja, valltarja dhe afaristja amerikano-latine Lopez, së bashku me këngëtaren kolumbiane Shakira, e përfaqësuan denjësisht komunitetin e tyre me performancën e jashtëzakonshme në finalen e futbollit amerikan “Super Bowl”. Kjo performancë 15 minutëshe e cila në vete i ngërthen disa prej hiteve më të njohura të dy yjeve të muzikës, vazhdon të jetë më e shikuara në platformën muzikore YouTube, me 184 milionë klikime. / KultPlus.com