Projekti për paqe përmes artit “JO MA PLAGË” u realizua me sukses në Itali

Projekti ndërkombëtar për paqe dhe pajtim përmes artit i titulluar “JO MA PLAGË” u mbajt në në kuadër të Rocca Malatestiana Festival në qytetin Fano në Itali, nga data 23 shtator deri me 30 shtator 2021.

Ky projekt ishte organizuar nga Lobi Rajonal i Grave në Evropën Juglindore (RWLSEE), Akademia e Arteve të Bukura në Macerata dhe Programi Erasmus dhe Shoqata kulturore Fano Rocca Malatestiana , me mbështetjen nga UN Women për Evropë dhe Azi Qendrore dhe Qeveria Sudeze.

Qëllimi i këtij projekti ishte të nxisë potencialet transformuese të artit në ndërtimin e paqes drejtësisë, shërimin e plagëve të luftërave dhe pajtimin në rajonin e Ballkanin Perëndimor duke i thënë ‘jo ma plagëve’.  Duke bashkuar gra lidere nga politika, arti, akademia dhe shoqëria civile të ardhura nga tetë vende të Ballkanit dhe Italia, ky aktivitet zhvilloi punimet përmes Konferencës ndërkombëtare kushtuar kësaj teme (me 28 dhe 29 shtator) si dhe përmes veprimtarisë artistike të piktoreve nga 23 deri me 28 shtator, që vijoi me hapjen e ekspozitës së punimeve të tyre të mrekullueshme e plot dhimbje të plagëve të luftës. I tërë aktiviteti u zhvillua në mjediset inspiturese të kështjellës mesjetare Rocca Malatestiana, në Fano të Italisë.

Konferenca Ndërkombëtare “JO MA PLAGË” trajtoi marrëdhënien midis artit, paqes gjithëpërfshirëse, drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit dhe potencialet e artit për lehtësuar plagët e luftës si dhe kujtesën ndaj tragjedive njerëzore që kurrë nuk duhet të harrohen, në shoqëritë e pas konflikteve dhe në veçanti në Ballkanin e pasluftërave dhe gjenocideve. Në këtë kuadër u diskutuan temat vijuese: pse arti është mekanizëm i rëndësishëm për ndërtimin e paqes dhe veçanërisht për ndërtimin e paqes përfshirëse gjinore; arti i paqes dhe politika e artit; cila është fuqia e artit në shërimin e plagëve të luftërave dhe promovimin e drejtësisë kalimtare, ndërtimin e besimit dhe pajtimin, veçanërisht lidhur me gratë mbijetuese të dhunës seksuale gjatë luftërave; çfarë mund të mësojmë nga studimet shkencore në këtë fushë dhe praktikat më të mira në botë; çfarë mesazhi përcjellë ekspozita “JO MA PLAGË, e artistëve nga Ballkani Perëndimor dhe Italia në Festivalin Rocca Malatestiana.

Konferencën ndërkombëtare e hapi Edita Tahiri, kryetare e RWLSEE dhe ish Zëvendës Kryeministre e Kosovës, e cila në fjalën e saj kujtoi dhimbjet dhe pasojat e luftërave dhe gjenocideve në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci, ndërsa theksoi se  gratë përmes dialogut paqësor rajonal arritën ta shndërrojnë dhimbjen në forcën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Ajo u dha një mesazh të gjithëve duke thënë: “Nëse historia harrohet, ajo mund të përsëritet”. Për këtë ajo inkurajoi gratë artiste të vazhdojnë të punojnë së bashku në projekte si ky dhe të ndihmojnë në kujtesën e drejtë të historisë dhe shërimin e plagëve të grave dhe shoqërisë, dhe veçanërisht për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftërave, pasi ky është gjithashtu një kontribut i madh për ndërtimin e paqes dhe pajtimin. Ajo potencoi se dialogu për art dhe paqe mes grave të Ballkanit dhe Italisë do të ndikoj në rritjen e vetëdijes ndërkombëtare për drejtësinë ndaj grave viktima të luftërave dhe dënimin e merituar të kriminalëve të luftës dhe gjenocideve të bëra në Ballkan e përtej. 

Alia El-Yassir, Drejtoreshë Rajonale për UN për Women Europë dhe Azinë Qendrore në fjalimin e saj theksoi rëndësinë e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përparimet që u  arritën në drejtim të fuqizimit të grave në proceset e ndërtimin e paqes, tryezat e negociatave, drejtësinë tranzicionale dhe pajtimit. Ajo e vlerësoi lartë këtë projekt të bashkëpunimit mes artit dhe paqes si dhe inkurajoi për përpjekje dhe iniciativa të tilla strategjike që do të fuqizojnë perspektivat e grave dhe barazinë gjinore, që janë në zemër të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe të Barazisë së Gjeneratave. Ajo vlerësoi më tej potencialin e artit dhe përdorimin e tij për të lidhur njerëzit veçanërisht gratë e reja nga shoqëritë pas konfliktit, duke deklaruar “” Arti është provuar të jetë një nga mënyrat më efektive për të shëruar traumat e luftës. Le të zhbllokojmë potencialin transformues të njerëzve dhe krijimtarinë e tyre, le ta bëjmë atë kuptimplotë, së bashku,” tha zonja El-Yassir.

Rossella Ghezi, drejtoreshë e Akademisë së Arteve në Macerata, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes grave dhe shkëmbimit të përvojave të kulturës veçanërisht midis grave artiste. Ajo foli për vlerat morale dhe etike që kanë gratë dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj të drejtave të njeriut që shkojnë përtej kësaj, për këtë ajo bëri thirrje që “të mos harrohet kurrë ajo që ndodhi dhe të mos lejohet të ndodhë përsëri”.

Luciana Cataldo nga Akademia e Arteve të Bukura në Macarata, foli sesi ajo u frymëzua nga një këngëtar shqiptar Ermal Meta, i cili këndoi një këngë për dhunën mes grave dhe se si ai u përpoq të jepte forcën dhe mbështetjen për ta ndaluar dhunën. Ajo gjithashtu kujtoi kohën kur ky projekt ishte vetëm një ide dhe si u imagjinua dhe u zhvillua për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të lidhur artin dhe ndërtimin e paqes, Ballkanin Perëndimor dhe Italinë, gratë artiste me politikanet dhe gratë.

Massimo Puliani, drejtor i Rocca Fano Malatestiana tha se arti mund të ndryshojë dhe modifikojë shoqërinë, arti prodhon vepra të fuqishme për të mos harruar historinë e tragjedive njerëzore, gjeneron energji të reja për të çuar përpara proceset ngjashëm si politika. Për këtë ai sugjeroi që të bashkohen energjitë, të bashkohemi që të arrijmë paqe dhe gëzim.

Në kuadër të këtij projekti, me datën 28 shtator, u hap ekspozita me temën “JO MA PLAGË” të artisteve të njohura nga tetë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Italia. Ekspozitën e hapën Edita Tahiri, Kryetare e RWLSEE, Massimo Serri, Kryetar i qytetit Fano, Rossela Gezzi, Drejtore e Akademise ne Macerata, të cilët mbajtën dhe një konferencë për shtyp për mediat italiane. Në këtë konference për shtyp mori pjesë dhe këngëtari i njohur Shqiptaro- Italian Ermal Meta, i njohur për mbështetjen kundër dhunës ndaj grave, nga njëra këngë e të cilit mori titullin projekti jonë “JO MA PLAGË” ( MAI PIU FERITE në italisht).

Pjesëmarrës në projektin ndërkombëtar për paqe “JO MA PLAGË” morën pjesë:  Nga Lobi Rajonal i Grave (RWLSEE), Edita Tahiri, kryetare (Kosovë) dhe antëtaret e Komitetit Drejtues Eglantina Gjermeni (Shqipëri), Nada Drobnjak (Mali i Zi), Irina Pockova (Maqedonia Veriore) Izabela Kisic (Serbi), Tamara Vukicevic (Kroaci); Diana Cekaj-Berisha, koordinatore e projekit te RWLSEE dhe Nita Bakalli, asistente e projektit. Nga Akademia e Arteve të Bukura dhe Erasmus,   Rosella Ghezzi; drejtore e Akademise, Luciana Cataldo, profesoreshe, Teresa Marasca, profesoreshe, Eleonora Sarti, Profesosershe; Nga Fano Rocca Malatestiana: Massimo Puliani, drejtor dhe profesor në Akademinë e arteve në Fano dhe Natalia Andrea Peral, PDA ne EL Salvador. 

Pjesmarrëse në Ekspozitë dhe punëtorinë e artitit ishin gra artiste të njohura nga tetë vende të Ballkanit Perëndimor dhe Italia: Eliza Hoxha (Kosovë), Elga Mitre (Shqipëri), Tamara Pavicevic (Mali i Zi), Darinka Pop-Mitic (Serbi), Berta Milos (Kroaci),  Shqipe Kamberi (Maqedoni Veriore), Ana Hribar (Sloveni) si dhe artiste nga Italia: Casaluce Greiger. Margherita Cantiani, dhe Ezzia Mitolo.

Plagët që luftrat në Ballkan u shkaktuan njerëzve dhe veçanërisht grave ende nuk janë shëruar, ndërsa drejtësia po vonon dhe autorët nuk ndëshkohen. Konferenca ndërkombëtare së bashku me veprat artistike synoi të ndihmoj shërimin e plagëve, rindërtimin e marrëdhënieve të prishura duke promovuar ndërtimin e paqes përfshirëse gjinore, drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin, shumë të nevojshme edhe njëzet vjet pas përfundimit të luftërave. Projekti ynë siguroi një platformë diskutimi dhe përforcoi zërat e grave, duke i treguar botës se ‘plagët e luftës dhe veçmas tragjeditë e botës së grave” të shkaktuara nga luftërat e fundit në Ballkan mbi njëzetë vjet më parë, nuk duhet harruar dhe as injoruar./KultPlus.com