Fjalimi i lamtumirës i Biden: Amerikë, të dhashë më të mirën time!

Nuk ishte fjalimi që Biden donte të mbante. Të paktën jo këtë vit dhe jo në këto rrethana, sipas BBC.

Por, nëse dikush e di se sa shpejt mund të ndryshojë fati, është pikërisht ky president – ​​jeta personale dhe profesionale e të cilit është dëmtuar nga tragjedia dhe fatkeqësitë.

Duke folur në një arenë të mbushur plot në Çikago në natën e parë të Konventës Kombëtare Demokrate, Biden ofroi një mbrojtje të plotë të presidencës së tij – duke prekur shumë nga temat për të cilat ai bëri fushatë në vitin 2020 dhe përsëri këtë vit përpara se të braktiste ofertën e re zgjedhore në mes të korrikut, disa javë pas një ecurie katastrofike debati.

“Si shumë prej jush, unë i dhashë zemrën dhe shpirtin tim këtij kombi”, tha ai, në fund të një fjalimi gati njëorësh të shoqëruar nga thirrjet e zhurmshme “Faleminderit, Joe”.

Biden doli në skenë pasi u prezantua nga vajza e tij Ashley dhe gruaja e tij, Jill, e cila i tha audiencës se “e pa atë duke gërmuar thellë në shpirtin e tij” kur ai vendosi të largohej nga gara presidenciale.

Pasi përqafoi Ashleyn, ai fshiu sytë e lotuar.

Presidenti preku zemrën e tij dhe qëndroi pak më drejt në foltore, duke buzëqeshur, ndërsa turma vazhdonte të brohoriste.

“Përzgjedhja e Kamalas ishte vendimi i parë që mora kur u bëra kanddat dhe është vendimi më i mirë që kam marrë gjatë gjithë karrierës sime”, tha ai.

“Ajo është e ashpër, me përvojë dhe ka integritet të madh”, shtoi Biden.

Ndryshe nga fjalimi i tij në Zyrën Ovale katër javë më parë, Biden nuk foli drejtpërdrejt për kalimin e pishtarit te një brez i ri – por mesazhi ishte mjaft i qartë.

Pasi presidenti përfundoi fjalët e tij, Harris dhe bashkëshorti i saj Doug Emhoff dolën për të përqafuar Biden dhe gruan e tij, Jill.

“Joe, faleminderit për udhëheqjen tuaj historike dhe për shërbimin tuaj të përjetshëm ndaj kombit tonë dhe për gjithçka që vazhdoni të bëni”, tha Harris.

“Ne ju jemi përgjithmonë mirënjohës”, theksoi ajo

Pas përfundimit të fjalimit të tij, pas mesnatës në bregun lindor të SHBA-së, presidenti u largua nga arena dhe u nis drejt ”Air Force One” për një fluturim në Kaliforni për pushime./atsh/ KultPlus.com

Biden pranon se nuk kishte paraqitje të mirë gjatë debatit me Trumpin: Nuk debatoj aq mirë siç debatoja dikur

Presidenti amerikan, Joe Biden, tentoi të qetësonte demokratët lidhur me paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin, Donald Trump.

Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të tij, nxitën shqetësime edhe në mesin e anëtarëve të partisë së tij se 81-vjeçari nuk është i gatshëm të udhëheqë vendin edhe për katër vjet të tjera. Pas debatit u krijua një moment krizë në fushatën e Bidenit dhe në presidencën e tij, teksa anëtarët e Partisë Demokratike filluan të mendonin për të gjetur zëvendësuesin e mundshëm për të, përderisa donatorët dhe mbështetësit e tij po ashtu shprehën shqetësim lidhur me përballjen e tij karshi Trumpit.

Biden duket se pranoi kritikat gjatë një tubimi të premten në Karolinën e Veriut, duke thënë “unë nuk debatoj aq mirë siç debatoja dikur”.

Por, ai shtoi se “e di këtë punë. Dhe e di se si bëhen gjërat”.

Gjatë një fjalimi 18 minutës, Biden kritikoi Trumpin për “gënjeshtrat” e tij dhe për një fushatë që synon “hakmarrjen dhe ndëshkimin”.

“Zgjedhje në këto votime është e thjesht. Donald Trump do ta shkatërrojë demokracinë tonë, unë do ta mbroj”, tha ai.

Biden, duke aluduar në kandidaturën e tij, tha se “kur të rrëzojnë, t’i ngrihesh”.

Zonja e Parë, Jill Biden, gjatë një ngjarjeje të premten mbrëma në Qytetin e Nju Jorkut, tha se burri i saj i tha pas debatit: “Nuk di çfarë ndodhi. Nuk u ndjeva mirë”.

Edhe para debatit, mosha e Bidenit ka qenë shqetësim për votuesit dhe debati i së enjtes mbrëma duket se përforcoi këto shqetësime të votuesve disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Fushata e Bidenit po ashtu ka tentuar që të ulë shqetësimet, teksa ligjvënësit demokratë e kanë pranuar se presidenti pati paraqitje të dobët në debat, por tentuan të ndalnin diskutimet për zëvendësimin e tij si kandidat për president.

“Presidenti nuk pati një natë të mirë, por as Donald Trumpi me gënjeshtrat e tij të njëpasnjëshme dhe me vizionin e errët të tij për Amerikën”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper për Associated Press.

“Nuk mund ta kthejmë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Ai është kërcënim ekzistencial për kombin tonë”, tha ai.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, mbështeti ish-nënpresidentin e tij, duke postuar në X – që më herët njihej si Twitter – se “paraqitje të këqija gjatë debateve ndodhin ”.

Duke aluduar në paraqitjen e tij të dobët në debatin e tij gjatë fushatës për rizgjedhje më 2012, Obama tha se “më besoni, e di. Por, këto zgjedhje ende janë një zgjedhje mes dikujt që ka luftuar për njerëzit e zakonshëm gjatë gjithë jetës së tij dhe dikujt që vetëm ia ndien për veten”.

Ndërkaq, lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve u përgjigj me “jo”, kur u pyet nëse Bideni duhet të tërhiqet nga gara.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, tentoi të bindte mbështetësit e Bidenit duke thënë se “kjo garë nuk do të vendoset nga një natë qershori”.

“Kjo garë do të vendoset nga ju. Na ne. Kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm do të përcaktohet nga ajo se çfarë ne së bashku do të bëjmë në 130 ditët e ardhshme”, tha ajo gjatë një tubimi në Las Vegas.

Drejtori për media i fushatës së Bidenit, Michael Tyler, tha se nuk ka pasur “asnjë” bisedë të brendshme që Biden të tërhiqet nga gara, por ai e pranoi se Bideni pati “një natë të keqe” gjatë debatit.

Sipas sondazhit të CNN dhe Ipsos, që u realizua pak pas debatit, shumica e shikuesve të debatit shprehën mendimin se Trumpi kishte paraqitje më të mirë sesa Bideni.

Sipas rregullave aktuale të Partisë Demokrate, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, që Biden të zëvendësohet si kandidat zyrtar i partisë pa dëshirën e tij ose pa vullnetin e zyrtarëve të partisë që të ndryshojnë rregulloret në konventën kombëtare që mbahet në gusht./REL/ KultPlus.com