Fausti, vepra personifikuese e forcave mbinatyrore

Fausti është një dramë e shkruar nga Johann Wolfgang von Goethe, një autor dhe figurë e njohur për Gjermaninë e viteve 1800. Gëte ishte shkrimtar i një zhanri të gjerë. Vepra e tij është e pasur me romane, drama, poezi, novela, etj.

Periudhat e krijimtarisë së Gëtes

Periudha I ,“Stuhi dhe vrull”

– drama heroike “Gëci i Berlihingenit”, Gëci – gjeniu i forcës
– romani sentimental “Vuajtjet e djaloshit Verter”, Verteri – gjeniu i ndjeshmërisë.

Periudha II

Klasicizmi Vajmaras – periudha më e ndritshme  – dramat : “Egmonti”, “Torkuato Taso”, “Efigjenia në Tauridë” – pjesa e parë “e Faustit” – libri i parë i romanit “Vilhelm Majster” – në oborrin e Vajmarit, Gëtja u mor me: punë shteti, krijimtari, studime shkencore.

Periudha III, Olimpiku i Vajmarit

– përkon me moshën e pleqërisë karakterizuar nga qetësia
– botimi i pjesës së dytë të “Faustit”
– libri i dytë i romanit “Vilhelm Majster”
– vëllimi “Divani perëndimor-lindor”
– krijoi dhe drejtoi revistën “Art dhe antikitet”

Fausti është pjesë e gjinisë dramatike, e do të specifikohet si një tragjedi. Gëtja e quante Faustin tragjedi, por me synimin për të krijuar një vepër të plotë, ai shkriu aty të gjitha llojet letrare të njohura, duke realizuar kështu sintezën e formave artistike të deri atëhershme.
Ajo ka ngjyrimet e një poeme filozofike, poeme epike, dramë misteri, e ngjashme me tragjedinë antike, dramë qytetare dhe romani, si dhe poezi lirike.

Periudha Letrare:

Kjo vepër është shkruar në periudhën e Romantizmit.

Struktura:

Vepra është e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është e ndërtuar sipas kronikave historike shekspiriane në 25 skena dhe trajton jetën personale të heroit. Pjesa e dytë është e ndarë në 5 akte dhe trajton aktivitetin e tij shoqëror.

Tema:

Flet për marrëveshjen që Fausti bën me Djallin, duke i dorëzuar atij shpirtin e tij, në këmbim të dijes, aftësisë për të kuptuar çdo aspekt të natyrës, të dijes njerëzore dhe për të gjetur lumturinë (jo shpirtërore).

Mesazhet:

Fausti, duke mposhtur egoizmin, kupton se lumturia nuk mund të jetë kurrë e plotë, nëse nuk ndahet me sa më shumë njerëz. Arsyeja dhe dashuria njerëzore mundin çdo të keqe. Besimi në vlerat humane të njeriut. Po ashtu e meriton jetën dhe lirinë, vetëm ai që e fiton me përpjekje dhe luftë.

Rrëfimi:

Ndodh në dy plane. Në planin e parë paraqiten skena nga jeta e rëndomtë njerëzore kurse në planin tjetër zhvillohen skenat e një bote fantastike, plot me figura mitike.

Simbolikat:

1) 
Simbolika e udhëtimit përcillet nga njëra epokë në tjetrën për të mbërritur te Fausti, i cili do të synojë të zbulojë përmasat e natyrës, botës, kozmosit, qenies, njeriut dhe shoqërisë.
2) Ferri dhe parajsa janë simbole të fatkeqësive dhe të lumturisë së njeriut mbi tokë.
3) Zoti, Mefistofeli, kryeëngjëjt e personazheve të tjerë kanë kuptime simbolike dhe janë shprehje e forcave të natyrës dhe shoqërisë.

Burimet e veprës:

1) Legjenda e Faustit – Fausti ishte hero i një legjende shumë të njohur, që ka një bazë historike reale. Fausti, person real, ka jetuar në fundin e shekullit XV dhe në fillimin e shekullit XVI. Ai shëtiste qytet më qytet dhe e quante veten doktor, mburrej se zotëronte dije të shumta, si dhe artin e magjisë. Në një epokë, kur besimi në magji ishte diçka normale, rreth magjistarit shëtitës mblidheshin turma të tëra njerëzish.

2) Realiteti i kohës ku Gëtja jetonte Në fakt epoka e tij u cilësua si epoka e gjenive, sepse në shumë fusha të dijes dhe të artit shkëlqyen emra të mëdhenj.

3) Studimet e tij Gjatë jetës që kur shërbeu në oborrin e Vajmarit, Gëtja u mor me punë shteti, krijimtari, studime shkencore për mineralogjinë, paleontologjinë, botanikën, anatominë e fizikën.

       Fausti:

  • përmbledh historinë e njerëzimit në kërkim të diturisë
  • personifikon shpirtin e ri, bashkëkohor,
  • afirmimin e aspiratave, forcave krijuese të njeriut
  • bashkëjetojnë dy prirje shpirtërore në konflikt: njëra e tërheq poshtë drejt botës materiale, tjetra e tërheq lart drejt absolutes e pafundësisë
  • gjithnjë synon dhe arrin, por nuk kënaqet me ato që ka arritur
  • është i bindur se vetëm veprimi e dinamizmi e mbajnë gjallë jetën
  • njeriu- gjeni që lufton për njerëzimin
  • njeriu- vepër që jeton edhe pas vdekjes.

      Mefistofeli:

  • djalli vetë, por me mendje inteligjente
  • paraqitet nga Zoti si shpirti i mohimit
  • utilitar, skeptik dhe pragmatist
  • është zëri i pavetëdijes, pasqyra e keqe e Faustit;
  • ai ia plotëson dëshirat e tij (të këqija e të mira) dhe tregohet këshilltar i keq, tinëzar e cinik
  • është alteregoja e njeriut, shok rruge i yni, mëdyshja jonë, vetja jonë djallëzore.

Margarita:

  • personazhi më poetik i Gëtes, i frymëzuar nga përvoja nostalgjike e dashurisë rinore e të dëlirë, por të humbur.
  • karakterizohet nga natyrshmëria, përkushtimi, besimi në dashuri, droja dhe rezervimi, thjeshtësia e karakterit, morali i pastër, edukata fetare e shndërrojnë atë në vajzën e ëndrrave, është mishërim i dashurisë së dëlirë, vetëmohuese që u zbulohet njerëzve në formën më të përsosur, në dashurinë e gruas, simbol i zbutjes dhe i shpëtimit të shpirtrave./ KultPlus.com

‘Karakteri i një njeriu njihet nga mënyra se si ai sillet me ata që nuk mund të bëjnë asgjë për të’

Më 22 mars të vitit 1832, u nda nga jeta shkrimtari gjenial gjerman Johan Wolfgang Goethe.

Gëte ishte jo vetëm një penë e zjarrtë e poezisë gjermane, por dhe një dramaturg e publicist i disa veprave letrare me tematikë shkencore. Pas vitit 1776 Gëte mori përsiper edhe detyra politike dhe organizative në oborrin e Weimarit.

Krijimtaria letrare e Gëtes përmban një numër të konsiderueshëm me poezi, drama, tregime e novela. Perveç tyre ai ka publikuar dhe një numër të shumtë dorëshkrimesh autobiografike, estetike, artistiko-letrare, si dhe shkrime me përmbajtje nga fusha e shkencave natyrore. Një rëndësi të konsiderueshme për letërsinë kanë dhe korespondencat apo shkëmbimet e letrave, gjë të cilën ai e bënte me shumë pasion. Ne krijimtaritë fillestare letrare spikasin idetë e tij demokratike të iluminizmit.

Vlerat e tij si shkrimtar i talentuar u thelluan tek romani i shumëlexuar “Stuhi e vrull”, për shkrimin e të cilit Gëte dha kontributin kryesor. Kurse si talent i romantizmit ai u bë gjerësisht i njohur në mbarë Evropën në vitin 1774 me romanin “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Më vonë Gëte ndryshoi stilin e shkrimeve të tij duke ju referuar idealeve të antikes. Pas viteve 1790 së bashku me Friedrich Schiller ata u bënë përfaqsuesit më të denjë të epokës klasike të ëeimarit. Gëte njihet edhe sot si një nga figurat më të shquara të letërsisë gjermane dhe asaj botërore.

Në vijim KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij më të njohura:

“Karakteri i një njeriu njihet nga mënyra se si ai sillet me ata që nuk mund të bëjnë asgjë për të”

“Gjëja më e mirë që mund të bëjë një burrë për fëmijët e tij është të dojë nënën e tyre”

“Nëse Zoti do të më dëshironte ndryshe, ai do të më krijonte ndryshe”

“Nuk ka asgjë më të frikshme sesa injoranca në veprim”

“Njerëzit e rëndomtë nuk e kuptojnë sa kohë dhe ç’përpjekje duhen për të mësuar leximin. Kam shtatëdhjetë vjet që lexoj dhe ende nuk e kam mësuar”

“Një person dëgjon vetëm atë që kupton” /KultPlus.com