Në 210-vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderoi albanologun e shquar Johann Georg von Hahn me një konferencë shkencore.
Seanca e parë e konferencës u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi dhe u moderua nga Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Pëllumb Xhufi dhe Seit Mansaku.
Gjinushi tha në fjalën e tij s e”merita më e rëndësishme e Hahnit është se, megjithëse edhe vetë ishte diplomat e konsull, e ndau albanologjinë prej shkencës së dëshirës dhe e ktheu në shkencë të arsyes e të argumentit”.
Veçantia tjetër e Hahnit është se, ndryshe prej paraardhësve, të cilët kishin qenë të detyruar që herët a vonë të merreshin edhe me shqipen, për shkak të domosdoshmërisë së krahasimeve në kuadër të helenistikës, romanistikës apo sllavistikës, ai iu kushtua përjashtimisht kësaj gjuhe, historisë së popullit që e kishte trashëguar, etnogjenezës së tij, pastaj edhe protogjenezës së tij.”, tha akad. Gjinushi.
Sipas tij, “Hahni nuk u mjaftua me pohimin e argumenteve në favor të tezës së vazhdimësisë historike-gjenetike iliro-shqiptare. Ai sistemoi për herë të parë tezën se ilirishtja ishte formuar në mjedisin e një gjuhe tjetër pre-ilire, madje edhe pre-greke, që nuk mund të ishte tjetër veçse gjuha e pellazgëve.”
Prof. dr. Seit Mansaku foli për problemin e origjinës së gjuhës shqipe dhe të autoktonisë së shqiptarëve në veprën e J. G. von Hahn “Studime shqiptare”, botuar në Vjenë në vitin 1954.
Ai tha se ky libër ka shërbyer si burim për studimet shqiptare në disa fusha nga studiuesit shqiptarë e të huaj. Vepra e tij ishte hyrje në një etapë të re në fushën e gjuhësisë shqipe dhe etnografisë së shqiptarëve.
Ndërsa Prof. dr. Emil Lafe në kumtesën “Brenga e J. G. von Hahn-it për Shqipërinë dhe shqiptarët e kohës së tij” theksoi se: Hahn-i është vlerësuar lart nga bashkëkohësit e vet për ndihmesën e madhe shkencore në fushën e albanologjisë, ku solli një lëndë të re e mjaft të pasur dhe ndoqi metoda shkencore studimi, të cilat e lejuan të arrijë në një varg përfundimesh, sidomos për autoktoninë e shqiptarëve, që qëndrojnë edhe sot”.
“Historiani Jakob Philip Fallmerayer (1790–1860) ka shkruar: “Zoti Hahn është i pari, e ndoshta i vetmi europian i formuar shkencërisht, që ka shëtitur tërë Shqipërinë, që ka kërkuar edhe në cepat më të fshehtë të këtij vendi, ku hetoi shpirtin, zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit me tërë qenien politike të shqiptarëve, që ka mësuar të lexojë, të flasë e të shkruajë gjuhën e shqiptarëve në të dyja dialektet e saj kryesore, dhe që me të drejtë mund të konsiderohet “konkuistador” në fushën e etnografisë dhe të gjeografisë”.
Bardhyl Demiraj në kumtesën “Alfabeti origjinal i Dhaskal Todhrit në fokusin e analizave kulturore-epigrafike të Johan Georg von Hahn-it” pati si objekt të saj alfabetin origjinal të shqipes në disa dorëshkrime që i takojnë gjysmës së parë të shekullit të XIX; të cilat Hahn-i i ka kërkuar, gjetur e siguruar gjatë qëndrimit të tij në Elbasan në vitin 1849.
Demiraj tha se Hahn-i alfabetin e njohur si i Dhaskal Todrit e rroku në fokusin e një studimi të mirëfilltë epigrafik dhe etnokulturor, duke ua përcjell atë rretheve shkencore intelektuale të kohës.
Akademiku Gjovalin Shkurtaj në kumtesën “Ndihmesat pionieristike të Johann George von Hahn-it për dialektet e shqipes e të diasporës shqiptare” theksoi kontributin e Hahn-it me veprën “Studime shqiptare”, si një nga punimet shkencore më me vlerë e shkruar nga të huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ai argumentoi forcën e ndikimit të tezave të Hahn-it për kufirin e dialekteve të shqipes dhe për shtrirjen e shqiptarëve në diasporat e hershme, si studime origjinale dhe të pavaruara, të cilat ngjallin debate shkencore dhe të shoqëruara me një pasuri të madhe materiali ndihmojnë kërkimet e gjuhëtarëve dhe albanologëve.
Anila Omari në kumtesën “Lashtësia e dialekteve të shqipes sipas J. G. von Hahnit dhe në studimet e mëvonshme albanologjike” theksoi se teza e Hahn-it mbi lashtësinë e dialekteve të shqipes u rimor në kohën tonë nga profesor Bahri Beci në një varg punimesh të tij ku dallohet artikulli i vitit 1982 “Lashtësia e dialekteve të shqipes”, dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve, si dhe dy punime monografike; “Dialekte të shqipes dhe historia e formimit të tyre” (2002), “Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes”, 2019.
Prof. dr. Xhevat Lloshi paraqiti një analizë të imtësishme për leksikun e shqipes në dy fjalorët: J. G. von Hahn (1854) – K. Kristoforidhi (1904), ndërsa Mimoza Kore solli argumente për mbështetjen e e albanologëve të tjerë tek “Fjalori i J. G. von Hahn-it” dhe ndihmën që ka dhënë në fushën e kërkimeve më të zgjeruara.
Seanca e dytë e konferencës u moderua nga Neritan Ceka i cili trajtoi një temë interesante “Arkeologjia në periodizimin sipas Georg von Hahn-it”, dhe nga akademiku Gjovalin Shkurtaj.
Akademiku Pëllumb Xhufi në kumtesën “Malet e Bardha dhe variabli “parthin-alban” i Hahn-it”, trajtoi aftësinë e albanologut gjerman për identifikimin etnik përmes gjuhës të malësorëve shqiptarë të rrezikuar nga asimilimi. / KultPlus.com