Finlanda e mbështet plotësisht anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kosova ka marrë edhe mbështetjen e Finlandës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Sekretarja e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Finland, Johanna Sumuvuori, është deklaruar pas takimi që ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

Sumuvouri ka thënë se Finlanda e përkrahë plotësisht Kosovën në rrugën e saj evropiane.

“Diskutime të shkëlqyeshme me zëvendësministrin e Kosovës në çështje të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Finlanda përkrahë plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar ajo.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa shtetit më të ri në kontinentin e vjetër i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.

Optimizmi është shtuar pas largimit të Rusisë nga kjo organizatë, të cilët kanë qenë kundër anëtarësimit të Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar në Këshillin e Atlantiku, se nëse ju intereson paqja, përjashtojeni Rusinë dhe futeni Kosovën në KE.

Gjermania, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur këtë aplikim të Kosovës, ndërkaq Franca është shprehur skeptike. /KultPlus.com