Sllovenia pezullon vaksinën Johnson&Johnson

Sllovenia ka pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës së Johnson & Johnson kundër COVID-19, tha ministri i Shëndetësisë, Janez Poklukar, raporton agjencia kombëtare e lajmeve ‘STA’.

Masa e pezullimit është vendosur pas vdekjes së një gruaje të re.

Kompania Johnson&Johnson ende nuk e ka komentuar këtë vendim të autoriteteve sllovene, raporton Reuters.

“Pacientja, në të njëjtën kohë kishte mpiksje gjaku dhe gjakderdhje në tru. Kujdesi intensiv ndaj saj nuk rezultoi i suksesshëm”, tha për agjencinë STA, Igor Rigler, një neurolog në qendrën spitalore të Lubjanës.

Ndërsa ministri Poklukar tha se ende nuk është njoftuar në detaje për rastin mirëpo vdekja e pacientes duhet të sqarohet.

“Unë nuk mund të bëj komente, por kushtet janë plotësuar për sqarimin e të gjitha rrethanave të asaj që ndodhi”, tha ai.

Vaksina Johnson & Johnson është një nga disa vaksinat që Sllovenia po përdor në programin e saj të imunizimit kundër COVID-19.

Ky vend, deri më 28 shtator, ka imunizuar plotësisht rreth 47 për qind të popullsisë.

Sllovenia ka rreth 2 milionë banorë. / REL / KultPlus.com

Kryeministri britanik i vë djalit emrin e mjekëve që i shpëtuan jetën

Boris Johsnon dhe e fejuara e tij Carrie Symonds e kanë quajtur djalin e tyre Wilfred Lawrie Nicholas, kjo në nder të dy mjekëve që u kujdesën për kryeministrin britanik gjatë kohës që ai ishte i shtruar në spital i sëmurë me Covid-19, shkruan euronews.

Johnson u bë baba më 29 prill, dy ditë pasi iu kthye zyrtarisht zyrës pas rreth një muaji i sëmurë.

Emrin e djalit e njoftoi e fejuara, Carrie Symonds, në Instagram të shtunën.

Symonds, 32 vjeçe, shpjegoi se Wilfred dhe Lawrie ishin emrat e gjyshërve të saj dhe Borisit, ndërsa Nicholas ishte për nder të mjekëve Nick Price dhe Nick Hart.

Dy mjekët i shërbyen kryeministrit në spitalin St. Thomas, kur ai u shtrua në gjendje të rëndë.

Personalisht Johnson, 55-vjeç, i falënderoi më 12 prill përmes një mesazhi të bërë publik ku shprehej se do t’ua dinte për nder gjithë jetës.

Symonds, ish-drejtuese e marrëdhënieve me publikun, pati gjithashtu simptoma të Covid-19, por u riaftësua më lehtë.