36 vite më parë vdiq aktorja Jolanda Shala në moshën 37 vjeçare, e cila shquhej për rolet e saj në teatrin e atëhershëm të Shkodrës, shkruan KultPlus.
Jolanda Shala ishte aktore e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Ajo morri pjesë në 60 shfaqje, duke jetësuar rreth 180 role.
E njohur edhe me nofkën ‘’Landi’’, kujtimi i saj mbetet i gjallë nëpërmjet premierave artistike si “Ballafaqimi”, “Nën tik-takun e orës”, “Shigjeta thumbuese”, “Laj e shplaj, qit në diell e thaj”, “Peshqeshi i fundit”, “Ngjyrat pranverore”, “Fundi i një komedije” dhe shumë të tjera.

Për artin e saj kishte shkruar edhe Xhahid Bushati në librin ‘’Teatri ‘’Migjeni’’, kujtesa e një qyteti’’, në të cilën shpjegonte gjerë e gjatë jetën, personalitetin dhe veprën e Jolanda Shalës.
‘’Çdo rol që i besohej kërkonte e këmbëngulte që atë figurë që krijonte ta plotësonte derisa të shfaqej si karakter i plotë. E qëndiste. Ishte e kujdesshme qoftë edhe për një përparëse të vogël që i duhej personazhit, pa le për garderobën e rëndë. “Duke parë natyrën e saj si aktore, – do të thoshte, në një bisedë vite më parë, regjisori Paulin Sekuj, – Jolanda punonte ngadalë e me kujdes. I kushtonte vëmendje detajit për të tipizuar më mirë personazhin e për të krijuar doemos situatën humoristike’’, kishte shkruar Bushati.

Kujtimi i Jolanda Shalës do të mbetet i përhershëm nëpërmjet artit. / KultPlus.com


