Sot janë bërë 35 vjet nga vdekja e intelektualit të shquar, Jorge Luis Borges.
Borges ka lënë gjurme të mëdha në letërsinë botërore, duke mbetur kështu një shkrimtar i pavdekshëm.
Më poshtë, KultPlus ju sjell një fragment nga po ky shkrimtar i madh.
Nuk jam i sigurt nëse ekzistoj. Në të vërtetë, unë jam gjithë shkrimtarët që kam lexuar, gjithë njerëzit që kam njohur, gjithë gratë që kam dashur dhe gjithë qytetet që kam vizituar.
Unë nuk flas për hakmarrje, as për falje. Harresa është e vetmja hakmarrje dhe e vetmja falje. Nga tërë mjetet e shpikura prej njeriut, pa dyshim, më i mrekullueshmi është libri. Gjithë mjetet e tjerë janë shtojca të trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë shtojcë e të parit të tij; telefoni është shtojcë e zërit të tij; pastaj kemi parmendën dhe shpatën që janë shtojca të krahut.
Por libri është tjetër gjë: libri është një shtojcë e memories dhe e imagjinatës së njeriut. E kaluara është argjila që e tashmja gdhend sipas trillit të tij, pambarimisht. Të gjithë udhëtojmë drejt anonimatit, por mediokrit mbërrijnë atje pak më përpara. Njeriu është i dashuruar me dikë tjetër, kur ka bindjen se ai tjetri është i veçantë. / KultPlus.com
Jorge Luis Borges, ka qenë një shkrimtar tregimesh të shkurtra, eseist, poet, përkthyes dhe figurë kyçe e letërsisë së gjuhës spanjolle, shkruan KultPlus.
Librat e tij më të njohur me tregime, Ficciones dhe El Aleph, të botuara në vitet 1940, janë përmbledhje me tregime të shkurtra të ndërlidhura nga temat e përbashkëta, duke përfshirë ëndrrat, labirintet, bibliotekat, pasqyrat, shkrimtarët e sajuar, filozofitë dhe fetë.
KultPlus sot ju sjellë një nga thëniet e famshme të shkrimtarit.
“Folja ‘lexoj’, ashtu si folja ‘dua’ apo folja ‘ëndërroj’, nuk e duron dot mënyrën urdhërore”./ KultPlus.com
Teksti i mëposhtëm është pjesë nga bashkëbisedimi mes gazetarit Bernardo Neustadt dhe gjeniut të letrave, Jorge Luis Borges. Borgesi përgjigjet në pyetjen se çfarë është demokracia dhe si duhet të jetë shteti.
Borges: Për mua, demokracia është një abuzim me statistikat. Dhe, përveç kësaj, nuk mendoj se ka ndonjë vlerë. Ju besoni vërtet se për të zgjidhur një problem matematikor apo statistikë duhet të konsultoheni me shumicën e njerëzve? Unë do të thosha jo. Atëherë, pse të supozojmë që shumica e njerëzve e kupton politikën? E vërteta është se ata nuk e kuptojnë atë dhe mashtrohen nga një sekt të poshtërish, të cilët në përgjithësi janë politikanët e çdo kombi. Këta zotërinj politikanë që shesin portretin e tyre, duke bërë premtime, herë-herë edhe kërcënime, me një fjalë: korruptojnë.
Për mua, të jesh politikan është një nga punët më të trishtueshme për qeniet njerëzore. Nuk po e them këtë kundër ndonjë politikani të veçantë, por në përgjithësi. Një person që përpiqet ta popullarizojë veten te gjithë të tjerët, sigurisht, duhet të jetë i paturp. Politikani mua nuk më frymëzon asnjë respekt … Më kanë mësuar se individi gjithmonë duhet të jetë i forte, ndërsa shteti duhet të jetë i dobët. Kurrë nuk më ka pëlqyer teoria se shteti duhet të jetë më i rëndësishëm se individi. / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale është përzgjedhur të jetë 23 prilli, si datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Në këtë datë të vitit 1616, kishin vdekur autorët Uilliam Shekspir nga Anglia dhe Miguel de Cervantes nga Spanja.
I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë “Don Kishoti”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.
Ndërkaq sot, KultPlus ju sjell një thënie tejet të njohur të Jorge Luis Borges e cila flet për rëndësinë e madhe të librit e bibliotekës:
”E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke”
Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit. / KultPlus.com
Mendoj se fraza “leximi i detyrueshëm” është një marrëzi; leximi nuk duhet të jetë i detyrueshëm. Është njësoj si të thuash kënaqësi e detyrueshme. Por a ka kënaqësi të detyrueshme? Kënaqësia është diçka që kërkohet. Apo lumturi e detyrueshme! Ne lumturinë gjithashtu e kërkojmë.
Unë kam qenë profesor i letërsisë angleze për njëzet vjet në Fakultetin Filozofik dhe të Letrave të Universitetit të Buenos Aires dhe gjithmonë i kam këshilluar studentët e mi: nëse një libër ju mërzit, lëreni; një libër mos e lexoni nga që është i famshëm, nga që është modern, apo nga që është i vjetër. Nëse një libër është i mërzitshëm për ju, lëreni së lexuari; qoftë ai libër Parajsa e Humbur – për mua nuk është i mërzitshëm – ose Don Kishoti – për mua gjithashtu nuk është i mërzitshëm.
Por nëse ka një libër të mërzitshëm për ju, mos e lexoni; ai libër nuk është shkruar për ju. Leximi duhet të jetë një nga format e lumturisë, prandaj dua t’ua lë lexuesve si një amanet të mundshëm – amanet që nuk kam ndërmend ta shkruaj: lexoni shumë, pa u trembur nga reputacioni i autorëve, vazhdoni të kërkoni një lumturi personale, një kënaqësi personale. Është e vetmja mënyrë për të lexuar. / KultPlus.com
Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…
Jo, unë s’mundem me e ndryshue as t’shkuemen e as t’ardhmen tande por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji
S’mundem me i shmangë teposhtat e tua, veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt vërtet s’janë të miat po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra
S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande po me të mbështetë e ndjej detyrë, me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!
S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh, veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë që ti t’naltohesh
S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande, kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon, po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para
S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh, veç mundem me të dashtë njashtu siç je dhe me mbetë përjetë Miku yt…
Jorge Luis Borges Acevedo (Buenos Aires, 24 gusht 1899. – Gjenevë, 14 qershor, 1986) ka qenë një shkrimtar tregimesh të shkurtëra, eseist, poet, përkthyes dhe figurë kyçe e letërsisë së gjuhës spanjolle. Librat e tij më të njohur me tregime, Ficciones dhe El Aleph, të botuara në vitet 1940, janë përmbledhje me tregime të shkurtëra të ndërlidhura nga temat e përbashkëta, duke përfshirë ëndrrat, labirintet, bibIiotekat, pasqyrat, shkrimtarët e sajuar, filozofitë dhe fetë, shkruan KultPlus.
Ngjarjet më të rëndësishme mbi biografinë e tij janë te lidhura ngushtë me disa nga paraardhësit e tij. Duke qenë se rrjedh nga një familje studiuesish dhe ushtarakësh Borges zgjodhi letërsinë megjithëse e pati një peng të madh për shumë kohë faktin që nuk zgjodhi ushtrinë. Nga 1914 deri 1921 jetoi bashkë me familjen nëpër Evropë. Kreu studimet fillimisht në Gjenevë e më pas në Spanjë, ku njohu më mirë letërsinë dhe shkroi disa nga poezitë e tij të para.
Në 1923 publikoi librin e tij të parë me poezi, “Fervor de Buenos Aires”, dhe pas dy vjetësh librin e dytë “Luna de Enfrente”. Në 1925 Borges njohu Viktoria Okampo, muza e tij për shumë vite me të cilën u martua 40 vjet më pas. Me të Borges pati një mirëkuptim intelektual i destinuar për të hyrë në mitologjinë e letërsisë argjentinase. Aktiviteti publicistik i Borges ishte shumë i gjerë. Vargjet e “Kauderno San Martìn” u publikuan vetëm në 1929, ndërsa një vit më pas doli “Evaristo Karriego”, një vepër që entuziazmoi kritikën argjentinase.
Një fatkeqësi tjetër në jetën e shkrimtarit: verbohet. Borges, i cili kishte pasur gjithnjë probleme me sytë, e humbi përfundimisht shikimin në fund të viteve 50’ pasi kishte kryer 9 operacione. Por këtë sëmundje ai e përdori për të krijuar akoma më shumë. Kulmin e këtij procesi “sublimimi” ai e pati në vitet 1933 e 1934.
Të gjitha tregimet e publikuara prej tij në revistën “Krìtika”: dolën në një përmbledhje të vetme me titullin “Historia universal de la infamia” (Historia universale e poshtërsisë), që u pasu disa vite më vonë nga “Historia de la eternidad” (Historia e përjetësisë), një vepër ndërthuret Historia dhe Dituria.
Kjo situatë dramatike provokoi te Borges frikën se mund të humbte përgjithnjë aftësitë e tij krijuese. Frike e pabazuar: gjatë viteve kur ishte i sëmura ai krijoi disa nga kryeveprat e tij të cilat u publikuan në 1944 nën titullin “Shtirjet”.
Pas 5 vjetësh dolën disa nga tregimet e tij ne librin e titulluar “Alef”. Gjatë kësaj periudhe Borges cilësohej si një nga shkrimtarët më të mirë argjentinas të të gjitha kohërave.
Si për të pohuar dhe një herë aftësitë e tij, Borges publikoi një tjetër kryevepër që mban titullin “Inkuizicionet e tjera” (1952).
Në 1955 Borges u emërua drejtor në Bibliotekën Kombëtare, një nga ëndrrat e tij të hershme. Në fjalimin e rastit ai u shpreh se: “Është një ironi sublime dhe hyjnore që më jepen 800 mijë libra kur unë jam në terr të plotë prej vitesh”. Pas 31 vjetësh drejtor ai u nda nga jeta më 14 qershor 1986. Pranë varrit të tij prehen eshtrat e gruas së dytë të Borges-it, Marìa Kodama. /KultPlus.com
“By this art you may contemplate the variation of the 23 letters…” The Anatomy of Melancholy part 2, sect. II, mem. IV.
Universi (që të tjerë e quajnë Bibliotekë) përbëhet nga një numër i pacaktuar, dhe ndoshta i pafund, galerish gjashtëkëndëshe, me puse të gjera ajrimi në qendër, rrethuar me parmakë shumë të ulët…
Prej secilit nga këta gjashtëkëndësha shihen katet e poshtme dhe të sipërme, pa mbarim. Shpërndarja e galerive është e pandryshueshme. Njëzet rafte, nga pesë për anë, mbulojnë gjithë muret me përjashtim të dyve prej tyre; lartësia e tyre është sa ajo e vetë kateve, nuk e kalon aspak shtatin e një bibliotekari me trup normal. Secila prej faqeve të lira bie në një korridor të ngushtë, i cili del në një tjetër galeri, të njëjtë me të parën dhe me të gjitha. Në të djathtë e në të majtë të korridorit ka dy kthinëza fare të vogla. Njëra, sa për të fjetur në këmbë; tjetra, sa për të kryer nevojat personale. Aty pranë kalon një shkallë kërmillore që ulet e ngrihet sa të ha syri. Në korridor ka një pasqyrë që dyfishon me besnikëri pamjet. Njerëzit nga kjo nxjerrin përfundimin se Biblioteka nuk është e pafund; po të ishte ashtu me të vërtetë, ç’duhej ky dualitet i rremë? Unë për vete, parapëlqej të ëndërroj se këto sipërfaqe të lëmuara janë atje për të paraqitur pafundësinë dhe për ta premtuar atë…Ca si fruta sferike, të quajtura llamba, sigurojnë ndriçimin. Nga dy për çdo gjashtëkëndësh dhe të vendosura horizontalisht, këto globe lëshojnë një dritë të pamjaftueshme, të parreshtur.
Si të gjithë njerëzit e Bibliotekës, unë kam udhëtuar në të ri; kam bërë pelegrinazhe në kërkim të një libri dhe ndoshta të katalogut të katalogëve; tani që sytë e mi mezi shkoqisin ç’ka shkruaj, po bëhem gati të vdes diku afër gjashtëkëndëshit ku linda. Kur të vdes, nuk do të mungojnë duar të përshpirtshme që të më hedhin nga parmaku e poshtë: varri im do të jetë ajri i humnershëm; trupi im do të zhytet thellë për një kohë të gjatë, do të kalbëzohet, do të shpërbëhet në erën e përftuar nga rënia, e cila është e pafund. Sepse unë pohoj se Biblioteka është e pambarueshme. Për idealistët, sallat gjashtëkëndëshe janë një formë e domosdoshme e hapësirës absolute, ose të paktën e intuitës sonë për hapësirën; ata mendojnë se një sallë trikëndëshe apo pesëkëndëshe do të ish e pamendueshme. Sa për mistikët, ata mëtojnë se ekstaza u zbulon një dhomë rrethore me një libër të madh, gjithashtu rrethor, me shpinë të vazhdueshme, që i bie përqark plotësisht mureve; por dëshmia e tyre është e dyshimtë, fjalët e tyre të errëta: ky libër ciklik, është Zoti… Le të mjaftohemi tani për tani me përsëritjen e sentencës klasike: Biblioteka është një sferë, qendra e vërtetë e së cilës është një gjashtëkëndësh i çfarëdoshëm dhe rrethi i saj i paarritshëm.
Çdonjëri nga muret e secilit gjashtëkëndësh mban pesë rafte; çdo raft ka tridhjëtë e dy libra, të gjithë me të njëjtin format; çdo libër ka katërqind e dhjetë faqe; çdo faqe dyzet rreshta dhe çdo rresht, afërsisht tetëdhjetë shkronja të zeza. Ka gjithashtu shkronja në shpinë të çdo libri; këto shkronja, as tregojnë e as paralajmërojnë atë ç’ka do të thonë faqet: inkoherencë që, e di dhe vetë, nganjëherë duket e mistershme. Para se të përmbledh zgjidhjen (zbulimi i së cilës, pavarësisht nga shfaqjet e saj tragjike, është ndoshta fakti kryesor i ngjarjes) dua t’ju kujtoj nja dy aksioma.
Aksioma e parë: Bioblioteka ekziston ab aeterno.
Në këtë të vërtetë, rrjedhoja e përnjëhershme e së cilës është përjetësia e ardhshme e botës, nuk mund të dyshojë asnjë njeri me mend. Qëllon që njeriu, bibliotekari i papërkryer, të jetë vepër e rastësisë ose e demiurgëve dashakeqas; universi, me paisjen e vet elegante me volume enigmatike, me shkallët e palodhshme për udhëtarin dhe me nevojtore për bibliotekarin ndenjur, s’mund të jetë veçse vepër e Zotit. Për të matur largësinë që ndan hyjnoren nga njerëzorja, mjafton të krahasosh këto simbole të vjetëruara e të mekura që dora ime e gabueshme shkarravit e shkarravit mbi kapakun e librit, me shkronjat organike të pjesës së brendshme: të përpikta, të brishta, në një të zezë të thellë, me një baraslargësi të paimitueshme.
Aksioma e dytë: numri i simboleve ortografike është njëzet e pesë[1].
Qe ky shënim që lejoi, para nja treqind vjetëve, të formulohej një teori e përgjithshme e Bibliotekës dhe të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme problemi që s’kish mundur ta zbërthente asnjë hamendje: natyra e paformë dhe e rrëmujshme e pothuaj të gjithë librave. Njëri prej këtyre, të cilin im atë e zbuloi në një gjashtëkëndësh të rrethit pesëmbëdhjetë-nëntëdhjetë e katër, përmbante vetëm tri shkronjat MCV të përsëritura mbrapshtisht nga rreshti i parë tek i fundit.
Një tjetër (që e shohin shumë në zonën time) është një labirint i vërtetë shkronjash, por në faqen e parafundit gjendet kjo frazë: O kohë piramidat e tua. S’ka sesi të injorosh më këtë gjë: për një rresht të arsyeshëm, për një informacion të saktë, ka lega e lega të tëra zhangullimash të çmendura, shkarravinash pa kuptim e fjalësh pa lidhje. (Njoh një zonë barbare ku bibliotekarët kanë hequr dorë nga zakoni për t’u gjetur një kuptim të çfarëdoshëm librave, si zakon besëtyt e i kotë, duke e krahasuar me zakonin për të shpjeguar ëndrrat dhe vijat e rrëmujshme të dorës…Ata pranojnë se shpikësit e shkrimit kanë imituar njëzet e pesë simbolet natyrore, por pohojnë se ky zbatim është i rastësishëm dhe se librat vetë nuk thonë asgjë. Ky mendim, siç do ta shohim, nuk është plotësisht i rremë).
Për shumë kohë, u mendua se këta libra të padepërtueshëm u përgjigjeshin idiomave të harruara e të largëta. Është e vërtetë se njerëzit më të lashtë, bibliotekarët e parë, përdornin një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo që flasim ne tani; është e vërtetë se disa dhjetra milje në të djathtë gjuha bëhej dialektale dhe nëntëdhjetë kate më lart, e pakuptueshme. E gjithë kjo, e përsëris, është e saktë, por katërqind e dhjetë faqe me MCV të pandryshueshme nuk mund t’i përkonin asnjë gjuhe, qoftë edhe dialektale apo rudimentare. Disa lanë të kuptohej se çdo shkronjë mund të ndikonte te shkronja pasardhëse dhe se vlera e MCV-së në rreshtin e tretë të faqes 71 nuk është e njëjtë me vlerën e këtij grupi në filan rresht të një tjetër faqeje; por ky propozim i turbullt nuk pati aspak sukses. Të tjerë thanë se qe fjala për kriptografi; është kjo hipotezë që më në fund triumfoi dhe u pranua botërisht, megjithëse në një kuptim të ndryshëm nga ai primitiv.
Pesëqind vjet më parë, shefi i gjashtëkëndëshit të sipërm[2] vuri dorën mbi një libër po aq të ngatërruar sa të tjerët, por që kish pothuaj dy faqe me rreshta njëfarësh e me sa duket të lexueshëm. Ai ia tregoi zbulimin e tij një zbërthyesi endacak, i cili i tha se ato ishin redaktuar në portugalisht; të tjerë pretenduan se ishte jidish. Më pak se një shekull më vonë, u përcaktua gjuha e saktë: bëhej fjalë për një dialekt lituanez të guaranit, me theks të arabishtes klasike. Përmbajtja gjithashtu u zbërthye: ishin nocione të analizës kombinuese, ilustruar me shembuj të ndryshores me përsëritje të pandryshuar.
Këta shëmbuj i lejuan një bibliotekari gjenial të zbulonte ligjin themelor të Bibliotekës. Ky mendimtar vuri re se të gjithë librat, sado të ndryshëm qofshin, përmbajnë elemente të barabarta: hapësirën, pikën, presjen, njëzet e dy shkronjat e alfabetit. Ai përmendi një fakt që e pohuan të gjithë udhëtarët: në gjithë atë Bibliotekë nuk ka dy libra njësoj. Nga këto premisa të pakundërshtueshme ai nxori përfundimin se Biblioteka është e plotë dhe raftet e saj ruajnë të gjitha shestimet e mundshme të njëzet e ca simboleve ortografike (numër, ndonëse shumë i madh, jo i pafund) d.m.th. gjithë ç’është e mundur të shprehet, në të gjitha gjuhët. Gjithçka: historia e hollësishme e së ardhmes, autobiografitë e kryeengjëjve, katalogu besnik i Bibliotekës, me mijëra e mijëra katalogë të rremë, paraqitja e pavërtetësisë së këtyre katalogëve, paraqitja e pavërtetësisë së katalogut të vërtetë, ungjilli gnostik i Basilides-it, komenti i këtij ungjilli, tregimi i vërtetë i vdekjes tënde, përkthimi i çdo libri në të gjitha gjuhët, ndërfutjet e çdo libri në të gjithë librat.
Kur u shpall se Biblioteka i kish të gjithë librat, kundërpërgjigja e parë qe një lumturi ekstravagante. Të gjithë njerëzit ndiheshin zotër të një thesari të paprekur e të fshehtë. Nuk kish problem personal apo botëror që të mos gjente zgjidhjen të shprehur diku: në ndonjë gjashtëkëndësh. Gjithësia ishte e përligjur, gjithësia befas kish fituar përmasat e pakufizuara të shpresës. Në atë kohë u fol shumë për përligjjet: libra apologjie e profecie që përligjnin gjithmonë aktet e çdo njeriu dhe i ruanin për të ardhmen të fshehta të mrekullueshme. Me mijëra të paduruar braktisën gjashtëkëndëshin e ëmbël të lindjes dhe iu turrën shkallëve, të shtyrë nga qëllimi i rremë për të gjetur përligjjen e tyre.
Këta pelegrinë grindeshin nëpër korridoret e ngushta, lëshonin namatisje të pakuptueshme, kacafyteshin midis tyre në shkallët hyjnore, flaknin në fund të tuneleve librat mashtrues, vdisnin të rrokullisur poshtë nga njerëzit e zonave të thella. Të tjerë shkalluan nga mendtë… Nuk mund të mohosh ekzistencën e përligjjeve (unë vetë njoh dy syresh që kanë qenë personazhe të së ardhmes, personazhe ndoshta jo imagjinare), por kërkimtarëve nuk u shkonte mendja se probabiliteti që njeriu të gjejë justifikimin e vet, apo ndoshta edhe ndonjë variant të rremë të tij, është pothuaj zero.
Shpresohej gjithashtu, rreth së njëjtës epokë, të hidhej dritë mbi të fshehtat themelore të njerëzimit: origjinën e Bibliotekës dhe të Kohës. Nuk është e pabesueshme që këto të fshehta të rëndësishme të shpjegohen vetëm nëpërmjet fjalëve njerëzore: nëse gjuha e filozofëve nuk mjafton, Biblioteka shumëformëshe do të kish krijuar një gjuhë të padëgjuar që duhej për to, me gjithë fjalorët e gramatikat e saj. U bënë katër shekuj që njerëzit, me këtë shpresë, shtrydhin gjashtëkëndëshat… Ka kërkimtarë zyrtarë, inkuizitorë. Unë i kam parë tek ushtrojnë funksionin e tyre: mbërrijnë gjithmonë të rraskapitur; flasin për një shkallë pa shkallare ku sa s’thyen qafën, flasin me bibliotekarin për galeritë dhe korridoret; nganjëherë ata marrin librin që kanë më pranë dhe i hedhin një sy për të gjetur fjalë të ndyra. Me sa duket, asnjë prej tyre nuk shpreson të zbulojë gjë.
Shpresa e dalldisur u pasua, si zakonisht, nga një ligështim shumë i madh. Siguria që ndonjë raft i ndonjë gjashtëkëndëshi ndrynte brenda tij libra të çmuar dhe që këta libra ishin të paarritshëm, dukej pothuaj e padurueshme. Një sekt blasfemues propozoi të ndërpriteshin kërkimet dhe të përziheshin shkronja e simbole derisa të arrihej të rindërtoheshin, po t’i ndihte fati, këta libra kanonikë.
Autoritetet u detyruan të nxirrnin urdhëra të rrepta. Sekti u zhduk; por në fëmijëri kam parë pleq që fshiheshin për një kohë të gjatë në nevojtore me disqe të vogla metalike, në fund të një pavijoni të ndaluar dhe imitonin dobët shthurjen hyjnore.
Të tjerë, përkundrazi, menduan se thelbësore ishte të zhduknim veprat e panevojshme. Ata pushtonin gjashtëkëndëshat duke paraqitur fletë-leje nganjëherë origjinale, shfletonin me mërzi ndonjë vëllim dhe dënonin rafte të tëra: pikërisht tërbimit të tyre higjienik, asketik, ia detyrojmë humbjen e pamend të miliona vëllimeve. Emri i tyre, kuptohet, urrehet pa masë, por ata që qajnë “thesaret” e shfarosura nga tërbimi i tyre harrojnë dy fakte tepër të njohura. Së pari, Biblioteka është aq e madhe sa çdo gjymtim me origjinë njerëzore nuk mund të jetë veçse i papërfillshëm. Së dyti, nëse çdo ekzemplar është unik dhe i pazëvendësueshëm, ka gjithmonë, meqë Biblioteka është e plotë, me qindra mijëra faksimile pothuaj të përkryera që nuk ndryshojnë nga libri i saktë, veçse nga një gërmë a një presje. Ndryshe nga mendimi i përgjithshëm, unë mendoj se pasojat e dëmtimeve të bëra nga Spastruesit janë zmadhuar nga tmerri që kish ngjallur fanatizmi i tyre. Ata i kish kapluar deliri për të shtënë në dorë librat fantastikë të gjashtëkëndëshit Gjak të Kuq; libra me format të zvogluar, të gjithëpushtetshëm, të ilustruar e magjikë.
Një bestytni tjetër e atyre kohërave ka arritur deri te ne: ajo e Njeriut të Librit. Mbi ndonjë raft të ndonjë gjashtëkëndëshi, mendoj, duhet të ekzistonte një libër që është çelësi dhe përmbledhja e përkryer e të gjithë librave: është një bibliotekar që e ka lexuar këtë libër dhe që i ngjan një perëndie. Në gjuhën e kësaj zone ruhen ende gjurmë të kultit blatuar këtij funksionari të hershëm. Në kërkim të tij u organizuan shumë pelegrinazhe, që për një shekull rrahën më kot horizonte nga më të ndryshmet. Si ta përcaktoje gjashtëkëndëshin e nderuar e të fshehtë që e mbronte? U propozua një metodë prapavajtëse: për të lokalizuar librin A, shihej më parë libri B që do të tregonte vendin e A-së; për të lokalizuar librin B, shihej më parë libri C dhe kështu deri në pafundësi… Në këto soj aventurash derdha edhe unë forcat e mia dhe harxhova vitet më kot. Është e sigurt se në ndonjë raft të gjithësisë, ky libër i plotë duhet të ekzistojë[3]; lus perënditë e harruara që dikush – qoftë edhe i vetëm, para mijra vjetësh! – ta ketë patur ndër duar dhe ta ketë lexuar. Po qe se nderi, urtësia, dhe gëzimi nuk janë për mua, qofshin për të tjerë. Rroftë e qoftë parajsa, edhe nëse vendi im është në ferr. Le të poshtërohem e të bëhem hi, mjaft që Biblioteka Jote e stërmadhe të gjejë kuptim te një qenie, te një çast.
Të pafetë pohojnë se absurditeti është rregull në Bibliotekë dhe se pjesët me kuptim, (ose me njëfarë lidhjeje) përbëjnë një përjashtim gati të mbinatyrshëm. Ata flasin (e di) për “këtë Bibliotekë të ethshme, vëllimet e pasigurta të së cilës rrezikohen parreshtur të shndërrohen në të tjera dhe pohojnë, mohojnë dhe ngatërrojnë gjithçka si një perëndi në jerm”. Këto fjalë, që jo vetëm tregojnë sheshit rrëmujën, por edhe e ilustrojnë atë, provojnë mirëfilli një shije të neveritshme dhe një injorancë të pandreqshme. Në fakt, Biblioteka i përmban të gjitha strukturat verbale, të gjitha ndryshimet që lejojnë njëzet e pesë simbolet ortografike, por as edhe një absurditet absolut. Është e kotë të vësh re se vëllimet më të mira ndër gjashtëkëndëshat që drejtoj unë kanë për titull Rrufe e krehur, Ngërç allçie dhe Axaxaxas mlô. Këto fjalë pa lidhje në pamje të parë, kanë padyshim një shpjegim kriptografik ose alegorik; një shpjegim i tillë është verbal dhe, ex hypothesi, figuron që më parë në Bibliotekë. Nuk mund të sajoj një varg të çfarëdoshëm gërmash, për shembull:
dhcmrlchtdj
që Biblioteka hyjnore mos ta ketë parashikuar tashmë dhe që të mos ketë një kuptim të tmerrshëm në një nga gjuhët e saj të fshehta. Askush nuk mund të nyjëtojë një rrokje që të mos jetë plot dhembshuri e tmerr, që të mos jetë diku emri i fuqishëm i një hyji. Të flasësh, do të thotë të biesh në tautologji. Kjo letër e panevojshme e fjalëshumë që po shkruaj tashmë ekziston në një nga tridhjetë vëllimet e pesë rafteve të njërit prej gjashtëkëndëshave të panumërt – dhe përgënjeshtrimi i saj gjithashtu. (Një numër n gjuhësh të mundshme, përdor të njëjtin fjalor; në këtë apo atë leksik simboli Bibliotekë do të marrë përkufizimin e saktë sistem universal dhe i përhershëm galerish gjashtëkëndore, por Biblioteka do të ketë kuptimin bukë ose piramidë ose një kuptim krejt tjetër po qe se shtatë fjalët e përkufizimit kanë tjetër kuptim.) Ti, që më lexon, a je i sigurtë se e kupton gjuhën time?
Të shkruarit metodik, për fat të mirë, më heq mendjen nga gjendja e tanishme e njerëzimit. Siguria që gjithçka është shkruar, na kthen në hiç ose në fantazma… Njoh zona ku të rinjtë përkulen para librave dhe lënë në faqet e tyre të puthura barbare, pa zbërthyer dot një gërmë të vetme. Epidemitë, përçarjet heretike, pelegrinazhet që degjenerojnë në mënyrë të pashmangshme në hajdutëri, kanë shfarosur popullsinë. Më duket se i kam përmendur vetëvrasjet, çdo vit edhe më të shpeshta. Ndoshta jam gabuar nga pleqëria dhe frika, por e parandjej se fara njerëzore – e vetmja që ekziston – gati po shuhet, ndërsa Biblioteka do të jetojë ngaherë: e ndriçuar, e vetmuar, e pafund, krejt e palëvizshme, e armatosur me vëllime të çmuara, e padobishme, e pandryshuar, e fshehtë.
Sapo shkruajta: e pafund. Nuk e ndërfuta këtë mbiemër ngaqë më rrëmben retorika; them se është me vend të mendosh se bota është e pafund. Ta mendosh të kufizuar, do të thotë të postulosh se në ndonjë vend të thellë, korridorret, shkallët, gjashtëkëndëshat, mund të zhduken – gjë që është e papërfytyrueshme, absurde. Ta përfytyrosh pa kufi, do të thotë të harrosh se numri i librave të mundshëm, s’është aspak pa kufi. Problem i lashtë, për të cilin unë këshilloj këtë zgjidhje: Biblioteka është e pakufizuar dhe periodike. Po të kish një udhëtar të përjetshëm që do ta përshkonte në një drejtim të çfarëdoshëm, shekujt më në fund do t’i mësonin se të njëjtat vëllime përsëriten gjithmonë në të njëjtin çrregullim – që, i përsëritur, do të bëhej një rregull: Rregulli. Vetmia ime ngushëllohet me këtë shpresë të hijshme.[4]
[1]1 Dorëshkrimi origjinal i këtij teksti nuk përmban as shifra, as gërma të mëdha. Pikësimi është kufizuar me presjen e pikën. Këto dy shenja, hapësira përmidis dhe njëzet e dy shkronjat e alfabetit janë njëzet e pesë simbolet e mjaftueshme të numëruara nga i panjohuri (Shënim i autorit).
[2] Dikur kish nga një njeri për çdo tri gjashtëkëndësha. Vetëvrasja dhe sëmundja e mushkërive e kanë prishur këtë raport. Kujtimi i një melankolie të papërshkrueshme: më ka qëlluar të udhëtoj për netë të tëra përmes korridoreve e shkallëve të lëmuara pa takuar asnjë bibliotekar.
[3] E përsëris: mjafton që një libër të jetë i përfytyrueshëm që të ekzistojë. Vetëm ajo që është e pamundur përjashtohet. Për shembull: asnjë libër nuk është gjithashtu shkallë, megjithatë padyshim ka libra që diskutojnë, që mohojnë dhe që e tregojnë këtë mundësi dhe të tjerë, struktura e të cilëve, ka ndonjë lidhje me strukturën e një shkalle.
[4] Letizia Alvarez de Toledo vuri re se kjo Bibliotekë e madhe ishte e padobishme: do të mjaftonte në fund të fundit një vëllim i vetëm, me format të zakonshëm, i shtypur me shkronja nëntëshe ose dhjetëshe, që do të përmbante një numër të pafund fletësh të holla sa s’bëhet. (Cavalieri, në fillim të shekullit XII, shihte në çdo trup të ngurtë, mbivendosjen e një numri të pafund planesh.) Përdorimi i këtij vedemekum-i të mëndafshtë s’do të ish i lehtë: çdo fletë e dukshme do të ndahej në fletë të tjera; e pamendueshmja faqe e mesit nuk do të kish anë të prapme.
Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…
Jo, unë s’mundem me e ndryshue as t’shkuemen e as t’ardhmen tande por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji
S’mundem me i shmangë teposhtat e tua, veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt vërtet s’janë të miat po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra
S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande po me të mbështetë e ndjej detyrë, me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!
S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh, veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë që ti t’naltohesh
S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande, kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon, po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para
S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh, veç mundem me të dashtë njashtu siç je dhe me mbetë përjetë Miku yt…
“Çdo njeri që kalon në jetën tonë është i veçantë: lë gjithmonë një pjesë të tij te ne dhe merr diçka nga jeta jonë me vete… Ndonjëri merr më shumë e ndonjëri më pak, por askush nuk ikën pa lënë asgjë. Kjo është përgjegjësia më e madhe e jetës sonë dhe prova e qartë që dy shpirtra nuk takohen kurrë rastësisht..”
Jorge Luis Borges
Borges është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XX. Ndonëse nuk e mori Çmimin Nobel në letërsi, vepra e tij arriti majat. Ai shquhet për erudicionin e jashtëzakonshëm, mjeshtrinë e rrëfimit dhe ndjeshmërinë e lartë ndaj çështjeve që prekin dhe kanë tëbëjnë me qeniet njerëzore.
Nuk mund të të jap zgjidhje për të gjitha problemet e jetës tënde, nuk kam përgjigje për dyshimet o frikërat e tua, por mund të të dëgjoj dhe t’i ndaj me ty të gjithë shqetësimet e tua.
Nuk mund të ndryshoj as të shkuarën tënde dhe as të ardhmen, por kur të jetë nevoja do të jem pranë teje.
Nuk mund të shmang dot rënien, por vetëm mund të të jap dorën time që të ndihmoj dhe mos të biesh.
Gëzimi yt, arritjet dhe triumfet e tua nuk janë te miat, por sinqerisht gëzohem kur të shikoj të lumtur. Nuk gjykoj vendimet që merr në jetën tënde, limitohem duke të të mbeshtetur dhe për të ndihmuar nëse ma kërkon.
Nuk mund të vendos kufij brenda të cilëve duhet të lëvizësh, por mund të jap hapsiren e mjaftueshme për tu rritur.
Nuk mund të evitoj vuajtjen tënde kur të prekin zemrën, por mund te qaj bashkë me ty duke mbledhur copëzat për ta bërë prap të ri. Nuk mund të them as cfarë je dhe as cfarë duhet te jesh, vetëm mund të dua ashtu sic je dhe të jem shoku yt.
Sot po mendoja për dikë që mund të ishte një shoqe për mua, në atë moment më erdhe në mendje ti. Nuk je as lart as posht as në mes, nuk je as në fillim as në fund të listës, nuk je as numri një as numri i fundit, dhe as unë nuk pretendoj të jem numri i parë, o i dyti ose i treti në listën tënde, rëndesi ka që të dua si shok.
Nuk jam ndonjë kushedi, por jam gjithcka që mund të jem.
Sikur edhe njiherë të kisha mujt me jetue jeten teme,
unë do t’isha përpjekë që në jetën e re
me ba ma shumë gabime.
nuk kisha dashë me qenë aq i përsosun,
kisha dashë me qenë ma i qetë.
Kisha dashë me qenë edhe ma i çmendun se ç’isha,
shumë ma pak gjâna i kisha marrë kaq seriozisht.
Nuk do t’kisha rrnue kaq shnetshëm.
Do t’kisha rreziku ma shumë, do t’kisha udhëtu ma shumë,
ma shumë perëndime dielli kisha me vështrue,
ma shumë do t’isha ngjitur maleve, ma shumë do t’kisha notu lumenjve.
Kam qenë njâni prej atyne njerëzve t’mençun,
që çdo minutë të jetës e ka kalue frytshëm;
vërtet unë kam pasë edhe çaste të gëzimit,
por, sikur t’kisha mujt me u kthye prapa edhe njiherë,
do t’kisha ba përpjekje me shijue vetëm çaste t’mira.
Nëse ti ende nuk e din,
vetëm prej tyne përbahet jeta;
vetëm prej çasteve, mos e harro të tashmen!
Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme,
prej fillimit të pranverës deri në fund të vjeshtës kisha me ec kambzbathun.
Po ashtu kisha me lozun ma shumë me fëmijë,
sikur jetën ta kisha para vetes.
Por, shikoni… i kam 85 vjet, jam plak dhe e di
se së shpejti kam me vdekë.
Një prej figurave letrare më unike të shekullit 20, Jorge Luis Borges, u lind në Argjentinë, në 24 gusht 1899.
Si një mjeshtër i tregimeve të shkurtër, Borgesi shkroi për botën kriminale të Argjentinës dhe krijoi botë që rroknin magjepsjen e tij pas konceptit të pafundshmërisë. Poemat e tij përkujtojnë kulturën unike dhe traditat e kryeqytetit, Buenos Aires, ku ai jetoi deri ditën që vdiq, në 1986.
Këtu sjellim disa prej shprehjeve më të spikatura të Borgesit:
“Dyshimi është një prej emrave të inteligjencës”
“Diktaturat sjellin shtypjen, diktaturat sjellin robërinë, diktaturat sjellin mizorinë: më i neveritshëm është fakti që ato sjellin idiotësinë”
“Vetë jeta është një citat”
“Teksa mendoj për mitet e shumtë, është njëri prej tyre që është shumë i dëmshëm, dhe ky është miti i shteteve”
“Mos fol, nëse nuk ke për ta përmirësuar heshtjen”
“Lëri të tjerët të krenohen se sa shumë faqe kanë shkruar. Preferoj të mburrem për ato që kam lexuar”
“Të shkruarit nuk është asgjë më shumë se sa një ëndërr e udhërrëfyes”
“Ne e pranojmë me kaq shumë gatishmëri realitetin. Ndoshta sepse ndjejmë që asgjë nuk është reale”
“Të biesh në dashuri do të thotë të krijosh një fe me një Zot të gabueshëm”./ KultPlus.com