Ti s’më do…

Poezi nga Sergej Esenin

Shqipëroi: Jorgo Bllaci

Ti s’më do? S’të dhimbsem sado pak?
… Nuk ta mbushkam syrin, apo si?
Prapseprapë, ndizesh e merr flakë,
Tek shtërngohesh supeve të mi.

Mike epsh e tëra , lajka s’dua,
As i vrazhdë nuk të sillem dot.
Veç me thuaj, sa kështu si mua,
Puthur e shtërnguar ke gjer sot!

Unë e di, të gjithë hije u bënë
Dhe s’ta shuan zjarrin pa mbarim.
Prehër pa u ulur ti s’ke lënë,
Siç po rri tani në prehërin tim.

Dhe në këto çaste, ndonjë tjetër,
Sjell ndërmend ti, syçkat tek pulit.
Mos pandeh se po mërzitem tepër.
Tjeterkënd e kam dhe unë në shpirt.

S’eshtë fat kjo lidhje mëndjelehtë,
Po një flakë çasti. Veç ta dish,
Siç të njoha rastësisht i qetë,
“- Mirëmbetsh!”, – do të të them sërish.

Edhe ti do marrësh udhën tënde,
Do bësh pluhur ditën plot mërzi,
Veçse, mos lakmo t’i prishësh mendjen,
Kujt s’ka njohur puthje e dashuri.

Krah për krah me ndonjë tjetër djalë,
Udhës kur të shkosh ti, ku ta dish,
Ndoshta, edhe unë do të kem dalë
Për shëtitje, e shihemi sërish!

Ti më fort pas tjetrit do të ngjeshesh
Dhe me kryet ulur, ftohtësisht,
“- Mirëmbrëma!” – do më pëshëndesësh,
Ndërsa unë: “- Mirëmbrëma Miss!”.

Dhe asgjë nuk do më turbullojë,
S’do më dridhet shpirti për asgjë!
Kush ka dashur, s’mund të dashurojë!
Kush është djegur, s ‘mund të digjet më! / KultPlus.com

Dëshirë

Poezi nga Jorgo Bllaci

Më vjen turp të qaj i heshtur,
si një shelg përbri moçalit!
Dua të gjëmoj pareshtur
Porsi lisi maje malit.

Rreth kurorës, shpesëria
Le të mos më cicërojnë
Që prej zgavrave të mia
Shkabat të të vigjëlojnë.

Degët e fuqishme dua
të më tunden nëpër erë
Papushuar përmbi mua
borë e virgjër le të bjerë.

Sipër akujve të ftohtë
do të ngjitem der te retë
S’do më vije keq në ndodhte
të zhuritem nga rrufetë!

Se n’u  dashtë të zhuritem
do zhuritem maje malit
Po s’do qaj e s’do nemitem
i përulur, bri moçalit. / KultPlus.com