REL: Borrell ka rekomanduar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në bllok, që kanë pasur qasje në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.

Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli në raportin e tij ku thuhet se:

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.

Në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politikë dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara.

Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë të uljes së tensioneve të evitojë veprimet e pakoordinuara, thuhet në raportin e Borrellit, sipas burimeve diplomatike në BE.

Në këtë raport, Borrell ka përmendur në mënyrë specifike kërkesat që i ishin bërë Kosovës vitin e kaluar, të cilat lidhen me veprimet e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të shtetit – të banuar me shumicë serbe – si dhe me ushtrimin e funksioneve nga ana e kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri.

Në raport, Borrell ka shkruar se BE-ja do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në veri të Kosovës si dhe veprimet e Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas tij, nuk duhet të krijojnë tensione të reja.

Për raportin e Borrellit pritet të diskutohet në takimin e 19 qershorit të Komitetit politik dhe të sigurisë së BE-së (PSC). Në bazë të diskutimeve do të shihet pastaj se a do të vendoset për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, heqja e masave ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite edhe në takimin e Këshillit për punë të jashtme, që zhvillohet në nivel ministrash më 24 qershor.

Borrell ua dorëzoi raportin e tij shteteve anëtare më 18 qershor. Zyrtarë të BE-së kishin diskutuar për herë të parë rreth mundësisë së heqjes së masave në prill të këtij viti, andaj edhe kanë kërkuar një raport prej Borrellit.

Raporti i Borrellit ishte planifikuar të dorëzohej më herët, sepse vendet e BE-së kishin kërkuar që kjo të bëhet “sa më parë që të jetë e mundur”, por ishte shtyrë për shkak të veprimeve të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore postare të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera janë suspendimi i programit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.

Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat, dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Nëse Borrell nuk do të ishte neutral atëherë, do t’ia përmendte Serbisë të gjitha marrëveshjet që nuk i ka zbatuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi nuk është arritur marrëveshja për targat në Bruksel, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani ka kritikuar zyrtarin e lartë të BE-së, Josep Borrellin për qasjen ndaj dialogut.

Sipas aj, nëse Borrell do të ishte neutral atëherë do t’ia përmendte Serbisë të gjitha marrëveshjet që nuk i ka zbatuar.

“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:

1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;

2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;

3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;

4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;

5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;

6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;

7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;

8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;

9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;

10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;

11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;

12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;

13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;

14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;

15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;

Lista është më e gjatë se kaq.

Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj. / KultPlus.com

Margariti dhe Borrell vizitojnë kantierin e restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar

Restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar është një nga kantieret më të rëndësishme, të ngritur falë Programit të Rindërtimit dhe Rijetësimit të “EU4Culture”.

Ky kantier u vizitua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, zv.presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe ambasadori e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Ministrja Margariti theksoi se, shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart.

“Me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell dhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca vizituam sot një nga kantieret më të rëndësishme, atë të restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, ngritur falë Programit të rindërtimit dhe rijetësimit EU4Culture. Shumë shpejt mozaiku do të zbulohet me një shkëlqim të ri dhe gjithë historinë që ai mbart”, u shpreh Margariti./ KultPlus.com

Kurti vazhdon serinë e takimeve në Konferencën e Sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, që po mbahet në Mynih të Gjermanisë, shkruan KultPlus.

Në përfundim të ditës së dytë të qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, Kurti zhvilloi takime me zyrtarë të ndryshëm.

Në vazhdën e takimeve, i pari i ekzekutivit ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Beorrell.

Përpos tij, Kurti zhvilloi edhe takime me lideren opozitare të Bjellorusisë, Sviatlana Tsikhanouskaya, Ministren e Punëve të Jashme të Suedisë, Ann Linde dhe gjithashtu edhe përfaqësuesin e lartë për Bosne e Hercegovinë, Christian Schmidt. /KultPlus.com