“Me çdo kusht përpiquni t’ia kurseni vetes statusin e viktimës. Nga të gjitha pjesët e trupit tuaj, jini më vigjilent ndaj gishtit tuaj tregues, sepse është i etur për të fajësuar të tjerët. Një gisht i drejtuar është logoja e viktimës.
Pa marrë parasysh se sa e vështirë mund të jetë gjendja juaj, mos fajëso asgjë dhe asnjë: as historinë, as shtetin, as eprorët, racën, prindërit, fazat e hënës, fëmijërinë, trajnimin etj. Menuja është e gjatë dhe e lodhshme.
Momentin që e vendosni fajin diku, ju e minoni vendosmërinë tuaj për të ndryshuar ndonjë gjë. Në fund të fundit, viktimizimi i vetes na josh me ëmbëlsinë e tij. Ky rol imponon dhembshuri, ju dallon nga fatet e tjera, madje kombet dhe kontinente të tëra përqendrohen te vërshimet e gjendjeve mendore të shpallura si ndërgjegje e viktimës.
Natyrisht, kjo është terapeutike dhe, duke pasur parasysh kufizimin e burimeve, ndoshta edhe për të përmbushur nevojat bazike jetësore, kështu që për mungesën e një identiteti më të mirë, mund edhe ta përqafosh – por përpiqu dhe bëj çmos ta kundërshtosh atë.
Sadoqë të jetë i mjaftueshëm dhe i pakundërshtueshëm fakti se mund të gjendeni në anën e përmbysur të fatit, mohojeni komoditetin e rolit të viktimës për sa kohë që keni respekt për veten, për sa kohë që buzët tuaja mund të shprehin “Jo”.
Në tërësi, përpiquni ta respektoni jetën jo vetëm për bukuritë por edhe për vështirësitë e saj. Ato janë pjesë e lojës dhe ajo që është e mirë për një vështirësi është se nuk është mashtrim. Sa herë që jeni në vështirësi, në ndonjë hall, në prag të dëshpërimit ose në dëshpërim, mbani mend: kjo është jeta që flet me ju në gjuhën e vetme që njeh mirë.
Përpiquni të mbani mend se dinjiteti njerëzor është një nocion i përplotshëm, jo i pjesëzuar, që nuk aplikohet vetëm në disa raste të veçanta të posaçme.
Nëse ju e gjeni këtë argumentim paksa në anën e gabuar, mendoni të paktën se duke e konsideruar veten një viktimë ju e zmadhoni boshllëkun e papërgjegjshmërisë brenda vetes që demonët ose demagogët e duan kaq shumë për ta mbushur, meqë një vullnet me paterica nuk është i denjë për engjëjt.”
Fragment nga Joseph Brodsky.