Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka shpallur xhudisten nga Kosova, Distria Krasniqi, si xhudisten më të mirë për vitin 2021 në xhudo, shkruan KultPlus.
Përmes një ceremonie të zhvilluar online, IFJ, ka bërë të ditur se Distria Krasniqi është zgjedhur sportistja më e mirë në botë për vitin 2021.
“Faleminderit. Nuk e prisja fare, të them të drejtën. Nuk po e prisja fare, por dua të falënderoj të gjithë ata që kanë ndarë kohën për të votuar mua dhe jam pa fjalë aktualisht. Jam shumë e lumtur dhe mendoj se kjo është suksesi më i madh që kam tani, sepse të zgjedhesh në një kategori të caktuar është në rregull, por të zgjedhesh më e mira, për mua është diçka shumë e veçantë. Andaj, dhe falënderoj ata që më votuan sepse kjo më motivoi ende më shumë për të shfaqur një xhudo të mirë në të ardhmen dhe të jem akoma më e mirë”, tha Krasniqi me plot emocion.
Ceremonia virtuale e çmimeve gjatë ditës së sotme ka bërë nderimin e disa xhudistëve, organizatave dhe individëve më të mirë në botë që kontribuan në një vit tjetër historik për xhudon.
Së bashku me trajnerin Driton Kuka, Kosova ka arritur që të fitojë tre medalje të arta olimpike, dy vetëm në Lojërat e fundit që u mbajtën në Tokio.
Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova arritën që të fitojnë vendin e parë dhe kësisoj të sjellin dy medalje të tjera në Kosovë, pas Majlinda Kelmendit që e shkroi historinë e para.
Gjatë kësaj ceremonie virtuale, trajneri Kuka është zgjedhur si trajneri më i mirë për vitin 2021 në sportin e xhudos. / KultPlus.com