Dua Lipa për pushime në jug: Vajza shqiptare në Shqipëri

Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa pas qëndrimit në Kosovë ku u mbajt festivali Sunny Hill, duket se ka ndarë disa ditë për pushime, shkruan KultPlus.

Lipa ka zgjedhur jugun e Shqipërisë për të pushuar, ku ka ndarë edhe disa fotografi në rrjetin e saj social Instagram.

“Vajza shqiptare në Shqipëri”, është mbishkrimi që këngëtarja i bashkëngjit fotografive.

Ky pushim vjen vetëm 10 ditë para se festivali Sunny Hill të nis në Tiranë.

Datat 26,27, 28 gusht do të sjellin në Tiranë emra të njohur të skenës muzikore si nga bota ashtu edhe nga vendi. / KultPlus.com

Lukova, një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Lukova, një ndër fshatrat me plazhet më të bukura dhe të frekuentuara gjatë stinës së verës.

“Lukova ofron një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë, me detin e kaltër dhe me dallgët që vallëzojnë mbi pllakat e shkëmbinjve”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.

Lukova është e pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika.

Fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.

Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që ju duhet patjetër të zbuloni këtë verë në Lukovë./ atsh / KultPlus.com

Pamje të jugut të Shqipërisë në vitet ’30

   

Fotografitë janë të viteve 1930-1932 dhe flasin shumë, për bukuritë e fshatrave shqiptare, edhe pse jetesa ishte e ashpër.

Pamjet, – shkruan Ilir Ikonomi, –  janë nxjerrë nga koleksioni i gjeografit austriak Ernst Nowack, i cili, i ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, në një ekspeditë të vështirë.

Ai udhëton përgjatë Shushicës, pastaj shfaqet në Qafën e Llogorasë, vazhdon në Dhërmi dhe Himarë e deri në Palasë.

Në këto lloj udhëtimesh, i vetmi mjet ishin kuajt dhe një udhërrëfyes i mirë. Dhe të mendosh që kjo është vetëm një pjesë e vogël e dëshmisë së tij, nëpër shtigjet e maleve shqiptare!!! / KultPlus.com

Dua Lipa vazhdon pushimet në jugun e Shqipërisë, shfaqet duke vallëzuar me këngë shqipe

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa po e vazhdon vizitën e saj në Shqipëri.

Këtë vizitë, Dua e ka shfrytëzuar edhe për të pushuar në bregdetin e jugut të Shqipërisë, bukuritë e të cilit po i promovon vazhdimisht në profilin e saj në Instagram, shkruan KultPlus.

“E bukura Shqipëri”, ka shkruar Dua në një postim që shfaq zona të ndryshme të jugut të Shqipërisë, e që ngjalli interesim të shumtë të ndjekësve të saj për t’i vizituar.

Përveç pushimeve në bregdet, Dua ka vizituar edhe zonat arkeologjike të vendit, ku së fundi ajo ka publikuar disa imazhe nga parku i Butrintit.

E gjatë këtij qëndrimi, këngëtarja shqiptare nuk i rezistoi edhe këngëve e valleve shqipe. Ajo ka shpërndarë një video ku shfaqet duke vallëzuar me këngë shqipe, me mbishkrimin “Më trego që je shqiptar, pa më thënë se je shqiptar”.

Këngëtarja e hiteve të mëdha botërore po vazhdon të mahnitet nga bukuria e jugut të Shqipërisë duke theksuar se nuk dëshiron të largohet.

 Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Dua bashkë me familjen e saj kanë takuar krerë të shtetit shqiptar e të cilët e kanë nderuar për arritjet e saj në majat e muzikës botërore pa e harruar origjinën e saj, shkruan./KultPlus.

Të huajt zbulojnë jugun e Shqipërisë, nga Vlora në Sarandë zor dëgjohet shqipja mes turistësh

Përgjatë vijës bregdetare nga Saranda deri në Vlorë kanë pushuar këtë sezon veror 66,038 të huaj.

Në bregdet, në shëtitore vështirë të dëgjosh të flitet gjuha shqipe. Më shumë se 1000 turistë hyjnë në port.

Jugu i Shqipërisë, një zbulim për të huajt. Në udhëtimin tonë, rrugës drejt Sarandës takojmë dy gjermanë, të cilët pasi kanë parë çdo cep të Europës, kureshtje shfaqin për vendet e Ballkanit.

“Erdhëm në Shqipëri me motorë, sepse e prisnim që do ishte bukur këtu. Rrugët janë spektakolare. Për ne, Shqipëria ishte një vend i largët për të ardhur, ndaj është si një aventurë”, shprehet Johannes Muller.

“Vendosëm të përshkonim gjithë vendet e Ballkanit. E nisëm udhëtimin fillimisht në Greqi dhe më pas erdhëm këtu në Shqipëri, për të vijuar më pas në Maqedoni e në fund do të kthehemi në shtëpi, Gjermani. Vërtet na pëlqeu këtu, rrugët me kthesa janë sfiduese”, tha Raja Arabi, turiste.

Ndërkohë që ka edhe turistë besnikë. Dy vjet më parë, çifti polak Vojtek dhe Anjeska vizituan veriun e Shqipërisë. Me biçikleta këtë herë po eksplorojnë jugun.

“Pse jemi ne sërish në Shqipëri? Sepse njerëzit janë fantastik! Çmimet janë shumë më të lira, krahasuar me Greqinë ku ishim më parë me pushime”, tha Wojciech Siarra, turist polak.

“6 mijë lekë, blemë bukën, 2 domate dhe djathë”, thotë turisti polak.

Të tjerë turistë zgjedhin kampin e Himarës, më të shumtit janë polakë. “Doja të shikoja një vend të ri, ndaj jam këtu. Më pëlqen bregdeti juaj dhe koha me diell”.

Të dashur dhe mikpritës…polakët ngjajnë me ne shqiptarët.

Nilsi është norvegjez dhe një notar shumë i zoti. Kthjelltësia e Jonit është një nga arsyet e ardhjes së tij në Shqipëri.

“Një mik shqiptar po na shoqëron të eksplorojmë jugun. Dje ishim në Gjirokastër dhe në Syrin e Kaltër e tani ja ku jemi. Po e shijoj vërtet qëndrimin në Shqipëri, deti me ujë të pastër dhe perfekt për të notuar, njerëz të këndshëm dhe çmime të lira krahasuar me Norvegjinë”, thotë Nilsi.

Por Nilsi nuk është i vetmi skandinav që preferon të pushojë në jug. Aty gjen edhe pafund europianë. Për turistët, Shqipëria është aventurë. Një vend i vogël që të bën për vete.

“Ne kemi dëgjuar të flitet shumë për Shqipërinë. Për motin, detin, ushqimet dhe çmimet. Në Norvegji, fjalët e mira për Shqipërinë janë përhapur tani”, thotë turisti.

“Ne kemi qenë në vende të ndryshme, verën e shkuar në Kroaci. Por këtë herë lexuam së në Shqipëri supozohej të bëheshin pushime ideale dhe që do ishte shumë bukur. Në fakt, është vërtet. Si dhe është shumë lirë. Gjë e mirë, për ne si studentë që s’kemi shumë lekë”, shprehet një turist polak.

“Njerëzit janë shumë të shoqërueshëm. Nëse I pyet për diçka, çdokush tregohet I gatshëm të ndihmojë dhe duken shumë të lumtur kur na shikojnë”, thotë një tjetër.

“Është mirë këtu në Shqipëri, duket bukur. Më pëlqen gjithçka”, thotë një fëmijë nga Franca.

“Deti ka një ngjyrë shumë të bukur. Jam paksa xheloze sepse Deti ynë Baltik nuk është kaq i kthjellët”, shprehet një turist nga Suedia.

“E duam këtë marrëdhënien mes detit dhe malit këtu. Është vërtet magjepsëse”, shprehet një tjetër./TCh/KultPlus.com