Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e Lituanisë, Jurate Raguckiene me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale, të cilën e uroi për detyrën, duke i dëshiruar sukses në angazhim.
Në këtë takim, Presidentja Osmani, siç bën të ditur presidenca, theksoi se Kosova pret mbështetjen e shtetit të Lituanisë në përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkaq në kontekst të situatës politike në rajon, Presidentja Osmani ka potencuar rrezikun e destabilizimit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentëve të tyre në Serbi. Sipas saj, nevojitet unitet dhe reagim kundrejt tendencave destabilizuese në rajon.
Të dy palët ranë dakord ta rrisin nivelin e angazhimit, me fokus të veçantë në sferën e mbrojtjes, arsimit, shkëmbimit ekonomik dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Ambasadorja Raguckiene ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj ta mbështesë Kosovën edhe më tej dhe në të njëjtën kohë i ka bërë ftesë zyrtare Presidentes Osmani që në një kohë të përshtatshme për të dy palët, ta vizitojë Lituaninë. /KultPlus.com