Koreografi Jurgen Bala, pjesë e stafit të shkollës së njohur të kërcimit në New York

Jurgen Bala, koreograf dhe balerin i njohur shqiptar është bërë pjesë e Arthur Murray NYC Broadway në Nju Jork si një kërcimtar dhe instruktor profesionist.

Ai është fitues i Vendit të Parë (kategoria ritmike) dhe Vendin e Tretë (kategoria e lehtë) që u zhvilluan në Uashington në dhjetor të 2019.

“Duke shkuar nga Tirana në Nju Jork mendova se do të ishte e vështirë si fillim, por e gjeta veten në shtëpi në Artur Murray Broadway. Unë kam një respekt dhe një admirim të madh për Arthur Murray, një mënyrë e mrekullueshme për tu lidhur dhe ku balerinët aspirojnë të shprehin talentin e tyre profesionalisht. Në përgjithësi, përvojat këtu në Nju Jork dhe në SHBA në përgjithësi më kanë ndihmuar të rritem si artist, duke parë vende të reja, duke bërë miq të rinj dhe duke pasur role të ndryshme”, tha Bala për gazetën “Dielli”, transmeton KultPlus.

Karrierën e kërcimit profesional Jurgeni e nisi me balet por ai ka qenë kërcimtar me kompani danci si në SHBA dhe në Shqipëri. Jurgeni është diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë në Koreografi.

“Baleti dhe klasat e kercimit krijojnë një mjedis të sigurtë që nxit këdo të lëvizë në një mënyrë që lidhet thellësisht me zgjuarsinë e mendjes dhe trupit. Jemi të lumtur që ofrojmë pasion, mbështetje dhe disiplinë në Arthur Murray Dance Center në Nju Jork. Unë jam shumë i lumtur të ndajë pasionin tim për kërcimin me nxënësit në Arthur Murray”, vijon ai. / KultPlus.com