Reagon Jusuf Buxhovi rreth keqpërdorimit të historisë

Nga Jusuf Buxhovi

(Mos)kuptimi i misionit historik të LDK-së në procesin e shtetndërtimit si dhe i rolit të Ibrahim Rugovës në të në formën e tanishme – si ikonë partie, ose si dogmë e përgjithësuar “rugoviste”, siç po shfaqet në fushatën zgjedhore, dëmton pikërisht kauzën mbi të cilën është ndërtuar Lëvizja kombëtare misioni i së cilës historikisht ka përfunduar më 12 qershor 1999.

Ditëve të fundit, fushata zgjedhore, tematizoi Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe dr. Ibrahim Rugovës në të mbi premisat e (mos)kuptimit ose të (keq)kuptimit deri tek mitizimi i tij, apo mohimi antihistorik i rolit të tij në themelimin e kësaj partie.

Ky tematizim bëhet në njërën anë duke u ngatërruar marrja e drejtimit të partisë nga ana e Rugovës në Kuvendin Themelues, që me të shpejtë do të kthehet në Lëvizje kombëtare – tek atributet e “themeluesit të vetëm” të partisë, që shfaqet në çfarëdo promovimi partiak vend e pa vend, gjë që gjithë projektin politik të disa brezave dhe veçmas të atyre që koha ua ngarkoi përgjegjësinë të merreshin me të – të tillë ishin thuajse e gjithë shtresa intelektuale e Kosovës e të gjitha niveleve që u kyçën në të – e zhvlerëson nga meritat historike te ato te kulti i individit. Me këtë rast nocioni “Rugovizëm” ngrihet jashtë ndonjë doktrinariteti të mbështetur në vepra, që atë do ta kthenin në ideologji, siç ndodhë me marksizmin – me veprat e Marksit, stalinizmin me veprat e Stalinit, enverizmin me veprat e Enverit, titizmin me veprat e Titos e të tjera. Meqë Rugova nuk ishte politolog, ishte programi i LDK-së mbi të cilin u ndërtua Lëvizja Kombëtare ku ai mbeti dhe nuk lëvizi fare deri në fund. Ky program, pra është platformë dogmatike, që mbështetet mbi ideologjinë kombëtare analoge me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që filloi me kërkesën për barazi brenda përbrenda Perandorisë Osmane, për të përfunduar, në Shkup, në gusht të vitit 1912, me 14 pikëshin e Hasan Prishtinës, që si Shqipëri Osmane do ta vërë në binarë historik pavarësinë e Shqipërisë të shpallur më 28 nëntor 1912.

Pra nëse mund të flasim për ndonjë “dogmë rugoviste”, atëherë kjo duhet të lidhet me Programin e LDK-së dhe konceptin e ndërtimit të shtetit mbi platformën e tij. Të tjerat janë pjesë e apologjisë politike për konsume partiake, që nuk i shkojnë rrethanave të kohës, e aq më shumë i shërbejnë ndryshimit për të mirë të gjendjes që pritet nga këto zgjedhje.

Tematizimi në tjetrën anë i figurës së Rugovës dhe rolit të tij në këtë proces tashmë të kryer historik që e prodhoi shtetin, që ka për qëllim minimizimin ose mohimin e tij, me argumente po ashtu antihistorike, lidhet me atë të liderit, që si drejtues legjitim i një rezistence institucionale, për tetë vite udhëhoqi shtetin paralel në rrethanat e okupimit policor dhe ushtarak serb si president i parë historik i zgjedhur me votën e qytetarëve në vitin 1992, në vitin 1998 dhe i rizgjedhur edhe në vitin 2001 dhe 2004. Me këtë rast manipulohet me nocionet “rezistencë paqësore”, “gandizëm”, “nënshtrim në shërbim të pushtimit” e të tjera, ku nuk mungon edhe atributi “i tradhtarit” dhe i “tradhtisë”, që prodhoi pasoja të njohura tragjike të cilat edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të të jenë përçarëse.

Natyrisht se diskursi i parë – mitizimi për nevoja politike dhe, i dyti – mohimi antihistorik i një procesi historik dhe i rolit të partisë së parë plurale shqiptare (LDK-së) në rrethanat pas rënies së Murit të Berlinit dhe fillimeve të rënies së bipolaritetit blokist, dhe të dr Ibrahim Rugovës në të, që koncepti “i çlirimit” të fitojë primatin historik ndaj konceptit të rezistencës “joefikase” madje “kapitulluese” institucionale, ka të bëjë me ngatërrimin sa nga mosnjohja e këtyre rrethanave edhe nga vetë liderët e tanishëm të kësaj partie të kauzës fillestare të programit të kësaj partie e ngritur mbi konceptin e kërkesave për liri, demokraci dhe barazi, e aprovuar në Kuvendin e saj Themelues më 23 dhjetor 1989, dhe, nga ana tjetër, nga mospranimi i procesit të evolucionit të shpejtë dhe të pranimit të tij në përputhje me zhvillimet siç ishin ato të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të fillimit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni në maj të vitit 1991, që solli Konferencën e Hagës të gushtit të atij viti ku edhe u mor vendimi për shpërbërjen e federatës jugosllave mbi bazat e të drejtës së vetëvendosje së njësive federative, me ç’rast, edhe LDK-ja, në marrëveshje me subjektet tjera pluralë në hapësirat e ish Jugosllavisë, kërkesën e deriatëhershme për BARAZI në federatën jugosllave, e riformuloi në kërkesën për PAVARËSI.

Ndryshimi i kërkesës së mirëfilltë nga jo për BARAZI (krahas atyre për liri dhe demokraci, pra për sistem plural me të cilin rrënohej monopoli i partisë komuniste në pushtet dhe i komunizmit si sistem), siç theksohej në programin e aprovuar ditën e themelimit të partisë, pra më 23 dhjetor 1989, në PAVARËSI, që do të aprovohet në Kuvendin e Parë të rregullt LDK-së më 5 maj 1991, ishte në përputhje me ndryshimet radikale, të cilave duhej përshtatur me të shpejtë. Para e Programit të LDK-së nga Kuvendi themelues pa këto ndryshime është i njëanshëm dhe jashtë kontekstit të misionit historik.

Por, për t’u kuptuar sa më mirë ky ndryshim, pra kthimi i kërkesës së mirëfilltë BARAZI (ku kritikuesit e saj të sotëm joparimore po mundohen ta lidhin me “jugosllavizmin” e të ngjashme në rrethanat kur ai po binte), të ajo në PAVARËSI, mbi të cilën do të mbështetet i gjithë procesi i lëvizjes institucionale-paqësore me shtetin paralel nga viti 1992 e deri më 12 qershor 1999, pashmangshëm lidhet me ato që quhen parakushte të këtij ndryshimi historik, siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kuvendi i Kaçanikut i 7 shtatorit 1990 kur Kosova u shpall Republikë e pavarur në kuadër të federatës Jugosllave, që do të pasohen edhe me Referendumin për Pavarësi të 26 shtatorit 1991.

Këto tri ngjarje që rrumbullakuan infrastrukturën e legjitimitetit demokratik, kanë pasë për bazë vendimin e Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi (dhjetë sosh natyrisht të prira nga LDK-ja si strumbullar i tyre), nga gushti i vitit 1990 rreth tri opsioneve.

I pari opsion kishte të bënte me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, po qe se ajo do ta ruante karakterin e njëjtë që kishte.

Opsioni i Dytë kishte të bënte me formimin e një republike shqiptare në Jugosllavi, ku do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e shpërndarë në tri republika, po qe se do të ndryshonte karakteri i saj i brendshëm (federal-konfederal)

Dhe opsioni i tretë – lidhej me vendimin se po të shpërbëhej federata jugosllave, atëherë shqiptarët vendosnin pavarësisht për fatin e tyre duke mos u përjashtuar bashkimi me Shqipërinë.

Te këto (mos)kuptime sa nga mosnjohja e vetë liderëve të tanishëm të LDK-së dhe sa nga (keq)kuptimet e kursit të LDK-së dhe rolit të saj historik në ndërtimin e shtetit të Kosovës, gjithsesi bie lëvizja institucionale, me shtetin paralel, si obligim kushtetues nga Kuvendi i Kaçanikut, mbi të cilat u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në vitin 1992 dhe ato të vitit 1988, në rrethanat e luftës.

Liderët e sotëm të LDK-së, po shihet se nuk e njohin mirë këtë pjesë të historisë së partisë e as të lëvizjes shtetndërtuese, ose dëshirojnë që atë ta përdorin pjesërisht për qëllime të caktuara, ku duhet të shihet vetëm roli mitizues i Rugovës në të, me ç’rast përjashtohen faktorët tjerë të gjithëmbarshëm që e kanë bërë lëvizjen dhe e kanë bartur atë deri të qëllimi historik, veçmas faktorit ndërkombëtar si dhe mbikëqyrja prej tij në të gjitha fazat – të “politikës pa luftë”, pra të shtetit paralel dhe të “luftës pa politikë”, pra të rezistencës së armatosur.

Në këtë diskurs moskuptues nga disa liderë të tanishëm të LDK-së, por edhe mohues nga ana tjetër me “argumente” të interesave grupore për pushtet ose aso ideologjike, bie edhe çështja e rezistencës së armatosur si kategori kushtetuese, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të themeluar në fillim të vitit1992, kur ajo krahas ministrive të tjera kishte edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit (pra të policisë). Por, ajo pasqyrohet edhe me aranzhmanet e para që ka filluar LDK nga mesi i vitit 1990 të dërgimit të disa grupeve vullnetare për stërvitje në Shqipëri në përputhje me marrëveshjen midis Rugovës dhe Ramiz Alisë në atë vit dhe një vit më vonë me presidentin Berisha.

I gjithë ky aktivitet, pra ka qenë fillimisht në kuadër të strukturave të LDK-së dhe më vonë të Qeverisë së Kosovës, paçka se është përcjellë me vështirësi, gabime dhe lëshime të shumta madje edhe me pasoja.

Ka rëndësi me këtë rast të thuhet se veprimtaria e dy ministrive të Qeverisë së Kosovës (asaj të mbrojtjes në formën e organizimit të mbrojtjes territoriale në krye me gjeneralin Hajzeri), kanë vepruar deri në fund të vitit 1993, kur edhe do të burgosen nga regjimi jugosllav, por që kjo veprimtari, bashkë me atë të grupeve guerile (Drenicë dhe Dukagjin), është dashtë të ndërpritet në janar të vitit 1993, pas Kërcënimit të Kërshëndellave të 24 dhjetorit të Presidentit amerikan Xhorxh Bush, dërguar Millosheviqit , që njihet si “vijë e kuqe” që të mos përdor luftën në Kosovë. Ky kërcënim u është drejtuar edhe shqiptarëve që të mos përdorin kurrfarë aktiviteti luftarak.

Pra, LDK dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë të detyruara t’u rrinë larg grupeve guerile dhe të “ngrijnë” punën e dy ministrive (të Mbrojtjes dhe të Policisë). Meqë SHBA-të dhe NATO kanë qenë ata që kanë kërkuar “politikë pa luftë”, së cilës dr Rugova i është përmbajtur me përpikëri, siç kanë kërkuar që edhe të mbahen zgjedhjet në qershor të vitit 1988, me ç’rast kjo kërkesë i është drejtuar personalisht dr Rugovës në Uashington nga Klintoni dhe në Gjermani, gjatë pritjes që ia ka bërë kancelari Kol.

Ato që kanë ndodhur në Tiranë dhe në relacionet Kosovë-Shqipëri nga viti 1997 kur do të dalë në skenë UÇK-ja, si dhe rikthimi i Ministrisë së Mbrojtës nga Qeveria e Kosovës në pranverën e viti 1988 me në krye ministrin e FARK-ut Ahmet Krasniqin, pastaj marrëveshjen e Oslos për luftë të përbashkët, ku FARK-u subordinohet në UÇK, janë një kapitull i një gare të njohur rreth mbikëqyrje së rezistencës së armatosur midis Qeverisë së Kosovës dhe LPK-së, e cila, nga viti 1993 kur do të largohet nga Lëvizja Kombëtare që drejtonte LDK-ja, do të plotësojë vakumin që la pas pasivizimi i Ministrisë së Mbrojtjes nën diktatin amerikan dhe ndërkombëtarë.

Ky digresion i shkurtër nëpër histori, që trajtohet dhe argumentohet në veprën “Kthesa historike” 1 si dhe “Kosova”V, VI dhe VII, pa pretenduar se çështjes i është vënë pika, meqë shkenca nuk pranon kornizat dogmatike e aq më pak përvetësimet nga pozicioni i “fitimtarit” dhe “të fortit”, ka për qëllim që të tërheq vërejtjen nga keqpërdorimet personave historik, siç është Dr.Rugova me këtë rast për qëllime zgjedhore deri te shkalla e manipulimeve të paskrupullta që gjoja bëhen për “ta kthyer atë në histori”, ose “për ta zbritur nga historia”, kur dihet se ai ishte drejtues i një lëvizjeje kombëtare gjithëpopullore në të cilën morën pjesë të gjitha rrymat dhe shtresat shoqërore dhe politike që kërkonin çlirim nga Serbia dhe liri, demokraci dhe pavarësi.

Me këtë rast duhet ta kenë të qartë edhe përdoruesit si dhe shpërdoruesit e historisë, se vlerësimet dhe rivlerësimet historike të ngjarjeve si dhe personaliteteve në to, nuk kalojnë nëpër filtrat politikë, siç janë të tanishmit ku partitë pretendojnë monopole edhe ndaj figurave historike që i tejkalojnë kornizat e tyre, por nëpër ato shkencor, ku distanca kohore de dokumentet kanë fjalën kryesore.

(*Autori është historian, koordinues i grupit nismëtar për themelimin e LDK-së, autor i Programit të LDK-së si dhe dokumenteve të aprovuara në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989. Ishte sekretar i parë gjeneral i partisë nga themelimi e deri më 5 maj 1991. Ndërsa Anëtar i Këshillit Qendror të KLD-së nga 1991-1993). / KultPlus.com

Buxhovi: Bashkimi kombëtar mund të projektohet në kuadër të unionit të dy shteteve shqiptare

Nga Jusuf Buxhovi

Mesazhi i ambasadorit amerikan në Kosovë Kosnett rreth asaj se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur as për Shqipërinë e Madhe e as për Serbinë e Madhe, duhet kuptuar drejt në aspektin e pragmatizmit politik dhe diplomatik, por edhe si vërejtje serioze ndaj veprimeve që rrezikojnë interesave amerikane në Kosovë.Aspekti i pari ka të bëjë me atë se Kosova si shtet i pavarur është projekt perëndimor (kryesisht amerikan), për të cilin shtetet perëndimore në krye me SHBA-të ndërhynë ushtarakisht ndaj Serbisë duke anashkaluar edhe të drejtën ndërkombëtare.Ndërsa aspekti i dyti ka të bëjë me atë se hapja e kësaj çështjeje kuturu siç po bëhet nga disa politikanë të papërgjegjshëm në Prishtinë dhe Tiranë për qëllime zgjedhore, mund t’i shkojë për shtati vetëm Rusisë dhe aleatëve të saj të cilët po punojnë me ngulm që me tema të tilla, të destabilizohet rajoni, prej nga mandej, në dobi të tyre, mund të imponohen rikonfigurime të tjera gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Natyrisht se nga pikëpamja historike, kontekstet e ideologjive të shekullit të kaluar, ku nacionalizmi ka ushqyer projektet shtetmëdha, siç ishte krijimi i Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, që shkuan në dëm të çështjes shqiptare, po qe se rikthehen me retorikën e “bashkimeve kombëtare”, qoftë edhe nën pretekstet e “marrëveshjeve historike me Serbinë”, siç ndodhi kohë më parë nga Thaçi, Vuçiçi dhe Rama, rrezikojnë drejtpërdrejt shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull, për ç’gjë, kundërshtimi i vendeve kryesore evropiane (Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe) edhe ndërhyrja amerikane kundër saj, ishte e pritshme.Andaj, sot më shumë se kurrë retorika e “bashkimit kombëtare”, duhet të zhvendoset nga rrafshi i keqpërdorimit politik, për t’u vendosur te ai politik-diplomatik, që nuk mund të jetë tjetër pos te opsioni i një unionit të mundshëm i dy shteteve shqiptare, me mjete demokratike dhe në çatinë e përbashkët evropiane, gjithnjë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me aleatët perëndimore, veçmas me SHBA-në dhe NATO-n. Të tjerat, mund të jenë vetëm saltomortale, që do t’i shkonin për shtati Beogradit dhe Rusisë! / KultPlus.com

Buxhovi kujton mikun e tij Ramadan Musliun: Mik i ideve intelektuale dhe idealeve të shoqërisë

Shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi ka kujtuar sot poetin, gazetarin dhe studiuesin Ramadan Musliun, njëherit edhe redaktorin e veprës së tij, shkruan KultPlus.

Duke pirë një kafe me Danin, pa Danin, Buxhovi kujton mikun e tij me fjalë prekëse e të ndjera.

Sipas Buxhovit, Dani ishte një mik i ideve intelektuale dhe idealeve për shoqërinë e më të mirës si model politik gjithëpërfshirës i të gjitha kohëve. Si i tillë, Dani ishte një “aristokrat” i vetmuar midis krijuesve.

Po ju sjellim fjalët e Buxhovit për mikun e tij, Raman Musliun:

KAFJA PËR DANIN, PA DANIN…

Në ditën e njëzet e dytë të tetorit të vitit të kaluar, kur ia bëra nderimet e fundit Danit, me të cilin miqësinë e kishim peng, ktheva aty, ku për herë të fundit, më 25 shtator, pas promovimit të “Dardanisë”, pimë kafe.

Porosita dy kafe. Ekspreson e shkurtër, për Danin, siç e pinte për vite të tëra, dhe një makiato për vete.

Kamarieri, nuk priti t’i thoja se ajo kafe do të mbetej e paprekur.

Nga ajo vetmi e trishtë, më nxori ndjenja e një falënderimi adhurues ndaj një miku të ideve intelektuale dhe idealeve për shoqërinë e më të mirës si model politik gjithëpërfshirës i të gjitha kohëve. Si i tillë, Dani ishte një “aristokrat” i vetmuar midis krijuesve, siç ishte Lasgushi, apo A. Pashku. Dani, megjithatë, ishte edhe redaktor dhe mentor i veprës sime. E ndihmoi dhe e ndikoi aq shumë saqë mund të merret edhe bashkautor i pjesës së saj më të konsoliduar,

Kur po largohesha dhe lash filxhanin e kafes në tavolinë, si diçka që humbjen e kthen në kujtim të përhershëm, ndjeva sikur Dani po më përcillte dhe po më ngushëllonte me miqësinë që e kishim peng jete.

Kjo ma largoi ndjenjën e humbjes, dhe ma ktheu atë të pavdekshmërisë së frymës së ideve, për të cilën Seneka thoshte se është një si zhdëmtim kënaqësie, që përcjell ata që jetës i japin kuptim me vepra, që edhe aktin e fundit – vdekjen e kthejnë në një çast të pritshëm, madje në një përjetim solemn!

Këtë ndjenjë e përcjell edhe vepra e fundit e Danit “Gjendje neutrale”, e botuar para një viti, që kur lexohet me vëmendje, nxjerr në pah atë që Platoni e quan “shpirt superior universal”, frymë kjo që poezisë sonë i jep një vlerë të veçantë… / KultPlus.com

Kur nderohej Hivzi Sylejmani

Nga Jusuf Buxhovi

Përkujtesë

Shkrimtari Hivzi Sulejmani, i takon plejadës së krijuesve të brezit të Esad Mekulit, Martin Camajt, Sitki Imamit, Rexhep Hoxhës, Mark Krasniqit,Sinan Hasanit, Kapllan Resuli, A. Demaçit dhe të tjerëve, me të cilët, në rrethana të vështira shoqërore dhe politike çfarë ishin ata që solli sistemi ideologjik, fillon rrugëtimi i mundimshëm i krijimit të identitetit letrar, që do t’i hapë rrugë gjeneratës së viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta , atyre të moderniteti në prozën tonë (A. Pashkut, R. Kelmendit, N. Rrahmanit, R. Rexhepit, A. Shkrelit, R. Qosja për të ardhur te T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramadani, Y. Shkrelit, J. Buxhovit, Z. Rrahmanit, M. Krajës e të tjerëve), që i dhanë vepra të rëndësishme dhe të qëndrueshme prozës sonë.

Në plejadën e krijuesve që ishin pjesë e revolucionit dhe idealeve të tij, Hivziu, gjithsesi shfaqet më i veçantë, jo vetëm që me të shpejt u largua nga nomenklatura revolucionare, që solli diktaturën e re, me të cilën ai nuk u pajtua dhe nuk deshi t’i sherbejë, por edhe pse me veprën e tij (prozën “Njerëzit”, të ndaluar dhe të anatemuar), shfaqë shenjat e para të një disidence “të heshtur” kundër diktaturës.

Në vitet e shtatëdhjeta, kur pas Plenumit të Brioneve dhe ndryshimeve që solli, fillon një klimë e re shoqërore dhe politike edhe te ne, Shoqata e Shkrimtarëve, në shenjë nderimi për krijuesin e rebeluar në kohët më të vështira, themeloi çmimin letrar “Hivzi Sulejmani” për prozën më të mirë të vitit. Ndërsa, pas vdekjes së tij, themeloi edhe manifestimin “Takimet letrare Hivzi Sulejmani”.

Këto takime, po ashtu, ishin diçka të veçantë, meqë mbaheshin në trekëndëshin: Mitrovicë, Rozhajë dhe Novi Pazar.

Pjesë e këtyre takimeve ndër më reprezentativët e kohës, pas atyre të Mitingut të Poezisë në Gjakovë që kishin karakter ndërkombëtar, ishin orët letrare në Rozhajë dhe Sanxhak (Novi Pazar), si dhe vënia e kurorës në varrin e Hivziut në Mojstir (në vendlindjen e tij në pjesën e Ribariqit) në Mal të Zi.

Takimi i fundit i kësaj natyre, në një hapësirë me etni krysisht shqiptare të shpërndarë në Kosovë-Mal të Zi dhe Serbi, ishte ai 10 korrikut 1985, ku morën pjesë shumë shkrimtarë të rëndësishëm të Kosovës, bashkëkohanikë të Hivziut (Esad Mekuli, Vehap Shita, Hasan Mekuli, Pera Stefanoviqi) si dhe disa nga brezi i shkrimtarëve të modernitetit (Beqir Musliu, Musa Ramadani, Jusuf Buxhovi, Mehmet Kraja, Xh. Mustafa e të tjerë). / KultPlus.com

Ndryshimi si kauzë afatgjate dhe jo luftë afatshkurtër për pushtet

Nga Jusuf Buxhovi

Ndryshimi në skenën politike të vendit, nuk duhet të jetë çështje formale, pra e zëvendësimit të një garniture me një tjetër, por kthesë rrënjësore, që për pikënisje ka marrjen me shkakun e gjendjes dhe jo kapjen me pasojat…

iNga antikiteti e deri te koha jonë, ligjet fizike, sikur kanë qenë pikënisje e interpretimit të ligjeve shoqërore dhe politike. Kauzaliteti i asaj që Arkimedi e quan “matje matematike” ka ndarë por edhe ka pëcaktaur vijat midis të kuptuarit e veprimit nga formula e shkakut te ajo e veprimit (pasojës), si dhe pasqyrimin e tyre të plotë në jetën shoqërore dhe politike në të gjitha kohët, pa marrë parasysh sistemet mbi të cilat janë ndërtuar dhe zhvilluar.

Nëse nuk ka pasë dhe as që ka mundësi të ndryshohet doktrinariteti midis shkakut dhe pasojës në raportet e tyre dhe as t’i shtohet as mungohet diçka, përkundër “teorisë së infinitit”, pra të parimit që dëshmon se relativiteti është pjesë e ndryshimit që kundërshton çfarëdo dogme që mund të ngritet mbi të, siç ka vepruar religjioni dhe ideologjia, megjithatë nuk ka munguar ngatërrimi i shkakut me pasojat jashtë varësisë së tyre, si veprim i qëllimshëm për të zhvendosur rregullat dhe të vërtetat në përputhje me fuqinë politike dhe monopolet e caktuara shoqërore që kanë ndikuar dhe ndikojnë sistemet e vlerave.

Në rrethanat tona, kur ndryshimet politike janë më së të domosdoshme, ngatërrimi eventual ose i qëllimshëm midis shkakut dhe pasojës, ngre çështje nga ato morale, politike, intelektuale te një shoqërie e cila nuk ka qenë në gjendje që tranzicionin (kapërcimin nga totalitarizmi në demokraci liberale),që edhe përkundër implikimit në të të faktorit ndërkombëtar, ta shfrytëzojë për këtë qëllim, por për të kundërtën, paçka se gjithë faktorët e saj përfshirës i vë para përgjegjësisë historike…

Pa hy në pasqyrimin e thellë të këtij zhvillimi që mund të quhet edhe antihistorik si dhe gjendjen që ka prodhuar në planin shoqëror dhe politik, veçmas në rrënimin e gjithëmbarshëm të sistemit të vlerave dhe të humbjes së kredibilitetit të shtetit më të ri në Kontinentin e Vjetër, që e ka sjellë deri te dyshimi i arsyeshmërisë së tij, megjithatë duhet thënë se vënia në binarë të duhur të një procesi, siç është ndryshimi, nga një gjendje çfarë e kishim te një tejtër, çfarë duhet të jetë, me të cilën e kanë gojën plotë akterët politikë (ata që përnjëmend e kërkojnë dhe ata që i frikësohen me arsye), pa marrë parasysh qasjen, gjithsesi nënkupton perceptimin si kthesë të përmasave të mëdha, madje edhe epokale.

Pra, kjo kërkon kthimin te kauzaliteti i formulës së shkakut, te shkaktarit, dhe jo ngarendjes tek pasojat, me ç’rast populizmi ia zë vendin pragmatizmit politik mbi konceptet themelore të ndryshimit. Kjo pikënisje, ka rëndësi të madhe, meqë krahas zbarkimit nga militantizmi me të cilin është indoktrinuar skena politike dhe shoqërore me faktorët e saj manipulues, në radhë të parë klientenizmin politik që ka përfshirë thuasje të gjithë aparatin shtetëror, atë arsimor dhe strukturat tjera të sistemi të kapur, njëherësh ndihmon që politika të ndërtohet mbi parime të qarta, ku ndryshimi duhet të përfshijë faktorët që e rikthejnë autoritetin e shtetit të rrënuar në shtyllat kryesore të tij: gjyqësorin, policinë, ekonominë dhe të tjerat, me çka krijohen rrethanat për nj shtet të lirë, demokratik, ku respektohet mendimi i lirë në përputhje me konceptin e sekularizmit shtetëror dhe laicizmit arsimor dhe kulturor të qytetërimit perëndimor.

Me këtë rast, duhet theksuar se shteti i Kosovës si e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull, si dhe ruajtja e tij nga çfarëdo formule, me të cilat do të sakrifikohej ai, siç ishin ato të “ndryshimit të kufinjve” dhe skenarët tjera nga Beogradi dhe Rusia për qëllime të tyre hegjemoniste, e që për fat të keq u përqafuan edhe nga faktorë të rëndësishëm politikë në Kosovë dhe Shqipëri, që u vunë në sherbim të tyre, paraqet kredon e avangardizmit politik mbi të cilin legjitimohet politika e ndryshimit në raport me realitetin e deritanishëm që atë e ka zhvlerësuar dhe sjellë në një gjendje të rëndë në të cilën ndodhet sot.

Andaj, ndryshimi duhet të përceptohet si kauzë, si një maratonë dhe assesi si një sprint afatshkurtër për marrjen e pushtetit, ku zëvendësimi i një formacioni politik (klike) bëhet me një tjetër, gjë që e riciklon të keqen.

Pra, ndryshimi mbi parimet e kauzës afatgjate, që gjithësesi kërkon edhe votën e shumicës për të ardhur në pushtet, nuk nënkupton që fuqina e saj të kthehet në një mjet për pushtet të pakufijshëm të një idividi apo të grupi të caktuar. Përkundazi, vota e shumicës duhet të shërbejë për arritjen e qëllimeve me të cilat një brez merr përsipër përgjegjësinë historike të ndryshimit, ku keqeverisja, korrupcioni, abuzimi me shtetin dhe kapja e tij, zëvendësohet me pushtetin e të mirës… / KultPlus.com

Miku ynë i madh, Viktor Majeri

Shkruan Jusuf Buxhovi

Përkujtesë me shkas:

-Si korrespodent i gazetë gjermane “Frankfurter Allgemeine” dhe autor i disa librave publicistike për Ballkanin, ku duhet dalluar   veprën “Si u shpërbë Jugosllavia”, Viktor Majer ka merita të mëdha për pasqyrimin e gjendjes së shqiptarëve në ish Jugosllavi në prak të shkatërrimit të saj, me ç’rast ai u kthye në zëdhënës të lëvizjes kombëtare shqiptare  dhe programit të saj në përmasa ndërkombëtare.

Kur  publicisti dhe botuesi  njohur  Karl Gustav Strëm, në vitin 1979, doli me librin “Jugoslaëien ohne Tito” (Jugosllavia pa Titon), me ç’rast theksoi se mbijetesa trashëgimisë së Titos varet nga përgjijgjja që do t’i jepet çështjes shqiptare, ku Kosova Republikë merrej si alternativë e vetme e kësaj sprove, Viktor Majer, një zë tjetër i fuqishëm i publicistikës gjermane, me shkrimet e tij të pandalshme, do të paraqesë anamnezln e çështjes shqiptare në kontekstet rajonale nga shfaqja e saj gjatë Krizës Lindore, shpalljes së pavarësisë më 1912, prej nga ajo do të kalojë në tryezën e gjelbër të diplomacisë së fuqive të mëdha të shumtën duke iu amputuar pjesët, ku ato më të rëndësishmet (Kosova dhe Maqedonia) do t’i lëhen në mëshirën e pamëshirë të Beogradit për t’u ndërlidhur me uvertyrën e shkatërrimit të saj. Viktor Majer, gjithë këtë proces do ta shohë si një zhvillim, që siç thekson te libri “Si u shpërbë Jugosllavia”, ndoqi asimetrinë historike prej nga Kosova dhe shqiptarët në të, sipas projekteve serbomëdha të destinuar për shpërngulje ose asimilim, nga mesi i viteve të gjashtldhjeta, me kërkesën pëe Repulikën e Kosovës, të kthehen në faktor kyç të mbijetesës ose të shkatërrimit të saj. Këtë të dytën, Majer e pa si  aspekt ndërkombëta të ruajtjes së baraspeshë së sferave bipolare të interesit që i mbante Jugosllavia e Titos. Andaj, nga viti 1981 e këndej, kur kjo kërkesë u rikthye dhe i dha  dinamikë projekteve serbe për riformatizimin e federatës në një shtet unitarist që do ta kthente kah Lindja (BRSS-ja), ku edhe autonomia e Kosovës shfaqj kurban i parë i saj, Majer doli me kërkesën drejtuar perëndimorëve, që shpërbërja e Jugosllavisë, që u pranua si proces në Konfetencën e Hagës të gushtit 1991,i të shfrytëzohet që Kosovës t’i pranohet statusi i republikës së pavarur, siç ishte proklamuar në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990.Duhet theksuar se asokohe, Viktor Majeri mori përsipër edhe rolin e këshilltarit të dr.Ibrahim Rugova si dhe strukturës së gjithëmbarshme intelektuale të prfshirë  në lëvizjen kombëtare, nga themelimii LDK-së e këndej,duke sugjeruar hapat strategjik: Referendumin për Pavarësi, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, pastaj konstituimin e Qeverisë së Kosovës prej nga ka burimin lëvizja institucinale (shteti paralel), që në raport me ndërkombëtarët u definua si “politikë pa luftë” deri të shfaqja e “luftës pa politikë”, në rrethanat e dinamizimit të saj në rezistencë të armatosun kur do të shaqet UÇK-ja.

Pra, në të gjitha këto zhvillime, Viktor Majeri ishte thuajse pjesë e pandashme e nervit politik të lëvizjes sonë kombëtare, së cilës përherë i mbeti pranë dhe besnik jashtë çfarëdo interesi.

Siç shihet edhe në foton e Iliaz Bylykbashit (fotoreporterit të Rilindjes) që me aparatin fotografik i jetësoi më mirë se çdokush çastet vendimtare të kthesave historike), Viktor Majeri ishte edhe fizikisht edhe pranë presidentit Rugova dhe bashkëpunëtorëve të tij.

 Kjo përkujtesë ka për qëllim që historisë së shtetndërtimit tonë t’i kthehen pamjet e saj historike, shpesh qëllimisht të harruara,ose të anashkaluara, si dhe akterët e saj të rëndësishëm siç ishte miku ynë i madh – Vitor Majeri./ KultPlus.com

Betoveni, poezia, shiu…

Në kujtim të profesor Zekeria Canës, historianit dhe intelektualit të njohur nga  plejada e gjeneratës së artë të viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta , që i dha impulse lëvizjes kombëtare për liri, barazi dhe demokraci, që solli shtetin e Kosovës.

Jusuf Buxhovi

Pranvera e vitit 1962 ishte me shira të pareshtura. Retë e mbushura me lagështi, sikur ia kishin ndaluar rrugën rrezeve të diellit. U desh  korriku që përfundimisht  ta kthejë verën e mbetur.

Në atë ndërkohën e lagështisë, u shfaq befas diçka që për pak daroviti zymtësinë e saj. Ishte muzika e Betovenit dhe tingujt e “Simfonisë së pestë” që ndryshoi gjendjen tonë shpirtërore.

Ky ndryshim ndodhi në saje të profesorit të historisë, Zekeria Cana. Ditën që erdhi në klasë, me vete kishte një gramafon dhe disa disqe.

Pa folur shumë, hapi kutinë dhe pasi vuri në të një disk, kërkoi që të dëgjojmë me vëmendje tingujt që me të shpejtë mbushën hapësirën e klasës.

“Ky është leksioni i parë i historisë së shpirtit”, tha.

Për ne që ende nuk e bënim dallimin midis historisë si ngjarje dhe historisë shpirtërore,  ngaqë e para ishte e fshehur, ndërsa e dyta e pa përjetuar, kujtesës i dhanë kuptim paraqitja e gramafonit dhe tingujt e një muzike klasike, që vinin kumbueshëm nga të gjitha anët.

Ishte ky një përjetim sa i habitshëm  po aq emocional.

Pasi pllaka u ndal dhe kutia e gramafonit dukej si një gjë magjike, profesor Cana na tha se ishte Betoveni dhe “Simfonia e Pestë”. Me këtë rast, profesori na shpjegoi se kush ishte kompozitori i madh gjerman, për të cilin ne thuajse nuk dinim gjë. Mbresëlënëse ishte e dhëna se kompozitori i madh ishte i shurdhër.

Gramafoni me pllakat e Betovenit, nuk mbeti vetëm  në Shkollën e Mesme Ekonomike të Gjakovës,  ku Zekeria Cana jepte lëndën e historisë. Tingujt e “Simfonisë së pestë” depërtuan edhe në ambientet tjera kulturore, sidomos në Bibliotekën e Qytetit, me rastin e takimeve letrare si dhe manifestimeve të tjera kulturore.

Kështu, gramafoni i profesor Canës si dhe muzika e Betovenit u bë pjesë e leximeve letrare, si prelud i poezive të Tekiut (Dervishit), Esadit (Cërmjanit), Aliut (Musajt), Nusretes (Vulës),Sefedinit (Fetiut), Nexhmedinit (Sobës) e krijuesve të tjerë të Gjakovës, shumë prej të cilëve do të bëhen emra të njohur të letërsisë sonë.

Por, si çdo mrekulli që vjen befas dhe befas largohet, edhe gramafonit me pllakat e Betovenit, i erdh fundi.

Ndodhi kështu ngaqë, pak pa mbaruar viti, profesorit sikur i humbën gjurmët. U zëvendësua nga një tjetër. Na u tha se “kishte udhëtuar dika”.

Por,nga thashethemet, u mor vesh  se profesor Cana ishte shpallur “i rrezikshëm” dhe se duhej të largohej nga procesi arsimor.

Vite më vonë, në fillim të shtatëdhjetave, profesor Canën e takova në Prishtinë, në Institutin Albanologjik,  si bashkëpunëtor shkencor .

Biseda jonë u ndërlidh me gramafonin dhe “Simfoninë e pestë” të Betovenit.

“Ç’e do që në ato kohë të vështira të përndjekjeve, një arsimtari të historisë, edhe muzika e Betovenit i merrej “mëkat”!

Kur e pyeta se ç’u bë me gramafonin dhe pllakat e Betovenit, profesor Cana, tha se mund të kenë përfunduar diku në ndonjë depo “të gjerave të ndaluara”. Por, ajo ndalesë nuk ishte në gjendje që të ndërpresë lidhjen shpirtërore me tingujt e muzikës së Betovenit, që u vendos te ne dhe brezi ynë në atë stinë me shi të imë…/ KultPlus.com

Kolonelin ka kush e vret

Kur e lanë mbas kodrinën e fundit dhe dolën në një pllajë që qonte te rrahat ku mrizonin bagëtia, Gazetari amerikan ndjeu sikur u lirue nga sikleti kur u ndalen te memoriali i fundit dhe turma çirrej me ato ulërimat gjithë fyerje ndër më çnjerëzorët që i drejtoheshin kufomës së Kolonelit të vrarë.

Këto janë varret, pyeti Vlorën e çmendur.

Nuk janë varre, po gropë coftinash, ia ktheu ajo.
Gazetari amerikan sikur u zu ngusht. Mendja ia tha se Vlora tashmë ngatërronte gjërat keqas.

Koloneli nuk do të ketë varr. Do të hudhet në gropën e coftinave. Kështu kanë vendosë ata që e kanë vrarë! Kjo nuk është vetëm hakmarrje, por një kërcënim ndaj atyre që shpallën tradhtarë dhe ndaj viktimave të tyre, turmës së pafund. Ç’e do që në këtë botë të përhumbur viktimat nënçmohen, ndërsa vrasësit nderohen dhe madje kremtohen deri në dalldi…

Sapo i tha këto, Gazetari amerikan i tmerruat fare, pa se si Vlera e çmendur mori ikën drejt Sukës me çirrmën ngojë:

“Oh, Amerikë!…Amerikë!”

(Shkëputur nga romani “Mona”, Prishtinë, 2020). / KultPlus.com

“Jugosllavia pa Titon” dhe “habia” e Bakariçit për Kosovën Republikë

Shkruan Jusuf Buxhovi

Në vigjilje të 31 vjetorit të themelimit të LDK-së

Nga fillimi i vitit 1979 e deri në maj të vitit vijues, sëmundja e Titos do të bëhej çështje publike dhe, me të, në opinion legjitimitet do të fitojë edhe shqetësimi se çfarë do të bëhet me trashëgiminë e tij.
Televizioni, radioja dhe mbi të gjitha gazetat qendrore dhe revistat me autoritet si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Die Zeit”, “Die Welt” dhe magazina “Der Spiegel”, secila rrihte telin në mënyrën e vet. E përbashkët e të gjithave megjithatë ishte se me vdekjen e Titos Jugosllavia nuk do të ishte më ajo që kishte qenë deri atëherë. Pra, do të kishte ndryshime, më shumë të papritura se të pritura, ku krahas qërimit historik të mundshëm të hesapeve midis kroatëve dhe serbëve, që jo rrallë shihej edhe si qërim hesapesh midis katolicizmit dhe ortodoksisë dhe Perëndimit e Lindjes dhe të ngjashme, shqetësim të përbashkët paraqiste Kosova, po edhe shqiptarët në përgjithësi të shpërndarë në tri njësi federative, me nivele të ndryshme të asaj që quhej barazi e kombësive, si një konstrukt ideologjik me të cilin duhej që t’i mbulohej dukja pabarazisë.
Këtu në të vërtetë fillonte edhe analiza e kundrimeve pse Kosova shfaqej si sfidë e mbijetimit të Jugosllavisë, por edhe si uverturë e rrënimit të saj, që nuk do të kalonte pa pasoja të mëdha në planin rajonal dhe atë më të gjerë ndërkombëtar ngaqë krijimi i saj ishte më tepër një sajesë e interesave të papajtueshme nga jashtë se sa zhvillim i natyrshëm nga brenda së cilës koha si duket nuk ishte e pirur t’i jepte të drejtë.
Meqë, tashmë ishte më se e qartë se Kosova nuk do të fitonte statusin e republikës në nivel të federatës jugosllave, sepse Titoja i sëmurë mund ta kishte bindjen, por edhe që të jetë këshilluar nga dikah, krejt një, se disa çështje duhej t’ua lente në përgjegjësi pasardhësve që me to të ecin përpara ose në të kundërtën të përmbysen fare dhe kjo t’u kthehet në mallkim të papërgjegjësisë së pafalshme, atëherë përcaktohej edhe arena ku do të zhvillohej lufta midis mbrojtësve të Jugosllavisë në njërën anë dhe të rrënuesve të saj në tjetrën anë, me “ Kosovën dhe problematika e saj “si arbitër”, që do të caktonte fituesit por edhe humbësit, të ardhmen po edhe fundin e shtetit të përbashkët, pikërisht ashtu siç e kishte thënë Milan Kuçan, kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë, në janarin e vitit 1989 me rastin e grevës së madhe të minatorëve të “Trepçës” kundër trysnisë së Beogradit për pranimin e diktatit kushtetues se “në Kosovë zhvillohej beteja për Jugosllavinë”.
Por “beteja” e Kosovës dhe sfida e saj, që do t’i ngërthente aktorët e brendshëm në role të njëjta por edhe të ndryshme, që po ashtu do të ndiqen nga qëllime dhe interesa të ndryshme, njëherësh pashmangshëm nënkuptonte edhe ngatërrimin dhe ndërhyrjen edhe të faktorëve të jashtëm. Sepse, Jugosllavia nuk ishte një vend i shkëputur nga të tjerët dhe pa ndikim. Përkundrazi, pas largimit nga tutela e Stalinit në vitin 1949 ia kishte dalë të fitonte tretmanin e tampon-zonës midis blloqeve antagoniste dhe superfuqive, çrregullimi i së cilës njëherësh do të shkaktonte çekuilibrime botërore gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Rëndësinë e një faktori të tillë e kishte shtuar edhe më shumë roli i liderit në lëvizjen e mosinkuadrimit, themelimi i saj në masë të madhe ishte iniciuar nga Josip Broz Tito, i cili ishte kthyer në lider të pakontestueshëm të grupimit të madh të vendeve të të ashtuquajturës “botë e tretë”, që brenda një kohe të shkurtë kishte mbledhur rreth vetes mbi njëqind shtete nga të gjitha kontinentet e botës, veçmas ato në zhvillim nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Pa Jugosllavinë e Titos dhe kursin e saj të njohur, kërcënohej që ajo pa ndonjë mund të përvetësohej nga Bashkimi Sovjetik, i cili në samitin e të painkuadruarve në Havanë, nga goja e zëdhënësit të saj më besnik, Fidel Kastros, anëtarët e këtij grupimi ishin shpallur “miq të natyrshëm të socializmit”.
Krahas faktorëve me ndikime në njëfarë mënyre të parashikueshëm, me paqartësi shfaqej edhe rolit i Shqipërisë me dilemën e drejtë se nga do të sillej ajo?…
Parashikimet ishin të ndryshme nga ato që Shqipëria do të mundohej që Kosovën ta shfrytëzonte për ruajtjen federatës jugosllave pikërisht në përputhje me një deklaratë të Enver Hoxhës të bërë në vjeshtën e vitit 1968 kur pas ndërhyrjes së trupave sovjetike në Çekosllovaki, sulmi eventual rus ndaj Jugosllavisë do të thoshte edhe sulm ndaj Shqipërisë. Por, që kjo përkrahje do të mund të kushtëzohej me ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të republikës së pavarur, siç do të deklarohet haptas disa ditë pas shpërthimit të demonstratave të marsit të vitit 1981, me çka në të njëjtën kohë do të thoshte rreshtim kah qëndrimi i perëndimorëve, integritetin territorial të së cilës e shikonin të pacenueshëm? Apo, edhe për të kundërtën. Që të përdorej për një hakmarrje tjetër të Enver Hoxhës ndaj Titos, me të cilin do t’i qëronte hesapet nga pikëpamjet ideologjike për të dëshmuar se kursi i socializmit centralist dhe i ekonomisë shtetërore ishte i drejtë dhe jo vetëqeverisja socialiste, të cilën ai e quante teori dhe praktikë reaksionare imperialiste. Mendim të cilin e kishte edhe Moska, por që nuk e thoshte haptas. Dhe e kishin edhe unitaristët serbë, të cilët ç’ prej kohësh ishin në kërkim të aleatëve për të rrënuar sa më shpejtë trashëgiminë pesëdhjetëvjeçare të Titos…
Vlen të theksohet se nxjerrja e këtij shqetësimi në opinion i kishte përngjarë një si ankandi publik, që nuk mund të shpjegohet ndryshe pos që nganjëherë të dukej si frustrim gjerman ndaj limiteve politike që i rrinin përmbi që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e tutje, ku krahas ndarjes gjermane në blloqe antagoniste, rol të rëndësishëm luante edhe të menduarit për ndryshimin apo edhe rrënimin e tyre me anën e faktorëve “të tjerë”, por që do të mund të kishin ndikim të madh zhvillimet që do të mund t’i inicionin ato në një fushë të gjerë, ku pa mëdyshje se Jugosllavia dhe rëndësia e saj luante rol të ndjeshëm. Kështu që edhe ato që në mediat kryesore gjermane mund të dukeshin spekulime, në të vërtetë paraqitnin një të menduar lidhur me opsionet e së ardhmes jashtë mbërthimit të koniukturave ndërkombëtare, prej nga mund ta kishte burimin edhe ajo bindja pesimiste se muri i Berlini dhe blloqet antagoniste ishin të pandryshueshme, një mallkim i përhershëm me të cilin duhej mësuar dhe jetuar madje, që po të ndiqte betimin siç do të dëgjohet të thuhet në shtatorin e vitit 1989 nga Erih Honekeri se “Muri i Berlinit nuk do të bjerë as nesër, as pas njëqind vjetësh e as kurrë”, sigurisht se do të sillte te një fatalizëm…
Dhe, që mund të ndryshonte diçka, qofshin edhe nga gjërat që në dukje të parë shfaqeshin si të paprekshme, këtë e qiti në pah shqetësimi për Jugosllavinë dhe të ardhmen e saj me Kosovën si pikën më neuralgjike të saj prej nga mund të fillonte kriza për t’u kthyer në një problem të madh ndërkombëtar që do të luajë dhe ndryshojë edhe klishetë e të drejtës ndërkombëtare dhe stereotipat mbi të cilat qëndronte, siç do të ndodhë në të vërtetë kur kriza e saj do të shkojë deri aty sa të kthehet në sprovë morale të ndërgjegjes njerëzore, së cilës i duhej ndërhyrja qoftë edhe humanitare që të mos kthehej në disfatë të plotë.
Shtypi analitik gjerman i kohës, nga vitet 1977 deri në vitin 1979, do të përqendrohet te dilema se a do ta përballojë Jugosllavia sfidën e ardhmërisë më lehtë me përcaktimin për ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste, që edhe më tutje gëzonte përkrahjen e vendeve perëndimore, por që për çmim do të kishte koncesionet që do t’i bëheshin Serbisë që ajo sërish të vente nën kontroll Kosovën? Apo, që të kërkohej që Kosovës t’i jepej statusi i republikës, me kusht që asaj t’i ndalohej e drejta e deklarimit deri tek shkëputja, që për çmim do të kishte anëtarësimin e Jugosllavisë në Bashkimin Europian brenda një afati të shkurtër, që do të nënkuptonte derdhjen e mëtutjeshme të ndihmave financiare të perëndimit në arkën e Jugosllavisë pa qenë e sigurt për garancitë e këtij investimi?
E përditshmja konzervative “Die Welt”, shihte të vetmen mundësi që Kosova të ngrihej në shkallën e republikës së barabartë me të tjerat dhe kjo të ndodhte para se Tito të vdiste. Nga faktori ndërkombëtar kërkohej që në këtë drejtim të ushtrojë ndikim ndaj Beogradit para se të bëhet vonë. Gazeta liberale, “Frankfurter Allgemeine”, me ndikim të madh te elita intelektuale e vendit, por edhe në hapësirën tjetër gjermanofolëse, përkrahte kursin e Kosovës republikë të barabartë me njësitë e tjera të federatës, por këtë e shihte të realizueshme jo më nga Tito që ishte në shtratin e vdekjes, po nga faktori ndërkombëtar, i cili elitës jugosllave do t’ia shtronte dy kushte: ruajtjen e kursit të vetëqeverisjes socialiste dhe të marrjes së obligimit që menjëherë të iniciojë ndryshimet kushtetuese me anën e të cilave Kosovës duhet t’i jepet statusi i republikës së barabartë me të tjerët. Kërkohej po ashtu që konsensusi i udhëheqjes në federatë të precizohej ashtu që të përjashtojë çfarëdo përpjekjesh unitariste apo hegjemoniste.
Revista me ndikim “Der Spiegel”, megjithatë shfaqej me një qëndrim tjetër, atë të heqjes dorë fare nga Jugosllavia dhe roli i saj stabilizues midis blloqeve, ngaqë mendohej se ajo ngrinte pozicionet në dobi të lindjes. Hans Peter Rulman, korrespodent i dikurshëm i “Der Spiegelit” nga Beogradi, kur shkruante në këtë frymë, duket se shfaqte një mllef personal ndaj Jugosllavisë dhe Titos, ngaqë vite më parë kur atje punonte si gazetar, në Beograd ishte burgosur nën akuzën e veprimtarisë së spiunimit për shërbimet informative perëndimore kundër Jugosllavisë. Bashkë me Rulmanin do të burgosej edhe korrespodenti i “Rilindjes” në Beograd Hilmi Thaçi, të cilit i ishte veshur akuza e bashkëpunëtorit të huaj. Në një proces gjyqësor që ishte fund e krye i montuar me konstrukte policore, Rulman dhe Thaçi do të dënohen me heqje lirie shumëvjeçare, por në burg nuk do të mbeten gjatë, ngaqë Tito do t’i amnistojë që të dy, ndërkohë që Thaçit, me kthimin e të drejtës së ushtrimit të detyrës së gazetarit, do të rehabilitohet fare.
Sidoqoftë, kutisë jugosllave të Pandorës i parashihej hapja e kapakut, me çka asaj i shihej fundi, por që nuk dihej se sa do të zgjaste dhe çfarë do të ishte çmimi i saj nga brenda dhe nga jashtë, por që një të tillë do ta paguante doemos.
Në këtë përvijim, megjithatë, Kosova dhe roli i saj i paraprogramuar për krizën jugosllave tashmë shihej qartë. Këtë, madje, do ta pranojë edhe bashkëpunëtori i vetëm besnik i Titos nga ditët e hershme të luftës për Jugosllavinë e tretë, Vladimir Bakariç, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve nga Kroacia, ende me ndikim të madh, që po mos të ishte i moshuar dhe i sëmurë prej kohësh, sigurisht do të merrej si i vetmi që do të mund të merrte frerët e drejtimit të vendit për të ecur binarëve të Titos.
Shkas, që të flasë me një gjuhë fare të drejtpërdrejtë rreth kësaj çështjeje, do të paraqesë botimi i librit të analistit të njohur gjerman Karl Gustav Shtrëm “Jugosllawien one Tito” (Jugosllavia pa Titon), që doli nga shtypi nga mesi i vitit 1979, pra kur edhe botërisht nga ana e kreut politik dhe shtetëror të Jugosllavisë u pranua se Tito ishte i sëmurë dhe ishte çështje se kur do të shkonte. Shtrëm, publicist, i cili gjatë gjithë karrierës së tij si gazetar ishte marrë me Ballkanin dhe në fokus kishte pasur Jugosllavinë e pasluftës si dhe zhvillimet në të, kishte bërë një studim të gjatë, ndryshe nga ato të shumtat që ishin botuar për Titon dhe Jugosllavinë për vite të tëra në Gjermani, ku rëndom ishte përkrahur kursi i tij, duke u parë si një mundësi që socializmi megjithatë të mos jetë vetëm koncept ideologjik, por edhe zhvillimor i një modeli të hapur të socializmit demokratik me ekonomi liberale.
Pra, Shtrëm merrej jo me perspektivën e vendit të lavdëruar, por me fundin e tij, dhe këtë e thoshte në mënyrë fare të qartë. Dhe, ky fund, dhe ky mbarim, që njëherësh do të thoshte përshëndetje nga një iluzion ideologjik, shfaqej me Kosovën, si pjesë e një krize më të thellë dhe më të gjerë, e cila ishte bartur nëpër të dy luftërat e mëdha botërore për të ardhur edhe deri te koha më e re, duke qitur në pah potencialin e madh të saj për të vepruar në kahe të ndryshme. Me një fjalë, Shtrëm do të vlerësojë se meqë Jugosllavia e Titos, për arsye të ndryshme çështjen e Kosovës nuk e ka zgjidhur deri në fund por është marrë me arnime; se meqë ajo ka mundur të jetë strumbullar i një zgjidhjeje të përgjithshme të çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi dhe të shfrytëzohet për të mirë; se meqë problemet e shqiptarëve janë parë me kute të ndryshme, në përputhje me interesat e të tjerëve, por jo edhe të tyre dhe shumëçka tjetër që nuk ka korresponduar me parullën e shpallur të vëllazërim-bashkimit dhe shumë e shumë tjetër, atëherë është e natyrshme që një çështje me potencial të tillë të madh krize, siç është Kosova dhe shqiptarët, t’i kthehen në bumerang.
Me shumë argumente dhe analiza të ndryshme, Shtrëm do të ndërtojë qëndrimin se Jugosllavia e Titos ka mundur të shfrytëzojë shansin historik vetëm po qe se do t’i jepte përgjigje të drejtë çështjes së Kosovës, duke e ngritur në nivel të një republike të barabartë me të tjerat.
“As kursi i vetëqeverisjes socialiste, as pretendimet që të kthehej në një demokraci socialiste, e as oreoli i liderit të vendeve të paikuadruara nuk do të mund ta forconte të ardhmen e shtetit të përbashkët pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës.”
Meqë libri kishte zgjuar shumë kërshëri në Gjermani dhe përreth, po edhe në Jugosllavi prej nga reagimet gjermane përcilleshin me vëmendje, e majta gjermane në pushtet, e vetëdijshme se gjithnjë e më shumë po i zbeheshin atutë për vetëqeverisjen jugosllave si model të socializmit demokratik në botë dhe të ngjashme, sigurisht se kishte qenë e interesuar që librin e Shtrëmit ta çojë në nivelin e një debati të gjerë, ku do të përfshihej edhe ana jugosllave, veçmas ndonjëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, që mund të thoshte diçka me peshë. Andaj, ishte shfrytëzuar rasti që promovimi të bëhej pikërisht kur njeriu më i besueshëm i Titos të gjendej mysafir i Fondacionit “Fridrih Erbert” në Bon, që paraqiste qendrën ideologjike të të majtës gjermane.
Se kjo ishte bërë me qëllim, kjo nuk do mend. Por, që edhe Vladimir Bakariçi aty nuk do të ishte rastësisht, e dhe kjo nuk duhej hequr nga mendja.
Por, çfarë do të thoshte Bakariç?…
Kjo tashmë preokuponte mediat. Preokuponte edhe elitën nga spektrit i gjerë politik gjerman. Spekulohej se ishte aty për të sjellë një mesazh të Titos perëndimit?…
Dhe, çfarë do të ishte mesazhi?… Qetësues?… Shqetësues?… Ose pak nga të gjitha?…
Fakti që në promovim nuk do të merrnin pjesë dy nga personalitet kryesore të të majtës gjermane Vil Brant dhe Helmut Shmit, të cilët një ditë më parë kishin pritur Bakariçin dhe sipas një kumtese thuhej se “kishin pasur shkëmbim të dobishëm mendimesh”, lente për të kuptuar se porosia e Bakariçit mund të mos ishte sipas shijes së të majtës gjermane?…
Vetë rrjedha e promovimit të librit dhe ato që do të thuhen në të do ta vërtetojnë këtë dyshim.
Por, çfarë ishte thënë në të vërtet në atë promovim, që ai të cilësohej si rrënim i iluzionit për Jugosllavinë e qëndrueshme edhe pas Titos, edhe pse nga Beogradi tashmë kishin filluar të vinin “betime” se edhe pas Titos mbetej Tito?…
Asgjë më shumë seç sillte libri. Pra, që e nesërmja e Jugosllavisë ishte e paqartë dhe e pasigurt. Do të thuhej se ajo do t’u nënshtrohej sfidave të ndryshme, që do të jenë të mëdha, ndër të cilat më shqetësuesja shfaqej Kosova për të vetmen arsye pse nuk ishte ngritur në nivelin e republikës së barabartë me të tjerat, dhe se me statusin gjysmak, ofronte mundësi të mira që të gjithë kundërshtarëve dhe armiqve të Jugosllavisë të viheshin në veprim secili për hesapet e veta, kjo tashmë dihej. Por, po ashtu nga ana tjetër, nuk dihej se betimi i asaj “pas Titos mbetej Tito”, ishte përnjëmend farsë, apo diçka që kishte përmbajtje, po që ajo duhej të dëshmohej në përputhje me sfidat me të cilat do të ballafaqohej?
Gjatë gjithë kohës sa ishin paraqitur referuesit kryesorë, pa marrë parasysh ato që thuheshin prej tyre, ku librit i bëheshin edhe vërejtje dhe quhej tendencioz madje pse shihte vetëm zi dhe jo edhe bardh dhe të ngjashme, vëmendja e të pranishmëve ishte drejtuar kah Vladimir Bakariçi dhe ato që do të thoshte në fund.
Dhe më në fund, fjala do t’i jepej edhe Bakariçit. I rrudhur nga vitet por edhe sëmundja, i bërë kruspull, nuk do të thotë tjetër pos që do të përshëndesë autorin për, si tha, “kundrimet interesante”.
Salla ngriu. Ishte vallë e mundur që ai të sillej aq me mospërfillje me audotiriumin tejet reprezentativ që e ishte aty për të pritur “kundërpërgjigjen” ndaj një libri që Jugosllavinë e shihte me dioptri tejet pesimiste?…
Mëdyshjet ishin ndër më të ndryshme, dhe ato edhe më tutje do të shtoheshin po mos të ishte një gazetar, i cili Bakariçit do t’ia drejtojë pyetjen se pse Kosova nuk mund të bëhej republikë, siç kishte thënë gjatë diskutimit zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Predrag Kostiq, i cili kishte derdhur shumë mllef ndaj autorit pse të ardhmen e Jugosllavisë e kishte lidhur me një problem që ishte i shpifur, kur si tha, kombësitë nuk mund të kenë shtet në shtet, meqë shqiptarët shtet amë kishin Shqipërinë!
Pa një pa dy, Bakariçi, me një buzëqeshje ironike tha se “ nuk e dinte as vetë pse Kosova nuk ishte republikë…”
Ironia e Bakariçit kishte qenë e mjaftueshme të kuptohej sa të drejta kishin qenë vlerësimet e autorit dhe njëherësh sa i madh shfaqej dëshpërimi i atyre që tek Jugosllavia dhe rruga e socializmit vetëqeverisës ishin munduar t’ i varnin shpresat si për një model të ardhmërisë.
Megjithatë, fjalët e Bakariçit, siç i kishin dhënë të drejtë shqetësimit për të ardhmen e pasigurt të Jugosllavisë, njëherësh kishin hapur dilemën si dhe sa ato mund të ishin përnjëmend pjesë e mesazhit që Tito ia jepte botës në atë mënyrë?…
Tre muaj më vonë, Josip Vërhovec, ministër i jashtëm i Jugosllavisë, me rastin e takimeve të rregullta vjetore gjermano-jugosllave në nivel të ministrave të jashtëm në Bajerot të Bavarisë, gazetarëve do t’u thotë se plakushi (Bakariçi) kishte ironizuar, siç e kishte zakon…
Por, që plakushi kroat nuk kishte ironizuar, kjo do të shihej me rastin e mbledhjes së Komitetit Qendror të Jugosllavisë më pesë maj të vitit 1981, kur Lazar Kolishevski në emër të grupit punues për të vlerësuar demonstratat e 11 marsit dhe të 2 e 4 prillit të atij viti, kishte propozuar kualifikimin e shpërthimit të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë, në mënyrë që në po atë mbledhje, pasi që do të pranohet ai kualifikim, organi më i lartë i komunistëve të Jugosllavisë të shpallte të ashtuquajturën Platformë politike për Kosovën, me të cilën do të fillonte diferencimi i egër shumëvjeçar në Kosovë, me pasoja tepër të rënda për popullatën shqiptare të Kosovës dhe më gjerë në hapësirat e ish Jugosllavisë, meqë kurban i parë i saj do të bjerë kreu më i lartë i udhëheqjes me Bakallin dhe të gjithë ata që shfaqeshin si elitë politike e saj me përcaktimin për barazinë me të tjerët, që asnjëherë nuk e kishin pasur opsion rrënimin e Jugosllavisë, por përkundrazi forcimin e saj mbi këto postulate, ku edhe shqiptarët të arrinin majat e saj.
Vladimir Bakariç kishte qenë i vetmi që në atë mbledhje kishte kundërshtuar kualifikimin për kundërrevolucionin në Kosovë dhe aprovimin e platformës së veçantë politike për Kosovën. Dhe kundërshtimin e “plakushit” madje kishin pasur rastin ta përcjellin që të gjithë shikuesit e programit televiziv gjerman ARD me atë që kishte thënë “ç’na duhet platforma për Kosovën kur kemi programin e partisë dhe kushtetutën!?…”, fjalë këto që kishin tumirur parashikimet e Shtrëmit se Jugosllavia mund të dështonte në Kosovës nëse do të rrënojë frymën e kushtetutës që e kishte forcuar dhe ngritur dhe nëse hiqte dorë nga programi partiak i barazisë kombëtare…
Po atë mbrëmje Ambasada e Jugosllavisë në Bon, për nder të Bakariçit do të organizojë një pritje në kështjellën e Bad Godesbegut, vend i dashur i kancelarit të parë gjerman Bizmakut, por edhe i një takimi pak të njohur të Çemberlenit me Hitlerin në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së njohur të Munihut, të vitit 1939 kur Europa do të nënshkruajë kapitullimin para Hitlerit.
Në pritje ishte i pranishëm thuajse i gjithë kori diplomatik. Nga kreu i elitës politike gjermane merrte pjesë Vili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hans Ditrih Gensher dhe personalitete të tjera të rëndësishme kulturore të vendit, përfshirë këtu edhe shkrimtarin e njohur Hanjrih Bëll, regjisorin Reiner Fasbinder dhe të tjerë.
Sikur të dëshironte të zhbënte atë që ishte thënë gjatë promovimit të librit të Karl Gustav Shtrëmit, zëvendës ambasadori jugosllav në Bon, Kostiq, i cili ato ditë kryente punët e ambasadorit në mungesë të ambasadorit që ishte i sëmurë, në fjalën përshëndetëse, foli me shumë optimizëm për Jugosllavinë dhe ardhmërinë e saj, që tha se ishte e garantuar “në saje të unitetit të kombeve dhe kombësive të saj, të përcaktuar të ecin bashkarisht drejt fitoreve të reja” dhe të ngjashme, që shumëkujt i tingëllonin me dyshim pas atyre që ishin dëgjuar të thuheshin nga Bakariç.
Bakariçi, me shikimin e lëshuar, rrinte i ulur midis Brantit dhe Shtrausit. Dukej i lodhur. Dhe kjo bëri që të mos rrijë deri në fund në pritje. Bashkë me të do të largohen edhe Branti dhe Shtrausi, por do të mbetej Gensheri dhe të tjerët. Të pranishmit i përshëndeti vetëm me ngritjen e gotës së shampanjës, që e preku vetëm me buzë.
Heshtja e Bakariçit dhe largimi i hershëm nuk pengoi atmosferën e muhabeteve që rëndom shpërthen në raste të tilla. Por, ato të shumtën morën kahun e hamendjeve se kah do të shkojë Jugosllavia?… Do të notojë ujërave të pasigurta, siç thoshte Shtrëmi, ngaqë nuk ia kishte dalë të jepte provimin historik pse nuk kishte çuar deri në fund as konceptin e shpallur të barazisë së kombeve dhe kombësive dhe, pse edhe vetëqeverisja jugosllave kishte filluar të tregonte shenjat e para të dobësive nga shkaku se kursi liberal i ekonomisë së tregut po ndeshej me limitet politike të ndërhyrjes së shtetit?… Apo, pse ajo, në frymën e detantit dhe të afrisë perëndim-lindje një ditë mund ta humbte rëndësinë e “zonës së sigurisë” midis blloqeve antagoniste, së cilës, gjithnjë e më shumë po i binte fryma konfrontuese nga shkaku i përparësive të mëdha amerikane në garën e armatimit dhe pamundësisë që kjo të përcillej nga sovjetikët, ekonomia e të cilëve tashmë kishte filluar t’i tregonte shenjat e bankrotit, realitet ky që përnjëmend do të pranohet nga Gorbaçovi dhe “Perestrojka” e tij me të cilën, nga mesi i viteve të tetëdhjeta do t’u hapen rrugët ndryshimeve të mëdha historike ku si do të shihet nuk do të kishte më vend për Jugosllavinë dhe rolin e saj?
Johan Raismyller, analitik i njohur i “Frankfurter Allgemeine” dhe njëri ndër botuesit e saj, kishte këtë bindje. Gjatë bisedës sonë, në të cilën do të marrë pjesë fillimisht historiani Jens Reuter, më vonë edhe drejtues i seksionit të historisë “Ost-West Institut” të Munihut, dhe në të do të merrte pjesë edhe nobelisti Hajnrih Bëll dhe filozofi von Vajzeker, që më vonë do të zgjidhet president i Gjermanisë. Raismyller tha se detantin dhe supremacionin amerikan në skenën politike botërore, e shihte si faktor të rëndësishëm, që nesër a pasnesër, Jugosllavinë do ta kthente ku ishte, një shtruherë të pambrojtur, dhe me këtë ajo saora u nënshtrohet rrymimeve që mund ta shpien kah shthurja e brendshme.
“Kështu e kanë krijesat artificiale dhe të destinuara për përdorim të përkohshëm. Të shpresojmë se nuk do të ketë shthurje të dhimbshme”.
Nobelisti Hajnrih Bëll sikur u zu i prekur nga ato që tha Raismyller. Edhe pse njihej si i prajshëm gjatë të folurit, dukej se ajo i kishte shqitur paksa. Tha se nuk ia merrte mendja se Jugosllavisë i kishte shkuar koha dhe as që ishte për përdorim të përkohshëm. Dhe nuk ia merrte mendja se ndonjëherë do të pushonin konfrontimet perëndim-lindje, ani pse këtë do ta dëshironte, ngaqë ato mbështeten në dy koncepte shoqërore thuajse të papajtueshme, të cilat do të vazhdojnë të mbesin në garën e tyre historike.
“Nuk do të dëshiroja që bota të mbetet me një pol force, sepse do të dukej si diçka e pambikëqyrur.”
Filozofi von Vajzeker, pa dëshiruar të hyjë në ato që i quajti “çështje ditore”, sikur u pajtua me ato që Hajnrih Bëll tha për polet e ndryshme të forcës, meqë ashtu u ruhet kahu zhvillimeve të natyrshme. Tha se edhe politikës dhe shoqërisë i duhej konkurrenca e brendshme.
Historiani dhe publicisti Jens Reuter, tërhoqi vërejtjen se historia njihte zhvillime të drejta, por shpesh herë edhe të zhdrejta. Jugosllavinë e quajti si fryt i zhvillimeve të drejta, ku ai nga këndvështrimi historik, si të tilla i shihte që të gjitha përpjekjet e sllavëve të jugut që të kenë shtetin e përbashkët, i cili është më i dobishëm si tërësi se sa me fragmentarizime të paqëndrueshme. Shtoi se pas Titos do të ketë vështirësi, por është vetëdija e përbashkësisë dhe siguria që afron ajo, që do ta mbajë dhe drejtojë kah kohezioni i brendshëm, si i vetmi mjet shpëtimi.
“Tek e fundit, askush nuk mund të ketë interes nga hapja e një çështjeje me shumë të panjohura…”
Ishte e qartë se Reuter, me ato që thoshte dëshironte t’i jepte më shumë të drejtë teorisë se sa praktikës, ndërkohë që Raismyller, fliste për pasojat konkrete të së dytës, gjithnjë duke i parë ato në përputhje me realitet e pashmangshme.
Përplasjeve midis Reuterit dhe Raismyllerit, që mund të shkonin edhe më tutje te planet teorike, ua ndali kahun von Veizeker pasi që kërkoi të dinte se çfarë mendoja rreth së ardhmes së Jugosllavisë.
Nga respekti që kisha për filozofin e njohur dhe sensibilietin intelektual që ai shprehte edhe për politikën dhe vlerësimin e saj shoqëror në përputhje me normat etike nga të cilat nuk duhej të hiqte dorë, sikur u zura ngushtë. Kërkohej të thuhej diçka rreth së ardhmes së Jugosllavisë par njerëzve që gjendja në një ambient bashkërisht më shumë paraqiste një rastësi tejet fatlume, mbase të papërsëritshme, se sa mundësi që mund të fitohej në çfarëdo mënyre?…
Por, a thua isha në gjendje ta thosha atë që në mendjet time tashmë shfaqej si limit, mëdyshje, shqetësim apo nga të gjitha nga pak përballë rrethanave të tilla?…
Edhe pse frikë nuk kisha, ishte frika e përgjegjësisë ajo që më trembte dhe madje më shqetësonte. Por, megjithatë duhej të flisja. Duhej të thosha diçka. Po jo çkado.
Në atë përpëlitje ngulmuese me vetveten ndër më shqetësueset nëpër të cilën kisha kaluar ndonjëherë, ndjeja trysninë e shikimeve të afërta që po më vinin nga të gjitha anët. Në atë kapërthim seç më përftoi në mendje ndjenja e barazisë, si diçka çliruese, që aty për aty m’u lidh për goje dhe e nxora jo pa mundim. Duke ndjekur përvijimin e atij refleksi shtova përkushtimin për barazinë, që thashë se ishte preokupim i yni kryesor…
“Barazia është pikënisja e të gjithave”, ndjeva që të më thoshte von Vajzeker, i cili e dinte fare mirë se folja në shumës paraqiste frikë të fshehur. Sikur të dëshironte të më trimëronte, ma rrahu krahun dhe më tha se pa barazi nuk ka liri e asgjë…

(Shkëputje nga “Kthesa historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, nga faqja e autorit: jusufbuxhovi.com. Libri është plotësuar enkas me dokumente nga themelimi i LDK-së, siç janë: procesverbali, Programi origjinal i partisë, lista e nismëtarëve të Partisë, si dhe me emrat e pjesëmarrësve në Kuvendin themelues më 23 dhjetor 1989. Libri mund të shfrytëzohet dhe zbarkohet falas) / KultPlus.com

Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës

Nga Jusuf Buxhovi

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm.

I tillë shfaqet edhe Dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vjeshtën e vitit 2000. Nuk do të arrijë 17 Shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë të drejtën që e ka fituar të zerë vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.

Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për  dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që  në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së  djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vijnë nga  bindjet majtiste, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas  tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga  mentalitet patriarkale, ku  vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen  prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencës shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë  së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga  vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë  dhe ata shqiptarë bashkarisht do të ndërmarrin fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpëlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër nacionale e Beogradit, e cila deri në vitet gjashtëdhjetë ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjetë e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankiviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi, siç ishte ajo e ngritjes së Kosovës në Republikë, e artikuluar në demonstrat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kontekstet e zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, por si pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duheshin hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të kalonin edhe në ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale, që ishin të drejta dhe në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë që do të dalë në shesh me Memorandumin e Akademisë serbe të vitit 1986, do të shtrohet domosdoja e marrjes me politikë si një  përgjegjësi historike, e cila do të mbështetej mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politikë duhej të kishte një  koordinatë të dyfishtë:  lirimin nga dhuna e ideologjisë  totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët  demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë  për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë  të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, me postulatet civilizuese mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht, këtij përcaktimi që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit  kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethet e luftës  së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralelë nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin  nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit  t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist  ai që asaj do t’ia hapte perspektivën  historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia  hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta,  do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi  kanë qenë të përfshirë dhunshëm, dhe njëherësh do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta  ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë  si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin  programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një  filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, por një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte me dëgjueshmëri të madhe që të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes  politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por  ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga  sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditur fare mirë  se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të  kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë  dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen  ndaj filozofisë politike të tij  nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që  pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur  rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet  për  problemet që ka një shoqëri me vetveten  nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë  perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e  ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të  disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në Dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në Maj të vitit 1999, të cilat janë domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet  mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Me këtë rast duhet përkujtuar se nga largimi im si pjesëmarrës aktiv në polikë, por assesi si pjesë e koncepteve kreative të filozofisë së saj  – dhe kjo do të ndodhë pas mbajtjes së Kuvendit të parë të LDK-së në maj të vitit 1991, pra atëherë  kur do të arrihet shkëputja historike  me komunizmin dhe pas 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 në Kaçanik do të aprovohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës me çka  u krijuan kushtet për shkëputje edhe nga Jugosllavia, e me këtë do të jetë  mbyllur faza më e rëndësishme e konstituimit   të Lëvizjes sonë shtetformuese si subjekt i pakapërcyeshëm – me Ibrahim Rugovën do të kem vetëm një takim, kur ai do të marrë pjesë në promovimin e  pjesës së dytë të romanit tim “Prapë vdekja” dhe aty do të ndërrojmë disa fjalë për krijimtarinë.

Si herën e parë, dhe si herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se prapambetjet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis Lindjes dhe Perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti  i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindore e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve së Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani dhe si rëndom, ishte “në kompetencë” të mbikëqyrjes së degës së LDK-së në këtë vend, edhe pse në Bon Qeveria e Kosovës në ekzil kishte “selinë”, por nga disa mospajtime flitej se raportet midis presidentit dhe kryeministrit nuk ishin të mira. Meqë, i rrija larg asaj që quhej skenë politike e Kosovës dhe ngatërresave të saj, dhe për vizitat e liderëve shqiptarë në Gjermani, informoja vetëm kur ata priteshin zyrtarisht nga institucionet dhe politika gjermane, nuk kisha ndonjë interes që të sillesha ndryshe as këtë herë, sado që ndjeja nevojë për ndonjë muhabet intelektual me Rugovën.

Por, ditën që do të përfundojnë marrëveshjet e Dejtonit dhe isha si shumë i përqendruar të dija sa më shumë për to, meqë ishte më se e qartë se pas tyre do t’i vinte radha edhe Kosovës, me anën e një telefonate nga Ministria e Jashtme Gjermane, ftohesha nga Drejtori për Çështje të Ballkanit, zoti Hase për një bisedë të shkurtër. Zoti Hase, me të cilin njiheshim prej më shumë se dy vitesh, do të më njoftojë se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel dhe, nga ai çast, si tha, për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës do të jetë mysafir i qeverisë gjermane dhe do të vendoset në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane, pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”. Pasi ma dha kumtesën për shtyp rreth pritjes së liderit shqiptar nga ana e Kinkelit, e cila përfshinte disa rreshta, më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte Ministria e Jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, pra kur isha larguar dhe personalisht ia kisha shpjeguar arsyet, paralajmërimet e të cilave nga ana ime i kishte pasur që më parë por mendonte se do ta ndërroj mendjen, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Urova që aty të ketë më shumë atmosferë intelektuale nga ajo e pritshmja politike. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, do ta takoj Rugovën, të qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe do të vijë edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka do të kalojë në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante, ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja”, që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohtas me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vlejtur, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur  atë ditë  me Kinkelin  në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si Ministri i Jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të  ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por  Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth  ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga 2 Korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë Ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga Ministri i Jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa koniukturave nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos t’ia bëja me dije se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në Prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe ai thuajse i mahnitur kishte zënë ngojë  kunjat e mëdhenj që  lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet disponimi dhe do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit dhe kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në Perëndim dhe jo në Lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në Maj të vitit 1999 në Bon, do të fillojë ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh kur ndodhej në rezidencën e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të  Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në taracën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte  nga prania e madhe e atyre që kishte me vete, por edhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë, po edhe nga vendet përreth dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër fare nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me preokupimin jetik që të mbeteshim në atë të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga ringjallja ideologjike e vetëdijes totalitare.

Kisha përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i përngjan paranojës.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e Beogradit.

“Nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj…”

Çfarë t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.

Prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte mahnitur siç ka mahnitur gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdesësh në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdesësh edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdesësh, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin… Nuk e dua…”

“Kush do ta donte…?” – ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.

Pak më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”

Kur po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, më ishin vënë pas dhe po më ndiqnin nga të gjitha anët…

(Shhkëputuje nga libri “Kthesa historike” 1 Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë), 2008. / KultPlus.com

Buxhovi plotëson faqen elektronike me libra të tjerë falas

Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, që kohë më parë hapi faqen elektronike jusufbuxhovi.com për shfrytëzim gratis, ku u përfshinë disa nga romanet e tij më të lexuara (Trilogjia gjermane, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit dhe Dosja B në anglisht), këto ditë e plotësoi atë me vepra të tjera letrare dhe historiografike si dhe me rubrikën “Recensione dhe kritika letrare”.

 Ndër veprat letrare që tashmë mund të shfrytëzohen gratis gjenden romanet: “Nata e Shekujve” , “Letrat për Kryeprincin”, trilogjia “Libri i Bllacës”, “Libri i të mallkuarve”, “Udhëtimi i fundit i Mendim Drinit” si dhe romanët e kohëve të fundit “Dosja B” dhe “Dushkaja”. Ndërsa, nga veprat historiografike, krahas “Kosovës”I, II,III në anglisht, gjendet “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë” dhe “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878”.

Për librat historiografike, autori thotë se ka pasë kërkesa të shumta nga Maqedonia, SHBA-atë dhe vendet e ndryshme evropiane, po edhe nga studentë të Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës.

Në pyetjen e KultPlus se cili ka qenë motivi që e ka shtyrë autorin për një veprim të tillë, Buxhovi thotë se rrethanat e tanishme kërkojnë që autori t’u përshtatet atyre në përputhje me konceptin që libri të depërtojë në gjithë botën online dhe të shfrytëzohet pa pengesa.

“Ka kohë që interneti me platformën elektronike, ka filluar që t’i thyejë konvencat e librit në librari dhe biblioteka. Kjo i ka të mirat e veta, ngaqë vendosja e librit në platforma elektronike si dhe shfrytëzimi i tij, e përhap atë në përmasa globale. Kjo, për autorin, do të thotë shumë…”, vlerëson autori.

Në pyetjen se shfrytëzimi gratis, dëmton autorin dhe botuesit, Buxhovi vlerëson se kjo nuk përjashtohet, por vlerëson se libri elektronik si dhe digjitalizimi i tij, janë pjesë e një forme të re të komunikimit të autorit me lexuesit, që, si e pashmangshme, duhet pranuar, siç është pranuar fakti se, në fushën e informimit, portalet tashmë kanë zëvendësuar gazetën. Me këtë rast, ai përmend, edhe përparësitë e mëdha që sjell kjo formë e re e shfrytëzimit të librit në përmasa globale, veçmas kur kihet parasysh mundësia e depërtimit të tij nëpër biblioteka, institucione dhe institute hulumtuese-shkencore. Përkundër këtij ndryshimi të madh që është pozitiv, autori thotë se libri do të mbetet ai që është.

“Bartja e tij në platformën elektronike si dhe digjitalizimi, nuk do ta nxjerr atë nga libraria, meqë përherë do të ketë lexues që atë dëshirojnë ta kenë pranë, ndërsa në biblioteka mbetet i përhershëm, paçka se edhe aty po u nënshtrohet formave digjitale të leximit dhe të huazimit”, thotë Buxhovi. / KultPlus.com

Vrasja e lirisë!

Autori: Nëse mund të pranohet vlerësimi se shkrimet që ka lënë Bashkim Kosova – dhe ato kryesisht vinë nga koha pasi që ai të jetë kthyer nga burgu – “në dukje”paraqesin “dy gjendje shpirtërore” si kundërpërgjigje ndaj faktorit që i ka kushtëzuar ato ( fjala është për dhunën shtetërore te Beogradit), megjithatë si duhet shpjeguar qëndrimin e Bashkim Kosovës, të mbyllet brenda për brenda një hapësire (ajo e Hades), prej nga për vite të tëra nuk do të dalë më, madje edhe atëherë kur do të arrihet, që pas ndërhyrjes së NATO-s (me nxjerrjen e Serbisë nga Kosova),me instalimin e administratës ndërkombëtare, të përfundojnë shkaktarët e tragjedisë së tij? Mund të ishte i pakënaqur me atë zhvillim? Ose, pse kishte ndonjë arsye tjetër që do t’ia kishte kushtëzuar atë gjendje?…

Shpresa Kosova – Berisha: Sjellja e tillë ishte edhe e kuptueshme. Sepse, Bashkim Kosova kishte humbur njëherësh dy gjëra: botën e madhështisë dhe familjen pa kurrfarë kundërvlere. Kur flas për “kundërvlerën” nuk mendoj për ndonjë zhdëmtim material apo tjetër, me të cilën shumëkush kënaqet dhe ashtu projekton edhe “përmasat” e ndryshimeve shoqërore dhe politike, por fjalën e kam për kalimin nga një gjendje e dhunës te një gjendje e turbullt fare, ku rrënimi i një sistemi vlerash, pa marrë parasysh çfarë ka qenë, nuk zëvendësohet me tjetrin, atë që pritej dhe duhej të ishte në përputhje me konceptin qytetërues të një shoqërie të lirë perëndimore që i kishte besuar aq shumë në të. Në vend të saj kemi shfaqjen e një gjendje kalimtare, pa vlera dhe jashtë normave elementare morale, ku çdo gjë lejohet, madje edhe vrasjet makabre (përfshirë edhe intelektualët) pa qarë kokën për pasojat.

Për ta kuptuar dëshpërimin, zhgënjimin e thellë dhe vetë neveritjen madje nga gjithë kjo rënie që e mbërthen idealistin e paepur, mjafton këtu të shihen sjelljet e disa liderëve politikë që kanë marrë pjesë në lëvizjen kombëtare në të gjitha fazat e saj: nga ajo institucionale (shteti paralel) e deri te rezistenca e armatosur dhe lufta, ku ideali i lirisë dhe i bërjes së shtetit është kthyer në ideal të zhvatjes së shtetit dhe të kthimit të tij në një plaçkë për kusuritje gjithëfare dhe me këdo, qofshin ata edhe pushtuesit dhe vrasësit e deridjeshëm!

Gjatë takimit të fundit pak ditë para se të vritej, dukej tepër i thyer shpirtërisht, sikur me padurim priste atë që do t’i vijë ditën e shtatëmbëdhjetë shkurtit me marrë fund ai mundim. Në dhomën e errtë dhe të ftohtë, prej nga ishte mbyllur dhe prej kohësh nuk dilte, gjendja e tij vinte edhe më e zymtë nga ç’dukej, sepse ai nuk pranonte kurrfarë ndihme dhe, ç’ishte më keq, nuk dëshironte me asgjë që këtë ta ndryshonte. Ata që i rrinin pranë dhe nuk i ndaheshin (ishin dy boksierët e rinj Luan Hoti dhe Bekim Krasniqi, që e kishin gjetur pas atentatit dhe e kishin dërguar për në spital), kishin bërë me dije për gjendjen e tij të rëndë, veçmas pse ai kohëve të fundit fliste përçartë për vrasës të padukshëm, të plotfuqishëm, që e kishin vrarë të djeshmen mizorisht, që po e vrisnin të sotmen dhe do ta vrasin edhe të nesërmen, prej të cilëve nuk kishte shpëtim…

Diç të ngjashme m’u bë se ma tha gjatë takimit të fundit.

“Mos u mundo për me më ndihmue, meqë m’u ka vra ideali i lirisë…”

(Shkëputje nga romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës” nga Jusuf Buxhovi, Prishtinë, 2011)

Buxhovi: Murtaja e mesjetës, në kohën tonë është zëvendësuar me murtajën ideologjike

Nga Jusuf Buxhovi

“Dosja B”, paraqet një “vazhdim ironik” të romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në kuptimin se murtaja e mesjetës, në kohën tonë është zëvendësuar me murtajën ideologjike dhe atë të krimit të organizuar nga brenda, një lloj virusi që kërcënon gjithanshëm, që njeriu i lirë të kthehet në një monstrum të rendit të ri, pa kujtesë, pa identitet kulturor dhe historik, pra në një qenie të ngjashme me atë të realitetit të “Fermes së kafshëve”…

Historia na mëson se mallkimi dhe dënimi i gjenë përherë ata që vullnetin për fuqi e kthejnë në fuqi për pushtet tiranik. Ndërsa letërsia na mëson se vullneti për fuqi, në luftë kundër së keqës, është në gjendje që të mund edhe murtajën qoftë edhe si metaforë… / KultPlus.com

Një vepër brilante letrare

Shkruan: Naile Demiri

Jusuf Buxhovi: “DUSHKAJA”, roman. Botoi “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”, 2018, faqe 170.

Romani i autorit Jusuf Buxhovi, “Dushkaja”, i ndarë në nëntë  kaptina ( nga gjashtë e mbrëmjes e deri e deri në orën pesë të mëngjesit), shfaqet si një rrëfim në vetën e parë, prej nga ndërtohet një  vepër letrare brilante dhe e veçante që nuk e kemi pasur në gjuhen shqipe.

Në këtë roman, dekada e fundit  e shekullit XX -të dhe fillimi i shekullit XXI,  në Dushkajën e autorit përplasen  e manifestohen  sjellje shoqëror të deformuara, ku autori kërkon analizën  e shkaqeve të krizës shoqërore, të shoqërisë që i përket,  duke hyrë në analizë të kategorive filozofike e veçmas analizës së gjuhës dhe faktorëve tjerë që kanë dërguar deri në manifestimin e kësaj krize, e cila po thuhet se ka qenë e mbyllur, për të nxjerrë nocione e përfundime logjike.  Duhet edhe një herë të sqarohet se arti krijues i shërben njerëzores, e assesi dija  t’i shëberjë dhunimit të njeriut, morali njerëzor t’i kthehet realitetit e jo alkimia e dr. Llukmanit, të udhëheq më vlera , vlera këto që  Friedrich Nietzsche  kaherë i hedhen në shportën e mbeturinave. Aurtori, në këtë vepër,  si duket është i ndikuar nga  Niçe.

    Dhimbjet shpirtërore e shtyjmë autorin e romanit të bëjë një kërkimin metafizik nëpërmes një “loje” imagjinare (cicmicit) me alteregon. Të menduarit, vetëdija, përgjegjësia, vullneti i lirë e  kategori e virtyte tjera humane të njeriut, janë nga sa figurat me të cilat  personazhi i Buxhovit, pacienti i psikiatrisë, shpesh herë bëhet qull nga sikleti duke ndryshuar vendin pikturave e vijave të trasha të tija  për t’i dhënë përgjigjeje Zërit (të mizës), vetëdijes, se kjo botë e ka bazën në dije, në pjesën e vetëdijshme e assesi në tulet e turit, pjesë  e  pavetëdijes, nga burojnë: egoizmi, cinizmi, mashtrimi, frika, pasiguria, halucinacioni, iluzioni etj, etj, vese e kategori psikologjike të  njerëzve të deformuar, siç i quan autori polip, jo kurrizor,zvarranik, që i takojnë kozmosit të karaktereve të ndryshme, ku Dushkaja, si metaforë e një vendi të  humbur   nga mbyllja zbërthen anatominë e një morali shoqëror, ku e mira shihet si e keqe dhe e keqja si e mirë dhe anasjelltas, një qark ky tragjik, karakteritik për botën e myllur dhe të rrudhur…

   “Në Dushkajën e fëmijërisë  sime  vrasësit ishin të natyrshëm, foli Piktori. Në një botë të rrudhur, të mbyllur dhe të shkëputur nga pjesa tjetër, cubat, kaçakët, bedelët, shkelësit e besës,  belaxhinjtë e gjakut, hakmarrësit e ndryshëm e deri te njerëzit e sherreve dhe vrasësit me  pagesë, ishin pjesë e një mbi jetimi të thjeshtë , ku secili bënte punën e vetë me përkushtim dhe nderoheshin” (…) Ky qark i të qenit prishej vetëm atëherë kur cubat dhe vrasësit e ndryshëm futeshin në luftëra  dhe e gjitha kthehej në sjellje të panatyrshme, ngaqë disa prej tyre ktheheshin në heronj, gjë që do të ishte në rregull po që se ata nuk do të kremtoheshin si heronj gjatë gjendjeve të tilla…Luftë e pa parë e figurave ku heroi më në fund hamendet: “ Nuk kam nga t’ia mbaj… nuk ka shpëtim…Ti piktor i shkretë duhesh të kërkosh shpëtim nga këto qenie të rrezikshme në hapësirën e labirintit mitik)* f .51.

   Në kufijtë e rrëfimit dhe të diskrepcionit, narratori i  Buxhovi, siç duket është lidhur me veprimet dhe ngjarjet  duke i konsideruar ato si procese të pastra karshi objekteve e sendeve në roman. Rrëfyer me një gjuhë  dialogu në mes të  piktorit e zërit, në një sistem dialogu  me gjuhë e stile konkrete, në vazhdimësi të pandara nga njohja logjiko-gjuhësore e përmbajtjes, është gjuhë ajo që dërgon  mesazh tek lexuesit, është gjuhë e pastër shqipe e shkrirë në artin letrar, që në gamë e zinxhirë nxjerr e përshkruan të djeshmen, të sotmen edhe të ardhmen , sa do që do vonohet ajo. Duke iu përmbajtur çdo herë domenit të shprehjes letrare, gjuha  e Buxhovit, shpesh herë,  shprehur edhe me gjykime pavetore a eliptike, nuk e pengon lexuesin  të kuptoj rrjedhën e dialogut, ndonëse lexuesi duhet të jetë i koncentruar në rrjedhë si reprezentues i kësaj gjendje shoqërore në Dushkajën me një virgjëri magjike por gjithsesi tragjike, në skaje të botës së harruar, e kjo, e  ngritë vlerën e veprës dhe e bënë atë të jetë e dalluar nga veprat letrare të tjerat të kohës.

   Ky roman me elemente të romanit psikologjik, politik…etj,  është edhe një trilogji, ngase në dy romanet e më parme, autori u dha liri fluturimthi personazheve sa do që ato konsistonin me realitetin objektiv dhe historinë  e tyre, në atë imagjinatë konstruktive, me premise drejt hedhjes së spiraleve hulumtuese.  Bashkim Kosova – personazh nga  romani “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”, me dy prindër të vrarë, një kampion bote, në sporte të rënda, një zë (mize) anë e përtej bote, vjen e bëhet  banues i psikiatrisë dhe përfundon në një varrim jo të rëndomtë, derisa vrasësi me pagesë behën pretendent të shpallet hero.  Në veprën tjetër (Dosja e hapur), vrasësit para hetuesisë sillën si në shtëpinë e babit,  dhe, sikur i dërgojnë mesazh  se as për së afërmi nuk janë goditur objektivat e sadizmit të derdhur. Andaj autori detyrohet që në “Dushkajë”  të paraqesë  terrorin, krimet, sadizmat, vrasjet me pagesë, dështimet e krijuesve, e shumë e shumë anomali të tjera shoqërore e individuale që  akoma janë të pranishëm në jetën e brendshme të autorit.  Dhembet e plagëve të Bashkim Kosovës, e detyruan  Zërin t’i thotë Piktorit: çmendu, çmendu se bota është e hiçit, krijues i çmendur apo i dështuar je…  Por heroi i romanit (Piktori)  nuk ngushëllon vetën. Ai ec, kërkon shtigje dalëse. “Runa zot nga gjeneralët e pas luftës, tha Piktori me sa zë kishte…mbllaçiste fjalët kundër gjeneralëve të pasluftës dhe komandantëve të vetëshpallur të kthyer në zullumqarë që u shkojnë pas dhe vazhdojnë ta rrënojnë lirinë në emër “ të meritave të luftës” dhe të ngjashme.. (…) Sonte, në këtë lojë, që po e quan luftë, ke rastin që gjërat t’i shohësh siç janë edhe në jetë, ku ka fitimtarë dhe humbës…Ku i madhi e ha të voglin dhe i forti të dobëtin.. f. 135), dhe nuk do shpërfaqem as vdes para  se  Dushkaja ime të kthehet në plantacion, tani e mbushur me thera e murriza…

   Rrëfyesi në roman, është vetja e trilluar në të cilën transformohet. Pra, në këtë rast, narratori i gjithëdijshëm duke rrëfyer një nga rrëfimet më trishtuese të pas luftës, të ndodhur në një skaj të botës së pistë, të pa parë, ka pasqyruar një gjendje shoqërore më të hidhur e më kriminale, një katrahurë me aq shumë ngatërrime, sekrete, kode, pështjellime ordinere të projektuara etj, etj, që vetëm një kokë e ngritur, që ka për mjet artin letrar,ndoshta do mundet t’i shkoqis të shtjelluara .

   Ngjarjet e mëdha shoqërore zakonisht  iniciojnë krijimin e veprave të mëdha. Dhe s’do mend se kjo vepër për momentin do jetë një nga veprat më të mira të shkruara në artin letrar në letërsi shqipe të shekullit XXI.

   Subjekti i veprës është gjendja e shoqërisë kosovare pas luftës së fundit.  Përpjekja e krijueseve për ndërtimin e vendit dhe kundërshtitë permanente të shfaqura si pengues të zhvillimit shoqëror.  Pasqyrohen dy forca, jo renegate, të fytafytur, të pamëshirshme, të pashpallur, përplot me arsenal, bile të luftës speciale, që insistonin , me çdo kusht, asgjësimin e njëra-tjetrës, jo vetën në Dushkajëm, e mbushur me thera e murriza, por  në tërë hapësirën planetare kah shtrihen neuron-transmetuesit . Në roman bëhej fjalë për pastërtinë e luftës dhe pasojat.  Narratori në vetën e parë rrëfen: “…Të tjerat janë aktrime, gënjeshtra, mashtrime e çmos të kthyera në parime, rregulla dhe kode të rreme të vlerave, me të cilat bota është plotë e përplot  dhe shfrytëzohen njësoj  nga klerikët, diktatorët, tiranet,  despotet dhe të tjerët, me të cilat shpallën profetët që në emër të zotit vranë zotin, kremtohen tiranet, që vrasin në emër të pushtetit të pakufishëm e të tjera. Turmës i pëlqejnë dhe pa të cilët as që mund të jetojnë..,( f. 162).

    Lavjerrësi i orës ra pesë herë dhe ishte ora pesë kur Piktori me shumë vështirësi, nxori fjalët e fundit :

     Prapë mashtrime!…

     Prapë vrasje!…

     Prapë lojë!…

     Medet për Dushkajën time të harruar, në skajin e vetëm të virgjër të botës pise, të kthyer në lapidar të rremë..(f.165).

 Ndonëse rrethi gjeografike ambiental i veprës  kufizohet në një dhomë ku janë të vendosura  sa piktura të pluhurosura, hapësira dhe koha gjithsesi janë të përfshira edhe si kategori  epistemologjisë por edhe si mjete të romanit, shtrirja gjithandej e tyre është pa fillim dhe mbarim në kohë sikur përfshinë planetin dhe atë pjesë të pistë të botës, pavarësisht se koha është një (1 ) apo pesë (5) të dritës,  Piktori përpiqet  që jetën ta marri si lojë…Por, realiteti i imponon që lojën ta marri si jetë (f. 19), për ndryshim nga krijuesit ekzistencialistet që përpiqen ta jetojnë jetën. Heroi i romanit këtu kërkon shpëtimin. Në roman  përjetohet një ambient i mbyllur ku luhet loja e cicmicit , e cila bëhet  si duket  pa  lejen e gurëve si ushtarak, ngase lehtë atyre u ndërrohet vendi.  Personazhi i romanit te Buxhovi, ndonëse  metaforë (një zë),  është qenie që mendon, ndjenë, përjeton, njeh, vepron, etj, domethënë ekziston në kohë dhe hapësirë, si i përsëritshëm, por një herësh shfaqet si pjesë e një ndërgjegjeje që jo secili është në gjendje t’i nënshtrohet deri te përmasat e ballafaqimit me të, qoftë edhe si një katarzë të heshtur shpirtërore…/ KultPlus.com

Në Bibliotekën e Lubjanës, debat për “Kosovën”

Me qëllim të afirmimit të vlerave historike dhe kulturore të Kosovës dhe prezantimin e tyre tek populli slloven, Shoqata e miqësisë shqiptaro sllovene Dardania në bashkëpunim me bibliotekën “Prežihov Voranc” të qytetit të Lubjanës, kohë më parë, organizoi mbrëmje kulturore në të cilën u debatua për veprën historike “Kosova” të autorit Jusuf Buxhovi, të përkthyer në gjuhën angleze.

Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin figura të shquara të shkencës dhe artit si: historian, gjuhëtarë, gazetarë, hulumtues shkencor, student dhe dashamirë të librit.

Për vlerave shkencore dhe historike të librit “Kosova” foli albanologu i shquar slloven Drago Flis, mik dhe punëtor i palodhur i çështjes shqiptare. Ai theksoi se vepra “Kosova” vije në arenën ndërkombëtare pas një pritje të gjatë, që nga vepra e Noel Malcolm-it, dhe se autori Jusuf Buxhovi ka merita të mëdha në sjelljen e së vërtetës për Kosovën dhe historinë e saj nga lashtësia deri tek pavarësia e saj. Gjatë shtjellimit të prejardhjes së shqiptarëve dhe ilirëve mbrojti me këmbëngulje tezën Iliro-Pellazge të autorit dhe në mënyrë kronologjike e të thjeshtë e sqaroi para të pranishmëve. Një vend të rëndësishëm në fjalën e albanologut Flis zuri edhe gjuha shqipe si pasardhëse e gjuhës ilire për të cilën tha se është shumë me rendësi të studiohet për faktin se ajo është një gjuhë shumë e lashtë dhe se përmes saj mund të hulumtojmë më shumë antikitetin.

Të pranishmit ishin shumë kureshtar për të bërë pyetje nga më të ndryshmet. Në pyetjen se përse në Slloveni nuk kemi fare informacion për Ilirët, albanologu Drago Flis u përgjigj, se sllovenet nuk dëshirojnë ta pranojnë faktin se dikur në këto troje ka jetuar dikush tjetër pra Ilirët, këtë lloj injorimi dhe mos pranimi të fakteve e shohim nga librat shkollorë e deri tek ata akademik, po ashtu nënçmimi i shqiptarëve në Slloveni vjen si pasojë e kësaj mosnjohje apo refuzimi të njohjes. Iniciativën e shoqatës për të promovuar vlerën e lashtë kulturore dhe historike dardane të popullit të Kosovës nëpërmes fakteve të sjella nga libri “Kosova”, duhet admiruar dhe çmuar dhe duhet të jetë shembull për të tjerët, se si përmes veprave të tilla afirmohet dhe ruhet identiteti kombëtar në një vend evropian.

Në fjalën përshëndetëse të saj, drejtoresha e bibliotekës së qytetit të Lubjanës Barbara Marinčič falënderoi shoqatën Dardania për bashkëpunim, prezantim të librit dhe dhurimin e tij lexuesve slloven për tu informuar më shumë mbi historinë, kulturën dhe lashtësinë e popullit të Kosovës, për të cilin siç tha ajo »gjeneratat e reja në Slloveni dinë shumë pak«. Një falënderim të veçantë ia dedikoi autorit të librit i cili me punën e tij hulumtuese dhe shkencore ka arritur që të shkruaj një vepër të tillë.

Në fund të mbrëmjes kulturore, kryetari i shoqatës së miqësisë shqiptaro–sllovene Dardania dr. Agron Millaku, në emër të shoqatës dhe autorit të librit dhuroi disa komplete librash për bibliotekat e qytetit të Lubjanës, qytetit të Koprit dhe Mariborit, si dhe për disa biblioteka Universitare.

Prej bibliotekave të qytetit të Lubjanës që pranuan librin ishin bibliotekat: Prežihov Voranc, Otona Župančiča, Bežigrad, Jožeta Mazovca, Šiška dhe biblioteka Slovanska. Nga ato universitare që pranuan librin ishin biblioteka e fakultetit filozofik katedra për histori, biblioteka kombëtare Universitare (NUK), biblioteka e Institutit për arkeologji ( SAZU).

Në shenjë falënderimi për përkrahjen shumëvjeçare në çështjen shqiptare dhe afirmimin e shtetit të Kosovës, libri më herët iu kishte dhuruar edhe disa personaliteteve të shquara sllovene si: kryetarit të Partisë Demokratike të Sllovenisë Janez Janša, ish eurodeputetit slloven Jelko Kacin, Dr. Franc Križnar muzikolog, Dr. Marjeta Šašel Kos arkeologe, Dr. Salvator Žitko kryetar i shoqatës së historianëve të jugut të Primorskës. / KultPlus.com

Buxhovi: Presidentin nuk ka kush ta përkujtojë, ata që nuk u vranë, kaherë janë shpallur të padëshirueshëm

Gjatë ditës së sotme në nderim të ditëlindjes së presidentit historik të Kosovës, në vendlindjen e tij është përuruar shtatorja e tij, shkruan KultPlus.

Për të kujtuar Rugovën kanë qenë të shumta mesazhet dhe statuset që nga figurat politike të vendit e deri tek qytetarët.

Shkrimtari Jusuf Buxhovi nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se sot nuk ka se kush ta përkujtoj Rugovën, sepse sipas tij ata që i takuan kauzës së përbashkët ose u vranë ose u shpallën  të padëshirueshëm.

“PRESIDENTIN nuk ka kush ta përkujtojë nga ata që i takuan kauzës së përbashkët. Ngaqë ata që nuk u vranë, kaherë janë shpallur të padëshirueshëm, apo jo?”, ka shkruar ai./KultPlus.com

Romani i Buxhovit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” edhe në italisht

Pas botimit në disa gjuhë (frëngjisht, anglisht, serbisht, sllovenisht), romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i përkthyer nga Liliana Cuka, botohet edhe në italisht nga botuesi i njohur Armando-edittore i Romës.

“Është një vepër e shkruar në një mënyrë të pabesueshme intensive”, vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Te përkas ty, o toka ime”, mund të jetë sllogani mbi të cilin autori ndërthur një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, në të cilin politika dhe feja janë në garë për të kapur hapësirat e tyre dhe për të bërë prozelitizëm. Reflektimi me përmbajtje të lartë, i cili e drejtojnë lexuesin në mendimet e rafinuara të autorit për të krijuar më pas përshtypjet e veta personale.”

Ballina e librit përcillet me vlerësimin:

“Murtaja vazhdon të përhapet, mbyllen kufijtë, shfaqet mosbesimi ndaj pushtetit dhe ndaj Zoti, lind nevoja për të organizuar një ‘rezistencë’ morale dhe efektive kundër një autoriteti, qëllimi i të cilit është të asgjësojë dinjitetin dhe nderin e një populli, në mënyrë qe të krijojë një “njeri të ri perandorak”, pa rrënjë. Është një histori, tepër e fortë dhe e pasur me ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, dhe në të njëjtën kohë është histori besimi dhe mosbindjeje, si mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë në fillin e hollë te herezisë. Është njëkohësisht edhe lufta kundër ndjenjës së mungesës së fuqisë, ndjenjë të cilën njeriu ndien përballe një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën gjenden shumë ngjashmëri me aktualitetin. “Liri ose vdekje” është udhëkryqi para të cilit ndodhen protagonistët e kësaj vepre, robër të një bote ku si politika, ashtu dhe feja pretendojnë hapësira dhe asimilime.” / KultPlus.com

“E drejta për me vra nuk është liri”

Nga Jusuf Buxhovi

Sapo hynë në pjesën e Dushkajës, Princi i shkërmoqur foli përçartë për kryqtarët Normanët që kishin humbur luftën dhe ardhjen e kryqtarëve Tempelarë, që kishin zënë vendin e tyre. Me t’i dëgjuar këto, Mikeli plak, brofi nga gëzimi, ngaqë mendja ia tha se Princi, që nuk kishte nxjerrë fjalë prej gojës gjatë viteve të mbylljes në Kështjellën e Pashtrikut, po e merrte veten. Në atë hallakatje, deshi ta pyeste se ç’ndryshonin kryqtarët e rinj nga ata të mëparshmit që tha se kishin humbur luftën kur në këto anë nuk kishte pasë diçka të tillë pos dhunës së paparë të vasalëve të tyre, që tashmë ishin dërguar të lidhur në Kështjellën e Pashtrikut ku do të kalbeshin. Këtë, megjithatë nuk e bëri, jo vetëm që koka e tij nuk ishte në gjendje ta kuptonte dallimin midis kryqtarëve, por për më shumë, pse në karrocë hyri një murg, që zuri vend kundruall Princit sikur të ishte aty sipas një marrëveshje.

Princit, prapë iu mor goja. Deshi t’ia bënte me dije Mikelit plak, se ai nuk ishte murg si të tjerët që prej kohësh kishin vërshuar vendin, por ishte kryqtar i rendit të Tempelarëve, që kishin marrë përsipër kryqëzatën e re, që nuk do të përfundonte te çlirimi i varrit të shenjtë si thuhej, por te pushtimi i Qendrës së krishterimit nga katolikët. Princit i kujtohej biseda që kishte ditë më parë në Kështjellën e Pashtrikut me murgu tebdil kur ia kishte kumtuar lajmin për fitoren e kryqtarëve Tempelarë dhe kthimin e tij në Principatë, si diçka që do t’i ndihmonte fushatës së shenjtë.

“Do të jesh i lirë për aq sa do t’i takosh besimit dhe idesë sonë, së cilës, për t’u jetësue i duhet forca…”

“Pra, prapë nuk do të jem i lirë”, kishte folur Princi dhe kishte shtuar se ai të drejtën për me vra nuk e merrte për liri, por si krim…

”Vetëm vasalët e marrin për të tillë…”

(Shkëputur nga romani “Letra për Kryeprincin”, Prishtinë, 1983). / KultPlus.com

Koha e vazalëve…

Jusuf Buxhovi

(Shkëputje nga romani “Letrat për Kryeprincin”, Prishtinë, 2003)

Princi i shkërmoqur nga vetmia dhe pesha e viteve të trishta të kaluara i mbyllur në Kështjellën e Pashtrikut nga Kryqtarët Perëndimorë, dukej si i pajetë. Të kota ishin fjalët e oborrtarit besnik, Mikelit plak, që po i flise për pritjen me padurim dhe shpresën e madhe në Rekë të Keqe pas gjithë atij rrënimi që kishte ndodhur gjatë kohës sa kundërshtatët e tij – vasalë të Kryqetarëve, vendin e kishin kthyer në plaçkë…

Të menduarit se tashmë shumë prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm (shkrimtarë, artistë dhe klerikë të vrarë nga fitimtarët pse nuk ishin pajtuar me rrugën që ata ndiqnin ose që t’u shkruanin apologji), nuk do t’ua gjente as varret, e kthente në një të paqenë, në një kufomë të gjallë që edhe mëtutje u duhej Kryqtarëve.. Madje, nuk e ngushëllonte as ajo që, me rikthimin e tij në fron, qoftë edhe sa për sy e faqe, atyre mund t’u kthehej nderi i humbur bashkë me heqjen e mallkimit të tmerrshëm të të shpallurit “tradhëtarë”!

“Froni po të pre, imzot. Vendi ka nevojë për me e marrë veten pas gjithë atij zullumi…Fjala juaj pritet me padurim…”

Por,ndjenja e hiqit, Princit të ngrysur, iu tumir përgjithmonë kur mbi Urën e Shenjtë, në pirgun e lartë, pa të valonte flamuri i Kryqtarëve. Në atë gjendje, ato që po ia thoshte Mikeli plak se kundërshtatët e tij fillimisht të kremtuar si shpëtimtar e mandej të paditur për vrasësë e çmos, tashmë ishin dërguar në Kështjellën e Pashtrikut dhe thuhej se nuk do të kthehen kurrë, jo vetëm nuk po e ngushëllonin, por po e kthenin në një hije.

“Vazhdon koha e vasalëve”, deshi të thoshte, por heshti, ngaqë nuk dëshironte që para atyre që po e prisnin, të dukej i nënçmuar…/ KultPlus.com

Bejtexhinjtë dhe kremtimi i tiranëve…

Nga Jusuf Buxhovi

Zvarritjen për te maja e Sukës, ku duhej të ndjeja atë frymën e vullnetit për fuqi për të cilën më kishte folur Baba Tali para se në kasabën e mallkuar fytin të ma gjente thika e jeniçerëve, ma ndali hordhia e bejtexhinjve e shoqëruar me fedainjë të përgjakur dhe qaramanë të përjargur nga ilahitë. Kur më panë ashtu të shkallmuar me qehrën e mejtit, nga bindja se një kufomë i shkonte orgjisë së tyre, më thanë se duhej t’u bashkohesha.

“Do të ngjitemi në atë maje për ta hyjnizuar me ilahi shpëtimtarin tonë, atë që na çliroi nga e keqja, ndërsa katilat po e mallkojnë…”

Desha t’u thosha se ne nuk jemi të çliruar nga e keqja, pos që ajo e jashtmja ishte zëvendësuar me një tejtër nga brenda, gjë që nuk ishim të lirë siç shtireshim, por fyti i tharë nuk m’i nxori ato fjalë.

Po ashtu, po të kisha fuqi të flisja, do t’u thosha të më kurtalisnin me thikat e tyre, meqë ashtu shpëtoja nga ai nënçmim pa fund…

Por, ç’e do që ata, sikur t’i kishin kuptuar ato që nuk m’i nxirrte goja, po më ngrehnin zvarrë. Në atë gjendje katandisëse, bejtet që i thoshin për profetin e tyre dhe ilahitë për të, po i përjetoja më rëndë se çfarëdo dënimi me vdekje…

Në atë siklet, koka ime, seç po i sillte ato që dikur m’i thoshte Baba Tali për bejtexhinjtë e përhershëm, që madhërojnë pushtetarët zullumçarë dhe jeniçerët që janë në gjendje të vrasin në emër të tyre këdo që mendon ndryshe…

(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, Prishtinë, 2013)

Reagime të ashpra të historianëve serbë pas deklaratës së Buxhovit se kisha ortodokse serbe ka përvetësuar krishterimin në Kosovë

Pas deklaratave të shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi dhënë ditëve të fundit një intervistë për median serbe, Kosovo Online, ku ndër të tjera ka përmendur edhe faktin se kisha ortodokse serbe ka përvetësuar krishterimin në Kosovë, kanë nisur reagimet nga ana serbe.

Historiani serb Aleksandar Rakjoviq ka reaguar ashpër duke u shprehur se “Trashëgimia e krishterë në Kosovë është trashëgimi e popullit serb. Shqiptarët janë ardhacakë.”

“Serbët morën nga Grekët territoret që ishin pjesë e Perandorisë Bizantine. Ortodoksia Serbe zuri vendin e Ortodoksisë Greke të mëparshme, dhe asgjë nuk ndryshoi për besimtarët, dhe sigurisht nuk kishte shqiptarë në atë kohë. Ata për herë të parë u shfaqën në Mesjetë në shekullin e 15-të në afërsi të Gjakovës. Dhe ata fillojnë të vijnë me turqit. Trashëgimia në Kosovë është trashëgimi e popullit serb, është trashëgimi e Kishës Ortodokse Serbe, e gjithë Ortodoksisë, por sigurisht që nuk ka asnjë lidhje me ndonjë trashëgimi të shqiptarëve”, shprehet Rakjoviq.

Sipas historianit serb: “Kisha Katolike Romake është mendja e operacionit për të marrë trashëgiminë e identitetit serb të Kosovës. Myslimanët shqiptarë shërbejnë si një forcë topi, por është krijuar nga shqiptarë katolikë romakë në Kosovë. Ishte në interesin e të dyve që të marrin trashëgiminë kulturore serbe. Myslimanët nuk mund ta marrin atë, në mënyrë logjike. Ata nuk mund të përvetësojnë Manastirin e Deçanit, as Patriarkanën e Pejës, apo Graçanicën, ose ndonjë gjë tjetër. Sepse kjo do të ishte absurde!”

Kujtojmë që Buxhovi në këtë intervistë kishte potencuar që: “Kisha ortodokse serbe ka përvetësuar trashëgiminë ortodokse të krishtërimit në Kosovë e me këtë edhe trashëgiminë e krishterë shqiptare, ngaqë shumica e shqiptarëve në mesjetë i takonin kishës ortodokse;

-Me pakon e Ahtisarit i është dhënë përgjigje politike trashëgimisë së krishterë në Kosovë në dobi të serbëve, por në aspektin kulturor dhe historik, në dëm të shqiptarëve;

-Kishat e krishtera në Kosovë, si të gjitha objektet tjera fetare, duhet të trajtohen pasuri kulturore e shtetit të Kosovës. Të tilla duhet t’i trajtojë edhe UNESKO”, këto ishin disa nga theksimet për të cilat ka folur Buxhovi. / KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit në anglisht, zbraz depot e botuesit amerikan

Botuesi amerikan i ” Kosovës” në tri vëllime në anglisht, “Jalifat Publishing” nga Houstoni i Teksasit, njofton për një interesim të shtuar për librin në treguan amerikan dhe atë kanadez të librit të shkrimtarit Jusuf Buxhovi.

Krahas shitjes online në Amazon, libri po kërkohet edhe nga institutet dhe bibliotekat universitare, ngaqë është radhitur në kuadër të teksteve të rekomanduara të literaturës për historinë e Europës Juglindore.

Botuesi R. Tafilaj, thekson se kohëve të fundit, komuniteti shqiptar në SHBA, ka shtuar kërkesat jo vetëm për versionin në anglisht, por edhe për atë shqip, në shtatë vëllime. / KultPlus.com

‘Histografia shqiptare duhet të lirohet nga diktati i histografisë serbe’

Promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta” në Bibliotekën e Qytetit “Azem Shkreli” në Pejë, u prit me interesim të dukshëm, përcjellë KultPlus.

Autori, edhe me këtë rast, shfrytëzoi rastin të theksojë se libri i tij më i ri, që është elaborim nga përmbajtja e “Kosovës” në tetë vëllime, i kushtohet çështjeve fundamentale nga antikiteti dhe mesjeta, që paraqesin hallkën kryesore të identitetit historik ilir-arbëror-shqiptar, me të cilat duhet të preokupohet historiografia shqiptare me theks të veçantë te rivlerësimi i tyre, në mënyrë që të nxirret në pah e vërteta e mohuar qoftë nga konceptet ideologjike ose ato të limiteve nga historiografia serbe, e cila sot e gjithëditën vazhdon të shtrembërojë historinë shqiptare në përputhje me pretendimet e saj hegjemoniste nga Kriza Lindore e këndej, pasojat e së cilës tashmë po i ndjen edhe shteti i Kosovës, meqë me Pakon e Ahtisarit , është hequr dorë nga krishterimi ortodoks, si pasuri e saj kulturore dhe shpirtërore, gjë që Beogradit i janë dhuruar “tapitë historike”, të cilat ajo, kohëve të fundit, me anën e botimeve të veçanta, siç është ai për “Manastiret serbe në Kosovë e Metohi”, po i propagon nëpër botë, në gjuhë të ndryshme, si “pasuri shpirtërore serbe”!

Sipas autorit, këtu duhet parë edhe arsyet pse në një projekt alternativ të historisë së Ballkanit, ku në emër të “pajtimit të popujve” minimizohen ose anashkalohen fare gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve nga vitet 1878, 1912 si dhe ai i fundit, i vitit 1999, që u parandalua falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, pinë ujë gënjeshtrat serbe, ndërkohë që historianët e Kosovës shfaqen inferiorë dhe thuajse të strukur kundruall këtyre fakteve.

Por, sipas autorit, ky skandal dhe reagimet e drejta që u shfaqen në opinion dhe media, paraqet një rast të mirë që institucionet tona shkencore, që nga ASHAK, Instituti i Historisë, Katedra e Historisë pranë Universitetit “Hasan Prishtina” të formojnë një trupë shkencore, e cila do të ofrojë një pamje tjetër, jo atë malinitetin sllav, i cili ka gjetur përkrahje të heshtur nga bartësi i këtij projekti, të ofrojnë argumente dhe dokumente, të cilat janë më shumicë, të cilat do ta japin një pamje reale të politikave gjenocidale sllave. E pakta që mund të behët nga këto institucione është që të dalin me kërkesën për tërheqjen e këtij botimi nga qarkullimi sepse, lëre më që nuk ka ndonjë vlerë shkencore, por përkrah stereotipet sllave në veprimin politik dhe në shkencë.

Bartësit të projektit t’i bëhet me dije se këtë metodologji të punës kuazishkencore e kemi të njohur shumë dekada më parë përmes “bërthamave të përbashkëta” të njohura si mekanizëm diskriminues për shqiptarët. Po qe se nuk hasin në mirëkuptim atëherë të ndërpresin çdo bashkëpunim më këtë qendër, e cila mbase ka pasur qëllime të mira, por që duke u bërë skllave e stereotipeve historiografike sllave vetëm sa e ka rritë konfuzitetin.

Në fund të promvimit, autori i dhuroi një kontigjent librash biotekës, për “këndin e autorit”. / KultPlus.com

Buxhovi: Në Uashington nuk kishte marrëveshje, as historike e as formale, por një letër zotuese

Nga Jusuf Buxhovi

Në takimin e Uashingtonit të katër shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, të kryetarit amerikan Tramf me presidentin e Serbisë A. Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës A. Hoti, një letër zotimesh, e diktuar nga Uashingtoni, e nënshkruar veç e veç, u shpall “marrëveshje”. Madje u quajt edhe historike. Dhe, mbi këtë diskurs, u ndërtuan deklarata qeveritare , analiza dhe komente diplomatike dhe mediale, që u përhapen me të madhe nga të katër anët deri te nivelet më të larta qeveritare dhe akademike, mbi të cilat pastaj u ndërtuan rrëfime të ndryshme, ndër më kontradiktorët, që nuk i përshtaten realiteti as diplomatik e as politik.

Por, po qe se e gjitha i nënshtrohet një përqasje sado të lehtë nga këndvështrimi i një analize historike të mbështetur mbi dokumentet e këtij takimi, del se në Uashington kishte një ngjarje të rëndësishme politike e përcjellë me marketing të madh, por nuk kishte marrëveshje bilaterale, as trelaterale dhe kurrëfare. Nënshkrimet e presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ishin të natyrës së zotimeve qeveritare, gjë që, nuk u nënshtrohen ratifikimeve parlamentare, dhe si të tilla, mbesin formale.

Natyrisht se letra zotuese e nënshkruar nga Vuçiqi dhe Hoti përballë letrës së presidentit Amerikan, së paku formalisht, kanë një rëndësi të madhe për Kosovën, ngaqë e gjitha ndodhi në Shtëpinë e Bardhë dhe në praninë e presidentit amerikan, me ç’rast, ata (formalisht) u trajtuan të barabartë. Kjo përmirëson dukshëm imazhin e rrënuar të Kosovës kohëve të fundit në botë të shkaktuar nga sjellja e papërgjegjshme e asaj klase politike, e cila, siç u pa, për hesape që rrënonin edhe interesat amerikane dhe perëndimore në përgjithësi, ishte e gatshme që të hynte edhe në marrëveshje që mund ta rrënonin subjektivitetin e saj shtetëror .

Po ashtu, edhe zotimet e marra në këtë letër,sado formale, (ndonëse disa prej tyre tejkalojnë fare raportet midis dy vendeve), kanë një peshë të veçantë, ngaqë vinë nga një qendër e fuqishme, ku sot përcaktohet gjeostrategjia dhe gjeopolitika botërore me çka të dy vendet (Serbia dhe Kosova) shfaqen të rëndësishme njësoj, e ku përfshirja e tyre në integrimet veri-atlantike luan një rol të veçantë.

Pa hy te aspektet tjera që sjell ky takim si dhe sinjalet që prej andej ka marrë Serbia dhe Kosova, po edhe BE dhe Rusia, megjithatë, është mirë që opinionit t’i shpjegohet e vërteta e këtij takimi, në mënyrë që gjuha e marketingut të caktuar politik, që po shfrytëzohet me të madhe në të gjitha nivelet, të zëvendësohet me atë të fakticitetit, që assesi nuk mund të fshihet. Kjo vlen, veçmas për mediumet dhe faktorët tjetër të pranishëm në atë spektakët, që angazhimi i Uashingtonit të vlerësohet drejt, ndërsa zotimet e marra atje, të trajtohen në përputhje me realitetet që nuk mund të fshihen. / KultPlus.com