Ogurët e liga në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Ato që na i tha Shefqet Aga rreth barrës që na binte “me i ba zap të çmendunit për me i shpëtue nga spitali i Shkukzës” prej nga nuk kishte kthim, kishin filluar të jetësoheshin. Mora vesh se gjatë natës, bashibozukët e shumtë kishin hyrë në disa mëhallë dhe kishin bastisur familjet e njohura, me ç’rast nga çdo shtëpi kishin marrë të parët e tyre.

“Po i mbledhim të çmendurit… Ketë e keni peshqesh nga grithja”, çirreshin.
Edhe ma të rënda më erdhën ato që m’i tha Lami rreth dyshimeve se oficeri Harun Xhaferi mund të ishte dërguar nga Zyrat e Errëta si hetues i posaçëm për t’u marrë vesh e verteta rreth atyre që tashmë lidheshin me frenimin e murtajës me anën e grrithjeve.

“Mendja ma thotë se Haruni po ua matë kokat Kajmekamit dhe Shefki Agës, cila prej tyre të përfundojë në Kamarën e Turpit… Kjo mund të jetë me rreziqe të tjera për ne…”

Atë mendim kishte edhe Sheh Alia, i cili njihej për tëhollimin e gjanave. Tha se Haruni i sertë është këtu për me e tjerrë përgjegjësinë e tyre për dështimin, sidomos kur kjo lidhet me grithjen.

“Ndaj, Kajmekami në njërën anë dhe mjeku Shefki Aga në tjetrën anë, mund të dalin me hesape të tjera për t’i dhënë punës kapak… Të tillët, për me ruejt pushtetin dhe për me shpëtue kokën, me murtajë apo pa murtajë, janë në gjendje me kallë edhe dynjanë..”

Shtoi se nga ato që kishte marrë vesh tërthorazi nga disa myhibë që i shërbenin Kajmekamit, ai po mundohej që me anën e hafijeve për me nxitë ndonjë kryeneçësi në mënyrë që, në rrethanat e Fermanit për shtetërrethimin të shfrytëzohej asqeri për qërim hesapesh me të madh e të vogël. Ndërsa Shefki Aga ka zgjedhur marifetin e çmendjes për të mbushur spitalin e Shkuzës. Me një të rame, këkon dy të vrame…
“Harun Xhaferi i sertë nuk ashtë kot këtu…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com

“Ditari i karantinës” plotëson romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”

“Ditari i karantinës”, si shtojcë, do të bëhet pjesë e romanit “Shënimet Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi, botuar në vitin 1982 me shumë botime dhe i përkthyer në disa gjuhë botërore, përcjellë KultPlus.

 Ç’është e vërteta, kjo nuk është “ndërhyrja” e parë që i është bërë veprës. Buxhovi ka bërë disa ndryshime gjuhësore dhe stilistike në botimin e vitit 1990. Ndërsa në vitin 2016 bëri disa plotësime në vetë konceptin e veprës, me ç’rast, mbijetimi në rrethanat e murtajës dhe përpjekjet për ta luftuar atë me anën e grrithjes, ndërlidhen me aspektet e “metastazimeve” të përvojave jetësore dhe filozofike nga dijet e vjetra, të cilat rikthehen në rrethana të situatave me qenë ose mos me qenë, siç ishte murtaja, involvimi imagjinar i së cilës kthehet në një metaforë të së keqes.

Botimi më i ri, që doli nga fundi i vitit të kaluar nga botuesi “Pena”, shfaqet me idiomat e shumta të gegnishtes, si pjesë e pasurisë së gjuhës shqipe, me të cilat karakterizohet e folmja e Gjakovës, Rekës së Keqe dhe e Malësisë së Gjakovës. Me rikthimin e paskajores, pjesores dhe i disa nazaleve është synuar që personazhet, me anën e të folmes autentike, të pasqyrojnë karakteret tipike të kohës dhe të rrethanave dhe veçmas psikologjinë e një bote autentike, ku naracioni ekzistencial nuk shfaqet vetëm si formë e thjeshtë e mbijetimit, por si refleks i një kozmogomie universale.

“Ditari i karantinës”, pjesë të së cilës prej disa ditëve po qarkullojnë në media, do të shfaqen si shtojcë-variant, ku ruhen në tërësi personazhet, ngjarjet e murtajës në versionin e parë të vitit 1982, por që “korniza autentike”, ajo e ngjarjeve të vitit 1747, përfshin reflektimet e kohës sonë me dramat dhe tragjeditë, që po e përcjellin atë në format më autentike si formë e “përsëritjes së të njejtës”, që Shopenhaueri e sheh si “mallkim të njerëzimit”.

Ndonëse autori e din se historia nuk përsëritët, megjithatë, me këtë rast, me anën e narracionit imagjinativ, synon ta tregojë se kjo është e mundshme madje, ngaqë te qenia njerëzore, lufta midis së mirës dhe së keqes, është pjesë e natyrës së tij, që nuk e ka zgjidhur as mitologjia, as filozofia, as religjioni, e aq më pak politika, e cila kërkon ta kthejë në kredo të sjelljes së saj fund e krye mashtrimtare… / KultPlus.com

Çmendjet, në kohë murtaje…

Nga Jusuf Buxhovi

Vala e tretë solli pak të prekur nga murtaja. Këtë nuk mund ta fshihnin as ulërimat err e terr të tellallëve nëpër Çarshi të Madhe, e as çirrjet kërcënuese të fedainjëve për “vdekjen hak”, që nuk pushonin.
Por, shpresa që po e mundnim sëmundjen, zu të na venitet me shfaqjen e të çmendurve në shumë pjesë. Sapo hidheshin rrugëve, kapeshin nga zabitët dhe me të shpejtë dërgoheshin në spitalin e Shkuzës, prej nga askush nuk kthehej.
Mjeku Izet Aga, na tha se ndonëse puna e të çmendurve nuk rregullohej me Ferman, megjithatë në rrethanat e shtetrrethimit dhe të karantenimit të shehrit, ata duhej të përfundonin në Spitalin e Shkuzës. Shtoi se mund të shpëtoheshin, po qe se ne merrnin përsipër të mos dilnin rrugëve dhe t’i bënim zap për mos me ra ndesh me Fermanin.
“Fati i të çmendurve është në duar tuaja”.
Sheh Alia mend plasi nga ato që i dëgjoi nga Izet Aga. Tha se Paria e Shehrit nuk merret me punët që i takojnë hyqymetit. Por, shtoi se do të bëhet çmos që spitali i Shkukzës të ketë sa ma pak punë…
Fjalët e Sheh Alisë e hidhëruan gjeneralin Ibrahim Pasha, që si me qesendi na u drejtua me fjalët ” se, si po shihej, spitali i Shkukzës do të ketë shumë e shumë punë…”
Me kërcënimin e hapur se spitali i Shkukzës na priste të gjithëve, sapo u ktheva në kishë, në atë gjendje të turbullt, sikur të kërkoja njëfarë ndihme nga librat, dora ma kapi “Librin e Perandorive”. Aty bëhej fjalë edhe për shfaqjen e çmendjes si dhe të sëmundjeve të tjera të rënda shpirtërore në krahinat kryeneçe (të Dalmatëve, Liburnëve dhe të tjerëve), që nuk kishin pranuar nënshtrimet. Pas fushatave të dështura ushtarake, dikujt i kishte shkuar ndër mend se arma më e përshtatshme ndaj tyre ishte mbyllja e gjatë (karantenimi).
“Popujt e lirë, në rrethana të mbylljeve të tilla, çmendën, ose vetëvriten.”
Nga tronditja, për pak, hodha librin mënjanë dhe po ofshëtija. Mbase edhe do të ulërija me sa zë kisha, që të lirohesha nga ai makth. Por ishte Padër Colit, që më shkëputi nga ajo gjendje. Hyri pa kërkuar leje dhe gjithë trishtim dhe më tha se te Ura e Taliqit ishte vetëvrarë Cen Kurti.
Njeriu i shkretë kishte behanen e të qeshurit, që nuk i hiqej për një kohë të gjatë. Këtë e dinin të gjithë dhe përpiqeshin t’i ndihmonin gjatë sulmeve të gazit.
“Njerëzit e Izet Agës e kanë marrë për të çmendur dhe kanë deshtë ta dërgojnë në spitalin e Shkukzës”!

( Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com

Simetria e “fajit” dhe linçimi…

Nga Jusuf Buxhovi

Skicë ironike

SIMETRIA E “FAJIT” DHE LINÇIMI…

Në realitetin e “Fermës së kafshëve”, ku blegërima paraqet “shprehjen e lirë”, ndalohet çfarëdo blegërime jashtë tufës. Monotonia sanksionon edhe shkeljet mbi kriteret “e çakordimit” dhe të “dakordimit” të tonaliteteve. Kështu, “çakordimet”, me arsyetimin se prishet harmonia, konsiderohen shkelje të rënda dhe sanksionohen me linçim publik. Ndërsa “dakordimet” trajtohen pjesë e “tonaliteteve” për brenda konceptit të monotonisë. Që i bie se ato mund të jenë edhe të dirigjuara nga Dirigjenti dhe shfaqen sipas nevojës.
Nuk ka këtu asgjë të jashtëzakonshme nëse kihet parasysh se simetria “e fajit” e ka burimin te fryma e Kushtetutës së “Fermës së kafshëve” dhe interpretimi i saj nga Sovrani (Kryederri), sipas të cilës “të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat!”… / KultPlus.com

Llugë në kohë murtaje

           

Nga Jusuf Buxhovi

Kajmekami, i futur midis Ibrahim Pashës dhe Izet Agës, dukej i zymtë. Na vidhte me shikim dhe prapë i kthehej letrave që mbante në dorë sikur aty ta kapte fillin e atyre që duhej të na i thoshte gjatë atij takimi që na kishte thirrur me ngut. Dikur ia la letrar para Ibrahim Pashës dhe tha se tash e tutje do të kishim punë me të.
“Fermani po shkilet”, foli gjenerali kërcënueshëm.
Mbas një pushimi të shkurtër, gjithnjë me shikimin kah unë dhe Sheh Alia, shtoi se nga Reka e Hasi në sheher futën tebdil festaqinjë të shumtë. Nëpër kisha e teqe flasin sikur fermani është me sherr dhe se duhet me e kundërshtue me heqjen e mbylljes. Thonë se Gjakova dhe Malësia janë ndarë për t’u shkatërruar tinëzisht dhe çmos…
“Ne po luftojmë me vdekjen, ndërsa këta shpifin sikur ne nuk bëjmë tjetër pos hapim varre të fshehura… Dikush këtu po lyp sherr. Hyqymeti nuk do të rrijë duarkryq!”
Lam Mula po ziente. Mbase do të shpërthente, por ishte Sheh Alia i Teqes së Madhe, që si përherë, Ibrahim Pashës i tha se shtëpitë e zotit ishin të hapura për të gjithë. Ndërsa shqetësimi për të keqen që po na kërcënon nuk është kurrfarë armiqësie…
“Shpifjet e tilla kanë për qëllim revoltën deri në shpërthim dhe kryeneçësinë kundër fermanit… Ne nuk hamë barë!…”
Në fund Ibrahim Pasha, gjithnjë me atë shikimin kërcënues tha se dikush po kërkon llugë, por ajo ia ha kokën…
“Ne e dimë se kush hedh gurin dhe fsheh dorën…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com

‘Tirania e gishtave’ në ‘Fermën e kafshëve’

Nga Jusuf Buxhovi

Vota mund të jetë edhe “tirani e gishtave” thotë Karl Poper, mjet që përherë, në situata të krizave, është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet nga populistët për pushtet. Ky fenomen, ma mirë se kudo, kuptohet nga “Ferma e kafshëve” e Orvellit dhe gatishëmria e grixhës që duke i shkuar pas Oskarit, “zgjidhjen” e kthen në “problem”! / KultPlus.com

Daulle në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Vala e tretë kishte sjellë edhe më pak të prekur nga sëmundja. Ishte më se e qartë se grithja po e bënte të veten, edhe pse nuk na shkonte mendja se tashmë ia kishim dalë… Përkundrazi, Lami, Shehë Alia, Rremë Kusari dhe të tjerët nga Paria e Shehrit druanin se ma të keqes nuk i kishim ikur, ngaqë Kajmekami dhe Izet Aga vazhdimisht flisnin për “vullnetin e Allahut”, ndërsa ne e dinim se pas atyre fjalëve fshehej hesapi i disave nga hyqymeti, të cilët, nuk do të hiqnin dorë prej saj, pa marrë parasysh se me çfarë mjete do ta arrinin, ngaqë u kushtonte me kokë…
“Mendja e ligë çka s’pjell… E keqpërdor edhe të Madhin dhe vullnetin e tij… Medet…”, fliste Lami me dëshpërim.
Sheh Alia thoshte se duhet vazhdue me grithjën edhe në pjesët tjera në drejtim të Malësisë, Pejës dhe Prizrenit…
“Nuk humbim gja me të… Ma mirë me veprue se me u dorëzue… Ketë e kemi për detyrë…”
Kur u ndamë te Ura e Namazxhasë dhe mora drejtimin për në kishë, mbeta i ngujem te pjesa e Kullës së Begut. Zabitët kishin mbyllë rrugën kah Çarshia e Madhe. Moria e njerëzve po përcillte parakalimin e qerreve me mushama të mbushura me të sëmurët, apo të vdekurit, që në rrugë për në spitalin e Shkukzës, ku përfundonin në gropat e gëlqeres, ishin ndalur para Xhamisë së Hadumit të rrethuara nga daullxhinjë të shumtë.
Tamtamet e daulleve, përcilleshin me ulërimën e trishtueshëm dhe kërcimin shfrenues të shumë fedainjve të paparë deri më atëherë në shehër.
I trishtuar nga pamja e atij ziqri të hapur, drodha rrugën kah Ura e Taliqit për në Kishë. Tamtamet e daulleve nuk kishin të ndalë bashkë me ulërimën e fedainjve me çirrmat :
“Vdekjen e kemi hak!…Vdekja…”
Tamtamet dhe ulërimat e fedainjve për vdekjen para xhamisë së Hadumit zgjatën deri mbas iqindisë. Vazhduan edhe në pjesën tjetër për te ura e Tabakut, deri atëherë kur qerret me mushama humbën në drejtim të Shkuzës.
“Tmerr, atë, tmerr. Kremtohet vdekja!”, tha padër Coli me buzë në vaj.
“Po i frikësohen fitores së jetës”, ia ktheva edhe pse nuk isha i sigurtë se kush po i thoshte këto fjalë: njeri i uratës, apo luftëtari, që tashmë ishin ngatërruar në mua?…

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com

Karantinë në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Vala e dytë e murtajës kishte prekur për gjysmë më pak njerëz nga ajo e para. Duket se grithja po e bënte të veten. Por, ne, nuk dëshironim të mendonim se po shkonim kah fitorja, ngaqë e dinim se kjo jo vetëm që nuk do të pranohej nga ata që e kishin sjellë dhe kishin hesapet me murtajën, por do të përcillej me masa të tjera nga futja e vëllavrasjes e deri te gjetja e ndonjë shkasi që gjendja e jashtëzakonshme të kthehej në gjendje lufte, me çka, përfundimisht, atë që nuk do ta arrinte mikrobi, ta bënin armët, paçka se gjitha, do t’i ndajmbathej murtajës…
“Atyre u duhen numrat”, i thashë Lamit. “A nuk e sheh mjekun Izet Aga , gjoja me brengosje, se si nxjerr numra të të prekurve nga sëmundja ose edhe të vdekur, që ne nuk i dimë fare, për t’u paraprirë masave të tjera. A nuk u fut në këtë mënyrë në karantinë edhe shehri? Mjeku izet Aga arsyetohet se kështu ndërpritet përhapja e murtajës, edhe pse dihet se shkëputja e shehrit nga nahija, do të thotë më keq se murtaja – dënim me vdekje, jo vetëm nga uria, por ngaqë ai, pa Malësinë dhe Rekën bëhet pre e çfarëdo komploti shkatërrues?”
“Njëmend, ma ktheu Lami gjithë brengosje, kur shehri shkëputet nga Reka e Malësia, ai vritet…Por, kjo nuk duhet pranue… Do të gjejmë rrugë që qarku ynë jetësor të mbahet. Përndryshe, po ra Gjakova, vdes edhe Reka… Vdes edhe Malësia… Vritemi shpirtnisht… Këtë do Ibrahim Pasha…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982. / KultPlus.com

Maqedonia, nga antika deri te koha jonë

Nga Jusuf Buxhovi

Kishim dikur Aleksandrin e Madh, pastaj Pirro Molosin, Konstadinin e Madh, Justinianin e deri te Gjergj Kastrioti-Skenderbeun!

Kishim dikur Shkupin si qender ushtarake po edhe politike te kryengritjes shqiptare te vitit 1912.

Mos ta harrojme edhe alfabetin e gjuhes shqipe ne Manastir 1908.

Por konferenca e Londres 1913, ndodhi njohja e Shqiperise se pergjysmuar, Maqedonia mbet nen pushtimin serb.

Memorandumi i Vasa Cubrilloviqit dhe kisha ortodokse Shkupin e kthyen ne qender te islamizmit, ndersa Manastirin ne qender te identitetit ortodoks.

Nisen shpernguljet e dhunshme te shqiptareve per ne Turqi dhe kolonizimin e trojeve shqiptare me popullate serbe dhe malaziase.

Nisen mohimin e gjuhes shqipe, mohimin e identitetit kombetar si dhe zevendesimi i tij me fetar ”mysliman” te shoqeruar me kombesine ”turke”.

Beogradi hapi shkollat fetare islamike ne gjitha qytetet, hapi medresen e madhe ne Shkup si dhe themeloi Shoqaten e Myslimaneve te Serbise ”Xhemjeti”.

Ketij asimilimi te plote iu nenshtruan edhe shqiptaret ortodokse, te cilet u shpallen ”serbe”. Te njejtit ne kohen e Titos, u shpallen maqedonas.

Shpalljes se shtetit maqedon ne vitin 1991 mbi parimin shtet-komb i vetem maqedoneve, shqiptaret iu pergjigjen nepermes nje referendumi ne vitin 1992 me shpalljen e republikes autonome te Ilirides.

Por sapo Kosova te futet nen protektoratin nderkombetar ne qershor 1999, shqiptaret e diskriminuar nga ”demokracia parlamentare maqedone”, filluan nje kryengritje e cila filloi nga Tanusha e deri te hyrja e ”Ushtrise Kombetare Clirimtare” ne Shkup.

Shqiptaret fituan disa te drejta por perfundoi pa ndonje sukses te madh politik.
Andaj, si e tille, kjo lufte mbetet e paperfunduar. / KultPlus.com

Lufta për pushtet në kohën e murtajës

Nga Jusuf Buxhovi

Lam Mula , ishte gjithë pezm e vnerë. Tha se në kohën kur po kryejnë gërrithjën, në disa mëhallë, kanë filluar fesate gjoja për me u mbrojtë nga sëmundja, por që kanë për qëllim vendosjen e mbikëqyrjes mbi to dhe krijimin e hallakamës së përgjithshme ku qeni nuk njeh të zotin…
“O zot, ofshana, pushtet mëhallësh në kohë murtaje!.. Kjo mund të jetë më e rrezikshme se mikrobi i muratjes!…”
Në ato fjalë, erdhi Sheh Alia. Dukej i qetë edhe kur tregoi se i dinte ato që po ndodhnin. Por, tha se kishte folë me Sheh Himën e teqesë së rufainjve dhe Sheh Danin e teqesë së vahabive, që t’i pengojnë çallmat e myhibëve të tyre nëpër mëhallë.
“U thashë se nuk është koha për karshilleqe mesveti, sepse këtë e do ai që po na kërcënon me murtajë, por është kohë për luftimin e saj ashtu si po veprojmë bashkërisht. Sheh Dani sikur pranoi se ditëve të fundit kishte hetuar disa të panjohur në teqenë e tij që flisnin për njëfarë kryeneçësie, por nuk i kishte shkuar mendja se kjo mund të ishte një kurth për fesate, që mundtë çojë redhete gjakderdhjet..”
Në fund, Sheh Alia, tha se ishte koha që i madh e i vogël t’i bëjmë ballë përçarjes, dhe se për këtë, nuk do të kursehet asgjë…

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi: Ndjenjat e hiçit në kohë Murtaje

Shkruan: Jusuf Buxhovi

NDJENJA E HIÇIT NË KOHË MURTAJE…

Pa Lamin dhe bisedat e përditshme me të, ndjehesha i vetmuar dhe i humbur madje… Këtë ia thash, si me shaka, kur u kthye nga Hasi dhe më tregoi se atje grithja po kryhej mirë, edhe pse kishte familje që i rrinin larg ngaqë kryhej jashtë mbikëqyrjes së hyqymetit…
Por, nga ato që m’i tha Lami gjatë qëndrimit andej e më banë përshtypje, ishte ndjenja e njëfarë, si e quajti, “barabarësie” midis njerëzish, ku i pasuri dhe i varfëri, i shëndoshi dhe i sëmuri, trimi dhe frikacaku, ndjeheshin njësoj të pafuqishëm ndaj murtajës…
“Murtaja sikur ka hequr kufirin midis pasjes dhe mospasjes, ndërsa mbijetimi, sikur ka shlyer të djeshmen dhe të nesërmen…”
Këto që i tha, Lami i lidhi me shfaqjen e ndjenjës së hiçit, me çka u pajtova dhe shtova se në kohë të tilla, qoftë edhe si frikë, ajo ishte shënja e parë e kthimit të njerëzve nga njerëzorja, nga ajo që nuk e kishin parë ose nuk kishin dashtë me e pa. Por, thash, se ndjenja e hiçit nuk vjen nga ajo se bota është pjesë e hiçit dhe për hiçin, që duhet të përfundojë me hiçin, pra si asgjë, por nga të kuptuarit e saj se jeta është themel i krijimit, që qëndron mbi sistemin e vlerave morale dhe humane, që duhet shfrytëzuar për ta jetuar në përputhje me logjikën e krijimit, për të mirën dhe me të mirë dhe jo për ta përvetësuar, ose për me e kthye në plaçkë nga forca dhe ndjenja e të qenit i gjithëfuqishëm. i pavdekshëm ose mbinjeri…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)

Në kohë murtaje edhe ujku edhe dhia bëhen bashkë

Nga Jusuf Buxhovi

Sheh Alia i Teqes së Madhe ishte fjalëpakë. Si prijës i Parisë së shehrit, edhe sjelljes së Kajmekamit për të na treguar se ishim të nënshtruar, ia humbte fuqinë… Kjo u pa më së miri kur pas atyre që i tha Shefki Aga rreth shpalljes se shtetrrethimit dhe fuqisë së fermanit, kërkoi që Paria e shehrit të dinte për të gjitha, veçmas për qerret me mushama që shkonin natën në drejtim të Urës së Tabakut për në Shkugëz si dhe për punën e minjve që përhapeshin natën rrugicave nga disa të panjohur…
Kajmekami u mundua që të sillej me mospërfillje ndaj Sheh Alisë, ndonëse qehrja po ia pasqyronte një mllef të brendshëm, që mezi e përthekonte. Tha se hyqymeti i dinte punët e veta, ndërsa mileti duhej vetëm të bindej…
Kur Sheh Alia ishte gati të largohej pa ize bashkë me ne, ndërhyri Shefki Aga. Tha se mund të ishte koha e ligë dhe e keqja e madhe që po na kërcënohej, që sillte edhe shqetësime dhe keqkuptime, por, shtoi se fermani ishte ferman dhe se atij të gjithë i nënshtrohen…
“Ne do ta luftojmë të keqen… Nuk ka ferman që e ndalon këtë…”
Kur dolëm jashtë dhe dita me diell të shëndritshëm të marsit sikur për pak na hoqi sikletin e fermanit, te skaji i urës, Lam Mula, hapi punën e sjelljes së plakave të malësisë që do të merreshin me grrithjen, që ishte punë me rrezik pas shpalljes së fermanin, por duhej bërë medoemos.
“I ke myhibët e mi të gatshëm edhe me dekë” , tha Sheh Alia. “ Mos kurse njeri… Në kohë murtaje edhe ujku e dhia bahen bashkë…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982). / KultPlus.com

“Tradhtarët” në kohën e Murtajës

 

Nga Jusuf Buxhovi

Rremë Kusari rrinte dyfish i mbështetur për trapazanin e kullës. Dukej i thyer fare dhe tjetër nga ai burri i ngjeshur me pamjen e një fisniku, që e njihte i gjithë shehri.
“Kam mendue se jemi ma ndryshe”, foli si me zor.
Desha t’i thosha se jemi po ata që ishim, dhe se, sëmundja kishte nxjerrë në pah ato që nuk shiheshin. Sikur ta kishte blerë mendimin tim, tha se nuk kishte parasysh ndonjë trimëri, meqë në kohë të tilla ato janë të padobishme, por fjalën e kishte për punët e liga të disave që në vend se të ndihmojnë, merren me thashetheme dhe shpifje ndër më të ulëtat, që i shkojnë për lale së keqes…
“Këto i kanë kohë e liga, vëlla…”
Një copë herë heshti. Dukej edhe më i ngrysur. I thash se murtaja nuk do të ishte murtajë pa ata që janë pjesë e saj, që shesin fytyrën për një cikërr…
Këto sikur e qëlluan edhe më shumë.
“I kuptoj hyzmeqarët që punojnë për kafshatë të gojës, por nuk i kuptoj ata që neve që po përpiqemi ditë e natë për me i ba ballë kësaj virane, po na quajnë tradhtarë…”
E dija se ku e kishte hallin. Kishte ditë që në shehër ishte shfaqur njëfarë Qosaleshi, që sillej si fakir dhe nëpër çarshi hapte fjalë se ata që vepronin kryenveti kundër murtajës, ishin tradhtarë, hafije dhe çmos. Ai, fliste gjithë tallandi, se me veprime të tilla po e përhapnim sëmundjen, se ishim vrasës e çmos, meqë po të kishte ilaç, atëherë këtë do ta bënte padishahu dhe jo druvarët, siç e kishte quajtur Rremë Kusarin…

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”,1982) / KultPlus.com

Me vjersha dhe krijmtari kundër Murtajës

Shkruan: Jusuf Buxhovi

ME VJERSHA DHE KRIJIMTARI KUNDËR MURTAJËS…

Padër Coli nuk dukej i shqetësuar deri në trishtim si herëve tjera kur i merrej goja edhe gjatë meshës, ndonëse shikimin e kishte të akullt …
NJë copë herë e shikova pa ia dalë që t’ia kuptoja gjendjen… Mendja më shkoi se mos kishte shkalluar para së keqes si shumë të tjerë që i nënshtroheshin panikut që përhapej me të madhe nga të katër anë me anën e telaxhinjve dhe thashethemeve të tjera.
Nga ai hamendësim më nxori me një letër që ma la para si më druajtje.
“Nuk e kam shkyer, Atë, edhe pse nuk jam i kënaqur me të…”
Ishte një vjershë për stinët e natyrës, të para nga këndvështrimi i Biblës, me të vetmin ndryshim se fillohej me dimrin, vazhdohej me pranverën dhe verën dhe përfundohej me vjeshtën. Secila stinë kishte përpara parafjalën “Dukagjini”, pra ndërlidheshin me botën tonë…
“Punë e mirë… Ke shpirt poeti…”
Hetova se po i hapej çehrja. Dukej tjetër. Gjithë jetë…
“Në këtë kohë murtaje përditë do të shkruaj nga një vjershë…”
“Kështu duhet… Murtaja mundet nga vjershat, nga krijimtaria, nga përballja me të me veprim dhe kundërvënie, pra nga mosnështrimi dhe vullneti për jetë…”
I fola edhe për vargjet që Selamiu i thoshte nëpër qytet, të shumtën të kthyera në këngë…
“Selamiu në njërën anë dhe ti në tjetrën anë, e luftoni murtajën me shpirt… Kështu bëhemi të pavdekshëm…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”,1982)

Shpirti nuk vritet

Nga Jusuf Buxhovi

“Në të dalë te Çarshisë së Madhe, te vija e ujit që shkonte në drejtim të lumit, veshi ma kapi zërin e Selamiut, që e njihja nga vargjet e ëmbla që i lidhte me këngë… E gjeta të shkallmuar skaj një kaçube.

“Kush të solli në këtë gjendje, vëlla”, i thashë edhe pse e dija se e kishte nga ata që i merrnin për të rrezikshme vargjet dhe këngët e tij nëpër Çarshi në atë kohë të murtajës, kur i madh e i vogël duhej t’i nënshtroheshin atmosferës së saj dhe të mendonin për vdekjen që thuhej se e kishim hak…”

“Pse më pyet, vëlla, kur e din…”
E mora ngryk dhe po e shtrëngoja si fëmijën jetim… Mbas pak më tha se kishte një vjershë për detin, edhe pse nuk e kishte parë kurrë.
“Poetët shohin me shpirt”, i thashë.

“Ç’e do që po na vrasin edhe shpirtin, vëlla…Kërkojnë të vajtojmë, të lutemi për mëshirë e çmos që njeriun e kthen në gjësend të pavlerë, në numër…”

“Shpirti nuk vritet…”
“Fjalë koti,vëlla, në kohë murtaje njerëzit bëhen të paqenë… Kjo po kërkohet sot…”!

Desha t’i thosha se vargjet e tij dëshmonin se qyteti ynë, edhe në këtë kohë vdekjeje, nxirrte impulse jete dhe shprese, por ai, ashtu mundimshëm, u largua në drejtim të lumit.

Mbas la vargjet e këngës rreth detit, ujit të njelmët dhe tallazeve, që po mbyteshin nga thirrjet e telallxhinijve që, sikur me mburrje, përhapnin lajmin për shpërthimin e sëmundjes në disa pjesë të qytetit.

(Shkëputje nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com

Në Bibliotekën e Eliot Engel edhe librat e Jusuf Buxhovit (FOTO)

Eliot Engel është Përfaqësues i SHBA-ve dhe anëtar i Partisë Demoktratike, shkruan KultPlus.

Në një fotografi që ka zbardhur së fundmi, ai shihet në Bibliotekën e tij të pasur me shumë tituj.

Vecantia e kësaj fotografie është “Kosova” e shkrimtarit dhe publicistit Jusuf Buxhovi, i cila ndodhet në Bibliotekën e amerikanit.

“Kosova” është vepër historike në tri vëllime e Buxhovit, ku shfaqet tërë historia e popullit shqiptar kronologjikisht. /KultPlus.com

Paniku është sëmundje…

Nga Jusuf Buxhovi

 “Në të hyrë të Çarshisë së Madhe, tellallët çirreshin me sa zë kishin për shpalljen e fermanit të shtetrrethimit.
-Ka rënë murtaja!… Murtaja!…
Lami po mbahej në krahun tim. Më bëhej se do të shembeshin para atyre që po ashtu lajmi për murtajën i kishte zënë gafil…
-Çudi, vëlla, shpallet sëmundja pa pas të sëmurë! Çudi!
Desha t’i thosha se ajo, me anën e mikrobeve të padukshme të prodhuara diku në podrumet e errëta të shërbimeve perandorake tashmë na ishte futur dhe pritej të shpërthente siç ishte paraparë. Desha madje t’ia përmendja edhe punën e atyre karrocave me mushama, që silleshin natën të përcjella me roja mes për mes shehrit për të cilat padër Coli fliste gjithë shqetësim kur i shihte të kalonin Urën e Terëzive për në Shkukëz si dhe lëvizjet e shumta të asqerit në drejtim të Qafës së Prushit dhe Tropojës, në mënyrë që t’ia bëja me dije se edhe shpallja e fermanit ishte pjesë e asaj që po na kurdisej, por heshta. Megjithatë, për ta ngushëlluar disi, i thashë se sëmundje do të ketë përherë, sepse ato janë pjesë e jetës, dhe se ato, përballohen me vullnetin për jetën, që e kemi nga Perëndia për jetën… Por, Lami, assesi ta merrte veten. Kjo është murtajë, po thoshte. Shuan jetën… Jeta nuk shuhet, ia ktheva. Sëmundjet shkojnë e vinë, po jeta vazhdon…
Kur u ndamë te Mahalla e Isufit, unë në drejtim të Rrypës e ai për te Kisha, ndonëse kisha lënë thekamën e tellallëve për murtajën dhe shtetrrethimin, se si më shkoi mendja te libri i Kaviusit për mikrobin si mjet lufte, që ishin përdorur përherë, me të cilin ishin fituar arritur ato që nuk kishin bërë edhe armët më të rrezikshme. Po kthehet koha e mikrobeve… Po kthehet koha shfarosjeve kolektive… O zot, çfarë nuk prodhon mendja e njeriut kundër njeriut, thashë dhe mendja më shkoi te ato që m’i kishte thënë Mic Shpendi se si kishte përballuar murtajën e fundit me anën e grithjeve të disa plakave…
Megjithatë, thashë, duhet me e gjetë Mic Shpendin dhe me luftue për jetën!… Frika është murtajë…Këtë nduk duhet pranuar…

(Fragment nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com

Coronavirusi nuk është murtajë!

Nga Jusuf Buxhovi

Si ndjehet autori në “luftë” me personazhet (kur ata e ndjekin), këtë më së miri na e tregon shkrimtari L. Pirandeli në romanin e tij.
Por, si ndjehet autori i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botuar në vitin 1982, kur situatat tragjike përsëriten jashtë përshkrimeve metaforike, siç është e tanishmja e kërcënimit nga coronaviruesi?
Kjo, përafërsisht, mund të shpjegohet me atë se krijimtaria, ndonëse është imagjinatë, ndonëse përdorë figurat stilistike ndër më të ndryshmet, ndonëse përpiqet që realitetin ta kthejë në fantazi, megjithatë nuk mund të përjashtojë situatat jetësore mbi të cilat ndërtohet rrëfimi i caktuar i dramave të brendshme, të atyre që janë të përsëritshme dhe si të tilla i takojnë përvojës së gjithmbarshme njerëzore në kohë dhe në hapësirë, të cilat përjetohen në mënyra të ndryshme në përputhje me rrethanat që i përcjellin ato.
Megjithatë, në këtë shtjellë, ka diçka që është e përbashkët, që dallimet e përjetimit, i kthen te instinktet më të thella dhe më të errëta të qenies, siç është frika, prej nga pastaj paniku ia zë vendin të tjerave deri aty saqë të krijohet përshtypja e defetizmit deri te pafuqia dhe hiqësia madje.
Natyrisht se situatat vis mayer, pra katastrofat e natyrës (veçmas tërmetet) si dhe epidemitë janë përjetuar si gjendje të pafuqisë, që jo rrallë u janë atribuuar “ndëshkimeve” nga “lart” nga shkaku i “mëkateve” dhe të tjerave, ndërkohë që është harruar se edhe sëmundjet qofshin ato edhe të përmasave shfarosëses (murtaja, kolera dhe të ngjashme), janë pjesë e ritmit të përgjithshëm jetësor, që situatat ose gjendjet e caktuara, i vejnë në veprim madje në përputhje edhe me interesat e caktuara (edhe morbide) edhe i përballojnë.
Te kjo e fundit, pra te përballimi, ndodhet edhe çelësi i çështjes, që ka të bëjë me sjelljen e njeriut, po edhe të shoqërisë në përputhje me atë se jeta është e pamposhtur përkundër kërcënimeve çfarëdo qofshin ato, dhe se për këtë, me vullnetin për veprim dhe fuqi, duhet përqendrim dhe organizim, që për parakusht ka shkarkimin nga çdo frikë e brendshme dhe e jashtme, sidomos e panikut kolektiv dhe të pranimit të gjendjeve të dorëzimit, qofshin atë të mbylljeve (karantinave).
Në këtë aspekt, autori i “Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit” përkujton se përballimi i murtajës së fundit, në vitin 1747 në pjesën e Gjakovës dhe të Malësisë, lidhet me një fakt historik, pra atë të vetëimunizimit me anën e mikrobit (grithjes), si pjesë e përvojës jetësore e konfirmuar edhe nga mjekësia, gjë që nuk është e rastit që edhe në Kinë, conoravirusi ka filluar të luftohet me futjen e antitrupave në formë të vaksinës, të fituara nga të mbijetuari e gripit.
Pra, përvoja kineze, që me siguri se edhe magnatët e fuqishëm të farmaceutikës botërore së shpejti do ta kthejnë në vaksinë, është pjesë e kësaj përvoje jetësore dhe historike, e mbështetur mbi dijet e hershme, së cilës i janë referuar, intelektualët dhe të dijshmit, në rrethanat e kërcënimeve nga shfarosjet, siç ishte murtaja e vitit 1747, ku personazhi kryesor, Kazazi, shfaqet si bartës i kësaj elite dhe mendësie, së cilës, në rrethana të tilla ekzistenciale, i takon opërgjegjësia e veprimit.
Imagjinata e autorit në këtë rrëfim letrar, e ndërlidhur me murtajën si metaforë të së keqes, që kërcënon përherë, do të ishte jashtë fuqisë motivuese pa atmosferën e panikut të përgjithshëm , që po qe së pranohet, shfaqet si sëmundje pa ilaç… / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi takohet me arbëreshen e cila vjen nga fshati i De Radës

Shkrimtari Jusuf Buxhovi, së fundi është takuar me një arbëreshe e cila jeton në Amerikë, familja e së cilës është shpërngulur aty kohë më parë, shkruan KultPlus.

Buxhovi ka njoftuar për këtë takim përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Buxhovit.

Nuk harrohet moti i madh

Katherine Stassi West nga një para lagje e Madisonit, është njëra ndër arbëreshët e shumta të këtij komuniteti që jeton në Amerikë. Zonja e madhe, siç i thonë këtu, thotë se katragjyshi i kishte sjellë në Amerikë.

“Familja ime vjen nga fshati i shkrimtarit të madh De Rada…Ime amë fliste shqip si gjithë familja jonë…Ne mburremi me origjinën tonë…Fëmijet tanë ushqehen me këtë vetëdije, për ta përcjellë nga brezi në brez, siç bëmë ne që erdhem deri këtu…”

Arbëresha krenare thotë se çdo javë vjen në restorantin e Nexhmi Jonuzit për të takuar shqiptaro-amerikan…

“Këto takime ma përkujtojnë motin e madh, që ushqen kujtesën por edhe shpirtin tonë, që nuk harrohet…” / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi dhe Ramadan Musliu me diskutim të hapur për “Shekullin e mbrapsh shqiptar”


“Trilogjia gjermane” e Jusuf Buxhovit e cila është promovuar në KultPlus Caffe Galery, tashmë do të nxis një bisedë të hapur, shkruan KultPlus.

Më datë 12 shkurt, në ora 18:00 në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë do të mbahet një bisedë e hapur me shkrimtarët Jusuf Buxhovi dhe Ramadan Musliu.

Temë e bisedës do të jetë “Shekulli i mbrapsh shqiptar” në “Trilogjinë gjermane” të Jusuf Buxhovit, që doli së voni nga shtypi. Biseda moderohet nga Iliriana Hasaj.

Kujtojmë që kjo triologji përfshinë romanet: “Vdekjet e kolonelit”, “Kujtimet e zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë” (fitues i çmimit kombëtar për letërsi në vitin 2006).

Romanet veç e veç janë botuar në vitet 2005-2006. Ndërsa përfshirja e tyre në kuadër të “Trilogjisë gjermane” ka të bëjë me një përpunim letrar përbrenda një koncepti të përbashkët tematik që i ndërlidh. / KultPlus.com

”Kosova” në tetë vëllime, certifikatë historike e shtetit të Kosovës

Shkruan Nazmi Rrahmani

Tri vëllimet më të reja të librit “Kosova” VI,VII dhe VIII të Jusuf Buxhovit, përmbyllin projektin historiografik të autorit prej tetë vëllimesh me rreth pesëmijë faqe tekst të formatit B-5.

Pas pesë vëllimeve të para që përfshijnë Antikën, Mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën e viteve 1912-1945 dhe atë 1945-1999, vijnë këto tri vëllime të reja që përfshijnë (në librin e gjashtë) ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001 dhe në librin e shtatë vështrohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë dhe për Kosovën në periudhën 2002-2008.

Në vëllimin e tetë janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi, siç janë Vendimet e Shën Stefanit, Protokollet e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilat kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve në përgjithësi.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe pas hyrjes së NATO-s çështja e shqiptarëve në Ballkan, megjithatë, nuk kishte perspektivë të një zgjidhjeje përfundimtare, sepse trojet shqiptare ishin të copëtuara nëpër shtete të ndryshme të cilat kishin edhe qëndrime tepër të ndryshme lidhur me pozitën e tyre.

Autori niset nga fakti historik se Rezoluta 1244 në Kosovë anuloi dy gjendje: Republikën e Kosovës të shpallur në Kaçanik si dhe pushtimin policor ushtarak serb. Mirëpo ky zhvillim nuk mundi të anashkalojë proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga okupimi serb më 1912 i përcjellë nga dy ripushtime: ai i vitit 1918 dhe 1944, e as realitetet shoqërore politike që i kanë përcjellë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera që kishin mbetur nën Jugosllavinë e dikurshme e mandej nën shtetet që kishin shpallur pavarësinë: si Serbia e Maqedonia.

Autori në këtë vëllim analizon në hollësi formulën e nxjerrjes së Serbisë nga Kosova duke hyrë NATO në Kosovë me të gjitha problemet që ishin shkaktuar, sidomos me hyrjen e trupave ruse në Kosovë, ndarjen e sektorëve, çmilitarizimin e UÇK-së dhe fillimin e krijimit të TMK-së.

Fillimi i vendosjes së protektoratit ndërkombëtar në Kosovë dhe faza e emergjencës humanitare, vakuumi institucional dhe qeveria e përkohshme dhe problemet e mëdha që rrjedhin në shoqërinë kosovare gjatë asaj periudhe, roli i ndërkombëtarëve në to sidomos në fazën e pare, të gjitha gjejnë vend në këtë që autori i vë në spikamë duke u mbështetur në fakte dhe dokumente.

Periudha tjetër e analizës është ajo e rimëkëmbjes dhe përpjekjeve për një normalitet, siç ishin aktivitetet e para ekonomike dhe rindërtimi i vendit mbas shkatërrimeve që kishte lënë lufta, zgjedhjet e para lokale dhe vendosja e vështirësuar e legjitimitetit demokratik, korniza kushtetuese dhe formimi i institucioneve vetëqeverisëse. Faktet e paraqitura lidhur me këtë periudhë nëpër të cilën kalonte Kosova janë dëshmuar dhe analizuar hollësisht duke u ndalur edhe në shkaqet dhe pasojat e tyre.

Kapitull i veçantë në këtë vëllim është raporti midis gjendjes në Kosovë dhe Lugina e Preshevës, UÇPBM-ja dhe lufta për autonomi territoriale e politike si dhe lufta që ndodhi në këtë kohë në Maqedoni. Referendumi për Autonomi Territoriale dhe Politike i vitit 1992 në Luginën e Preshevës qe pikënisje e luftës në këtë rajon. Autori u bën një analizë të hollësishme, mbështetur në fakte e dokumenteve ngjarjeve që rrodhën në atë periudhë, të cilat e shtynë faktorin ndërkombëtar që të ndërhynte në parandalimin e konfliktit.

Lidhur me këtë autori jep tekstin integral të Marrëveshjes së Konçulit.Çështjen e Maqedonisë autori e trajton duke u nisur nga fakti se një përçasje sado e shkurtër e rrethanave politike të shfaqjes së Maqedonisë si koncept gjeografik nga Kriza Lindore e këndej, të Republikës së Maqedonisë në përbërje të ish Jugosllavisë dhe të shpalljes shtet i pavarur më 1991 tregon se shqiptarët i lidh si etnitet shtetformues në të në një hapësirë ku shfaqej edhe popullsia sllavo-maqedonase.

Kjo mbështetet mbi argumentet historike, ato politike dhe argumentet etnike duke ndërlidhur Maqedoninë etnike si pjesë e etnisë dardane-ilire, periudhën e Vilajetit të Kosovës me Shkupin si qendër e shqiptarizmit politik, ngritjen e Maqedonisë në çështje ndërkombëtare në dëm të interesave shqiptare, realitetin demografik – vazhdimësinë nga antikiteti dhe lufta për rrënimin e tij, periudhën e Mbretërisë Jugosllave dhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, Xhemijetin dhe përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve, Lidhjen e Dytë të Prizrenit,NDSH-n e Shkupit e të tjera.

Me argumentet historike autori Jusuf Buxhovi Maqedoninë antike e ndërlidh si pjesë e etnisë dardane-ilire në kuadër të botës pellazge, që si e tillë do të pasqyrohet edhe gjatë kohës së Perandorisë Romake, asaj të Bizantit si dhe nën Perandorinë Osmane.

Në bazë të argumenteve politike Maqedonia del si Vilajet i Kosovës dhe si qendër e shqiptarizmit politik që doli nga Programi i Lidhjes së Prizrenit. Ndërkaq Shkupi ishte qendër e vilajetit prej nga do të drejtohej e tërë lëvizja kombëtare për shtetin shqiptar.Argumentet etnike mbështeten në praninë e pandërprerë të shqiptarëve në trojet e veta që nga antikiteti.

Prandaj autori me të drejtë konstaton se ky realitet nuk mund të rrënohet dhunshëm, siç u veprua më 1912 dhe më 1944, apo me shpërnguljet e vazhdueshme. Autori në këtë pjesë ndalet dhe analizon hollësisht zhvillimet në antikitet për të arritur mandej në zhvillimet aq të rëndësishme të kohës së Vilajetit të Kosovës që ishin ngjarjet më të rëndësishme dhe më domethënëse për formimin e shtetit shqiptar, edhe pse për këtë pjesë të tokave shqiptare të gjitha ngjarjet nuk rrodhën në interes së vetë shqiptarëve.

Realitetin demografik autori e sheh si një faktor shumë të rëndësishëm të vazhdimësisë etnike që nga antikiteti pavarësisht se është bërë luftë e përhershme për rrënimin dhe ndryshimin e atij realiteti. Në kuadër të kësaj autori ndalet në pikat kryesore të atyre përpjekjeve dhe të zhvillimeve në këtë anë duke analizuar angazhimin e mbretërisë jugosllave dhe shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, përpjekjet e vazhdueshme për asimilim të shqiptarëve, rrënimin e Jugosllavisë së Versajës, Lidhjen II të Prizrenit dhe Shtetin e Pavarur Shqiptar,NDSH-n e Shkupit dhe opsionin e bashkimit kombëtar për të arritur deri te Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe lufta e saj.

Kapitull iu veçantë i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rrugës së zhvillimit të saj, tri aspekteve të luftës së UÇK-së – atij ushtarak, diplomatik dhe politik duke arritur edhe në përfundime të caktuara për secilin aspekt të kësaj lufte.Vëllimi i shtatë përfshin periudhën kohore 2002-2008 nëpër të cilën kaloi Kosova. Autori konstaton se Kosova në këtë periudhë kaloi nëpër dy faza të rëndësishme të zhvillimit politik dhe shoqëror që do ta çojnë te shpallja e pavarësisë.

E para ka të bëjë me krijimin e institucioneve vetëqeverisëse nëpërmjet zgjedhjeve të lira parlamentare dhe e dyta lidhet me plotësimin e kritereve – “Standardet para statusit”. Në këtë mënyrë procesi i arritje dhe shpalljes së pavarësisë u vu në binar të pakthyeshëm. Autori duke kaluar nëpër këtë periudhë kohore gjashtëvjeçare dhe duke analizuar të gjitha ngjarjet më vendimtar të zhvillimit të Kosovës jep një pasqyrë të realitetit të dokumentuar me fakte relevante për Standardet para statusit, Trazirat e Marsit 2004, Tribunalin e Hagës, Hapjen ne statusit final, Vdekjen e Presidentit Rugova, Bisedimet e Vjenës, Propozimet e Ahtisarit, të gjitha këto faza të zhvillimeve drejt shpalljes së pavarësisë.

Në këtë vëllim autori ka vënë edhe një Shtojcë që është me interes të veçantë, në të cilën i bën një qasje historike identitetit kulturor dhe atij shtetëror të shqiptarëve nga antikitetit e deri në kohën tone të ndërlidhur me mbretërinë e Dardanisë si dhe e krishterimit nga shfaqja si trashëgimi shpirtërore e shqiptarëve e cila me Pakon e Ahtisarit sa nga kompromiset e dëmshme politike për të pranuar realitete të reja e sa nga një destruksioni një pjese të historianëve shqiptarë se krishterimi ortodoks ishte identitet pushtues dhe asimilues sllav, nga i cili duhej hequr dorë, iu dhurua thuaja se vullnetshëm Serbisë, ndonëse politika hegjemoniste e Beogradit nga shek. XIX e këndej duke përvetësuar ortodoksinë si dhe objektet kishtare në Kosovë me falsifikime e shpalli atë si pjesë e kishës ortodokse serbe e me këtë edhe të trashëgimisë së saj kulturore si pjesë e të drejtave historike.

Në vëllimin e tetë janë përmbledhur dokumentet më të rëndësishme të zhvillimeve historike dhe të ngjarjeve të mëdha që kanë përcaktuar edhe historinë shqiptare, Vendimet e Shën Stefanit, ato të Kongresit të Berlinit dhe një zgjedhje e dokumenteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Një pjesë e këtyre dokumenteve shpeshherë janë komentuar edhe njëanshëm duke mos u mbështetur në origjinalet ose duke mos i njohur sa duhet apo edhe me qëllim të caktuar. / KultPlus.com

Promovimi i “Trilogjisë gjermane” në Gjakovë

Vazhdon “shekulli i mbrapsht” shqiptar!

Në ambientet e Bibliotekës së qytetit në Gjakovë u bë përurimi i “Trilogjisë gjermane” të shkrimtarit Jusuf Buxhovi. Autori, promovimin e veprës e shfrytëzoi për një bashkëbisedim me shkrimtarët dhe intelektualët rreth temës “Shekulli i mbrapsht shqiptar”, që është bosht tematik i kësaj vepre.
Sipas autorit, marrja letrare me një problematikë të tillë ka pasë për qëllim nxjerrjen në pah të një absurditeti historik që ka përcjellë shtetndërtimin shqiptar nga 1912 deri te ndëryrja e NATOT-s e vitit 1999, kur edhe u krijuan rrethanat për shtetin e dytë shqiptat në Ballkan – Kosovën, me ç’rast ky zhvillim është përcjellë me kundërshtimin, por edhe luftën shtetit shqiptar nëpërmes vëllavrasjeve dhe veprimeve të tjera të papërgjegjshme me pasoja tragjike.

Në njërën anë neotomanizmi dhe në tjetrën anë ideologjia komuniste kanë qenë faktorët që kanë deyterminuar shekullin e mbrapsht shqiptar theksoi Buxhovi.Kjo anatemë, në njëfarë dore, ka vazhduar të përcjell edhe shtetin e Kosovës, i cili, prej vitesh nuk po ia del të stabilizohet, nga parteriteti i faktorit ndërkombëtarë me forcat e caktura politike me pedigre kriminale, që shtetin e kanë kthyer në plaçkë, duke rrënuar kështu të gjitha shtyllat e sistemit të vlerave (arsimin,kulturën, shëndetësinë) ekonominë dhe të tjerat.


Në këto rrethana, autori tha se kërkohet një ndergjegjësim i përgjithshëm drejt një ndryshimi rrënjësor, i cili nuk është i mundur pa angazhimin e drejtpëdrejtë të intelektualëve, shumë prej të cilëve, për përfitime të ndyshme, kanë hyrë në sherbim të kësaj politike rrënuese.
Në fund, kryetari i shoqatës së intelektualëve të Gjakovës, Ruzhdi Sefa, doli me propozimin që të ndalohet fushata linçuese ndaj Buxhovi, që po zhvillohet kohëve të fundit nga çarqet e caktuara politike dhe shtetërore, me rastin e qëndrimeve të tij kritike, propozim që u pranua unanimisht./KultPlus.com

Jusuf Buxhovi promovon sot në Gjakovë librin “Trilogjia gjermane”

“Trilogjia gjermane” e përbërë nga romanet “Vdekjet e kolonelit”, Kujtimet e Zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, do të promovohet sot në Bibliotekën e Qytetit në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, autori do të bëjë një bashkëbisedim me krijuesit dhe intelektualët e qytetit rreth “Shekullit të mbrapsht shqiptar”, që është bosht tematik i trilogjisë.

Ky aktivitet, përcillet me donacionin prej 200 librash nga fondi personal, dhuratë Bibliotekës së Qytetit në kuadër të “Këndit të autorit”.

Promovimi bëhet sot në ora 11:30. / KultPlus.com

Historiani dhe shkrimtari Buxhovi me tri vepra premierë në Panairin e Tiranës

Në Panairin e librit në Tiranë, historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi paraqitet me dy vepra historiografike: “Kosova I-VIII” dhe “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra e parë (Kosova) shfaqet e kompletuar me tri vëllimet e fundit (VI,VII dhe VIII). Ndërsa “Maqedonia”, si vëllim i parë i trinitetit mbretëror ilir bashkë me Dardaninë dhe Epirin, që pritet të kryhen së shpejti.

Në fushën letrare, Buxhovi shfaqet me “Trilogjinë gjermane” të përbërë nga romanët: Vdekjet e Kolonelut, Kujtimet e zonjës von Braun dhe Kodi i dashurisë.

Veprat historiografike gjenden në shtandin e botuesit “Faik Konica”. Ndërsa ato letrare në shtandin e botuesit “Pena” nga Prizreni./KultPlus.com