Ngjarjet e qershorit-dhjetorit 1924 dhe pasojat për lëvizjen irredentiste të Kosovës

Stereotipet ideologjike rreth vlerësimit të ngjarjeve dramatike në skenën politike shqiptare nga qershori deri në dhjetor të vitit 1924 kur Fan Noli erdhi në pushtet pasi përmbysi qeverinë legjitime të Iliaz Vrionit, me përjashtime, vazhdojnë të mbesin të tilla edhe pas një shekulli, pra të quhen revolucion demokratik i qershorit, ndërsa veprimet e njërit nga ministrat më të fuqishëm të qeverisë legjitime të rrëzuar, Ahmet Zogu, që kaloi në Jugosllavi dhe me ndihmën e jugosllavëve po edhe të faktorit të tjerë ndërkombëtarë, veçmas britanikëve dhe qeverive konzervative europiane, pas gjashtë muajsh kur rrëzoi qeverinë e Nolit, quhen kundërrevolucion.

Jusuf Buxhovi

Pa marrë parasysh këto vlerësime të ngurta, zhvillimet politike qershor-dhejtor në skenën politike shqiptare nuk mund të shihen të shkëputura nga faktorët politikë – që i paraprinë këtij zhvillimi nga vendimet e Konferencës së Paqes së Parisit kur Shqipëria u njoht si shtet mbi konceptin londinez dhe mori përsipër që të ratifikojë marrëveshjet ndërkufitare me Mbretërinë Jugosllave dhe Greqinë dhe, nuk mund të shihen të shkëputura nga roli i lëvizjes irredentiste të Kosovës pas themelimit të Komitetit Kombëtar në Shkodër në vitin 1918 në të gjitha këto zhvillime, veçmas të viteve 1923-1924, kur ata do të marrin anën së majtës dhe dy nga liderët e saj Hasan Prishtina dhe Bajram Curri do të jenë mbështetësit ushtarak dhe politik të qeverisë së Nolit.

Natyrisht se qeverisë së Vrionit, asaj gjashtëmujore të Nolit dhe të Zogut më pas, lëvizja irredentiste e Kosovës në Shqipëri do t’u kthehet në barrë të rëndë që duhej dhënë përgjigje në përputhje me qëndrimet ndërkombëtar, pra të likuidohej, siç edhe ndodhi. Por, në ndërkohën nga viti 1919, kur krijohet “Zona neutrale e Junikut” e deri në shuarjen e saj në vitin 1923, lëvizja irredentiste do të përdorët dhe (sh)përdorët për qëllimet e brendshme politike shqiptare, në njërën anë nga e majta dhe Noli për të ardhur në pushtet, dhe në tjetrën anë nga Zogu, për ta vendosur pushtetin në përputhje me logjikën shtetërore, pra të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me jugosllavët, që si detyrim të dyanshëm kishin – nga brenda eliminimin e lëvizje irredentiste në Shqipëri, dhe mospërkrahjen deri në shuarje të lëvizje kaçakë në Kosovë.

Natyrisht, ajo që ndodhi me likuidimin e “Zonës neutrale të Junikut” në vitin 1923 nga forcat jugosllave të cilave u erdhën në ndihmë edhe ato të shtetit shqiptar, ishte pasojë e logjikës shtetërore që shteti i ri shqiptar duhej t’i përmbahej për të ekistuar ndërkombëtarisht në rrethanat kur ishte i kërcënuar nga Jugosllavia dhe Greqia.

Por, likuidimi për t’u likuiduar “Zona e lirë” e Prekazit në Dernicë dhe simboli i kësaj lëvizjeje Azem Bejta, do të bjerë në Tiranë dhe jo në Beograd. Sipas historiait të njohur Bernd Fisher, shkas për këtë ishte ishte rrëzimi i qeverisë së Ahmet Zogut nga ana e grushtetit që ishte bërë nga e majta, që kishte sjellë në pushtet Fan Nolin, e ku rol të madh kishte pasë lëvizja irredentiste e Kosovës. Liderët e saj, në radhë të parë Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe të tjerët kishin qenë motor i lëvizjes, e cila, nga e majta ishte quajtur Revolucion Demokratik i Qershorit, edhe pse nga jashtë jo vetëm që nuk ishte parë si i tillë, por ishte ngarkuar me anatemën e “celulës së parë bolshevike” jashtë Bashkimit Sovjetik. Kësaj bindje do t’i ketë ndihmuar pajtimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike të qeverisë së Nolit me atë të Bashkimit Sovjetik gjatë takimit që Noli pati në Romë me përfaqësuesin e Moskës, por edhe gjesti i parlamentit shqiptar, kur me rastin e vdekjes së Leni-nit ishte kërkuar të mbahej një minutë zi.

Meqë, Ahmet Zogu, pas përmbysjes së qeverisë legjitime të Iliaz Vrionit kishte kaluar në Jugosllavi dhe aty do të qëndrojë të shumtën e kohës (qershor-dhjetor, pa përjashtuar këtu qëndrimet në Vjenë dhe Pragë, e ku kishte pasur bisedime me qeveritarët më të lartë të Beogradit, nga ajo që do të merret vesh, ai do të gëzojë përkrahjen jugosllave për t’u rikthyer në pushtet, siç kishte ndodhur në të vërtetë pas gjashtë muajsh. Andaj, ishte e natyrshme që njëri ndër veprimet “paraprake” të Jugosllavëve për t’u kthyer në pushtet Zogu ishte t’i eliminoheshin kundërshtarët, ku irredentistët kosovarë ishin në krye të vendit të qeverisë majtiste të Tiranës dhe udhëhiqnin resorët e mbrojtjes dhe ato të sigurisë.

Nëse kësaj i shtohen edhe detyrimet e tjera që kishte Beogradi nga faktorit ndërkombëtar, veçmas nga Britania e Madhe dhe e djathta e cila kurrsesi nuk do të toleronte në Ballkan një filiale bolshevike të Moskës, siç ishte ajo që tashmë ishte instaluar në Tiranë, atëherë ishte më se e qartë se Mbretëria SKS, përcaktimin ndërkombëtar që të rrëzohet qeveria e majtë e Tiranës, do ta shfrytëzojë edhe për qërimin përfundimtar të hesapeve me prijësit e izoluar të Lëvizjes Kaçake të Kosovës, të cilët, në mos sot, atëherë nëse, duhej të likuidoheshin edhe fizikisht. Kjo, kohë, pra ishte e përshtatshme për diç të tillë.

Ato që do të ndodhin gjatë korrikut të vitit 1924 në Drenicë përreth kullës së Azem Bejtës kur ai dhe “feudi i tij i vogël” do të asgjësohen në mënyrën më të ashpër me mjete policore dhe ushtarake, ishte vetëm epilog i këtij zhivllmi, të cilin Beogradi e shfrytëzoi pa qenë i detyruar që për këto masakra të japë llogari para faktorit ndërkombëtar. Kështu, Azem Bejta do të vritet në luftë me forcat e shumta ushtarake dhe policore të Beogradit. Nga plagët e marra, në moshën 35 vjeçare, vdiq më 26 korrik 1924. E varrosën në shpellën e Qukut, i mbetur “i fshehur” për gjysmë shekulli.

Fatin e Azem Bejtës, në një mënyrë apo tjetër, do ta përjetojnë në vazh-dimësi pjesa më e madhe e liderëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nga Bajram Curri e deri te Hasan Prishtina. Pavarësia kombëtare, për të cilën ata kishin bërë aq shumë dhe ishin të merituar i la pa atdhe, ndërsa zhvillimet e mëvonshme ua morën edhe të drejtën që të luftojnë për të, por jo edhe idealin e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.

Gjatë asaj vere do të ketë veprime të shkëputura hakmarrëse kundër forcave jugosllave, por më shumë do të ketë represion shtetëror ndaj jatakëve të kaçakëve si dhe atyre që qeveria e Beogradit mendonte se mund të vepronin në rrethana “të tjera”. Kjo bëri që në disa pjesë të ketë vrasje “të dyshimta” ndaj disa atdhetarëve, të cilat nga regjimi arsyetoheshin “si hakmarrje” midis Shqiptarëve për çështje të ndryshme. Diku pati edhe bastisje dhe vrasje të cilat u arsyetuan si “rezistencë” ndaj pushtetit gjatë aksionit të çarmatosjes e të ngjashme, të cilat Beogradi dinte t’i plasonte në opinionin botëror.

Kur nga fundit i dhjetorit të atij viti, Ahmet Zogu, me ndihmën e Beogradit dhe të vullnetarëve të ndryshëm që i erdhën nga ana jugosllave, ktheu pushtetin që i ishte marrë në qershor me anën e grusht-shtetit nga e majta, filloi qërimin e hesapeve me liderët e Lëvizjes së Irridentës edhe në Shqipëri, me çka, edhe me ndihmën e shtetit shqiptar, tragjikisht mbyllet kapitulli i veprimtarisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe e Lëvizjes Kaçake, si pjesë e rëndësishme e Rezistencës Kombëtare të Kosovës ndaj pushtimit serbo-jugosllav.

Megjithatë, për t’u parë dimensioni i këtij kapitulli tragjik, është e nevojshme që epilogu të ndërlidhet me ato që do të ndodhin në “Zonën e Lirë” të Junikut dhe shuarjen e saj nga ana e Beogradit në vitin 1923.

Pa marrë parasysh si dhe sa do të ketë gisht Qeveria e Zogut në shuarjen e rezistencës shqiptare të përqendruar në zonën e deriatëhershme neutrale të Junikut, e cila sipas Konferencës së Paqes në Paris i kalonte Jugosllavisë, megjithatë, pjesa e kosovarëve që do të detyrohen të kalojnë në Shqipëri dhe të gjejnë strehim, do të afrohen edhe më shumë me forcat irredentiste, të cilat e kishin bindjen se qeveria e Ahmet Zogut i kishte tradhtuar, duhej bërë çmos që ajo të rrëzohej. Ky përcaktim domodoshmërisht i çonte kah opozita e majtë, e cila edhe ashtu kishte prirje revolucionare dhe puçiste dhe ishte e interesuar që fuqinë dhe energjinë e madhe të Lëvizjes Irredentiste ta shfrytëzonte që të vinte në pushtet pa marrë parasysh çmimin.

Kështu, në këtë fazë, më shumë se kurrë, në Shqipëri do të fillojë me të madhe edhe (sh)përdorimi i fuqisë së Lëvizjes Irredentiste për nevoja të brendshme politike dhe për qërim hesapesh. Kjo do të pasqyrohen më së miri çastin që do të fillojë fushata për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese nga 30 shtatori 1923 e deri më 2 shkurt 1924.

Opozita e majtë, e cila humbi këto zgjedhje, në radhët e veta kishte dy deputetë si përfaqësues të irredentizmit: Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin. Ata luanin një rol të rëndësishëm në skenën politike shqiptare që nga fillimet e saj dhe përcaktimi i tyre ishte jo vetëm nacionalistë, por për rrethanat edhe antizogist. Shumë nga kosovarët, që do të rreshtohen pas pak kundër tij, bashkëpunimin e forcave shqiptare me ato jugosllave gjatë operacioneve për “pastrimin” e zonës neutrale të Junikut nga kryengritësit që luftonin kundër pushtuesit serb, do ta lidhin edhe me qëndrimin që Zogu kishte mbajtur gjatë verës së vitit 1914, kur jo vetëm që nuk kishte përkrahur Princ Vidin, sipas marrëveshjes që kishte me Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin, por një pjesë e forcave të tij, herë pas here, do të përfshihen edhe në luftimet kundër pozicioneve mbrojtëse të kosovarëve përreth Durrësit. Shumë kosovarë këtu e shihnin zanafillën e sjelljeve dyshuese të tij.

Por, kalimi i një pjese të irredentës nacionaliste në anën e opozitës së majtë dhe keqpërdorimi i saj për qërim hesapesh në skenën e turbullt politike shqiptare, Zogut do t’i japë motiv të dyfishtë që ndaj liderëve të saj të sillet në përputhje “me logjikën e shtetit”, me çka edhe pasuesve të tyre u bëhej e ditur se çfarë i priste nëse do të vazhdonin ta sfidonin me irredentizëm. Kështu, hiqte qafesh kundërshtarët e fortë politikë dhe njëherësh zgjidhte problemet që i dilnin me Jugosllavinë rreth përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare që i dilnin nga Konferenca e Paqes në Paris por edhe nga Lidhja e Kombeve, ku ishte anëtarësuar dhe priste njohje të reja ndërkombëtare.

Zhvillimet që do të ndodhin gjatë dy muajve të ardhshëm, dhe do të nisin me atentatin ndaj Avni Rrustemit më 20 prill, (revolucionarit të njohur, i cili me krijimin e shoqatës “Atdheu” dhe pastaj “Bashkimi” vendin do ta mbajë nën kërcënimin e dhunës revolucionare dhe të kërcënimeve të vazhdueshme puçiste), për të marrë fund më 10 qershor, kur forcat kryengritëse do të futen në Tiranë dhe do të krijojnë rrethanat që me anën e grusht-shtetit të rrëzohet qeveria demokratike. Liderët e irredentës, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, por edhe të tjerët që i takonin rrymës së tyre, do t’i kthejë në aktorë të rëndësi-shëm, në mos kryesorët. Bajram Curri vitet në krye të forcave ushtarake, që drejtuan puçin kundër qeverisë legjitime në krye me Shevqet Vërlacin, ministër i së cilës ishte edhe Zogu dhe sjelljen në pushtet të puçistëve. Ndërsa Hasan Prishtina do të kthehet në mbështetës kryesor të regjimit puçist, që do të vijë në pushtet me anën e dhunës revolucionare. Kështu, e djathta në Shqipëri, disfatën ndaj revolucionarëve, të cilët ditë më parë në varrimin e Avni Rrustemit, ishin betuar për hakmarrje klasore ndaj çdo vlere konservative në Shqipëri – dhe ata do ta mbajnë atë premtim për aq sa do të kenë pushtet – në masë të madhe do t’ia atribuojnë edhe lëvizjes irredentiste. Me këtë do të hapet edhe një kapitulli tragjik i vëllavrasjes së brendshme shqiptare dhe i thellimit të përçarjes Shqipëri-Kosovë, mbi bazat e anatemës së pameritueshme të ndarjes majtë-djathtë, ose në përkrahës të komunizmit dhe kundërshtarë të tij. Kjo në shkallë të fundit, do të shkojë tek përcaktimi për Perëndimin apo për Lindjen.

Do të jetë Mbretëria Shqiptare, e cila do të mundohet t’i kundërvihet këtij zhvillimi, por jo aq bindshëm. Ngaqë, si do të shihet, mendësia politike shqiptare nga radhët e shtresës së mesme, jo vetëm që kishte mbetur në mbër-thimin e të majtës dhe të metodave të dhunës revolucionare për të ardhur në pushtet, por nga hakmarrja ndaj të djathtës dhe Monarkisë Shqiptare, do t’i jepej asaj me një përkushtim të madh, që për pasojë do të ketë mbetjen e Shqiptarëve në botën lindore-komuniste.

Beteja e Dardanës e vitit 1389 – mes mitit dhe realitetit

Sipas shumë burimeve historike, Beteja e Dardanës filloi më 15 qershor të vitit 1389 dhe përfundoi po atë ditë, diku në orët e mbrëmjes me humbjen e forcave të lidhjes së krishterë ilirike. Por, ka edhe të dhëna të tjera që atë e shohin më 19 qershor e deri te ato që e lidhin me datën 27 dhe 28 qershor.

Jusuf Buxhovi

Mospërputhja në datë ka të bëjë me pranimin nga ana e Serbëve të Kalendarit gregorian më vonë se Europa; për Osmanët data është 19 Jumada II 791, pra 15 qershor 1389. Edhe përkundër kësaj dallimet vazhdojnë. Kështu, K. Frashëri përmend datën 27 qershor ndërkohë që edhe një pjesë e mirë e historiografisë serbe përmend datën 27 dhe 28 qershor.

Në betejë gjetën vdekjen Sulltan Murati I, që thuhet se u vra nga Milesh Kopili, një fisnik dardan, nga Sllavët i quajtur Milloš, fillimisht Kobilić, ndërsa më vonë Obilić. Mileshi ishte dhëndër i feudalit Llazar, dukuri kjo e njohur e martesave në rrethanat mesjetare midis familjeve feudale. Vdekjen e gjeti edhe Llazari, pasi që ishte zënë rob lufte. I njëjti fat e gjet edhe Milesh Kopilin, i cili diku në shekullin XIX, kur do të ndërtohet miti i Kosovës për qëllime hegjemoniste serbe, do të kremtohet “hero nacional serb”. Ndërkohë që shqiptarët, duke u mbështetur mbi vazhdimësinë historike të etnisë së tyre në këto pjesë nga antikiteti e këndej, do ta trajtojnë “të tyre”.

Nga prijësit Arbërorë në betejë mbeti edhe Muzaka. Po atë ditë, sulltanin e vrarë, e zëvendësoi i biri, Bajaziti I, i njohur me nofkën “Jëlldërëm” (Rrufeja).

Edhe pse nga këndvështrimi i fakteve historike kjo betejë mbetet me shumë të panjohura, veçmas për nga përmasat e njëmendta (shumë e shumë më të ngushta nga ato të përshkrimeve të shfaqura në shekullin XIX), dhe rolit të faktorëve vendor në të (jashtë ndonjë aleance të gjerë ushtarake, të shumtën me njësi vullnetarësh), megjithatë disa të dhëna për ato që solli kjo betejë, tregojnë se Osmanët kaluan në një fazë të re të konsolidimit të pushtimeve në Ilirik, duke krijuar parakushte për pushtimet e mëtutjeshme në drejtim të qendrës së Europës. Kështu, nga këto burime bëhet e ditur se Bajaziti, pasi që i theu forcat e lidhjes së krishterë, nuk u tregua ndëshkues ndaj humbësve, siç pritej. Përkundrazi, bëri vasal Vuk Brankun (Brankoviqin), feudalin nga Dardania, për të cilin disa burime thonë se i iku betejës, nga kishte disa mospajtime me vjehrrin e të ngjashme të krijuara në shekullin XIX nga historiografia serbe për qëllime hegjemoniste me të cilat bëhet përpjekje të vazhdueshme që tribalët e sllavizuar dhe arbrit e përkatësisë ortodokse t’i konvertojë në serbë, me çka gjoja “tradhtia e dhëndrit” bëhet shkas i humbjes deri te kremtimi në vasal “të armikut”, gjë që kjo për një serb “të njëmendët” nuk mund të thuhet!

Duke u thirrur në burime nga fusha e folklorit dhe pa argumente të mjaftueshme historike, të cilat mund të gjenden pikërisht te çmitizimi i kësaj lufte me anën e trajtimit shkencor të faktorëve të gjithmbarshëm etnik dhe shoqëror e politik të kohës në përputhje me rrethanat që sollën te agonia e Bizantit dhe fuqizimi i osmanëve e të tjera të kësaj natyre, edhe disa studiues shqiptarë, duke u mbështetur mbi faktorin e etnosit autokton me vazhdimësi dardane, mbrojnë qëndrimin për përkatësinë dardane-arbërore të Milesh Kopilit dhe të tjerëve si një vetëdije autoktone të një etnie të përbashkët, qoftë ortodokse ose katolike në kuadër të përkatësisë së krishterë, e cila shfaqet në shekullin XIX.

Pavarësisht kundrimeve të ndryshme, rreth përkatësisë se atyre që epika historike e njërit apo tjetrit popull do t’i shfrytëzojë si mite në shërbim të kujtesës historike dhe kthimit të saj në një frymëzues të vetëdijes nacionale, siç ishte ajo e shekullit XIX e mbrapa, megjithatë, mund të thuhet se ndeshja kyçe historike midis të krishterëve të Ilirikut dhe Osmanëve, gjatë qershorit të vitit 1389 apo aty diku afër, pa marrë parasysh përmasave të saj të njëmendta dhe mitizimeve që e kanë përcjellë për qëllime të caktuara, pra gjithsesi se duhej të ndodhte në Dardani, ngaqë ajo ishte përcaktuese për ecurinë e mëtutjeshme të pushtimeve osmane në Europë, në një hapësirë gjeografike, e cila, nga antikiteti shfaqej nyje prej nga mbikëqyrej hapësira euro-aziatike. Ndaj, një perandori, që pretendonte të arrinte përmasat botërore, siç ishte asokohe ajo osmane, duhej të vendosej aty, siç kishte ndodhur edhe me fatin e perandorive paraprake dhe të ndarjes së krishterimit madje.

Rreth Betejës së Dardanës ( betejës së Kosovës në historiografinë sllave dhe europiane) dhe rëndësisë së saj ka vlerësime të ndryshme shpesh kundërthënëse: nga ato që e zmadhojnë (“Kjo fitore e stabilizoi fuqishëm sundimin e turqve në Ilirik” – Inalxhik, H: “Perandoria Osmane”, Shkup 2010; ose: “Beteja që do të vendosë për pesë shekuj fatin e Gadishullit Ilirikut” – Miller, William; “The Balkans ) e deri te ato që e zvogëlojnë fare, siç janë vlerësimet e historianit rumun Jorga kur thotë se “1389-a nuk ishte veçse një incident i stërmadhuar prej legjendës”.

Zmadhimit të namit të kësaj beteje jashtë çdo mase gjithsesi i kanë ndihmuar disa nga kronikanët osmanë, duke filluar nga bejtet e Ahmeditut të shekullit XV: “Kuajt çapiteshin mbi kufomat që ishin kat-e-kat mbi njëri tjetrin” (shih te Ahmedi: “Dastan ve Tevarih”, 50 ) si dhe kronikat e Shukurullahut, për të cilat Pulaha thotë se “Shukurullahu dhe të gjithë kronikët osmanë pas tij, me qëllim që të rrisin sa më shumë fitoren e turqve osmanlinj në Kosovë më 1389, thonë se koalicionin e feudalëve të Ilirikut morën pjesë edhe vëllehët, çekët, hungarezët, Bullgarët e venedikasit. Në të vërtetë ky pohim është i gabuar, sepse në këtë koalicion morën pjesë vetëm sllavët, boshnjakët dhe Shqiptarët”. Për Pulahën të ekzagjeruara janë gjithashtu edhe shifrat që japin këta për ushtrinë e koalicionit. (Shih “Lufta shqiptaro-turke”, 31 shën.10).

Andaj, ngritje e Osmanëve drejt Perëndimit, ishte e natyrshme të fillonte në kurriz të të krishterëve të Ilirikut, por njëherësh edhe me ndihmën e tyre, që ndonëse qenë të parët që do t’i kundërvihen (në luftën e Maricës e pastaj në Fushë-Dardani), pas humbjes në këtë të fundit, do të kthehen në vasalë të osmanëve, gjendje kjo që do t’i ndihmojë forcimit dhe shtrirjes së pushtimeve të tyre drejt botës perëndimore.

Ndër këta ndihmës, të parët dhe më të dobishmit për sulltanët ishin pikërisht Rasianët, të cilët fazën e fundit të dobësimit dhe të shthurjes së Bizantit e shfrytëzuan për t’u forcuar në kurriz të tij. Me ta do të lidhen aleancat më të qëndrueshme, të cilat nga koha e Bajazitit I e këndej, të shumtën, do të shkojnë në dëm të të krishterëve të Ilirikut, por edhe të krishterimit katolik në përgjithësi.

Ç’është e vërteta, lidhjet e Rasianëve me Osmanët kishin filluar më herët. Kjo tumir vlerësimin se historia e ekspansionit osman në Ilirik ishte një histori e bashkëpunimit të tyre me të krishterët e ritit ortodoks, që mbështetej mbi shëmbëllesën e perandorëve bizantinë (Kantakuzeninit) si dhe përvojën e tyre me Osmanët në pjesët lindore të Perandorisë nga fillimet e shekullit XIII e këndej, që ua hapën rrugën pushtimeve të tyre të mëtejshme që u dinamizuan nga fillimet e shekullit XIV e deri në atë XV. Kështu, njësitë osmane të mercenarëve në këto pjesë shfrytëzohen nga despoti rasian Millutin, duke i përdorur kundër ushtrisë bizantine. Disa burime flasin për rreth njëmijë e pesëqind ushtarë turq të fisit kuman që u vendosën në Rashë.

(Më gjerësisht rreth mercenarëve osmanë në shërbim të despotit Millutin shih: Oikonomides, N: “The Turks in Europe 1300-1315 and the Serbs in Asia Minor 1313”, faqe 159-62 në E. Zachariadou, bot, “The Ottoman Emirate 1300-1389”, 1993; Jireček, C: “Staat und Gesellschaft in mittelalterischen Serbien”II, faqe 58).

Përvojën e përdorimit të mercenarëve turq do ta shfrytëzojë edhe Stefan Dushani. Bëhet e ditur se Dushani kishte disa njësi kumanësh në ushtrinë e tij, me anën e të cilave bënte hesapë ta fitonte “kurorën” e Bizantit. Kjo nuk do të ishte jashtë një hesapi me Osmanët, të cilët mund të kishin interesa që në planet e tyre për të depërtuar këndej drejt zemër së Europës të fusnin në lojë lojtarë të përdorshëm, por të rëndësishëm njëherësh, siç ishin Rasianët, të njohur për veprime të tilla. (Shih: Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2001, faqe 61; Mavramitis, L: “La Fondaton de l’empire serbe: le kralj Milutin”, Salonica 1978; faqe 72, Jireček, C:”Staat und Gesellschaft in mittelaterischen Serbien”, I, faqe 78).

Madje, disa burime të vonshme flasin për paralojën e atij hesapi, me të cilin duhej të ndikohej edhe në epilogun e Betejës së Dardanisë, ose një të ngjashme që do të kishte ndodhur para ose pas, në dobi të Osmanëve, që pastaj të përfitohet prej saj me lidhjen e një marrëveshjeje paqësore me Osmanët, me ç’rast, gjithnjë nën ombrellën Rasiane me të cilën do të zëvendësohet ajo e Bizantit, princat ortodoksë të Ilirikut, në përbërje të Perandorisë Osmane, do të mund t’i ruanin disa nga privilegjet e tyre, pa çarë kokën se çfarë do të bëhej me vendet katolike.

(Rreth lidhjeve të Rasianëve tribalë me Osmanët para se të kenë filluar konfrontimet ushtarake me ta, por që do të vazhdojnë edhe pas betejës së Fushës së Dardanës, shih autorët e shumtë, ndër të cilët Jozef von Hamer: “Geschichte des Osmanischen Reiches”, 1827; Zinkesen J. W: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa”, Hamburg-Gota 1840-1863; Jorga, N: “Geschihte des osmanischen Reiches”, Gotha 1908-13; Dölger F:“Regester der Kaiserurkunden des oströmischen Reiches von 565-1453”, München-Berlin, 1965; Babinger, F: ”Geschihtsschreiber der Osmannen und ihre Werke”, Leipzig 1927; Forretr, L:”Handschriften osmanishscher Historiker in Instambul”;Ferjanočić B-Maksimovič, Lj: “Vizantijci i turci u vreme Kosovske bitke”, 1957;Новакович, С: “Срби и Турци XIV и XV века“, Београд, 1960;Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2002, faqe 63-69; Bastov,S: “Die Türkischen Quellen des Laonikos Chalkandyrles”, München 1960, faqe 34-42; Chalcocondylae, Leonici: “Historarum Demonstrationes” I, Budapestini, 1922 dhe të tjerë).

Hapjes së kësaj teze si dhe mbrojtjes së saj do t’i referohen me sjelljen e të birit të Lazarit, despotit Stefan, i cili qe ndër të parët që pranoi vasalitetin e Sulltanit dhe madje me ushtritë e tij mori pjesë në betejat e ardhshme të Osmanëve kundër Hungarezëve dhe Polakëve. Ngjashëm do të shfrytëzohet edhe sjellja e Gjurad Brankoviqit kur do të sabotojë Betejën e Dytë të Dardanës, siç do të shfrytëzohet më vonë edhe sjellja e Kraleviq Markut.

Para historisë nuk mund të fshihet as fakti se po në betejën e Dardanës, forcat e një bujari rasian, të quajtur Dejanoviq, luftuan në anën e Osmanëve, siç pati edhe shumë vllahë nga principata e tij në anën e Osmanëve, praninë e të cilëve e vërtetojnë edhe burimet osmane.

Nga kjo sjellje mund të nxirret përfundimi se te Osmanët, feudalët dhe despotët ortodoksë dhe të tjerët që i takonin kësaj vetëdije, të përfshirë në luftëra të vazhdueshme me katolikët gjatë shekullit të fundit, jo rastësisht, shihnin “shpëtimtarin” e vetëm që mund t’i mbronte “nga rreziku katolik”, i cili nuk reshte së vepruari kundër tyre.

(Më gjerësisht shih te Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927).

Pa marrë parasysh ato që do ta përcjellin disfatën e të krishterëve të Ilirikut në Dardani, gjatë asaj beteje të stërmadhuar deri te përmasat e mitit në shekullin XIX, që gjithsesi ka ndodhë, sjellja e Bajazitit ndaj të krishterëve të Ilirikut (Tribalëve rasianë, Bullgarëve, Rumunëve, Arbërve, Sllavëve, Grekëve dhe të tjerëve), tregon fare qartë se ai ishte i përqendruar te ata që ta shfrytëzonte forcën e tyre për vete, si kufi ndarës me Hungarinë. Kështu, Bajaziti, e ndiente si nevojë të domosdoshme që në Ilirik, në pjesën më vitale, të ketë një aleat në politikën e tij aktive ushtarake, në kohën kur synonte principatat selxhuke-turke në Azinë e Vogël, stabiliteti i të cilave po ashtu ishte i rëndësishëm, për t’u përqendruar në drejtim të Perëndimit.

(Gjerësisht shih te Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927).

Për këtë Bajaziti I u pajtua që të dy djemtë e princit tribal Lazarit, i cili u pre nga shpata e tij, të jenë udhëheqës të principatës rasiane dhe të sundojnë sipas ligjeve, traditave dhe zakoneve të tyre. Mirëpo ata detyroheshin t’i nënshtroheshin atij dhe të paguanin xhizjen (taksën e caktuar ndaj shtetit osman) dhe të kishin një numër të caktuar ushtarësh, në njësi të veçantë, që do të merrnin pjesë së bashku me ta (Osmanët) në Harujë. Sulltani, po ashtu u martua me vajzën e princit Lazar, Oliverën, e quajtur edhe Despina.

Kjo krushqi u bë me miratimin e patriarkut dhe të klerit ortodoks dhe u dërgua në haremin e madh në Brusë, ku takoi bashkëshorte të panumërta me prejardhje fisnike, greke, franke dhe selxhuke.

(Shih:Jiriček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, pjesa e dytë, Tiranë, 2010, faqe 153.)

Stefani dhe Vuku u detyruan të paraqiteshin çdo vit në oborrin e Bajazitit dhe t’i shkonin në ndihmë me ushtri sa herë t’u kërkohej, siç bënin despot Konstantini, despoti Esau i Janinës, Angeli i Thesalisë dhe bashkëperandori i Bizantit, Manuel Paleologu.

Burimet e kohës bëjnë të ditur se Zigismundi i Hungarisë një pjesë të mirë të forcave të veta i kishte mobilizuar që të mbrohej nga “ekskursionet” e herëpashershme të trupave osmane dhe rasiane, të cilat bashkërisht vepronin në pjesët kufitare. Bëhet e ditur se në vitin 1390, Pani i Severinit dhe Magjistari Ladislav zunë plaçkë në Branicevë flamurë osmanë dhe rasianë.

Sjellje të ngjashme zuri të tregonte edhe Vuk Brankoviqi, zotërimet e të cilit shtriheshin në pjesën nga Zveçani, Prishtina e deri në Shkup, gjë që nuk është e rastësishme që në burimet folklorike shqiptare njihet Ujkan, ndërsa në ato osmane (defterët Vlk), që i përgjigjet trajtës shqipe Uk-Ujkan. Pasi që nga Raguza të ketë kërkuar azil për veten, gruan Mara dhe tre djemtë (Gjuradin, Gjergjin dhe Lazarin, në rast se “do ta dëbonin Hungarezët ose Turqit apo dikush tjetër” dhe do t’i jepet në maj të vitit 1390), Brankoviqi ua dorëzoi Shkupin Osmanëve, si dhe Zveçanin, Prizrenin dhe një pjesë të mirë të zotërimeve në këto anë.

(Shih:“Acta Albaniae, II, 467, burime II, nr 131; Da Lezze: “Historia turchesca”, f.8; Jireček, K: “Historia e Serbëve“, faqe 155.)

Kështu, qyteti i vjetër dardan, që vetëm para dy brezash kishe qenë pikënisje e pushtimeve rasiane në Dardani dhe Maqedoni, u bë një mbështetje kryesore e pushtimeve osmane kundër Veriut, por edhe Jugut.

Në këtë rrugë, më 1394, Osmanët u morën Gropajve Ohrin. Rrënuan thuajse të gjitha kështjellat që mbanin ata në këto anë (të Strugës, të Pogradecit e të Starovës). Osmanët u sollën kështu edhe gjatë pushtimit të Janinës, të Korçës dhe të Përmetit.

Edhe pushtimet e tyre në Veri (nga Zveçani për në Shkodër e Ulqin, pastaj për në Dejë e Krujë), ndoqën thuajse të njëjtën mënyrë veprimi, por këtu Osmanët kishin parasysh ruajtjen e pasurive (minierave), të cilat duhej t’i shfrytëzonin për nevojat e tyre. Në kështjellën e Zveçanit, u vendos një “kefali” turk, ndërsa në minierën e hekurit në periferi të Rashës, u emërua kadiu i parë që ta mbikëqyrte dhe drejtonte atë.

Megjithatë, pushtimet osmane në Veri nuk kaluan pa vështirësi dhe pa konfrontime ushtarake, gjë që nuk kishte ndodhur në pjesët që zotëronte Vuku, për të cilin, siç u tha më herët kishte lidhur vasalitet me Osmanët për të ruajtur zotërimet e tij në Dardani, por edhe pse fitonte peshë shumë më të madhe seç e kishte nën mbikëqyrjen e Rasianëve, sado që ky hesap nuk do t’i dalë, pasi që Osmanët për arsye të njohura që lidheshin me organizimin e pushtetit perandorak në pjesët e pushtuara, vendosën që nga vitit 1420 t’i shuanin që të gjitha lidhjet e tilla vasale në këtë pjesë.

(Shih: Fine: “Late Medival Balkans”, faqe 411-12; Čirković:“Kosovo u srednjem veku“, faqe 45; Babinger, F: „Die Geshichtschreiber der Osmanen und ihre Werke“, Leipzig 1927; Enmmert, T.A: „Serbian Golgotha: Kosovo, 1389“, New York, 1990).

Kështu, Osmanët u desh të konfrontohen me Balshajt para se ta merrnin Ulqinin, ku ata kishin rezidencën e tyre si dhe Shkodrën. Bëhet e ditur se në vitin 1391 Gjergj Balsha kërkoi mbështetje nga Papa Bonifici IX, por kjo nuk i ndihmoi shumë. Meqë kishte rënë peng në duart e Bajazitit, do të lirohet një vit pasi që ai ta dorëzojë Shkodrën, Drishtin dhe portin e Shëngjinit.

(Shih: Hamer, Jozef von: “ Geschichte des Osmanischen Reiches”, vëllimi II, faqe 175 dhe 183; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, f.179-181).

Fisniku tjetër, Dimitër Jonina, nuk ndoqi rrugën e Balshës. Pranoi vasalitetin osman dhe kështu ia doli të ruante zotërimet e tij midis Shkodrës dhe Durrësit, të cilat, për pushtuesit e rinj, kishin një rëndësi të madhe.

Krahas Gjergj Balshës, që u detyrua dhunshëm të pranonte vasalitetin dhe Jonimës, i cili nëpërmes tij ruajti zotërimet e veta, ishin Dukagjinët (vëllezërit Progon dhe Tanush), të cilët, në verën e vitit 1393, Lezhën ia dorëzuan një admirali venedikas, i cili vendosjes së Osmanëve në Bunë, iu përgjigj me pushtimin e grykëderdhjes së Drinit.

Kjo do të zgjasë deri në vitin 1402, kur pushtimet osmane në vendet e Arbrit ndalen për dhjetë vjet. Shkas për këtë ishte beteja e Ankarasë e atij viti, me ç’rast trupat osmane pësuan disfatë të thellë nga ushtritë mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Në këtë betejë, me Bajazitin ishin edhe vëllezërit Stefan dhe Vuk Lazareviq dhe nipërit e tyre, vëllezërit Brankoviq, vasal të sulltanit.

(Shih: Chalconcandylae, Leonici: “Historiarum Demonstrationes”, ed. S. Darko, Budapestini, 1922; Giese, F: “Die Altosmanischen Anonymen Chroniken”, II, Leipzig 1925; Kandić, J: “Despot Stefan Lazarević i turci“, Beograd, 1982 Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).

Pas vdekjes së Bajazitit I sapo i kthyer nga robëria njëvjeçare nga Timuri në Aksheher të Frigjisë së vjetër, për një dekadë të tërë Osmanët u përfshinë në një luftë të brendshme për fron të të bijve të sulltanit. Në atë luftë u përfshinë edhe vasalët e tyre: Lazareviqët në anën e Musait, ndërsa Brankoviqë në anën e Mehmetit I me nofkën “kyrishxhi” (mundësi), i cili nga Azia do t’i drejtohet pjesës europiane të Perandorisë, ku edhe do të dalë fitimtar, pasi që do ta vrasë vëllanë, Musanë në betejën Filipojës në korrik të vitit 1413.

(Shih: Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).

Nën drejtimin e Mehmetit I (1413-1421), Osmanët sërish iu kthyen Ilirikut për të vazhduar ku kishte mbetur Bajaziti I. Mehmeti I, i këshilluar nga ndihmësit e tij kryesorë në Ilirik, Brankoviqët dhe feudalët tjerë ortodoksë, që e ndiqnin atë, e kishte të qartë se vendet e Arbrit duhej paqësuar në tërësi, meqë ato kishin një pozitë të rëndësishme për krijimin e kohezionit të brendshëm antiosman në Ilirik siç kishin edhe aftësi dhe prirje për lidhje me perëndimorët, me të cilët mund të lidhnin aleanca për t’u kthyer në mbështetës të tyre në këtë pjesë. Kjo, Osmanëve, do t’ua rrezikonte qëllimet që kishin drejt Europës Qendrore.

Se disa nga Arbrit ishin në gjendje që gjërat t’i ndryshonin ashtu që të mos u shkonin përshtati Osmanëve, kjo tashmë ishte parë gjatë dekadës së krizës që kishte përfshirë Osmanët pas humbjes nga Timurlengu, kur ata kishin filluar t’i zgjeronin feudet e tyre, siç ishte rasti i Niketas Thopias, i cili, pas fundit tragjik të Konstantin Balshës, kishte vënë në zotërim pronat e tij, që si vasal i venedikasve zotëronte Krujën (1402-1415). Po ashtu në Mat, shfaqej feudali Gjon Kastrioti, i cili ia kishte dalë që brenda një kohe të shkurtër të bëhej zot i tokave nga kepi i Rodit në Durrës, Lezha dhe Shkodra si dhe të mbikëqyrte rrugët për në Prizren dhe Shkup. Si qytetar i Venedikut dhe Raguzës, si shumica e fisnikëve dhe feudalëve Arbërorë të Veriut, Gjon Kastrioti, lëkundej midis dy kishave, asaj katolike dhe ortodokse, me të cilat mbante lidhje të mira. Kështu, krahas mbështetjes klerikëve dhe abacive katolike, njëherësh me dhurata mbulonte edhe manastiret e Hilandarit me të cilin kishte edhe lidhje të hershme.

(Shih: Jireček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 173.)

Gjon Kastrioti, në fillim ishte vasal i Venedikut, por shpejt iu desh t’u nënshtrohej Osmanëve (1410), të cilët, sapo iu kthyen Ilirikut, vunë në shënjestër princat arbërorë dhe lidhjet e tyre me Venedikasit dhe Perëndimin. Kështu, Mehmeti I, duke ruajtur aleancën me princat ortodoksë (rasianë, bullgarë dhe grekë), të cilët jo vetëm që i kishte vasalë të besueshëm, por edhe bashkëveprues në të gjitha fushatat kundër Hungarezëve, Bosnjës dhe të tjerëve, nuk e kishte të vështirë që edhe princat dhe feudalët Arbërorë t’i fusë në radhën e vasalëve. Tek e fundit, edhe arbërorët ishin pjesë e kozmosit të paqëndrueshëm politik të Bizantit.

Në këtë fushatë, krahas nënshtrimit të Arbërve, Mehmeti I kishte parasysh që edhe më tutje t’i forconte aleatët dhe vasalët kryesorë, Rasianët pa përjashtuar këtu edhe Paleologun dhe Grekët. Kështu, Mehmeti I, despotit Stefan ia dhuroi Koprianin në Nish, krahinën Znepolje në Tërn, në malet midis Nishit dhe Sofjes dhe disa pjesë të tjera. Po kështu perandorit vasal të Bizantit, Manuel iu kthyen qytetet e marra prej Musait.

(Shih: Schreiner, P: “Die Byzantinischen Kleinkroniken und die Anastik beri den Südslaven”, Bulgarian Historicval Rewiew 6-1978, faqe 45-54).

Edhe midis Rasianëve tribalë dhe Grekëve u krijuan lidhje edhe më të ngushta. Nipi i despotit, Gjergj, u martua për të satën herë me Irenën nga familja e Kantakuzenëve. Kështu, Grekë të panumërt hynë në shërbim të Rasianëve, ndër të cilët edhe vëllai i Irenës, Tomas Kantakuzeni.

(Shih: Serb. Annalen, Glasnik 53, 80; dhe Новакович, С: “Срби и Турци XIV i XV века“, Београд, 1960.)

Por, dinastët ortodoks rasianë, që tashmë ishin mbështetësit kryesorë të Mehmetit I dhe dora e djathtë e tij, po ashtu ishin të interesuar që fushata osmane, që tashmë ishin forcuar, të rrënonin edhe aleancat me Venedikun, ose që kur kësaj nuk i dilej, atëherë ata të shfaqeshin mbikëqyrës të këtyre aleancave, gjë që kishin edhe përkrahjen e Osmanëve, të cilët aleatët e tyre rasianë, tashmë i kishin kthyer në partnerë kryesorë në Ilirik.

Në këtë mënyrë, Osmanët vepruan në Novobërdë. Në vitin 1412 e sulmuan atë dhe e mbajtën të rrethuar, por së fundit ia lanë në pronësi një pinjolli të familjes së Lazarit. Me vdekjen e Niketë Thopisë, në fillim të vitit 1415, Osmanët pushtuan Krujën. Gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës. Kurse në vitin 1418, pushtuan Gjirokastrën, qendrën e Zenebishëve.

Këto pushtime u bënë në kohën kur Mehmeti I, edhe pse pësoi humbje nga venedikasit në një betejë detare para Galipolit (1416) dhe u detyrua të bënte një paqe me ta. Kjo len për të kuptuar se Osmanët kishin arritur një marrëveshje me venedikasit rreth shtrirjes së tyre në viset e Arbrit, me ç’rast ata do të mbanin pjesët në brendi, ndërsa venedikasit qytetet bregdetare.

Pinjolli i fundit i familjes Balsha, i cili tashmë kishte humbur shumë nga zotërimet, nën mbështetjen e dajës, despotit Stefan Lazareviq dhe njerkut Sandaljit, u hodh në luftë kundër Venedikasve, të cilët u përfshinë në një luftë për zgjerimin e pushtimeve në Adriatik me Zigmundin e Hungarisë, me ç’rast Hungarezët dolën humbës, ndërkohë që Republika e Adriatikut u vendos në Split,Trogir dhe në ishujt Braç, Korçula dhe Lesina në mënyrë që kështu të fusë nën mbikëqyrje edhe Kotorin.

(Shih: Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia Balshaj”, Tiranë 2029, faqe 173-170).

Balsha u detyrua të sulmojë Venedikun pas shtatë vjetësh dhe të rrethojë kështjellën e Drishtit. Venedikasit u kundërpërgjigjën me pushtimin e Budvës. Kështu, lindi nevoja për bisedime paqësore, por ato, siç ishin paraparë nga despoti, Stefan Lazareviq, të cilin Balasha që nuk kishte djalë, e kishte caktuar si trashëgimtar, do të zhvillohen pa Balshën dhe nën drejtimin e Rasianëve, pasi që Balsha i sëmurë, vdiq më 28 prill 1421 dhe u varros solemnisht nga Stefani.

(Shih: Stanojević: Arch. Slav. Phil. 18 (1896), 459; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, faqe 322-341; K. Jireček: “Historia e Serbëve”, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 186.)

Vdekja e Balshës sikur i dha fund lavdisë së njërës ndër dyert më të fuqishme princore arbërore nga veriu, e cila për më shumë se gjysmë shekulli ishte e pranishme në një skenë politike ku kryqëzoheshin interesat e Bizantit dhe të Perëndimit në njërën anë dhe ato me Osmanët në tjetrën anë.

Edhe pse Balshajt nuk ia dolën që të përballojnë sfidat e kësaj përpëlitjeje ndër më të mëdhatë e kohës, megjithatë me veprimet që të luhet nga njëra anë në tjetrën, qoftë edhe si humbës, ia dolën që faktorin arbëror, ta fusin në një lojë të madhe, në të cilën, feudalët dhe princat tjerë, kush më shumë e kush më pak, u përfshinë në të. Dhe kjo do të paraqesë aktin e fundit të një ndeshjeje historike që do t’i paraprijë pushtimit shumëshekullor osman.

Ky akt, të cilit, vulën e fundit do t’ia japë Sulltan Mehmeti II pushtuesi pak më vonë, do të pasohet nga Murati II, që erdhi në pushtet pas vdekjes së të et, Mehmetit I (1421). Murati II, i bindur se beteja vendimtare për të depërtuar tutje në Perëndim duhej të kalonte nëpër Arbëri, u vu vetë në krye të fushatës ushtarake, ndër më të mëdhatë e kohës. Ushtria e tij komandohej nga gjenerali i sprovuar Isa Bej Evrenozi. Pas disa luftimeve, me humbje të dyanshme, Osmanët fituan. Kjo bëri që në pjesët e jugut të vendosej regjimi i timareve, me çka i jepej fund autonomisë së deriatëhershme feudale, që kishte karakterizuar rrethanat bizantine, mbi të cilat ishin ngritur edhe feudet dhe principatat e pavarura jo vetëm te Arbrit, por edhe në pjesët e tjera.

(Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954; Fashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 45).

Rrënimi i principatave të pavarura të Arbrit (Balshajve, Thopijave dhe Muzakave), megjithatë, u përcoll me ngritjen e të tre zotimeve të tjera të mëdha feudale: të Dukagjinëve, Arianitëve dhe Kastriotëve. Këto zotime përfshinin krahina malore dhe në gjirin e tyre kishin një popullsi me tradita të lashta luftarake, ku bujkrobërit përbënin pakicën, kurse shumicën dërmuese e formonin fshatarët e lirë, të cilët nuk i njihnin marrëdhëniet feudale dhe kishin gjetur një modus vikendi me bujarët vendorë.

(Shih: Frashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 46).

Si rrjedhim, fshatarët e lirë të Arbërisë ishin më të interesuar se bujk-robërit të luftonin kundër invazionit feudal-ushtarak.

(Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954.)

Edhe Dukagjinët, Arianitët dhe Kastriotët me zotimet e tyre, ndonëse do të kalojnë nëpër një fazë kur Osmanët tashmë ndodheshin në procesin e mbylljes së vasalitetit dhe të vendosjes së pushtetit të plotë, u përpoqën që të përfitojnë edhe nga rrethanat e tilla, të cilat ishin jo premtuese. Atyre nuk u ndihmoi as “arti” i përpjekjeve të lidhjeve të vazhdueshme me perëndimorët (veçmas me Venedikun), të cilët përfitonin edhe në këto rrethana.

Megjithatë, nga gjithë kjo, Dukagjinët ia dolën që të ruajnë disa zotime “të pavarura” në pjesët malore të veriut, nën emrin “Krahina e Dukagjinit” në Dardaninë antike. Ngjashëm ndodhi edhe me Arianitët, të cilët humbën shumë nga zotimet por, ruajtën namin e fisnikërisë, që do të bartet edhe më vonë në kujtesën historike nga kronika të jashtme.(Rreth Arianitëve dhe historisë së tyre.

(Shih gjerësisht te Babinger, Franz: “Fundi i Arianitëve”, Tiranë 2004; “Kronika e Gjon Muzakës” te Xhufi, Pëllumb: “Nga Paleologët te Muzakajt”, Tiranë 2009, faqe 365-457).

Ngjashëm ishte edhe me Kastriotët dhe zotërimet e tyre, që sado të rrudhura, do të zënë vend kyç në historinë e Arbërve dhe të Arbërisë në saje të ngjarjeve që në atë trevë do ta kenë nga viti 1443, kur aty do të zë fill epopeja e lavdishme skënderbegiane, që do të zgjasë për çerek shekulli, kur Skënderbeu me luftën kundër osmanëve, ktheu në histori shtetin e Arbrit, të vetmin asokohe në Europë.

Fushata për nënshtrimin e Arbërve do të ishte jo e plotë pa fundin e Dardanisë, pjesës kyçe që lidhte lindjen me Perëndimi, ku gjendeshin edhe xeheroret e shumta. Atje, nën drejtimin e mbetjeve të fundit të despotëve të Rashës dhe me ndikimin e tyre do të vendoset edhe fati i një pjese të madhe të Dardanisë, që Osmanët ua kishin lënë aleatëve të tyre, Brankoviqëve (Vukut) në përbërje të despotatit të tij që kishte pranuar vasalitetin osman, prej tyre i quajtur Vlk-oglu. Historianët turq Sadedini, Neshri dhe Ashikpashazade, në kronikat e tyre, flasin për “Vilajetin Vlk” dhe vasalin VLK-oglu, të cilët historiografia serbe e shekullit XIX i fikson si Lazareviq dhe Brankoviq, sidomos këtë të fundit, me ç’rast “Vilajetin VLK” (Kosovën), e quan “Oblast Brankoviqa”, që po të zbërthet gjuhësisht “Vlk” do të thotë “Ujk” ose “Ukë”, që i përgjigjet patronimit “Ujkan”, të përhapur në gjuhën shqipe. Rasti i “Vilajetit VLK” dhe emërtimi i tij “Oblast Brankoviqa”, duke e përkthyer emrin “Ujk” ose “Ukë” në “Vuk”, tregon më së miri përmasat e falsifikimit të historiografisë serbe për ta sajuar me çdo kusht të ashtuquajturin shtet mesjetar serb me qendër në Kosovë me “despotë serbë”, gjoja të legjitimuar edhe nga osmanët, kur e gjitha flet për një feudal ortodoks nga Dardania, nga shumë burime të kohës i cilësuar si tribal, emri i të cilit shpjegohet me gjuhën shqipe!

(Shih te Nikolić, Maja: “The byzanine Writers on Serbia 1402-1439“, Beograd, 2010, faqe 41).

Megjithatë, në këto vende, që kishin një rëndësi të veçantë ekonomike, pasi që në to gjendeshin minierat e njohura të Novobërdës dhe Zveçanit, gjatë viteve 1394 -1444, Osmanët vendosën nëpunësit dhe ushtarët e tyre për t’i mbikëqyrur prodhimet e tyre, të cilat nuk mund të shkonin, si më parë në drejtim të Raguzës apo Venedikut, por t’i dorëzoheshin arkës së shtetit osman. Në këto pjesë, deri sa do të bëhet pushtimi përfundimtar nga Osmanët, në vitin 1455, “bashkëjetonin” pushteti vendor i Vukut (Vlk-oglut) me atë osman, por ky i fundit kishte fjalën kryesore.

(Shih: K. Jiriček-J. Radonić: „Istorija Srba“, I, Beograd, 1952, faqe 369,422).

Pjesa më e madhe e Dardanisë, në veri të Shkupit dhe të Tetovës, ra nën sundimin osman në kohën e Sulltan Mehmetit II Pushtuesit (1451-1481), ndonëse asokohe Kruja e Skënderbeut mbahej. Natyrisht, cak i pushtimeve osmane ishin xeherorët e njohura të Novobërdës, Zveçanit dhe të Gllahovicës (kjo e fundit e pasur me hekur). Disa burime bëjnë të ditur se “sulltani kishte grumbulluar ushtrinë islame dhe ishte nisur në luftë të shenjtë nga Shkupi, prej nga do të kalojë kah mali Kara Tonlu (Karadaku i Shkupit) për në Novobërdë. Novobërda, të cilën xehetarët sasë e quanin Neuberge, ndërsa Italianët Novomonte, kishte një kështjellë të fortë dhe disa vendbanime xehetarësh përreth. Aty gjendej kolonia kryesore e raguzianëve, por banohej edhe nga Italianët, sidomos venedikasit. Aty banonin edhe shumë bujarë vendorë, të cilët prej andej mbikëqyrnin nxjerrjen e xeheve dhe përpunimin e tyre, por edhe dërgimin në vendet e tjera.

Meqë këto xeherore ishin të rëndësishme, sulltani kishte vendosur që t’i vinte nën mbikëqyrje të plotë, kështu që këtë duhej ta bënte me ushtri, edhe pse bujarët vendorë edhe më tutje dëshironin t’u përmbaheshin marrëveshjeve që kishin lidhur me Osmanët në vitin 1441 për shfrytëzimin e përbashkët. Isa-beu, i cili me një pjesë të ushtrisë kishte arritur përpara sulltanit aty, thirri komandantin vendor që të dorëzohej me vullnet. Pasi kjo nuk u bë, sulltani u nis vetë me pjesën tjetër të ushtrisë të sulmojë Novobërdën. Menjëherë filloi rrethimi, që zgjati dyzet ditë. Pas disa bombardimeve, kur po rrënoheshin muret mbrojtëse të kështjellës, më një qershor 1455, qyteti u dorëzua. Një pjesë e mirë e parisë së qytetit u shua, ndërsa një pjesë e të rinjve, 320 sish, u morën për jeniçerë.

(Shih: Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 145.)

Thuhet se aty osmanët kishin gjetur thesar të shumtë (sasi e madhe e argjendit) që e ruante i biri i Vukut, thesar ky që ishte dërguar në arkën e Stambollit.

(Shih:Rizaj, Skënder: “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVIII”, Prishtinë, 1982, faqe 20.)

Rënia e Novobërdës, që merrej si fortesë e botës së krishterë katolike, në Itali dhe në Hungari u prit me përshtypje të hidhura. Dhespot Gjuragj Brankoviqi mësoi lajmin e humbjes më 21 qershor në Hungari, në tubimin e bujarëve në Rab, ku përgatiteshin plane të mëdha për një fushatë të forcave të krishtera kundër Osmanëve.

(Shih:Zachariadou, E.A: „Süleman çelebi in Rumili and dhe Ottoman chronicles“, Der Islam, 60/ 1983, faqe 269-296 dhe Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 146.)

Pa çarë kokën se çfarë kishin ndërmend të krishterët, Sulltan Mehmeti me forcat e tij kishte vazhduar në drejtim të kështjellës së Trepçës, e pushtuar pa ndonjë mund të madh. Edhe aty ishte gjetur pasuri e madhe. Me Trepçën ishin pushtuar edhe xeheroret e tjera të argjendit. Pasi që kishte qëndruar për pak kohë në (shehitllëk) – vendin ku ishte vrarë Sulltan Murati I, Sulltani Mehmeti ishte kthyer në Selanik dhe prej andej në Edrene.

(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë 2021)./KultPlus.com

Maqedonia në një optikë të re historiografike

Jusuf Buxhovi: ”Maqedonia nga antika deri te koha jonë”

Nga Ramadan Musliu

Projekti më i ri historiografik i Jusuf Buxhovit, “Maqedonia nga antikita deri te koha jonë” është një shembull ilustrativ i pohimit të dijetarit të njohur austriak se historia ka për funksion “zgjerimin dhe fuqizimin e botës sonë mendore, falë njohjes së thelluar të zhvillimit të përjetshëm moral” (Johann Gustav Droysen, Grundriß der Historik). Historia e Maqedonisë vjen pikërisht në një moment historik kur po bëhet ridefinimi i identiteteve etnike por edhe i atij shtetëror i shqiptarëve në shtetin të sotëm të quajtur Maqedonia e Veriut, e cila është “suksesore” e pjesërishme e territorit të Maqedonisë antike. Autori me një qasje metodologjike tashmë të identifikueshme si një sintezë e gjerë e dijes dhe informacionit për periudha përkatëse, ke ndërtuar një sistem kritik dhe rivlerësues të procesit historik, trajton edhe Maqedoninë, në dy plane kryesore: në korelacionin Maqedoni antike, si monarki dhe si perandori globale botërore me Maqedoninë e Veriut tashmë, si një sajesë politike në një teritor të tjetërsuar etnikisht, dhe, si plan i dytë referencial del ndjekja e vazhdimësisë etnike të hapësirës maqedone që nga antikiteti e deri në aktualitet, vazhdimësi kjo që favorizon popullatën autoktone, domethënë atë shqiptare.

Duke trajtuar Maqedoninë si konstrukt politiko-juridik, që nga Maqedonia antike e Filipit e veçmas e Aleksandrit të madh, krijuesit të një perandorie globale botërore, autori merret me thyerjen e tabuve politikë që janë krijuar gjatë periudhave të ndryshme e sidomos shfaqjen e Maqedonisë si një çështje sllave, si pasojë e implikimit rus në Ballkan dhe e Krizës lindore, të cilës i ka ndihmuar edhe inteligjencia romantike europiane, e cila idealizmin kulturor e hodhi në rrafshin politik, duke u përpjekur të krijojë madje edhe entitete shtetërore.

Të gjitha këto probleme, deri tek periudha e fundit, ajo e krijimit të shtetit maqedon nga Tito, si shkëputje e suksesshme e Maqedonisë nga sfera e interesit politik serb, bullgar e grek, e deri tek riemërtimi i këtij shteti në Maqedoni e Veriut, autori i vështron në kontinuitet, duke ndërtuar një rend kronologjik sipas periodizmit nga historia e përgjithshme, duke filluar me antikitetin. Autori, duke u mbështetur në një faktografi të tërë, problemin maqedon e nxjerr jashtë sferës sllave, të cilët shfaqen në Ilirik nga mesi i shekullit VII , Maqedoninë e trajton si një hapësirë dhe etni që vjen nga degëzimet pellazge, të vendosur në trekëndëshin mes ilirëve, thrakëve dhe dardanëve, madje duke i përafruar me dardanët si suksesor të perandorisë së hershme po ashtu të një koncepti botëror të perandorisë së tyre që gjen inkarnim në atë maqedone të Aleksandrit të madh. Duke trajtuar fillesën maqedone, së pari në domenin e mitit mbi Makedonin si të birin e Zeusit, apo të birit të LIkaonit, të birit të Pellazgut, pra si nip i Pellazgut apo edhe si të birit të perëndsisë egjiptase, Ozirisit, megjithatë origjina e tij mbetet pellazge, domethënë e përbashkët me popujt të tjerë më të cilët ishte i rrethuar, me Brygët, Pajonët apo dardanët, siç i njeh G.F. Hani, dhe ilirët e thrakët që janë të një gjaku sa na e kujton pohimin e Georgievit, i cili thotë se maqedonët, epirotët, thrakët e madje edhe ilirët e flasin të njejtën gjuhë. Kësisoj historia edhe antike edhe e tanishme e Maqedonisë është ë pashkëputshme nga kompleksi pellazg e veçanërisht e lidhur me atë dardane, të cilët, sikurse edhe me Tribalët, kanë bërë lufta të pandërprera, si karakteristike e luftërave brenda llojit të fiseve pellazge.

Pas rënies nën sundimin e Perandorisë romake roli i maqedonëve vjen duke u zbehur sa ata shkrihen në etninë dominuese, atë liro-dardane, duke ruajtur vetëm tiparet gjuhësore dhe kulturore, por edhe famën e dikurshme me të cilën do të lidhet edhe vetë Skënderbeu duke u cilësuar si princ i maqedonëve dhe i epirotëve. Mengadalë Maqedonia vjen duke u zbehur si entitet shtetëror dhe si bartës i dikurshëm i një perandorie gjithëbotërore. Një përpjekje për ta faktorizuar, përkatësisht për ta politizuar, bëhet me ardhjen e sllaveve, përkatësisht sundimi bullgar i këtyre trojeve, çështje që ende nuk është ndriçuar sa duhet shkencërisht. Manipulimet e mëdha bëhen nga politikat shtetërore të dy shteteve, bullgarëve dhe serbeve, sidomos ne periudhën e ekspansionit të tyre gjatë shekullit XIX dhe XX, periudhë kur në Serbi zë fill shkolla nacional-historike e themeluar nga Garashanini, modelet e të cilës edhe sot i ndjekin historianët shqiptar, duke pranuar të gjitha falsifikatet e tyre. Po kaq rol në këtë spekulim historik kanë edhe bullgarët, të cilët një gjuhë liturgjike, çfarë ka qenë sllavishtja, mundohen ta bëjnë një gjuhë të perandorisë bullgare më një shtrirje të gjerë në Ilirik.

Me invanzioni osman problemi maqedon, deri në fazën e dekompozimit të kësaj perandorie, mbetet si i margjinalizuar ngase statusi i saj është i njëjtë me të gjithë shqiptarëve. Maqedonia, pjesa më e madhe e territorit të sotëm, hyri në kuadër të ndarjes administrative të kohës, si Vilajet i Manastirit, kurse në planin global popullata edhe kulturalisht edhe politikisht është unijon me ato të vilajeteve të tjera dhe përpjekjeve për pavarësim. Vetëm më shfaqjen e krizës lindore, domethënë me implikimin rus në Ballkan, Maqedonia imponohet si një çështje e kohës që duhet të shkojë në kuadër të procesit të defaktorizimit të elementit shqiptar, ndonëse gjatë kësaj periudhe edhe në këtë pjesë shqiptare ka përpjekje për inkuadrim në proceset politike që do të shpinin nga shkëputja prej Perandorisë otomane. Implikimi rus nënkupton implikimin sllav, përpjekjet serbe dhe bullgare që të marrin në administrim këtë hapësirë, lëvizje që shkojnë në disfavor të elementit shqiptar, Madje kjo krizë rezulton edhe në luftëra ballkanike, pas të cilave territori maqedon trajtohet si pjesë e Serbisë së vjetër, gjithnjë në pajtim me spekulimet dhe falsifikimet historike serbe.

Megjithatë shqiptarët, përkundër këtyre përpjekjeve janë element aktiv, ngase marrin pjesë në të gjitha proceset e rëndësishme të Perandorisë osmane, për të mos thënë se janë faktori kryesor në lëvizjen xhonturke, nga e cila shqiptarët dalin të deprimuar. Brenda këtyre rrethanave Manastiri, por edhe Shkupi behën qendra të rëndësishme të lëvizjeve politike dhe kulturore shqiptare, qoftë kur është fjala për organizimin e Kongresit të alfabetit të (1908) në Manastir apo përpjekjet që Shkupi të bëhet qendër politike e lëvizjes për pavarësinë s Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe e mbizotëron ideja e integralizmit kombëtar, ide që gjithnjë do të zbehet pas krijimit të shtetit shqiptar me shpalljen e pavarësisë në Vlorë në fund të nëntorit të vitit 1912. Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore shqiptarët e Maqedonisë, të mbetur nën tutelën serbe, i nënshtrohen një presioni të madh që është një lloj specifik i gjenocidit ngase në këtë kohë bëhet marrëveshja e njohur e Lloznaës mes Serbisë dhe Turqisë, me të cilën bëhen një shpërngulje masovike për në Turqi. Studiuesi Buxhovi, duke ndjekur parimin e objektivitetit shkencor, bën edhe zbardhjen e disa të vërtetave të kamufluara nga historiografia sllave, veçanërisht kur është fjala për proceset politike mbi të cilat kinse është mbështetur tradita e popullit maqedon, para se ai të identifikohet si një nacion, merret vesh i kamufluar. Ndër këto ngjatje është pa dyshim Kryengritja e Ilindenit dhe Republika disaditëshe e Krushevës, që është një lëvizje e nxitur nga bullgarët dhe ku shqiptarët u përdorën si një burim i konfliktit reciprok, në njërën anë popullata ortodokse shqiptare e në anën tjetër, ajo e besimit islam. Këtë ngjarje tragjike dhe pa ndonjë peshë historike më vonë përpiqen edhe disa qarqe politike ta marrin si një aktivitet të përbashkët maqedono-shqiptar, duke i dhënë konotacione politike të kohës së vet.

Megjithatë, në këtë periudhë, të cilën autori i cilëson si rikthim të Jugosllavisë, kur ndodh edhe një rindarje administrative e Maqedonisë, duke marrë statusin e një banovine, e ashquajtur e Vardarit, kur ndodh dominimi i elementit sllav, në radhë të parë i atij serb, i cili Maqedoninë e shndërroi pas asnjë bazë historike, etnike dhe politike në “Serbi të vjetër”, megjithatë Maqedonia, përkatësisht Shkupi, mbetet si një epiqendër e zhvillimeve kulturore ehe politike e shqiptarëve sepse dominanca entike ishte ajo që e përcaktonte qoftë edhe kuantitativisht zhvillimet e të gjitha sferave.

Kapitull më vetë në libër dhe që gjen në trajtim shkoqitës është ai “ Republika e Maqedonisë dhe Jugosllavia – Maqedonia krijesë e Titos”, problemi maqedon kalon nga një nivel gjeografik jo vetëm në nivel politik, por shtetëror, sepse kthesa e madhe që u bë në Jugosllavinë e atëhershme me Luftën e Dytë Botërore, bëri që Maqedonia të pushojë së qeni monedhe për kusuritje, sepse ajo shndërrohet në një entitet shtetëror dhe sllavët e kësaj hapësire katapultohen me identitet të ri, shndërrohen në komb maqedon, çështje që do të ketë pasoja të rënda për popullatën dominuese shqiptare të kësaj hapësire. E gjithë kjo ndodh me vendimet e Kuvendit të tretë të AVNOJ-it të mbajtur në Beograd më 1945, kur kinse me vullnetin e lirë të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë monarkiste i bashkohen shtetit të ri komunist. Në libër jepet një pasqyre e gjerë e zhvillimeve politike të kohës, por edhe ushtarake, të cilat, për shkak të politikës pragmatiste të Titos, arritën të largojnë pretendimet hegjemoniste serbe dhe bullgare nga Maqedonia, ndonëse me një kosto të madhe për etninë shqiptare. Në kuadër të këtyre proceseve një vështrim i rëndësishëm i bëhet edhe lëvizjeve nacionaliste shqiptare, organizimin e frontit antisllav, midis të cilave shquhet NDSH, që është një përpjekje e vonuar e implikimit euroatlantik në Ballkan, të cilët mendonin që përmes elementit shqiptar të bëjnë ndryshime në hartën politike jugosllave, pasi që e panë gabimin strategjik të Jaltës dhe konferencave të tjera. Edhe NDSH, sikundër edhe lëvizjet e tjera politiko-ushtarake dështojnë ngase inicimi i saj ishte vetëm një sprovë se çfarë mund të bëhej po qe se krijohet një momentum politik për ndryshimin eventual në këtë hapësirë.

Një hapësirë të gjerë zë trajtimi i zhvillimeve politike në vend gjatë periudhës së pas çlirimit dhe deri tek krijimi i shtetit të pavarur maqedon sikundër edhe analiza e shkaqeve politike që shpiejnë deri të shpërthimi i luftës së fundit në vitin 2001, të njohur si luftë e Ushtrisë çlirimtare Kombëtare. Edhe kësaj ngjarjeje me peshë, e cila çon deri të Marrëveshja e Ohrit, për të cilën autori mendon se është një përmbyllje e pa suksesshme politike e një luftë të suksesshme, i jep një tretman të duhur, duke e marrë si një ngjarje me peshë historike, duke i ndarë komponentet qenësore të saj, atë ushtarake, diplomatike dhe politike.

Edhe kjo luftë nuk solli atë për të cilën ishin bërë sakrifica njerëzore, ndonëse në një rrafsh të të drejtave të njeriut u arrit një përparim, por jo edhe qëllimi themelor, shndërrimin e shqiptarëve në një faktor shtetformues, pa të cilin shteti Maqedonia e Veriut nuk mund te ketë perspektivë dhe ky status inferior do të jetë gjithnjë burim i krizave të reja.

Edhe në këtë kapitull jepet një pasqyrë e gjerë e zhvillimeve politike në kuadër të të cilave përfshihet edhe spektri politik që nga themelimi, ridefinimi i programeve të tyre në varësi nga kushtet e reja të krijuara me kontekstin e ri politik.

Në fund të themi se ky botim kapital për historinë e Maqedonisë, i cili pret një receptim dhe një qasje kritike historiografike, sepse rëndësia e tij është ajo që e bën të paevitueshëm një akt të tillë, duke qenë së është iunicues dhe frymëzues për trajtimin e çështjeve të shtruara në një plan më të gjerë, paraqet edhe një sukses shumë të madh të Jusuf Buxhovit si historian, që lirisht mund të konsiderohet si një pjesë komplementare të projektit Kosova në tetë vëllime, pasi që historia e kësaj hapësire është e pashkëputshme me historinë e Kosovës.

(Qershor 2019)

146 Vjetori i Kongresit të Berlinit

Ngjarja që ndryshoi krahun e politikës së Europës.

Nga Jusuf Buxhovi

Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i mbajtur nga 13 qershori deri më 13 korrik, shënon një ngjarje të rëndësishme, meqë nga rrjedhat dhe vendimet e tij do të ndikohen jo vetëm realitetet shoqërore të kohës, por edhe ato historike në përgjithësi, të cilat do të marrin kahun e krizave që do të vazhdojnë në forma të ndryshme për t´u kthyer deri tek ajo që mund të quhet planimetri e re gjeostrategjije dhe gjeopolitike. “Natyrisht se shkas për një zhvillim të tillë paraqitnin, në njërën anë, dobësimi i vazhdueshëm i Perandorisë Osmane, që nuk kishte si të përfundonte ndryshe veçse me rrënim dhe në tjetrën anë lindja e fuqive të reja, Gjermanisë dhe Italisë, që bënte të ruhej baraspesha e deriatëhershme ndërkombëtare.“

Ky ekuilibër u prish sidomos pas fitores së Rusisë mbi Turqinë në vitin 1877 dhe pas nënshkrimit të ngutshëm të Paqes së Shën Stefanit, në mars 1878, me ç´rast Rusia, nëpërmjet krijimit të shtetit të Bullgarisë po fitonte pjesën më të ndjeshme të Ballkanit dhe po dilte në Mesdhe.

Ishte më se e qartë se Bullgaria e madhe e Shën Stefanit nuk paraqiste tjetër përpos një dorë të djathtë të Rusisë, e cila kështu po realizonte ëndrrën e kamotshme për depërtim të thellë në Ballkan dhe për një hegjemonizëm në këtë pjesë nevralgjike të Evropës, pikërisht aty ku historikisht zhvillohej ndeshja midis Perëndimit dhe Lindjes dhe në njëfarë mënyre edhe mbaheshin çelësat e gjeostrategjisë botërore.

Paqja e Shën Stefanit me ato që solli, dridhi me të drejtë që të gjitha fuqitë Evropiane, të cilat nuk kishin si të mos përqendroheshin kundër realiteteve që solli ajo në planin politik dhe diplomatik. Kështu, Anglia, e cila kishte depërtuar thellë në Lindjen e Mesme dhe që edhe më tutje kërkonte shtigje të reja tutje Indisë, me një paqe të tillë, siç ishte ajo e Shën Stefanit, e detyruar nga Rusët, shihte se po i rrezikoheshin interesat vitale, veçmas ato që i kishte përcaktuar Paqja e Parisit e vitit 1856 dhe status quoja e saj. Ndërsa, Austro-Hungaria dhe Italia, sidomos kjo e para, me krijimin e shtetit të madh bullgar në Ballkan, kishte frikë të madhe se mos Rusia, pas një traktati të tillë, po ua mbyllte dyert të tjerëve në këtë pjesë të Evropës.

Pra, përpos shumicës së popujve të Ballkanit, që ishin të pakënaqur me Traktatin e Shën Stefanit, edhe fuqitë e mëdha, në krye me Anglinë, iu kundërvunë vendimeve të tilla. Bile, dukej se nëse Rusia do të vazhdonte të ngulte këmbë se paqja e Shën Stefanit ishte fjala e fundit e saj, atëherë nuk mbetej tjetër përveçse një luftë e pashmangshme midis Anglisë dhe Rusisë, në të cilën do të përfshiheshin edhe të tjerët. Për këtë arsye, u shtrua nevoja e ngutshme e një takimi ndërkombëtar, ku fuqitë e mëdha do të bisedonin shtruar për të gjitha çështjet, para se këtë ta bënin armët. Në këtë drejtim, Gjermania u tregua më e angazhuara dhe pothuajse mori përsipër që të gjitha ndërmjetësimet, qoftë të uljes së tensionimeve që u shfaqën, qoftë rreth përgatitjes së një kongresi të madh, ku përveç Rusisë dhe Perandorisë Osmane, Anglisë e Austro-Hungarisë, Italisë dhe Francës do të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e popujve, të cilët luftonin për pavarësi kombëtare, por që aty nuk do të ishin për të vendosur, por për të parë si do të vendosnin fuqitë e mëdha. Bizmarku, që kishte bërë aq shumë për unitetin dhe prosperitetin e shtetit të ri gjerman, tashmë gjendej para një detyre tejet të rëndë, që në njërën anë sa më shumë që të ishte e mundur t´i pajtonte të gjitha kundërshtitë dhe konfliktet në shpërthim e sipër midis fuqive të mëdha dhe në tjetrën anë, të minonte sa më shumë vendimet e Shën Stefanit, ku Rusia do të mbahej sa më larg Evropës, por që një gjë e tillë të arrihej pa ndonjë shqetësim të madh a luftë midis superfuqive.

Por, si të arrihej diçka që „Mishi të piqej e helli të mos digjej“, kur gjendja pas marrëveshjeve të Shën Stefanit ishte aq e nderë dhe e ashpërsuar njëherësh sa që shpesh dukej se qëllimi i tillë madje ngjante i paarritshëm. Vetë Bizmarku, që mori rolin e ndërmjetësuesit të shkathët dhe për këtë u mbiquajt edhe makler i madh, thotë se „Gjermanët nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë në Ballkan a më larg, në një kohë kur edhe më tutje kishim probleme të brendshme, por gjithsesi ishim të shqetësuar se çfarë po ndodhte përreth nesh dhe mund të kishte ndikim te ne. Rusia ishte e thelluar shumë në Ballkan dhe kjo bëri që Austro-Hungaria disa herë të protestojë dhe filloi të nxiste Anglinë që të lidhnin një aleancë kundër Rusëve. Po ashtu edhe Italia, e cila po përgjonte se ç´ndodhte, po shqetësohej. Franca, megjithaqë parapelqente dobësimin e boshtit Vjenë-Berlin, edhe ajo tregonte interes për ato që ndodhnin dhe nuk pajtohej me gjendjen e re që të jetë me favore të njëanshme për Rusinë. Pra, ishte më se e qartë se fuqitë e mëdha do të rrokeshin keqas me njëra-tjetrën dhe kjo përleshje, dashur padashur do të përfshinte edhe Gjermaninë, e cila nuk ishte e interesuar të futej në ndonjë konflikt. “Prandaj, kush përpos nesh”, thoshte Bizmarku, “duhej ta merrte rolin e një pajtuesi? Ne ishim të vetmit që nuk kishim dorë në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Neve pra na binte barra e përgatitjes së takimit të tillë, ku për herë të parë do të bisedohej që të mos ndodhte një konflikt midis fuqive të mëdha.“

Si e tillë, sipas shumicës së studiuesve të kohës, Gjermania njëmend ishte shteti më i përshtatshëm për ndërmjetësime të tilla, ndërsa Bizmarku politikani më energjik, i cili do të duhej të ndërmjetësonte midis ëve të elektrizuara.

Natyrisht se për të marrë një rol të tillë nuk ishte shumë lehtë, sepse, siç thotë Emil Ludvig, njëri ndër studiuesit më të mirë të Bizmarkut dhe të Kongresit të Berlinit, „Rrethanat atëbotë ishin të tilla që kërkonin një personalitet të fortë, i cili do ta gjunjëzonte në mënyrë diplomatike Rusinë dhe do të bënte që baraspesha e forcave prapë t´u shkonte për shtati atyre që ishin kundër Rusisë, gjë që e gjithë kjo duhej të bëhej me një diplomaci finoke. Këtë mund ta bënte vetëm Bizmarku“.

Kështu, periudha prej marsit të vitit 1878 e deri në qershor të po këtij viti, kur do të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, nuk mund të ishte ndryshe përveçse përplot vlime diplomatike, ku përvijoheshin vijat e qarta të vendimeve që do të pasonin në Kongres. Bizmarku ishte figura kryesore e këtyre bisedimeve. Ky, me anën e kanaleve diplomatike bënte për-pjekje që t´i harmonizonte qëndrimet para se t’i fillonte punimet Kongresi. Nga të dhënat që mund të shihen, del se pas kërcënimeve të para të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Anglisë, që erdhën menjëherë pas nënshkrimit të Paqes së Shën Stefanit (në fund të marsit dhe në fillim të prillit) me ç´rast Rusia haptas hodhi poshtë propozimin e Anglisë për mbajtjen e një kongresi të ri pas Shën Stefanit, forcat e tjera përreth, si Austro-Hungaria dhe Franca filluan të ofronin rezoluta dhe propozime për kapërcimin e krizës që solli Paqja e Shën Stefanit. I njohur është, për shembull, propozimi i Austro-Hungarisë i 26 marsit të vitit 1878, që i ka bazat në Marrëveshjen e Rajhshtatit të vitit 1876 dhe Konventa ruse-austro-hungareze e 15 janarit të vitit 1877. Konventa ruse-austro-hungareze e vitit 1877, përveç të tjerash, parasheh që pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane në Ballkan të krijoheshin shtetet e pavarura: Bullgaria, Rumelia dhe Shqipëria. Sipas burimeve gjermane, çështja e Shqipërisë së pavarur, sipas kësaj marrëveshjeje, është jo gjithaq e sqaruar, sepse zihen në gojë dy terma: vetëqeverisje dhe autonomi, të cilat i përdornin Andrashi dhe Goroshkovi.

Pra, ofroheshin zgjidhje, të cilat, në të vërtetë, kundërshtonin vendimet e marra pak më parë në Shën Stefan, por pa iu mbyllur rruga realiteteve të reja të krijuara pas Luftës ruse-osmane, e fituar nga Rusia, e cila, dashur a padashur, nuk mund ta kthente gjendjen ku ishte, pa iu dhënë njëfarë kundërshpërblimi Rusisë, por mendohej që ky shpërblim të ishte sa më i vogël dhe sa më i parëndësishëm në planin strategjik.

Në këtë kohë edhe vetë Rusia, e shtyrë nga gjendja e krijuar ndër-kombëtare, që do të mund të shpinte në një aleancë të re midis Anglisë, Austro-Hungarisë dhe Francës kundër saj, do të lëshojë pe në të mirë të pranimit të bisedimeve të drejtpërdrejta, duke treguar në këtë mënyrë se megjithatë, është e gatshme të heqë dorë nga Shën Stefani në dobi të faktorizimit të mëtejshëm të saj në sferën ndërkombëtare, si fuqi e pashmangshme e kohës. Shuvalovi, kryeministër rus, brenda një kohe të shkurtër vizitoi dy herë Berlinin, ku u takua me Bizmarkun. Më 9 maj të vitit 1878 dhe më 20 maj Bizmarkut iu ofrua besimi i shtetit rus rreth organizimit dhe mbajtjes së një kongresi ndërkombëtar, ku do të shqyrtoheshin çështjet që dolën pas Luftës ruse-turke. Kështu, më 22 maj Shuvalovi do të presë në Petersburg një delegacion anglez dhe kjo jepte të kuptohej qartazi se një kongres i tillë do të organizohej. Më 28 dhe 29 maj edhe Austro-Hungaria do të bëjë të ditur propozimin përfundimtar për zgjidhjen e çështjes lindore.

Punët, pra, po shkonin mbarë. Fuqitë e mëdha nëpërmjet kanaleve të shumta diplomatike dhe takimeve të njëpasnjëshme kishin përballuar atmosferën e kërcënimit me luftë dhe i afronin qëndrimet e tyre para se ato përfundimisht t´i hidhnin në tryezën e bisedimeve të Kongresit të Berlinit, që do të mbahej pas pak. Për vetë kongresin mbetej ratifikimi përfundimtar i marrëveshjeve dhe çështje të tjera që merreshin si anësore, e që nuk do të duhej të luanin ndonjë rol aq të madh, pa marrë parasysh rëndësinë që mund ta kishin më vonë.

Thelbi i marrëveshjeve ishte ky: Rusia duhej të hiqte dorë nga depërtimi i madh në Ballkan përmes Bullgarisë dhe se do të bëheshin përpjekje që Perandorisë Osmane nëpërmes status quo-s prapë t´i zgjatej jeta në pjesën Evropiane, ani pse ishte krijuar bindja se kjo nuk paraqiste tjetër veçse përpjekje për të fituar kohë të domosdoshme nga të gjithë për të vendosur se si do të mbushej hapësira që për pesë shekuj ishte mbikëqyrur dhe sunduar nga Perandoria e Bosforit.

Anglia në këtë drejtim ishte posaçërisht aktive dhe kërkonte që para se të fillonte Kongresi i Berlinit shumë gjëra të bëheshin të qarta, qoftë në raportet e saj me Rusinë, qoftë me Turqinë, si dhe me situatën në Ballkan. Kështu, më 30 maj, pas shumë ndërmjetësimeve të ës gjermane, asaj franceze dhe deri diku italiane, bëhet takimi i njohur midis Shuvalovit dhe lordit Solsberi. Në këtë takim historik Rusët përfundimisht do të dorëzohen dhe do t´i pranojnë qëndrimet dhe propozimet për modifikimin e Paqes së Shën Stefanit. Çdo gjë tjetër pas këtij takimi ishte formalitet, meqë rrugët e marrëveshjes tashmë ishin të hapura. Rreziku i konfrontimit midis Rusisë dhe Anglisë ishte kapërcyer.

Ishte më se e qartë se Evropa, për herë të parë, në një përbërje të tillë do të shqyrtonte çështje aq të rëndësishme, të cilat do t´i ndërrojnë raportet e kohës.

Më 3 qershor, gjashtë përfaqësuesit e fuqive të mëdha: të Anglisë, të Rusisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Italisë dhe të Gjermanisë, morën ftesat për të marrë pjesë në Kongresin e Berlinit, i cili duhej të fillonte punimet më 13 qershor. Po ashtu, në këtë Kongres u thirrën edhe përfaqësues të shumë popujve, të cilët asokohe luftonin për pavarësi në Ballkan dhe në Lindjen e Afërme. Ata do të vinin në Kongres si vëzhgues.

Në Kongres nuk u thirrën përfaqësuesit e popullit shqiptar, e kjo as që mund të pritej, meqë ata në kuadrin e Perandorisë Osmane kishin tretmanin e milleti-osman, pra nuk trajtoheshin si kombësi, edhe pse kjo çështje tashmë kishte filluar të animohej nga një grup intelektualësh shqiptarë në Stamboll, por që nga Porta e Lartë ishte refuzuar me anatemën se diç e tillë çonte te rrënim i Perandorisë, ndërkohë që edhe kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila filloi tri ditë para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, shprehnin përcaktimin e fortë për t’i mbrojtur tokat e tyre nga copëtimet, por jo kërkesën për një autonomi shqiptare brenda Perandorisë Osmane siç do të dalë më vonë, kur Lidhja do të konfrontohet me Perandorinë Osmane dhe me fuqitë e mëdha.

Me këtë rast gjithsesi se ka vend për një sqarim, që ka të bëjë me një paqartësi, që shfaqet në “Historinë e Popullit Shqiptar”, vëllimi i dytë, i botuar në Tiranë në vitin 2002, ku thuhet se “në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes të mbajtur më 1 korrik 1878, ishte kthyer nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për t’u paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura në Kongres peticionin me kërkesat e Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit!”

Pavarësisht këtyre insinuatave me të cilat edhe sot manipulohet, megjithatë çështja e bashkimit të Shqiptarëve në një vilajet, si dhe ato për autonomi, që do të animohen gjatë kohës kur Lidhja do të ndryshojë kërkesat e veta nga ato të mbrojtjes se territoreve perandorake te autonomia, nuk mbeti si çështje e shurdhër, si thuhet shpesh. Përkundrazi, për vetë faktin se Perandoria Osmane tashmë i kishte ditët e numëruara, ndërkohë që telashet që linte ajo prapa, nuk mund ta përjashtonin edhe çështjen shqiptare, dashur a pa dashur disa nga fuqitë e rëndësishme Evropiane shtetin shqiptar kishin filluar ta projektonin si një faktor që do të përfshihej në sferat e tyre të interesave dhe madje në këtë plan edhe të punonin, siç do të veprojë Anglia, e cila do ta autorizojë Lordin Edmond Fitzmauricie, që në përputhje me artikullin XVIII dhe XXIII të Kongresit të Berlinit, Portës t´i kërkojë që të krijojë një Shqipëri autonome në një vilajet, që do të bashkonte vilajetet e Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit, që do të mbetej nën suzerenitetin e Sulltanit.

Në konferencën e Kostandinopojës më 20 prill 1880, para Komisionit Ndërkombëtar për Reformat e brendshme të cilat Porta do t´i zbatonte, Lordi Fitmauricie, deklaroi se fliste në emër të Lordit Beaconsfield, i cili porosiste se krijimi i një Shqipërie të fortë autonome është në interes të Evropës. Historiani gjerman Hanns Dieter Schanderl, në librin këtë e thekson si qëndrim të rëndësishëm me të cilin do t´i hapet drita e gjelbër shtetit të ardhshëm shqiptar. Schanderl, duke cituar një dokument të Forin Officit të 26 majit 1880, bën të ditur se Lordi Fitmauricie, gjatë takimit me ministrin e jashtëm turk, Sawa Pashën, do t´ia dorëzojë një memorandum me projektin e Shqipërisë si vilajet autonom.

Megjithatë, nga protokollet e mbledhjes së shtatë, të tetë, të dhjetë, të dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë, bie në sy se përfaqësuesit e delegacionit të Portës, Aleksandër Karateodor Pasha dhe Mehmed Ali Pasha, kur konkretisht u bisedua rreth zgjerimit të Malit të Zi dhe të Serbisë me territoret e banuara me Shqiptarë, por edhe kur u bisedua për kërkesat e Greqisë ndaj Epirit dhe të Thesalisë, flisnin në emër të Shqiptarëve dhe madje shfaqen edhe në rolin e mbrojtësit të tyre gjithnjë në përputhje me mandatin që edhe shqetësimet e tyre të trajtohen si të të gjithë shtetasve të tjerë të Perandorisë Osmane, pra si milleti-osaman, të cilët nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e kusuritjeve midis shteteve të ndryshme. Nga ky këndvështrim duhet vënë në pah deponimet e përfaqësuesve të delegacionit të Portës së Lartë, siç ishte i Karateodori Pashës në mbledhjen e dhjetë kur ai do ta paraqesë qëndrimin e Portës rreth mospajtimit që Tivari t´i jepet Malit të Zi dhe për këtë ai përmend disa arsye pse kufijtë e Shqipërisë nuk duhet të ndryshohen. ”Porta nuk ka asnjë kundërshtim për Spican, por insiston se Tivari është shqiptar, se malazeztë aty mund të mbesin vetëm me dhunë, kundër vullnetit të popullatës shqiptare.” Ai përmend sulmet e vazhdueshme të ndërsjella mes Shqiptarëve dhe Malazezve dhe thotë se qeveria e tij ka marrë telegrame brengosëse. Edhe Mehmed Ali Pasha në mbledhjen e dymbëdhjetë, do të kërkojë që viset shqiptare Plava, Gucia dhe Tivari të mos shkëputën nga etnia e tyre dhe këtë e konsideron të padrejtë dhe shton se a nuk do të ishte më mirë të parandalohet që popujt e racave dhe të kulturave të ndryshme të vendosen pa ndonjë domosdoshmëri të madhe nën pushtetin e një race të jashtme? Për këtë arsye, ai kërkon që gjatë zmadhimit të territorit aktual shtetëror të Malit të Zi, këtij vendi t’i jepen vetëm territore, banorët e të cilave janë të së njëjtës racë, e kryesisht edhe të të njëjtit religjion si Malazeztë dhe jo territoret shqiptare. Sipas tij, do të ishte më e drejtë që nga ana e Shqipërisë Malit të Zi t’i jepen Kuçi, Drekaloviqi dhe rrjedha e Moraçës, deri te liqeni i Shkodrës, ndërsa në Turqi të mbeten qarqet shqiptare të Plavës dhe Gucisë, si dhe qyteti i Podgoricës, me një rajon të mjaftueshëm për mbrojtje. Me të njëjtat argumente kërkon që qyteti i Tivarit të mos ndahet nga Shqipëria. Tone të ngjashme kishte edhe paraqitja i Karateodori Pashës në mbledhjen e trembëdhjetë kur do të përkujtojë të pranishmit se Epiri dhe Thesalia nuk janë të banuar vetëm me popullatë greke, siç thoshin përfaqësuesi grek, ata rus dhe francez, por ka edhe të tjerë që kundër-shtojnë kalimin në shtetin grek dhe me këtë rast zë në gojë peticionet 15, 19 dhe 23, të dërguara nga popullata e këtyre viseve që tashmë gjenden në tryezën e bisedimeve, peticione këto që në regjistrin e letrave që i janë drejtuar Kongresit cilësohen si protesta të Shqiptarëve kundër copëtimit të trojeve të tyre.

Por edhe përkundër kësaj, se përmendet etnia shqiptare, por në të Shqiptarët përmenden si milleti-osman, historiani gjerman Petër Bartle konstaton se „Shqiptarët, jo vetëm që nuk u thirrën në Kongresin e Berlinit, ku vendosej edhe për fatet e tyre, por ata nuk patën as ndonjë mbrojtës të tyre, i cili sadopak do të fliste për ta“, që do të thotë se përfaqësuesit e Portës në Kongresin e Berlinit kishin mandatin që të flisnin për mbrojtjen e vilajeteve shqiptare që hapësira e tyre sa më pak t´u jepej të tjerëve, dhe këtë e bënin duke e theksuar edhe fjalën Shqipëri si tërësi etnike, por assesi që asaj nga aty t´i paracaktohej çfarëdo statusi autonom. .

Kongresi i Berlinit i filloi punimet zyrtarisht më 13 qershor 1878 dhe zgjati deri më 13 korrik të po këtij viti. Ai pati 20 seanca dhe gjatë tërë kohës punimet i mbajti në ndërtesën e Raihskancelarit në Vilhelmstrase. Nën udhëheqjen e Bizmarkut, në tryezën e bisedimeve u ulën: delegacioni i Anglisë, i prirë nga lordi Solsberi, delegacioni i Rusisë, i kryesuar nga Shuvalovi dhe Goroshkovi, i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga Sadullah Bej dhe Mehmed Ali Pasha (Maxharr Pasha), i Austro-Hungarisë, i kryesuar nga Andrashi, si dhe delegacioni i Francës dhe ai i Italisë. Në Kongres morën pjesë gjithashtu edhe shumë përfaqësues të shtypit të kohës, vëzhgues dhe politikanë nga Gjermania dhe vendet fqinje. Për opinionin dhe për të pranishmit, me një interes të veçantë ishte pjesëmarrja e personaliteteve të larta, si e Goroshkovit, kryeministër rus, pastaj pjesëmarrja e kryeministrit të Anglisë Baconsfield, prezenca e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Velington. Nga përbërja e delegacioneve dhe e paraqitjes së tyre mund të shihej fare lehtë se këto ë që gjendeshin para një konflikti të armatosur (Anglia dhe Rusia), në Berlin kishin ardhur për të demonstruar edhe forcën politike dhe atë diplomatike. Ishte pra, më se e dukshme që përkundër bisedimeve paraprake, të cilat u zhvilluan gjatë dy muajve të fundit (në prill dhe në maj), megjithatë arena kryesore historike do të jetë në Berlin.

Sipas protokolleve origjinale të Kongresit të Berlinit, që në fillim të seancës së dytë pati njëfarë fërkime midis Anglisë dhe Rusisë. Kryeministri britanik, në gjuhën angleze protestoi kundër pranisë së flotës ruse në afërsi të Kostandinopojës, ndërsa kryeministri rus Goroshkov tha se pikërisht prania angleze në atë pjesë të detit ka bërë që edhe Rusët të mos tërhiqen.

Bizmarku, si udhëheqës i Kongresit, kërkoi që këto akuza të ndërpriten dhe të mos përqendrohet vëmendja tek ekseset që mund ta çrregullonin punën e paraparë. Ai, bile, edhe pse ato ditë u bë një atentat kundër mbretit Vilhelmi i Parë, nuk deshi që tubimi të shpërqendrohej nga ajo ngjarje.

Punimet e Kongresit nuk ishte e mundur të kishin rrjedhë fare të qetë, meqë fjala ishte për çështje të mëdha dhe tejet të rëndësishme, të parat të një natyre të tillë. Shqetësimet dhe kacafytjet qenë më të ndjeshme midis seancës së katërt dhe të gjashtë, sepse zhvillohej një betejë e madhe për largimin e ndikimit, por edhe të pranisë së drejtpërdrejtë të Rusisë nga Ballkani, edhe pse gjatë bisedimeve paraprake dukej se rreth saj ishte arritur një pajtim parimor edhe nga rivalët më të fortë, Anglia dhe Rusia. Kështu, në seancën e pestë dhe të gjashtë u pranua propozimi i Austro-Hungarisë që Rusia brenda gjashtë muajsh të largohej nga Rumelia Lindore, brenda nëntë muajsh të largohej edhe nga Bullgaria, e cila u nda në dy pjesë. Rusia duhej të largohej edhe nga Rumunia brenda dymbëdhjetë muajsh. Në seancën e tetë u bisedua për njërën ndër pikat më të ndjeshme të Kongresit – për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Me propozimin e Anglisë, Kongresi do të duhej t´i hapte rrugë Austro-Hungarisë për në këtë krahinë. Andrashi kishte luajtur një rol të madh në këtë drejtim, me ç’rast në saje të shkathtësisë së tij që para fillimit të Kongresit kjo çështje kishte filluar të zgjidhej në dobi të Vjenës.

Në seancën e tetë u hoq përfundimisht nga rendi i ditës çështja e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa për Serbinë u vendos të bëhej shtet i pavarur. Me këtë rast u tha se ajo duhet të respektonte kombet e tjera brenda kufijve të saj, bashkë me përkatësitë fetare dhe identitetin etnik. Po ashtu, në këtë seancë që u mbajt më 26 qershor, Serbia, me insistimin e përfaqësuesit të Perandorisë Osmane, Mehmed Ali Pasha dhe të Andrashit, mori për obligim se do të ketë qëndrim të drejtë ndaj popullatës joserbe në pjesët jugore që iu dhanë, me çka zotohej se nuk do të ndërmerrte asnjë veprim që popullatën e këtyre vendeve ta detyronte të braktiste trojet e veta. Kryeministri i Serbisë Ristiq, në emër të princit Milan, lexoi një deklaratë, me të cilën ky vend merr përsipër mbrojtjen e të gjitha të drejtave të popullatës joserbe që do të përfshihej në hapësirën e shtetit serb, që nga ushtrimi i lirë i religjionit e deri te mbrojtja e pronës. Sipas pikës 36, Serbia zgjerohej me Kurshumlinë dhe me një pjesë të krahinës së Vranjës, bashkë me qytetin e Vranjës.

Në seancën e trembëdhjetë, që u mbajt më pesë korrik, për herë të parë u bë fjalë për çështjen e autonomisë lokale për popullatën katolike të Mirditës. Ky propozim doli nga përfaqësuesi i Austro-Hungarisë dhe ai i Francës, që u arsyetua si „çështje e imunitetit të privilegjeve që malësorët mirditas kanë gëzuar gjatë gjithë kohës, e cila në të ardhmen duhet të garantohet“.

Rreth këtij propozimi reagoi Memed Ali Pasha, i cili theksoi se nuk mund të flitet për kurrfarë privilegje, sepse kjo do të kishte pasoja zingjirore, por që Porta, në kuadër të reformave zotohet se do të ketë parasysh edhe rastet e veçanta. Pas një shkëmbimi mendimesh me përfaqësuesin e Anglisë dhe atë të Francës, Sadullah Bej, do të propozojë një zgjidhje kompromisi sipas të cilës Porta nuk do të ndryshojë statusin e Mirditës, që do të thotë se atyre edhe më tutje u mbesin ato që u quajtën „privilegje“ me çka si duket u plotësua ai që në parakushte u quajt koncesion evropian ndaj Rusisë dhe Sllavëve të Jugut se në kongres nuk do të bisedohet për kurrfarë autonomie tjetër, pos asaj të Bullgarisë, me arsyetimin se çfarëdo kërkesash të ngjashme, që do të paraqiten, duhet të barten në kuadër të zotimeve të Perandorisë Osmane për reformat e brendshme, që ajo mori në Kongres.

Përkundër trajtimit si objekt kusuritjesh, përmendja e kazave shqiptare, e qyteteve që po ashtu quhen shqiptare (si Ulqini, Tivari, por edhe Prokupja, Kurshumlia) si dhe futja e tyre në protokolle me këtë trajtim dhe emërtim, tregon për pranimin e etnisë shqiptare si faktor të gjallë dhe të pakapërcyeshëm, dhe kjo për historinë ka rëndësi, me çka bie poshtë çfarëdo aludimi rreth përkufizimit të tyre gjoja si „kuptim gjeografik“, me të cilin është spekuluar shumë nga ana e historiografisë serbe. Madje, etnia shqiptare si e lidhur, gjeti vend edhe në të gjitha hartat që Kongresi mori në shqyrtim për t´u pasqyruar si e tillë edhe në atë përfundimtaren, ku mbi shtrirjen e katër vilajeteve u shënua Albanien.

Megjithatë, nga moria e materialeve të ndryshme që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon dhe arkivat e tjerë, si në atë të Berlinit, Ahenit dhe të Koblencit, mund të thuhet se Shqiptarët dhe çështja e tyre, nëse në tryezën e bisedimeve të Kongresit u trajtuan ashtu si u trajtuan, pra si etni me tretmanin e milleti-osman, jashtë Kongresit, ishin të pranishëm në faqet e shtypit gjerman, i cili u kushtoi një vëmendje të duhur, jo vetëm nga pikëpamja informative, por edhe e trajtimit analitik dhe politik të gjithë problematikës së tyre, që u intensifikua para, gjatë dhe mbas mbajtjes së Kongresit për të vazhduar edhe më vonë deri tek shpallja e pavarësisë kombëtare. Ky qëndrim i shtypit gjerman ndaj çështjes shqiptare në një çast aq të rëndësishëm, ishte edhe për t´u pritur nëse kihet parasysh se në fokusin e vrojtimit gjerman Shqiptarët do të futen që moti, qysh në shekullin e dymbëdhjetë e tutje, për të vazhduar edhe më vonë me shtrirjen e tyre në fushën e kulturës dhe të hulumtimeve të shumta që nga historia, etnografia dhe veçmas gjuhësia, ku kjo e fundit, në saje të interesimit të madh të misionarëve gjermanë që kaluan nëpër Ballkan, por edhe të konsujve dhe kronistëve të ndryshëm, që nga mesjeta e hershme e tutje, gjeti një vend të rëndësishëm, me ç´rast disa nga shkencëtarët e rëndësishëm të këtij populli, me studimet e tyre të çmueshme, do t´ia dalin që popullit shqiptar t´ia përcaktojnë vendin e vet në kuadër të qytetërimit antik, si pasardhës të ilirëve, ndërsa gjuhën shqipe ta quajnë bijë e ilirishtes. Mjafton këtu të përmenden disa nga emrat e studiuesve dhe hulumtuesve gjermanë që popullit shqiptar i kanë dhënë shumë, që nga kalorësi Arnold von Harf, Ksylanderi, Hahni, Lamberci e deri te Gustav Majeri, i cili në kohën e mbajtjes së Kongresit të Berlinit nxori „Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe“, që paraqet një monument të madh të gjuhësisë shqiptare. Kështu, një populli thuajse të harruar dhe që politikisht dëshirohej të shihej, por edhe të mbahej sa më larg hapësirës së civilizimit evropian – pa ngurruar që nga disa vende sllave dhe ortodokse, si Serbia, Rusia, po edhe Greqia, të anatemohej edhe si rrënues i saj dhe shpifje të tjera, në mënyrë që t´u pamundësohej themelimi i shtetit në përputhje me shtrirjen etnike, që shfaqej ndër me kompaktet në gjithë hapësirën Evropiane që mbante Perandoria Osmane – iu bë pra nga ky shtyp një nder dhe një shërbim i madh.

Shikuar në tërësi, Kongresi i Berlinit i vitit 1878 ia doli të zhvlerësonte Traktatin e Shën Stefanit që u imponua nga fitorja e tetë me radhë e Rusisë ndaj Turqisë dhe me këtë të pengonte një luftë të mundshme midis Anglisë dhe Rusisë, siç do t´ia zgjasë edhe për pak kohë jetën Perandorisë Osmane në Ballkan, por me këtë nuk do të sigurohet as paqja e as stabiliteti i qëndrueshëm, siç thuhej në disa nga kryeqendrat Evropiane. Përkundrazi, me faktin që në këtë Kongres Austro-Hungaria do të vërë dorë mbi Bosnjën dhe Hercegovinën, me arsyetimin se do të mund të parandalohej të rrënohej ajo që merrej si baraspeshë midis fuqive të mëdha rivale të kontinentit të vjetër, do t´ua hapë rrugën gjithë atyre zhvillimeve pak a shumë do t´i ndikojnë ngjarjet që do të çojnë te krizat tjera edhe më të thella të cilat do t´u paraprijnë luftërave ballkanike dhe asaj botërores. Kështu, Ballkani dhe hapësira e tij do të kthehet në një poligon të paqëndrueshëm jo vetëm politik, por edhe strategjik në përgjegjësi, ku do të përvijohen interesat e ndryshme të fuqive të mëdha.

(Shkëputje nga librti “Kongresi i Berlinit 1878”, botoi “Faik Konica”, Prishtinë, 2008.)/KultPlus.com

May be an image of map and text that says '1878 BERLINIT KONGRESI KONGRESI I 1878 BERA JusufBuxhovi Jusuf Buxhovi दक्भा U UN HISTORIOGRAFI ニー ITALIEN 101 И3Bи Euroocoe ardin1970 n1878 Piedan Europălsche Türkel achde 1 Malstab Malstab1:5250000 5250000 JusufBuxhovi Jusuf Buxhovi FAIKKONICA FAIK KONICA'

NATO dhe trupat rusë në Prishtinë

Prej vitesh, politika në Kosovë, për qëllime të veta, ka filluar të ngatërrojë qëllimisht fillimin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë nga 12 deri më 17 qershor 1999 me çlirimin jashtë fakteve historike dhe jashtë realiteve politike të kohës të përcaktuara me rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Rasti më eklatant i këtij diskursi shfaqet 11 qershori si “ditë e çlirimit” e Prishtinës, kur dihet se po ketë ditë, në kryeqytetin e Kosovës, hynë forcat ruse dhe masakruan shumë shqiptarë.

Nga Jusuf Buxhovi

Më 10 qershor 1999 bota do të presë me interesim të madh dhe lehtësim ngjarjet që do të ndodhin në trekëndëshin Nju Jork – Kumanovë – Bruksel. Zgjidhja paqësore e çështjes së Kosovës shfaqej si pako e ndërlidhur, ku nënshkrimi i marrëveshjes tekniko-ushtarake midis gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të Armatës Jugosllave në njërën anë, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 në tjetrën anë, duhej të ndikonin te Komanda Supreme e NATO-s dhe sekretari gjeneral që të suspendohej fushata ajrore. Gjatë bisedimeve të gjata dhe të mundimshme midis ndërmjetësve ndërkombëtarë (Ahtisaarit, Talbotit dhe Çernomyrdinit) me Millosheviqin ishte arritur pajtimi që Rezoluta e Këshillit të Sigu-rimit të OKB-së të aprovohej çastin që do të merrej lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës dhe pas saj vinte edhe reagimi i NATO-s për suspendimin e përkohshëm të fushatës ajrore, në mënyrë që të krijoheshin kushtet për tërheqjen e verifikueshme të të gjitha forcave ushtarake dhe policore jugosllave nga Kosova bashkë me pajisjet dhe armatimet e gjithëmbarshme në një interval kohor prej shtatë ditësh.

Pas shumë e shumë zvarritjeve dhe “sqarimeve” për hollësi, me të cilat matej edhe kredibiliteti i një marrëveshjeje, në mbrëmjen e 9 qershorit, pikërisht në orën 23,45 minuta, në Kumanovë, u nënshkruar marrëveshja midis gjeneralëve të NATO-s dhe gjeneralëve jugosllavë, në mënyrë që pas njëzet minutash, pikë-risht më 10 qershor në orën 0,05 Këshilli i Sigurimit i OKB-së të aprovojë Rezolutën 1244 me të cilën përcaktoheshin që të gjitha hollësitë e vënies së përkohshme të Kosovës nën administrimin e OKB-së, që do të sigurohej nga Forca Ndërkombëtare e Sigurisë, hollësitë e së cilës u përcaktuan me aneksin II të Marrëveshjes së Kumanovës, që do të pranohet si pjesë zyrtare e këtij dokumenti.

Gjysmë ore më vonë edhe Sekretari Gjeneral i NATO-s, Havier Solana, dekretoi vendimin për suspendimin e përkohshëm të fushatës ajrore, por jo edhe të misionit mbikëqyrës që do të verifikonte tërheqjen e forcave jugosllave sipas marrëveshjes së Kumanovës. Me marrëveshjen e Kumanovës, NATO dhe Armata Jugosllave kishin formuar trupën e përbashkët të mbikëqyrjes dhe të verifikimit të të gjithë operacionit, që si do të shihet, do të funksionojë në tërësi në përputhje me këtë marrëveshje as pa më të voglin incident.

Ngritjen e dollive për marrëveshjen paqësore të zgjidhjes së krizës së Kosovës, që do të bëhet nga të gjitha anët, me të shpejtë do ta zbehë dhe madje edhe do ta ndalojë lajmi që do të vijë nga kompanitë e mëdha televizive botërore BBC, CNN, N-tv, Euronews dhe të tjera, me të cilin bëhej me dije se një batalion rus nga njësiti i misionit SFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë sapo kishte kaluar urën e Drinës te Bjelina, ishte drejtuar për në Kosovë pa dijeninë e NATO-s dhe të faktorit ndërkombëtar që merrej me çështjen e Kosovës. Madje, njësia ruse, nuk kishte marrë as lejen paraprake nga komanda e SFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë (për çdo lëvizje i duhej njoftimi katër muaj më herët), pos që kishte njoftuar se “në Kosovë shkonte me urdhrin e ministrit të mbrojtjes, Sergejev, që t’u bashkohej Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë”.

Duket se lajmi do të ketë befasuar edhe kreun e NATO-s dhe vetë gjeneralin Klark, i cili do të njoftohet rreth lëvizjes së trupave ruse në drejtim të Kosovës, ani pse ai pranon se gjatë bisedave të fundit që i dërguari i tij në Moskë, gjenerali Foglesong, kishte pasur me gjeneral-kolonelin Ivashov, insistimet e tij që Rusët të kishin një sektor të veçantë nën mbikëqyrje – dhe madje atë të Veriut – ia ki-shin bërë të ditur orekset e tyre, por nga informatat që kishte nga ushtarakët amerikanë dhe ata të NATO-s që bisedonin me Rusët, nuk kishte fituar përshtypjen se këtë kërkesë, e cila kundërshtohej nga Amerikanët, ata do të fillonin ta jetësonin në mënyrë të njëanshme, pra dhunshëm. Kështu, çështja me të shpejtë do të alarmohet nga pikëpamja ushtarake po edhe ajo politike, njëherësh. Gjenerali Klark do të kontaktojë me gjeneralin Xhekson, komandantin e Komandës Europiane të Aleancës të Korpusit për Reagime të Shpejta, nga i cili do të kërkojë të merren të gjitha masat që Rusët të pengoheshin të hynin në Kosovë. Sipas tij nuk mund të merrej me mend që Rusët të okuponin aeroportin e Prishtinës. Gjenerlit Xhekson do t’i thotë se ”dëshiroj të sigurohem që KFOR-i atje të arrijë i pari. Nuk dëshiroj të përshëndetem nga një batalion rus, i cili pohon se dominon aeroportin, e pastaj të jemi të detyruar të zhvillojmë negociata me ta për shfrytëzimin e tij”.

Ato që gjenerali Ivashov, po atë mbrëmje, me mjaft arrogancë, i kishte deklaruar “se Rusia kishte vendosur të hipë në trenin e vet”, bënin me dije se Rusia, me anën e ushtarëve rusë që shkonin në Kosovë, kishte filluar të luftojë për sektorin e vet në Veri dhe jo vetëm për aq. Madje, ai kishte deklaruar se Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 nuk përcaktonte sektorë dhe as mandat se kush ishte përgjegjës për to, kështu që Rusia ia jepte të drejtën vetes, që nëse NATO dërgon në Kosovë 50 mijë ushtarë, atje të dërgojë një kontingjent prej 10 mijë ushtarësh.

Rreth qëllimeve ruse që në Kosovë të shkohet brenda gjashtë orësh, pra para NATO-s dhe atje të vendoseshin në sektorin e Veriut, gjenerali Klark njoftohet pas pak nga një thirrje telefonike e gjeneralit Georg Caseyt nga Moska, ku ai ’ia bënte me dije përmbajtjen e bisedës që kishte pasur para një ore me zëvendësministrin e jashtëm rus, Andrejev, i cili ia kishte konfirmuar fjalët e gjeneralit Ivashov se “rusët në Kosovë do të marrin sektorin që donë”.

Lajmet që do të vijnë nga Moska, për NATO-n dhe Perëndimin që përcillte me brengosje ato që po ndodhnin, do të jenë kundërthënëse dhe kjo do të pasqyrojë atë që më vonë do të sqarohet si përpjekje për realizimin e skenarit të fshehur të ushtarakëve rusë me Millosheviqin për ta ndarë Kosovën, plan ky që sipas të gjitha gjasave kishte funksionuar jashtë dijenisë së Jelcinit, edhe pse do të ketë të tillë që do të besojnë se ai kishte qenë i njoftuar, por ishte shtirur në pritje të përgjigjes që do ta merrte prej amerikanëve. Ato që mund të kuptohen nga gjenerali Klark, nga ndërmjetësuesi amerikan Talbot, gjeneralët e NATO-s, të cilët në Moskë kishin zhvilluar bisedime me gjeneralët rusë si dhe nga Çernomyrdini dhe Ivanovi, mund të kuptohet se ishte linja e ushtarakëve nacionalistë-komunistëve, të cilët nuk ishin nën mbikëqyrjen e qeverisë së Stepashinit, të cilët kryemëvete kishin përgatitur një skenar të fshehur me Millosheviqin dhe ushtarakët e tij që ta ndanin Kosovën në dy pjesë: në veriun serb dhe në jugun shqiptar. Zaten, ky opsion ishte i pranueshëm për Serbët dhe ata që nga koha e Qosiqit e këndej, disa herë Shqiptarëve u kishin dërguar sinjale se ishin të gatshëm të hynin në këtë lojë.

Ndërmjetësuesi Marti Ahtisaari, pas gjithë atyre që kishte pasur rastin të përjetonte gjatë takimeve me Rusët, kishte përshtypjen se gjeneralët rusë ishin destruktivë, dhe se ata punonin nën plaf dhe sipër tij. “Jo rrallë ndodhte që Çernomyrdini dhe Ivanovi, të mos kishin gjuhë të përbashkët me ushtarakët e Sergejevit dhe kjo sillte telashe”, thotë diplomati finlandez, i cili shfaqjen e ushtarëve rusë dhe okupimin e aeroportit të Prishtinës prej orës tre në mbrëmjen e 11 qershorit 1999 do ta shohë si pjesë të skenarit për ndarjen e Kosovës.

“Ushtarakët jugosllavë qëllimisht kishin zvarritur bisedimet e Kuma-novës, që të përgatiteshin për të depërtuar rusët në Kosovë para NATO-s. Midis ushtarakëve rusë dhe atyre jugosllavë ekzistonte plani që sapo të nënshkruhet marrëveshja teknike-ushtarake dhe të aprovohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ushtarët rus të marshonin drejt Kosovës për ta okupuar veriun në emër të së drejtës që të marrin pjesë në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë. Aeroporti i Prishtinës ishte zgjedhur, jo rastësisht, sepse ai paraqiste nyjën e infrastrukturës dhe të logjistikës ushtarake prej nga trupat ruse duhej të zbarkonin në të dhe njëherësh të pengonin NATO-n që të kishte një aeroport për të zbarkuar nga ajri.

Ato që Ahtisaari do t’i paraqesë si dyshime të hapura rreth skenarit të fshehur rus për okupimin e aeroportit të Prishtinës dhe sektorin rus në Veri, me të cilin do të ndahej Kosova në dy pjesë, gjejnë konfirmim tek vlerësimet e gjeneralit Klark, po edhe te disa burime të tjera, që do t’u referohen zhvillimeve dramatike të atyre ditëve, të cilat, megjithatë, epilogun e kënaqshëm do ta fitojnë në samitin e nivelit më të lartë amerikanorus të 18 qershorit 1999 në Helsinki midis Klintonit dhe Jelcinit, kur që të dy kryetarët do të merren vesh për partneritet rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës në vend të konfrontimit, pa marrë parasysh dallimet midis dy vendeve.

Para se të mbahet ky samit, dhe para se në relacionet Uashington-Moskë të ulen tensionet, të cilat plot dyzet e tetë orë do ta mbajnë botën në një gjendje, të ngjashme me atë të kohës së luftës së ftohtë, vlen të theksohen së pari tensionimet midis vetë strukturës së NATO-s (nga se komanda e saj supreme do të bllokohej nga konsensuset politike-nacionale), pastaj midis Aleancës Veriatlantike dhe Uashingtonit si dhe midis vetë amerikanëve. Gjenerali Klark, si komandant i përgjithshëm i NATO-s do të kërkojë qartësi dhe veprim, që Rusët të parandaloheshin që të hynin në Kosovë, qoftë edhe me anën e konfrontimit ushtarak. Shi për këtë arsyet gjenerali Xhekson, që ishte Komandant i Komandës Europiane të Aleancës të Korpusit për Reagime të Shpejta, kishte kërkuar që Rusëve t’u ndër-pritej rruga me anën e bllokadës ajrore. Kur për këtë kishte marrë njoftimin se nuk mund të operohej me njësitë e helikopterëve, sepse kjo binte në kundërshtim me marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës, të nënshkruar një ditë më parë, Klark kishte kërkuar që Rusët të ndaloheshin në hyrje të Kosovës. Por edhe kjo nuk kishte qenë e mundur ngaqë për një operacion të tillë trupave të NATO-s, po ashtu u duheshin mbi dhjetë orë që të depërtonin deri në Veri. Madje, ky depërtim nuk ishte pa probleme, sepse edhe për të duhej njoftuar Jugosllavët, të cilët kishin filluar tërheqjen e forcave të tyre dhe kishin bllokuar të gjitha rrugët nga Ferizajt e Prishtina në drejtim të Podujevës dhe kjo mund t’u shërbente si alibi për të ngadalësuar tërheqjen. Mbetej, pra që NATO të arrinte para Rusëve në aeroportin e Prishtinës dhe aty të bllokonte rrugët. Edhe ky opsion teknikisht nuk mund të realizohej, sepse trupave aleate u duheshin dy orë më shumë kohë që të arrinin para Rusëve atje, gjë që nuk e kishin në dispozicion. Gjenerali Klark kërkoi nga gjenerali Xhekson që eskadrilat e helikopterëve nga Shkupi të fluturonin drejt Prishtinës dhe të zbarkonin njësitë e desantit në aeroportin e Prishtinës, por edhe për këtë Xhekson do t’ia paraqesë mandatin që duhej të vinte nga Këshilli Ushtarak i NATO-s, sepse fjala ishte për një mision jashtë mandatit që kishin. Xhekson po ashtu do të bëjë me dije se ishte në kontakt me ministrin e mbrojtjes të Britanisë dhe për të vlente rekomandimi britanik, gjë që dukej se misioni i NATO-s ndodhej jo vetëm para një krize komanduese, por edhe konceptuale në çastet më kritike kur investimi shtatëdhjetë e gjashtë ditësh i operacioneve ajrore mund të shkonte huq nëse Rusët do t’ia përcaktonin kriteret konceptit të forcës mbrojtëse të sigurisë që duhej të stacionohej në Kosovë në kuadër të misionit ndërkombëtar siç e kishte përcaktuar rezoluta e KS të OKB-së sapo ishte aprovuar.

Këtu do të vijë deri te tonet e ashpra, sepse gjenerali Klark do të hetojë se gjenerali Xhekson, i cili për nga pozita ushtarake dhe komanda duhej t’u nënshtrohej urdhrave të tij, po bishtnonte urdhrat. Madje, një moment Xhekson do t’i thotë:

”Zotëri, unë nuk do ta filloj me urdhrin tuaj Luftën e Tretë Botërore!”

Gjenerali Klark, më vonë do të pranojë se kishte vepruar si ushtarak dhe jo si politikan. Por, ishte pesha e misionit dhe rëndësia që kishte, që e kishte shtyrë të mendonte si ushtarak dhe vlerëson se për këtë kishte të drejtë. Me këtë rast kishte harruar se kjo ishte një çështje që kërkonte zgjidhje politike. Sepse, konfrontimi me rusët, qoftë i një përmase të “eksesit” për momentin do të thoshte më shumë se çështje e prestigjit ushtarak. Andaj, autoriteti i komandës, pa marrë parasysh se çfarë mund të jetë ajo, i nënshtrohej autoritetit politik. Këtë do ta kuptojë gjenerali Klark gjatë atyre dy ditëve tejet të vështira, që ai i quan ndër më tensionueset me të cilat ishte ballafaquar në karrierën e tij të gjeneralit me katër yje. Kjo madje, atij do t’i kushtojë edhe me post, sepse do të jetë Pentagoni, me të cilin kishte pasur shumë telashe pikërisht pse operacionin ushtarak të NATO-s në Kosovë kishte dashur ta zgjidhte me mjete ushtarake, duke e pensionuar tre muaj para kohe.

Gjatë dyzet e tetë orëve të ardhshme, skena politike botërore sikur kishte kaluar nëpër një fazë të ringjalljes të luftës së ftohtë të së kaluarës, të kombinuar me politikën e paqes së ftohtë të së tashmes, që skenarit të fshehur të ushtarakëve rusë për ndarjen e Kosovës i kishte dhënë fund pikërisht me mjetet e saj. Uashingtoni dhe Londra, pra Klinton dhe Bler, menjëherë kishin rënë në kontakt me Jelcinin, siç kishte kontaktuar Ollbrajt me Ivanovin, dhe nga dorë e parë ishin njoftuar se nuk ishte ai që kishte urdhëruar nisjen e ushtarëve rusë për në Kosovës, por ishin ushtarakët, në krye me Ivashovin dhe të tjerët, që kishin vepruar pas shpinës së tij.

Se a ishte kjo qind për qind ashtu, për Klintonin dhe Blerin, nuk kishte rëndësi fare. E rëndësishme pra ishte që të veprohej me gjakftohtësi në mënyrë, që, në njërën anë të ndihmohej Jelcini, që të merrte përsipër punët, po qe se vërtet ishte se “ushtarakët i kishin dalë nga dora” dhe, në tjetrën anë, të neutralizoheshin ushtarakët rusë, po qe se ata përnjëmend Jelcinit i kishin dalë nga dora, në mënyrë që pa iu dhënë rasti për konfrontim me Perëndimin t’i thyenin dhëmbët nga brenda, siç kishte ndodhur para tetë vitesh kur Jelcini kishte fituar luftën me Jazovin dhe puçistët e tij.

Pasi që të jenë marrë vesh edhe hollësitë e tjera të planeve të invadimit ushtarak rus në Kosovë me 10 mijë ushtarë, që tashmë pritnin në Shën Petërbug për të fluturuar për në Prishtinë, Uashingtoni menjëherë do të marrë masat që aeroplanëve rusë t’u ndalohej hapësira e fluturimit. Kështu, Hungaria, Rumunia dhe Bullgaria do ta mbyllin hapësirën ajrore për aeroplanët rusë. Këto tri shtete që tashmë kishin raporte partneriteti me NATO-s, menjëherë do të ndihmojnë me mbylljen e hapësirës ajrore dhe me këtë Rusëve teknikisht u pamundësohej zbarkimi i mijëra ushtarëve në Prishtinë.

Se a e kishin ditur Rusët se do të mund të ballafaqoheshin me këtë bllokadë, edhe kjo lë për të dyshuar?

Gjykuar nga reagimet nervoze të Millosheviqit dhe të ushtarakëve të tij në Beograd në pritje të zbarkimit ajror të mijëra ushtarëve rusë në Prishtinë, mund të thuhet se gjeneralët rusë, jashtë kanaleve zyrtare, mund të kenë marrë miratimin e heshtur për fluturim nga gjeneralët rumunë apo bullgarë, që edhe ka mundur të jetë e maskuar si kërkesë për fluturime civile dhe të ngjashme, por pa garanci se hapësira ajrore e këtyre dy vendeve do të mund të mbetej e hapur po qe se do të pasonte ndërhyrja e kreut politik ndaj atij ushtarak, që atë ta mbyllë, siç do të ndodhë.

Nga ato që do të merren vesh pak më vonë, gjendja megjithatë kishte qenë dramatike dhe me tensionime të larta midis Uashingtonit dhe Moskës, ngaqë dukej se gjeneralët rusë, së paku për disa orë, kishin dalë jashtë mbikëqyrjes së Jelcinit. Ata, edhe përkundër njoftimit nga Hungaria, Rumania dhe Bullgaria se nuk u lejoheshin fluturimet, kishin nisur dy aeroplanë ushtarakë “Antonov” me mbi katërqind ushtarë në drejtim të Kosovës. Nga Shën Petërbugu, për dy orë e gjysmë kishin arritur në hapësirën e Ukraninës, dhe pasi që mbi të do të jenë sjellë edhe një orë, do të zbresin në Soçi të Krimesë. Mbetet e paqartë se ndërprerja e fluturimit të aeroplanëve rusë në drejtim të Kosovës a ishte bërë pse kishin qenë të detyruar këtë ta bënin nga kërcënimi se mbi hapësirën ajrore të Hungarisë, Rumanisë apo të Bullgarisë do të pengoheshin të fluturonin qoftë edhe me dhunë, apo pse më në fund, Jelcini kishte kthyer situatën në duart e veta dhe ushtarakët puçistë ishin bindur se NATO nuk e kishte për mahi, por ndaj tyre do të përdorej forca? Vetë Perëndimi, pra SHBA-të dhe NATO nuk kishin dhënë kurrfarë detajesh rreth asaj pse dhe si aeroplanët rusë kishin kthyer fluturimin, meqë askujt nuk i shkonte për shtati që gjendjen ta tensiononte. E rëndësishme ishte se Uashingtoni dhe Moska kishin kaluar testin e parë të vështirë që nga koha e krizës së Kubës e këndej.

Meqë opsioni i dërgimit të trupave ruse nga ajri ishte parandaluar, ndërsa në rrugë tokësore po ashtu ishte i pamundur, ushtarakëve rusë që kishin depërtuar në Kosovë, gjatë kalimit nëpër Serbi duke u përshëndetur dhe celebruar nga klerikët ortodoksë serbë si shpëtimtarë – dhe po atë natë, pasi që në Prishtinë ishin pritur si çlirimtarë nga mijëra serbë, që do të harbohen fare (do të vrasin disa qytetarë të Prishtinës dhe do të terrorizojnë shumë e shumë të tjerë pa ngurruar që t’ua vejnë zjarrin dhe shumë shtëpive të tyre) – nuk do t’u mbetet tjetër pos që të nesërmen në mëngjes të depërtojnë në aeroportin e Prishtinës dhe atje të shkëputur, të mbyllur dhe të rrethuar nga forcat e NATO-s, të mbesin pa ujë dhe ushqime.

Megjithatë, nisja e Rusëve për Kosovë dhe depërtimi i tyre në Prishtinë mbrëmjen e 11 qershorit 1999 dhe pastaj pozicionimi i tyre në aeroportin e Prishtinës, në Sllatinë në mëngjesin e të nesërmes, nuk kishte qenë vetëm brengë e NATO-s dhe e perëndimorëve, por edhe e Shqiptarëve. Veçmas njësive të “Ush-trisë Çlirimtare të Kosovës” nga Zona Operative e Llapit, të cilat mbikëqyrnin rrugët nga duhej të kalonin Rusët. Edhe pse po atë ditë Zona Operative e Llapit ishte njoftuar për marshutën e Rusëve, me ç’rast ushtaraku britanik pranë kësaj Zone kishte bërë me dije se UÇK nuk duhej të ndërmerrte kurrfarë veprimesh luftarake meqë kjo ishte çështje e NATO-s, njësitë operative të Zonës së Llapit, të stacionuara në Koliq, pa respektuar urdhrin e oficerit ndërlidhës të NATO-s, kishin zbritur në Prishtinë dhe disa orë para se të hynin trupat ruse, ishin futur në qytetet. Me këtë rast, në një gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake, ishte përcjellë lëvizja e Rusëve për të vepruar nëse ajo do të dilte nga marshuta që kishte NATO, pra arritja në aeroport, duke kaluar nëpër qendër të Prishtinës, e cila kishte dalë jashtë mbikëqyrjes kur trupat ruse ishin futur në Prishtinë dhe atje ishin pritur nga mijëra serbë të entuziazmuar, të cilët kishin kryer disa krime në qendër të Prishtinës, duke vrarë disa shqiptarë, por që pas dy orësh ishin lar-guar në drejtim të Aeroportit, ku edhe kishin arritur para forcave të NATO-s dhe ishin pozicionuar atje. UÇK ishte ndaluar që të reagonte në këtë rast, gjë që kjo nuk do të ndodhë të nesërmen, kur do të ketë një “fërkim” me një njësit të UÇK-së nga zona e Drenicës, i cili me të shpejtë ishte ndërprerë pas ndërhyrjes së gjeneralit Xhekson.

Gjatë atyre tri ditëve kritike, ku do të provohet pafuqia e ushtarakëve rusë që të kërcënojnë botën dhe të diktojnë kushte, siç kishte ndodhur dikur – politika qeveritare ruse nëpërmes Ivanovit dhe zëvendësministrit Andrejev, po edhe në-përmes kryeministrit të papërvojë, Stepashin, i cili ditë më parë nga ana e Jelcinit kishte zëvendësuar nacionalistin Andropov – me të shpejtë do të korrigjojë atë që, si thuhej, kishin dashur ta prishnin ushtarakët e Sergejevit të kryesuar nga gjenerali Ivashov.

Ivanovi nga fillimi i shfaqjes së krizës së ushtarëve rusë do të deklarojë se fjala ishte për “një gabim”, dhe se Rusët nuk do të hyjnë në Kosovë pa marrëveshje me NATO-n dhe para kohe. Madje, ai do t’i telefonojë dy herë sekretares amerikane të shtetit, Ollbrajt, se Rusët nuk kishin kurrfarë qëllimesh të tjera pos atyre që tashmë ishin harmonizuar me Perëndimin rreth Kosovës, ndërkohë që çështja e sektorit rus dhe prania e tyre në mision duhej të rregullohej bashkërisht dhe me marrëveshje. Edhe përkundër këtij premtimi, trupat ruse pas mesnate do të futen në Kosovë dhe do të arrijnë në Prishtinë. Depërtimi i tyre nëpër Serbi dhe hyrja në Kosovë, që do të rikthejë gjakun nëpër rrugët e Prishtinë, shikuar shkëputur dhe jashtë atyre që politika lëvizte nëpër kuluaret e fshehura, sikur paralajmëronte se kriza e Kosovës po ashpërsohej, pikërisht atëherë kur pritej që pas marrëveshjeve dhe Rezolutës së KS të OKB-së, të ndodhte e kundërta. Por, do të shihet se kriza e paraparë dhe e paramenduar nga disa, qoftë edhe për kal-kulime të vogla, (lëre më që asaj nuk mund t’i përjashtohen qëllimet siç ishin ato për ndarjen e Kosovës), do të mungojë.

Perëndimi në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kishte udhëhequr me sukses fushatën ajrore kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, do t’ia dalë që me mjaft gjakftohtësi të menaxhojë krizën e parë të Kosovës, pasi që ajo të përmbyllet me marrëveshjet e paqes si dhe të fitojë legjitimitetin në forumin më të lartë botëror. Në Helsinki ministrat e jashtëm e të brendshëm amerikanë dhe rusë, Ollbrajt – Kohen dhe Ivanov – Sergejev, do të nënshkruajnë marrëveshjet rreth modaliteteve të përfshirjes së trupave ruse në misionin ndërkombëtar në Kosovë, e cila nga Uashingtoni dhe Moska zyrtare do të përshëndetet si hap i rëndësishëm drejt rikthimit të mirëbesimit midis dy vendeve, me çka mosmarrëveshjet lidhur me Kosovën dhe krizën e saj liheshin pas. Marrëveshja amerikano-ruse rreth dizajnimit të strukturës së sigurisë që do të marrë përsipër përgjegjësinë për kohën kalimtare, pra atë të vënies së Kosovës nën protektorat ndërkombëtar, tregon për rëndësinë e problematikës së Kosovës në nivel botëror dhe për rëndësinë e përmasave të çështjes së saj. Kjo, pra, e bën edhe më komplekse luftën e Perëndimit për Kosovën.

(“Nato në Kosovë dhe trupat ruse në Prishtinë”, shkëputje nga libri “Kosova 1945-1999”, përfshirë edhe në versionin anglisht)./KultPlus.com

146-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Ngjarje madhore që vuri në binarët historik pavarësinë.

Nga Jusuf Buxhovi

Paqja e Shën Stefanit dhe realitetet e krijuara prej saj, të cilat më së shumti qëllonin Shqiptarët dhe interesat e tyre, shtruan nevojën për një veprim të përbashkët të të gjitha forcave shqiptare, pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve që kishin rreth të ardhmes së Perandorisë Osmane, në mënyrë që përfundimisht të faktorizoheshin në raport ndaj Perandorisë Osmane dhe karshi faktorit ndërkombëtar të vendosjes. Në këtë gjendje, Shqiptarët kishin përpara disa rrethana që mund t’u shkonin për shtati për t’u vu në veprim, meqë krahas osmanëve, Paqja e Shën Stefanit, kishte për kundështarë edhe fuqitë e mëdha europiane, pa përjashtim, të cilat ndonëse luftën ruse-osmane e përcollën me njëfarë indiferencë, me të shpejtë kërkuan që marrëveshja të anulohet në tërësi.

Në këto rrethana, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën Stefanit, ishte edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të atdheut. Kështu, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore edhe për faktin se ajo ishte në përputhje edhe me qëndrimet e Perandorisë Osmane, e cila në këtë mënyrë ishte e interesuar që kongresin e ardhshëm europian, i cili do të mbahej në Berlin, ta shfrytëzonte sa më shumë për t’i riparuar dëmet e luftës dhe paqes me Rusët, por këtë herë me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha europiane, të cilat njëherësh, si kundërshtare të Rusisë dhe planeve të saj, shfaqeshin edhe si mbrojtëse të saj. Kjo gjendje, pra, duhej shfrytëzuar me të gjitha mjetet dhe me të madhe. Andaj, çfarëdo proteste dhe çfarëdo programi, qoftë ai edhe luftarak me moton e mbrojtjes së vatanit, siç shfaqej ai i Shqiptarëve, me ç’rast kuptimi i “vatanit” mund të shikohej edhe i atdheut, pra i etnisë, siç ishte rasti me mbrojtjen e katër vilajeteve shqiptare, identifikohej me atë të përgjithshmin, gjë që kjo i shkonte për shtati edhe Perandorisë Osmane. Për herë të parë nacionalizmi dhe osmanizmit shkonin bashkë, gjë që kjo ishte motivues.

Për t’i anashkaluar përçarjet mbi rrymat e ndryshme ( atyre që kërkonin mbrojtjen e tokave shqiptare por nën flamurin e Kalifatit, të atyre që kërkonin një vilajet të përbashkët shqiptar dhe të tjerëve që kërkonin njëfarë Shqipërie Osmane si kalimtare deri te pavarësia), Komiteti i Stambollit, vendosi që përpjekjet për thirrjen e një lidhjeje shqiptare t’i bëjë nën moton e kundërshtimit të Traktatit të Shën Stefanit, duke u shprehur se ishte e gatshme që jetësimi i tij të ndalej edhe me anën e luftës që do të bëhej me moton e mbrojtjes së vatanit nga copëtimi, në të cilën do të merrnin pjesë që të gjitha rrymat pa dallim. Kjo njëherësh ishte edhe porosi që i shkonte Kongresit të Berlinit, i cili duhej të mbahej së shpejti dhe ishte më se e qartë që për pikënisje do të kishte anulimin e Traktatit të Shën Stefanit. Në këtë frymë ishin edhe disa prononcime të liderëve të Komitetit të Stambollit në mediet europiane drejtuar opinionit europian por edhe fuqive të mëdha, siç ishte ai i Abdyl Frashërit në “Messagerde Vienne”. Frashëri argumentonte të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar me arsyetimin se nuk kërkon tjetër veçse të jetojë i liri, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Europës.

Meqë koha po afronte dhe duhej dalë me një formë organizative para se të fillonte Kongresi i Berlinit, në mënyrë që Fuqive të Mëdha Europiane t’u tregohej se çfarë kërkonin në të vërtetë Shqiptarët dhe cilat ishin pozicionet e tyre politike, Komiteti i Stambollit, mori vendimin për t’u thirrur Kuvendi i Lidhjes. Bëhet e ditur se nga fundi majit, në Stamboll u zhvillua një takim i personaliteve më të dëgjuara të jetës politike nga vilajeti i Kosovës dhe ai i Shkodrës (Iliaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Ymer Prizrenin, Ahmet Korenicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafë Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe të tjerë, e ku merrte pjesë edhe Abdyl Frashëri, Mehmet Ali Vrioni, si përfaqësues i Komitetit të Stambollit dhe deputetë në parlamentin osman) me përfaqësuesit e lartë të pushtetit osman. Në këtë takim u tha se shqiptarët ranë në ujdi për një reagim të fuqishëm në mbrojtje të trojeve të rrezikuara”.

Andaj, jo rastësisht si vend u caktua Prizreni. Sepse, Vilajeti i Kosovës, si pjesë ku prekej drejtpërdrejt nga copëtimet serbo-malaziase, prej kohësh ishte kthyer në një qendër të protestave të mëdha të të gjitha shtresave: nga ato feudale, të moderuara dhe të klerikëve, me ç’rast prej të gjithëve ishte pranuar formula e “mbrojtes së vatanit”, që nënkuptonte mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e Perandorisë njëherësh.

Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni dhe Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Korenica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare Ali bej Gucia (më vonë Ali pashë Gucia), feudal vendor dhe kundërshtar i madh i Tanzimatit.

Kuvendi i Lidhjes u hap më 10 qershor 1878 në Prizren, në metresën e Mehmet Pashës, pranë Bajrak-Xhamisë. Edhe data e mbajtjes nuk ishte e rastësishme, meqë ajo duhej të mbahej para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit që ishte caktuar të mbahej më 13 qershor. Nga të dhënat e tanishme, të cilat janë të pakta, meqë është ruajtur vetëm një pjesë e protokolleve të mirëfillta të mbledhjes, merret vesh se në Kuvend kanë marrë pjesë më shumë se njëqind përfaqësues të shumë krahinave shqiptare, por ku mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës (nisja e të cilave thuhet se ishte penguar nga intrigat e valiut turk Hysen Pasha, por që arsyet janë pak më të thella). Ndërsa nga Vilajeti i Janinës mori pjesë vetëm Abdyl Frashëri. Megjithatë, nga këta 110 emra që gjenden dhe shumica vinë nga Vilajeti i Kosovës, kryesisht janë personalitete që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ndër të cilët shquhen Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Korenica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, SulejmanVokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra e të tjerë. Në kuvend morën pjesë si delegatë disa feudalë boshnjakë dhe sulltanistë nga viset e Bosnjës-Hercegovinës. Aty mori pjesë edhe mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu bashkë me disa përkrahës së linjës sulltaniste, që bazuar në raportet e konsujve të pranishëm në Prizren, ishte mjaft aktiv. Kjo demanton pohimet se Lidhja u mbajt “fshehtë” dhe pa dijen e Portës.

Në bazë të dokumenteve me mangësi të shumta, megjithatë, kuptohet se Kryetar i Kuvendit u zgjodh Iljaz pashë Dibra, ndërsa aty foli Abdyl Frashëri, jo në cilësinë e “kryetarit” e as “të kryesuesit” të Lidhjes, siç është shënuar nga një pjesë e mirë e historiografëve Shqiptarë, por si përfaqësues i Komitetit të Stambollit, paçka se nga disa burime mohohet fare pjesëmarrja e tij në Kuvend.

Madje edhe nga ajo pjesë e ruajtur e asaj që kishte folur Abdyl Frashëri, siç ishte se “qëllimi i Kuvendit ishte që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” , më shumë paraqet një thirrje patriotike se sa që shfaqej program politik. Atmosfera patriotike, jashtë ndonjë programi politik, bëhet e ditur sipas burimeve të konsujve të huaja nga Kuvendi, me ç’rast thuhet se kjo atmosferë manifestohej pa dallim se nga cili “krah” vine ajo.

Ajo që ishte më e rëndësishme, megjithatë kishte të bënte me faktin se Kuvendi ia doli të marrë vendimin për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, te një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfshirë në Kuvendin e Prizrenit.

Kuvendi themeloi edhe organet e larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iliaz pashë Dibra. U formua edhe Komiteti Qendror i Lidhjes i përbërë nga tri komisione: komisioni i punëve të jashtme me përgjegjës Abdyl Frashërin, komisioni i punëve të brendshme i drejtuar nga Haxhi Shabani dhe komisioni i të ardhurave financiare i drejtuar nga SuljemanVokshi.

Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm ishin: një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit, dhe një peticion, dërguar Portës së Lartë , Kararnameja (Akti i vendimeve-kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).

Kararnameja (Akti themelor) kishte gjashtëmbëdhjetë pikë, me të cilin mund thuhej se sanksionohej formimi i Lidhjes si organizatë politike (pika 16) dhe përcaktonte detyrat e saj më të ngutshme. Në pikën 1 theksohej karakteri mbrojtës, ndaj çdo qeverie, përveç asaj të Portës së Lartë, të veprojë aktivisht me të gjitha mjetet për të mbrojtur integritetin evendit.

Në nenin 4 kur thuhet se “me ligjet e lara të sheriatit, ne do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin e shokëve besnikë të besimit jomysliman, ashtu si për vete”, bën të ditur për ruajtjen e karakterit islamik, gjë që si formulim në ato rrethana ishte edhe i pashmangshëm.

Në të vërtetë, frymën kombëtare nga e cila ishte e privuar më 10 qershor ditën e hapjes së Kuvendit dhe veçmas nga kërkesat për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, që ishte një formë e autonomisë, me të cilën sigurohej mbrojta e vendit nga copëtimet e mëtutjeshme që kërcënonin nga të gjitha anët, Lidhja filloi ta animojë qysh në Kuvendin e Përgjithshëm, në Prizren, më 1 korrik 1878.

E kompletuar me 96 delegatë nga Kosova dhe me delegatët nga Shkodra (26 sish) dhe Vilajeti i Janinës (me 20), pas një diskutimi të gjerë, Kuvendi miratoi një Rezolutë ose Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të cilin u bënë hapat e rëndësishëm në përpunimin e mëtejshëm të programit të Lidhjes. Sepse, Kanuni i ri, e shpalli botërisht organizatën e themeluar në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin i saj qendror e quajti Komiteti Kombëtar.

Statuti i ri ishte pastruar nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane, që kishte pasur vend në Kararname. Në tekstin e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare shqiptare dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ajo i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nën-komitete të Lidhjes në qendrat e sanxhaqeve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte, për nevojat e veta buxhetore, një sërë taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja Shqiptare, me çka mund të thuhet se Lidhja kishte krijuar rrethanat për marrjen mbi vete funksionet e një qeverie.

Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878, shënon një fitore të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në të vërtetë, me këto të drejta, që u sanksionuan në kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak osman.

(Shkëputje nga libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878”, botoi “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifa Publishing” – Houston, 2012)./KultPlus.com

Njeriu i dyzuar në romanin “Dushkaja” të Jusuf Buxhovit

Kontestimi më i mirë i formimit të individit si njësi dhe i shoqërisë si bashkësi, është gjuha dhe historia. Ato e bëjnë njeriun të shprehet bukur dhe saktë, të artikuloj mendime të vlerëshme dhe të thëna drejt, të jetë i dëshirueshëm në bisedë dhe objektiv në gjykim.

Nga Kiço Mavro*

Ky qëndrim i shkon aq shumë për shtat z. Buxhovi,i cili, në të gjithë rrugëtimin e tij si krijues, gjuhën dhe historinë i ka mbajtur jo vetëm të pandara, por shpesh lexuesi nuk e gjen kollaj se ku ta vendos autorin, te letërsia apo historia.

Jusuf Buxhovi besoj se është unikal në letërsinë dhe historiografinë shqiptare. Letërsia dhe historia për të nuk janë thjeshtë dy faqe të së njëjtës monedhë, por pashmangësishtë ato janë një dhe e vetme, të cilat autori në veprat e tij ka ditur me mjeshtëri ti kaloj secilën në shinat e veta.

Gjuha( kuptojmë dhe futim këtu dhe letërsinë ) si formë e shprehjes së mendimit dhe historia si fakt i zhvillimit kohor, pra letërsia dhe historia te Buxhovi janë plotësuese të njëra-tjetrës, ato udhëtojnë së bashku ,shpeshherë në paqe dhe shpeshherë në përballje, me të vetmin synim që çdo fakt të kthehet në realitet jetësor dhe vetë jeta në kujtesë historike.

“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse tërësia e fjalëve që dimë”- thotë një gjuhëtar. Jusuf Buxhovi nuk di vetëm shumë fjalë, të cilat me mjeshtëri artistike i ka hedhur në veprat e shumta letrare, por ai di dhe njeh mirë shumë realitete historike të vendit të tij, duke ngritur me këndvështrimin e vet një vepër monumentale për histpriografinë e Kosovës.

E përbashkëta në krijimtarinë e tij si gazetar, shkrimtar dhe historian është një truall dhe vetëm një, është Kosova. Ajo është vendi ku lindin, marrin formë dhe flasin veprat e autorit. Ai flet për Kosovën e sotme, për atë çfarë po ndodh në kohën e tanishme, kohë të cilën e kishte menduar dhe ëndërruar krejt ndryshe me atë qe po ndodh realisht.

Buxhovi ka shkruar shumë vepra letrare ,nga të cilat, sot do të veçoj romanin “Dushkaja”.

Që në faqet e para të romanit lexuesi e kupton që “Dushkaja” është një roman ndryshe, me një formë të veçantë. Teksti është ndërtuar mbi rrëfimin e një njeriu të dyzuar dhe si një dialog i dy anëve po të të njëjtit njeri. Po kush është ky njeri, ky personazh që dialogon me veten dhe pse?

Romani ka në qendër një burrë të shkuar në moshë, piktor nga profesioni, i cili, tashmë i mbetur dhe i mbyllur në atë “botë të ftohtë e të humbur”, në Dushkajën “e kapluar me thera e murriza”, por që ai “e merrte për skajin e vetëm të virgjër të botës”, flet e kundërshton veten.

Kështu ,një natë fundvjeshte, mes dyshimesh dhe hamendjesh, fillon dialog me Zërin. Kur e dëgjoi për herë të parë Zërin, piktori u përpoq ta gjente mes pikturave të tij në mur, por jo, atë nuk mund ta shikonte, vetëm do ta dëgjonte. Kështu fillon e ndërtohet një situatë e rrafshit psikologjik që gjatë dialogut merr formë kuptimore. Zëri nuk është asgjë tjetër veçse vetja e tij, pjesa e tij kundërshtuese. “Duhet ta pranosh se brenda teje ka qenë një zë pa zë dhe një heshtje me zë…”shprehet personazhi diku.

Pra, dialogët, në të vërtetë janë monologë që realizohen në dy zëra të të njëjtit personazh. Bota e parë dhe e ndjerë nga piktori deri tani, nëpërmjet rrëfimit të dyzuar, kthehet përmbys, është e gabuar sipas Zërit, anës tjetër, kundërshtuese të tij.

Duke bërë një analizë të veprave të tij, piktori ,në fakt analizon historinë dhe ngjarjet kryesore që ka kaluar ai dhe populli i tij. Qendra e botës nuk është tjetër veçse Dushkaja, ”skaji i vetëm i virgjër i botës” Në këtë pafajësi, ligjërimi për Dushkajën nga piktori dhe qëndrimeve kundër nga Zëri fillon dhe ndryshon brenda personazhit edhe Dushkaja, që nga ,”skaji i vetëm i virgjër i botës” bëhet ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” dhe në fund në ”skajin e vetëm të virgjër të botës pise, të kthyer në lapidar të rremë…”

Vërtet Dushkaja nuk del në roman si vend i përcaktuar, por me të rrëfimtari i veprës lidh çdo gjë të tij, prandaj dhe e idealizon atë. Zëri me këndvështrimin e tij e kthen përmbys gjithçka. Ne e kuptojmë se Dushkaja nuk është gjë tjetër veçse një gjetje metaforike që ngërthen brenda saj çdo vend e popull që është sfilitur nga luftërat e gjata e të pafndme, ku në fund fitues dalin maskarenjtë, të poshtrit, vrasësit, tradhëtarët.

Ka çaste që personazhi e vesh me ndjesi të bukura e dashurie Dushkajën, por nuk zgjat kjo ndjesi, sepse nga trysnia që ushtron Zëri e kupton që edhe ”skaji i vetëm i virgjër i botës pise” është “strehë e përhershme e vrasësve”, ajo “është vendi ku jetojnë vrasësit, por edhe të tjerët që paguajnë për të vrarë”.

Në roman mungon veprimi i jashtëm. Kjo nuk e tkurr romanin, përkundrazi, me dialogët mes Piktorit dhe Zërit veprimi hapet sa në kohë aq dhe në hapësirë. Atje është një jetë e tërë me gjithçka përjetoi në rrugëtimin e tij njeriu artist dhe artisi njeri. Gjejmë atje mënyrën se si e ka parë botën personazhi dhe si ngre dyshimin se gjithçka ka besuar deri tani është e rreme, e gënjeshtërt, e pavërtetë. Mjeshtëria e Buxhovit qëndron në faktin se ai tërë këtë dyzim brenda një njeriu e ka dhënë me një zbërthim psikologjik të mrekullueshëm, që të tërheq e nuk të lë ta ndërpresësh leximin. Autori është shprehur “se në këtë libër ka ndërlidhje me historisë dhe pjesës shpirtërore, duke shtuar se nuk mund të ketë histori që nuk ka histori të shpirtit”.

Romani “Dushkaja” është një tablo e qartë brenda kornizës së tranzicionit të Kosovës, vendit ku shkrimtari jeton, por ajo mund të jetë fare mirë dhe e Shqipërisë, nëse sjellim në kujtesë ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve në fillim të viteve nëntëdhjetë për liri dhe demokraci dhe realitetin e ditëve të sotme se sa e çfarë është liria dhe demokracia e fituar.

“Shoqëria jonë sipas mendimit tim e ka dorëzuar lirinë, ua ka dorëzuar atë dhunuesve të lirisë”- thotë shkrimtari në një intervistë.

Ky mendim i tij ma forcon bindjen pse Buxhovi nuk e ndan historinë nga veprat e tij. Për të e tashmja është vetëm një përpunim modern i të shkuarës, “përsëritje e së njëjtës” dhe historia është shndërruar në “Histeri”.

Romani “Dushkaja” është një qëndrim qytetar dhe intelektual i ndërgjegjshëm për gjendjen e njeriut të pasluftës në Kosovë, që e do dhe e çmon shumë lirinë, por po kaq do dhe çmon faktin ta shoh veten të vlerësuar. Këtë situatë Buxhovi e ka dhënë me një ndjesi të lartë artistike.

*(Fjalë të thëna në takimin e autorit me krijuesit sarandiotë më,19.05.2022).

Jehona e romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në mediet italiane

NJË ROMAN I MADH NGA NJË PERIFERI LETRARE

-Radio Vatikani sjell një intervistë me kuratorin e botimit, publicistin Giovani Cederone, i cili veprën e Buxhovit të përkthyer në italisht e quan një momentum të rëndësishëm letrar që nxjerr në pah identitetin shpirtëror dhe kulturor shqiptar me rrënjë në antikitet. Por, ngaqë toka e tyre gjendet në pjesët e skajshme të perandorisë, i bën të papelqyeshëm si nga Osmanët ashtu edhe nga Perëndimi dhe për këtë arsye ata janë ndeshkuar. Ky fakt paraqitet mjaft mirë në këtë libër.

RADIO VATIKANI: Fotografia e ditës: Një vajzë e vogël me një prind përkulen për t’u mbrojtur nga sulmi me bomba. Ndoshta në Gaza, ndoshta në Izrael. Viktimat janë të gjitha njësoj ashtu si dhe luftërat, edhe atëherë kur zhvillohen kundër epidemive. Është pikërisht kjo tema që trajtohet në romanin e bukur të Jusuf Buxhovi. “Për ty toka ime”. Ngjarjet e romanit zhvillohen në tokën shqiptare në shekullin XVIII. Ky roman sapo u botua nga shtëpia botuese “Armando” në Romë. Për librin që ka zgjuar kureshtjen do flasim me kuratorin e botimit, publicistin Giovanni Cedrone. Në roman trajtohet një histori ambicioze ndodhur gjatë vitit 1747. Romani është botuar për herë të parë në vitin 1982. Ndërsa tash vjen i përkthyer në gjuhën italiane nga Liljana Cuka- Maksuti.

Historia tregohet nga protagonisti Gjon Nikollë Kazazi, njeri i perëndisë, i cili kërkon të nxjerrë në dritë identitetin kombëtar të popullit të tij, por mund të thuhet se protagonisti i vërtetë i kësaj historie bëhet një epidemi, një epidemi murtaje që e sjellë këtë histori shumë afër me kohën tonë.

GIOVANI CEDRONE: Historia e këtij romani na kujton se qeniet njerëzore sa herë janë përballur me pandemi gjatë shekujve kanë mbajtur të njëjtën qëndrim, si ky që po mbajmë edhe ne me covidin aktualisht. Protagonisti i romanit, Gjon Nikollë Kazazi në fakt gjendet duke komentuar lajmin e epidemisë së murtajës, e cila, mund themi se për atë kohë nuk ishte një gjë aq e pazakontë, por perceptohet menjëherë si një armë, një armë biologjike që mund të themi është përdorur nga pushtuesit osmanë, në të vërtetë për të ndëshkuar një popullsi, sepse haptazi nuk ishte e përshtatshme për interesat osmane. Këtë pretendim e kanë të gjitha perandoritë e mëdha mbikombëtare. Ndër të tjera në librin e tij Buxhovit na tregon, se perandoria otomane synonte krijimin e një njeriu të ri perandorak, një njeri pa rrënjë krejtësisht e kundërta ma atë që ndihej Kazazi dhe miqtë e tij, ata ndiheshin thellësisht shqiptar, me kujtimet dhe gjuhën e tyre të shtrenjtë. Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe është i vitit 1555, ku ekziston prova e shkruar. Të ballafaquar me këtë situata, kjo popullsi e provon mbi shpatullat e saj çfarë i ka sjellë posaçërisht Perandoria Osmane.

RADIO VATIKANI: Ne nuk duam të bëjmë komplotizëm për komplotizëm, por muajt e fundit kemi dëgjuar të flitet edhe për këtë, në një farë mënyre, por ky virus që po na shkatërron si një armë, si një gjest i kërkuar nga dikush, këtu në këtë roman ‘gjithashtu nxit të njëjtin dyshim’, madje edhe kur Protagonisti, një njeri i Zotit, ai është prift, rrethuar nga ankthi, ndërsa dokumenton sëmundjen, ai gjithashtu gjen edhe zgjidhjen, ai ka një ilaç me të vërtetë superior, i cili është i pagabueshëm?

GIOVANNI CEDRONE: Po, ai ka një ilaç metafizik,që është shpresa. Kazazi thotë se nëse heqim dorë, ne kemi vdekur që në fillimi prandaj ne duhet të kemi shpresë, për të mos u asgjësuar nga kjo epidemi në radhë të parë, dhe pastaj ata madje të fillojnë të kërkojnë një lloj anti-litteram, në se mund ta themi ata kërkojnë vaksinën. Dhe ata kanë edhe metodën e saj, të cilën Kazazi e sipas përkthimit letrar e quan “gërvishtje”, por në thelb është një inokulim i virusit brenda njerëzve të shëndetshëm. Sigurisht këtu kemi të bëjmë me një roman, ku mbi të gjitha shpresa te njerëzit theksohet fuqishëm. Kazazi duke qenë një njeri i kishës, dhe konkretisht ai është peshkop ka përgjegjësi ndaj besimtarëve të tij. E gjejmë atë të ndodhet në një udhëkryq: duhet të kundërshtojë urdhërat e sovranëve osmanë pushtues, apo tu nënshtrohet vullnetit të tyre? Ata që do të lexojnë këtë libër do të mësojnë se çfarë zgjidhje gjen peshkopi Kazazi.

RADIO VATIKANI: por ekziston edhe një element tjetër që ndihmon protagonistin dhe miqtë e tij, botën e tij për t’i rezistuar kësaj katastrofe kundër epidemisë dhe sugjerohet nga vetë nëntitulli, kur përmendëm identitetin kombëtar, hulumtimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, pikërisht ndërgjegjen etnike-kulturore shqiptare, kjo vëmendje ndaj gjuhës që kthehet shpesh nuk është rastësi, që romani ka si nëntitull “Për ty toka ime” ne jemi në zonën shqiptare, Jusuf Buxhovi njihet si eksponent i entitetit kosovar, a mund të na ndihmoni për të kuptuar përfundimisht në këtë drejtim kufirin kulturor- gjuhësor midis Kosovës dhe Shqipërisë?

GIOVANNI CEDRONE: Në realitet, kosovarët dhe shqiptarët të gjithë ndihen pjesë e një populli të madh, pikërisht atij shqiptar, padyshim që mund të ketë dallime shumë të vogla, por me pak fjalë ata ndihen i njëjti popull që flasin të njëjtën gjuhë. Në libër motivohet plotësisht ky fakt. Një poet i madh shqiptar është shprehur: ” Feja e shqiptarit është shqiptarizmi”. Libri e pasqyron këtë fakt në Kosovë, por i njëjti fenomen ekziston edhe në Shqipëri. Papa Françesku në vizitën e tij në Shqipëri disa vite më parë, ndër të tjera tha: “Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës së besimeve”, pikërisht për këtë arsye, domethënë, bashkëjetesa e besimeve është vetë një element dallues i popullit shqiptar, në libër këtë e gjejmë si “Polikromi fetare”, ne e quajtëm në këtë mënyrë disi ekzotike nëse duam, por gjejmë këtë bashkëjetesë edhe në familjet e tyre, mund të themi edhe në të njëjtin person. Toka e tyre ndodhet në ekstremet e perandorisë, si i tillë duhet parë dhe analizuar, ky element që i bënë ata të papëlqyeshëm si nga Osmanët ashtu edhe nga Perëndimi në një farë mënyre dhe për këtë arsye ata janë të penalizuar, ky fakt pasqyrohet mjaft mirë në këtë libër.

RADIO VATIKANI: dëshira e tyre për ndërgjegjesim të identitetit kombëtar, veçanërisht sot që nacionalizmat shihen me dyshim, nuk është kjo një veçori që i bënë ata të jenë të papëlqyeshëm dhe të shikohen me dyshim si nga lindja ashtu dhe nga perëndimi?

GIOVANNI CEDRONE: është shumë e vërtetë,por ne duhet të kontekstualizojmë botën ballkanike e cila është një botë shumë e veçantë, akoma më tepër Kosova ka një histori vuajtjesh, të cilën ne e tashmë e njohim shumë mirë, që çoi në rezultatin e bombardimeve të Serbisë në vitin 1999, sigurisht nuk kemi të bëjmë me një libër me pretendime nacionaliste, por gjejmë thjesht një pretendim kulturor, në realitet. (Radio Vatikani, ditari, më 18.05.2021)./ KultPlus.com

Librat e historianit dhe shkrimtarit Jusuf Buxhovi, mund t’i shkarkoni gratis

Shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, ka njoftuar se tani e tutje librat e tij mund të shkarkohen përmes faqës së tij elektronike, pa pagesë.

Ai ka bërë të ditur se në faqen e tij gjenden botimet historiografike “Kosova” në tri vëllime, anglisht, “Maqedonia” , anglisht dhe shqip, “Dardania”, “Kosova – histori e shkurtër” dhe “Kthesa historike “1.

Ndërkaq, nga romanet e tij, në faqe gjenden “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Libri i Bllacës”, trilogji, “Trilogjia gjermane”, “Letrat për Kryeprincin”, “Libri i të mallkuarve”, “Jeniçeri i fundit”, “Dosja B” (shqip dhe anglisht), “Mona” dhe “Dushkaja”.

“Në këtë faqe që mund të shfrytëzohet gratis, gjenden edhe shënime. recensione si dhe opinione të autorit. Faqja do të plotësohet me botime tjera në gjuhët e huaja”, ka shkruar Buxhovi.

Linku i faqes së autorit: jusufbuxhovi.al /KultPlus.com

Jusuf Buxhovi promovon librin “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” në Tiranë

Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ka promovuar librin “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” nga historiani Jusuf Buxhovi.

Nën udhëheqjen e Romeo Gurakuqit, gjatë eventit ai u shpreh se rëndësia e aktivitetit ka të bëjë me personalitetin e autorit dhe me temën mjaft të rëndësishme që është marrë në shqyrtim.

“Autori i librit, profesor Buxhovi, është para së gjithash një intelektual, gazetar dhe aktivist politik, pjesë se strukturës më rilindase dhe më pro europiane që ka nxjerrë bota shqiptare e 40 vitet e fundit, e drejtuar nga shtetari i mirëfilltë shqiptar, Doktor Ibrahim Rugova”, është shprehur Gurakuqi.

Ai ka treguar pak nga jeta e Buxhovit, duke treguar se ka arritur të shkruajë vepra kapitale për Historinë e shqiptarëve në Ballkan, dhe ato punime janë shkruar në liri, janë të “çliruara” nga skemat e ngurta që u janë ofruar dhe vazhdojnë t’u ofrohen, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, publikut në dy anët e kufirit, mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndër institucionet universitare.

“Maqedonia nga lashtësia në ditët tona” është një shkrim i historisë maqedonase i bërë i mundur të realizohet për shkak të një studimi të përmanent, 20 vjeçarë dhe skedimi sistematik të çdo studimi të shkruar deri më sot për Maqedoninë, ose për vendet e tjera të Ballkanit, që lidhen me fokusin e studimit, ka shtuar tutje ai.

Në vazhdim, Gurakuqi ka shtuar se ky libër është shkruar me saktësi shkencore, korrektesë akademike dhe bën dallim nga përpjekjet që bëhen në Shqipëri nga institucionet e ngarkuara.

“Ajo çfarë vuan aktualisht bota shqiptare është mungesa e përkthimeve të veprave mbi historinë tonë në anglisht, ndërkohë që professor Buxhovi ia ka dalë ta plotësojë këtë hapësirë të lënë bosh nga të gjitha institucionet shqiptare në dy shtetet, për studiuesit ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë si version të ofruar përgjithësisht, studimet e autorëve të vendeve fqinje, por jo të autorëve shqiptarë”, shprehet tutje ai.

Gurakuqi ka thënë se libri i promovuar i kushtohet Maqedonisë, pjesës që nga antikiteti janë takuar “pllakat” kryesore etnike të rajonit, kulturat, religjionet dhe ku çështja e identitetit, përkatesisë është më së shumti e diskutueshme në historiografi dhe në politikë, deri në ditët tona.

“Për t’u kthyer në mënyrë të fokusuar tek libri ynë: “Maqedonia nga lashtësia në ditët tona”: është përspektiva e një shkrimtari illuminist shqiptar për Maqedoninë kuptuar shumë më gjërësisht se Republika e Sotme e Maqedonisë së Veriut; është përmbledhja e dijes së tij, arritur gjatë studimit permanent, kërkimit të vazhdueshëm arkivor dhe faktit që ai ka jetuar, në një Jugosllavi, një shtet, që për hirë të së vertetës, ka qenë më i emancipuar, më i përparuar dhe më i qytetarizuar se sa ishte Shqipëria e mbyllur dhe e dhunuar e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe ministrave të tyre pashpirtë të arsimit dhe shkencës;”, ka shtuar ai.

Tutje, Gurakuqi ka thënë se Buxhovi ecën në një rrugë krejtësisht të veten të rishikimit si historian dhe si dëshmitar i proceseve në tërësi në Kosovë./KultPlus.com

Botimi i tretë i “Kosova – histori e shkurtër” vjen me disa plotësime të rëndësishme

Historiani i njohur Jusuf Buxhovi, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se botimi i tretë i librit “Kosova – histori e shkurtër” që ka dalë nga shtypi kohët e fundit, la disa plotësime të rëndësishme.

Ai ka treguar se në libër pasqyrohen tri fusha, atë të lashtësisë, te hipoteza e lidhjes pellazge-ilire; te trinomi i mbretërive ilire: Dardanisë, Maqedonisë dhe Epirit si epiqendër e antikitetit si dhe te demistifikimi i mëtutjeshëm i qëndrimeve të historiografisë serbe rreth dinastisë Nemanjane të Rashës.

Tutje, Buxhovi ka shkruar se krahas këtyre plotësimeve, vëmendje i është kushtuar edhe asaj që e quajmë tezë “arnautashe”, të sajuar në shekullin XIX nga një pjesë e autorëve të sllavistëve të Vjenës, sipas të cilëve shqiptarët myslimanë janë serbë që fillimisht pranuan islamin në shekullin XVI për t’u shqiptarizuar dhunshëm në shekullin XVIII.

“Një vend të rëndësishëm në këtë plotësim zë edhe përiudha e luftës nacional-çlirimtare dhe ndryshimet që solli në planin shoqëror-politik shqiptar, ato te pushtimit fashisht italian të Shqipërisë (1939-1943) si dhe të pushtimit gjerman 1941-1945, ku fillimisht, nga 1941-1943, pas shpërbërjes së Jugosllavisë së Versajes kemi “tokat e lirueme” me Shqipërinë e Musolinit, ndërsa nga viti 1943-1944, pas kapitullimit të Italisë shfaqet Qeveria Shqiptare si shtet etnik nën ombrellën e Vermahtit gjerman, në një hapërisë prej 74 mijë kilometrash katrore”, ka shkruar Buxhovi./KultPlus.com

Murtaja te Kamy dhe Buxhovi

Një Studim krahasues i romanit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht – “Qui resiste a la peste resiste au diable”, nga botuesi i njohur francez “L’Harmatann” i Parisit.

Shkruan: Aleksandar Zoto

Është e pamundur të pohohet që leximi i „Dekameronit“ të Bokaçios, i „Ditarit të murtajës“ të Daniel dë Fosee (De Foes) , i „Ambre“ të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i „Kalorësit mbi çati“ të Xhinios (Giono) ose edhe i „L´oevre au noir“ të Margarita Jursenarit (Marguerete Yourcenar), t´i ketë paraprirë hartimit të „Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit“ të Jusuf Buxhovit, përderisa këto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.

Është e pamundur, gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte „Murtajën“ (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t´u shpëtojë atyre, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin, nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i „Shënimeve të Gjon Nikollë Kazazit“ e mbështet këtë mendim.

Në fakt, s´bëhet fjalë për një „remake“ (nga angl.“ribërje“) të „Kështjellës“, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilat i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjen që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman.

Në romanin „Kështjella“ përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij „Krushqit janë të ngrirë“: atë të „zgjidhjes përfundimtare“ (solution finale),sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi.

Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit „Kështjellën“, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani, ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë otomane.

Nga ana tjetër, si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderisa njëri, ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te „Shënimet…“, si dhe ai i Kadaresë te „Ura me tri hare“ quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.

Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë otomane. Ibrahim Pasha,p.sh.,(përveç titullit të tij „kajmekam“) të bën njëherazi të mendosh për Tursun pashën, hero i „Kështjellës“ dhe Hurshid pashën, një nga figurat e „Kamares së turpit“, që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë. Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori – popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe, së fundit, popujt rebelë – të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, „zhdukjen“ e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të „kra-kra“-së.

Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te „Ura me tri harqe“, janë tepër të dukshme, të pohuara aq qartë sa s´ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti, që murgu i Buxhovit, po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumta se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t´u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtë vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.

Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjaftohet me një emër simbolik – Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabemin origjinal që ende s´e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë, pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kushëri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikisht e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu: ndarja e popullit shqiptar midis islamizmit dhe krishtërimit. Dallimi i tretë: figura e emblemore e Buzukut duke si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip saksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronik. Një dallim i katërt, së fundi, lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose „mise en abyme“ të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, pore edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza. Kështu vetëpërmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ato bëhen elemente përbërës i saj…Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te „Prerësit e parave të rreme“ („Les Faux-monneyeurs“), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në „Kronikë në gur“, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë.

Pra, të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij; ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.

Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm, së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara.

Në fakt, romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një „remake“ e „Murtajës“ („La Peste“) të Kamysë. Së pari, e rithemi, sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik, a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historike. Nga ana tjetër, edhe pse konsideratat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesit, ai trajton para së gjithash një aventurë kolektive. Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi; pra ai të drejton te një entitet paksa abstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçanta. Po ashtu, megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë, me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit – por pa u kufizuar në një „subjekt“ rreptësishtë të përcaktuar ose të përvijuar – Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të „Murtaja“ („La Peste“) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nënshtruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht. Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton „Murtja“ e Kamysë, në mos shprehimisht, së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.

Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje – pra realiteteve që e sollën dhe të cilave ai u vën qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë – romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kueqe, edhe atë zezën. Por ai e bën këtë me terma të qarta dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilat ai e shoqëron atë. Rrjedhimisht, përtej këtyre rezonanace ose shkrimeve „aktuale“ të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste),kujdesi i Kamysë për t´i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte, siç shprehet vetë, që ajo „të lexohet në shumë nivele“),kjo i jep atij një karakter „atopik“ (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe „akronik“, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore: cilat mund të jenë, në një vështrim absolut, sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër, e, më përgjithësisht, përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?

Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive, por mbetet, siç e theksuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio“ se është e tërë njëherazi, pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi, përkundrazi, ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë: ajo përbën për dje, por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politike dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shtyrë sa të mund të shkatërrojë të mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël, për t´u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.

Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta, një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjanësuar qëndresën e popullsisë, për t´u paraprirë kundërveprimeve të tij.

Këtu hasim elementet që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane.

Çuditërisht, synimet e kësaj „supërfuqie“ janë shprehur qartë te Buxhovi,të „Strategjia osmane“ e njëfarë Kavijusit. (Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realitet historik).Nga ky traktat janë frymëzuar gjërisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane, i quajtur Osman Inxhi Karaogllu, sipas rrëfimit të Gjon Nikollës. E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar, sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik. Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohore, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviqit, teoricien i „rregullimit të çështjeve shqiptare“, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj: mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa arsyetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman, njëra nga këto vepra (ajo „e paraqitshmja“ me pamje „të ndershme“) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë?

Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania „marksiste-leniniste“),ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquara, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.

Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut, i jetës dhe i vdekjes, e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale, që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka.

Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme, e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e „besës“.

Njeriu shqiptar paraqitet si një „homo religiosus“, në kuptim etimologjik; ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij: me vëllezërit e tij, me tokën, gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“ na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo „besë“, që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, Shqiptarët mund t´i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit, sipas rrethanave. Romani „Shënimet…“ na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt, kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi, e, prej kësaj, të çdo kombësie…Kulti i përbashkët i „besës“ nënkupton para së gjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh, që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përsëritura të historisë së tij të gjatë; ato janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjall heronjtë e tij mbrojtës, t´i mëshirojë ose t´i ndiejë që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër: kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur, kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës, këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.

Nga kjo rrjedhin edhe këto elemente të tjera: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve, zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare, që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë, si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët. Së fundit, duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujtesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë imtimisht në shpirtin shqiptar, saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë, pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur, në fund të fundit, kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.

Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmin, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij „besa“. Madje, herë-herë, ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes; së pari, sepse kjo vdekje e lavdishme, e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësi, dhe, e dyta, për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë, mposhtje e gjunjëzimit. Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë, në mos të përligjë për këtë, zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë. Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në larëtsimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi, bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun, sa autori i mohon shugurimin e tokës, duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar: askush s´është në gjendje të thotë nga vjen, nga e ka prejardhjen, thua se s´ka prejardhje fare.

Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike: nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet, qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thella, dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe, po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr…muratjë, përderisa duhet thirrume me emrin që ka“. Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme, e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dh të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare, ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala „mortje“, “murtajë“, në shqip, është sinonim i vdekjes. Ndaj, edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë, për të ruajtur identitetin e vet.

Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë, u shtohen, për lexuesin perëndimor, shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu, vetëm për interesa letrare, idetë e padenja për një humanist, që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brendshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte „rrugët“ për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare). Shtjellimet që paraprijnë, sidoqoftë, e vërtetojnë mjaftueshëm: ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjeshtë argëtuese, një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron, e mendimeve që ai ushqen, e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë, edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë. / KultPlus.com

……

Shteti i Kosovës e arritura më e madhe e shqiptarizimit në këtë shekull

Rrugëtimi historik i shtetit më të ri në Kontinentin e vjetër, kaloi nëpër fazat e shkëputjes (çlirimit) nga Serbia, të krijimit të shtetit paralel dhe të protektoratit ndërkombëtar. Ekzistenca e tij sot është kthyer në një formulë politike, që mban stabilitetin në rajon, ndërsa çështjes shqiptare, në kuadër të sferave perëndimore të interesit, ia jep dimensionin e faktorit të pakapërcyeshëm gjeostrategjik.

Nga Jusuf Buxhovi

Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990.

Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë.

Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë.

Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit.

Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.

Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.

Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.

Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura.

Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.

Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999.

Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999.

Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.

Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi).

Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!

Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.

Në këto rrethana, shteti i Kosovës, për t’i bërë ballë sfidave të jshtme dhe të brendshme, ka nevojë për kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke.

Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë.

Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si pjesë së etnisë së shkëpur”, pra si ardhacakë./ KultPlus.com

Shtypi amerikan për “Kosovën” e Buxhovit: Vazhdimësi e mbretërisë së vjetër të Dardanisë

Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” I, II,III (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan.

Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”:

“Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne, Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj. Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.

Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë. Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti. / KultPlus.com

Shkrimtari, publicisti e historiani Jusuf Buxhovi takohet me rotarianët e Gjakovës

Shkruan: Blerim Valla

Ishin rotarianët e Gjakovës, të cilët në objektet e qendrës së re të pensionistëve në Gjakovë (donacion ky i Rotary Club – it gjakovar), mbajtën një takim intereaktiv me shkrimtarin, publicistin e historianin e njohur Jusuf Buxhovi. Paraprakisht z. Buxhovi i ka dhuruar qendrës në fjalë mbi 100 libra dhe vepra të ndryshme të tij, duke e pasuruar dhe begatuar këndin e librave në këtë objekt. Këta libra i pranoi kryetari i rotarianëve gjakovar Agron Abrashi.

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, i ftuar nga rotarianët gjakovar duke bashkëbiseduar me ta ka shpalosur fakte histografike që lidhen me ndikimin e të pavërtetave nga historianë serbë në historinë shqiptare. Ai ka akuzuar Kosovën dhe Shqipërinë se në tekstet shkollore po fusin gënjeshtra historike. “Sot është një problem shumë i madh sepse këtë çështje, këtë gënjeshtër të tyre e ka pranuar histografia shqiptare, po flas për këtë institucionale dhe këtë të Kosovës, dhe ata gjithkund thonë Car Dushani, Car Llazari , mbreteria mesjetare serbe dhe e kanë inkorporu edhe në tekstet shkollore.

Kjo gënjeshtër vazhdon, ne tash, edhe histografia e Kosovës edhe e Shqipërisë, në tekstet shkollore është shumë skandaloze e shet kët gënjeshtër serbe si një të vërtetë historike që nuk ekziston” . Buxhovi ka kërkuar një qëndrim të përbashkët shkencor të akademive të Kosovës dhe Shqipërisë ku do të trajtoheshin këto tematika dhe të pranoheshin faktet që dihen botërishtë.

Më tutje Buxhovi ka fajësuar Akademinë e Shkencave të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, duke thënë se akomodimet politike po i bëjnë që të heshtin karshi këtyre të pavërtetave dhe dëmeve historike.“Kam insistuar shumë herë mirëpo vazhdimisht kam has në kundërshtim sepse janë historianët të cilët e udhëheqin sot Akademinë e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë, pra institucional, janë kryesisht të mendësisë ideologjike. Kanë bërë libra, kanë bërë tituj, një pjesë e tyre janë hy edhe në shërbime të politikës për fat të keq dhe janë akomodu shumë mire materialisht dhe me pozicione të tyre. Poqese do të pranohej diçka e tillë, shumë libra të tyre duhet të zhvlerësohen, dhe shumë tekste shkollore duhet të rishkruhen. Aty ka gjithçka pos shkencës. Ka pedagog të mirë por jo shkencëtar!”

Shkrimtari, historiani dhe ish gazetari e publicisti Buxhovi i pyetur nga të pranishmit pse Kosova sot është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka asnjë gazetë, ai u shpreh se në Kosovë gazetaria ka vdekur duke shtuar se kjo vlen në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Z. Buxhovi arsyetoi këtë me faktin se gazetaria është bërë mjet i më të fortit duke aluduar sidomos në partitë politike për blerjen e mediave të ndryshme që më pastaj i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre.

Ndërsa duke folur për gjendjen e kulturës në Kosovë, Buxhovi u shpreh “Në këtë periudhë të pasluftës ka ndodhur një akulturim i madh. Sepse në vendet kyqe të kulturës janë vënë njerëzit politikë që shumë pak marrin vesh me art dhe kulturë! Ja psh Gjakova qytet me personalitete të njohura dhe tënshumta në këtë fushë dhe qyteti me më shumti shkrimtarë në tërë hapësirën shqiptare, sot e 24 vite është lënë anash dhe ngjan në shkretëtire kulturore!”

Përndryshe me veprat e tij Jusuf Buxhovi ka arritur të ndërtojë një opus të gjërë si vepra letrare, publicistike dhe historiografike.

Vepra letrare e Jusuf Buxhovit ka nis me librin me tregime “Cirku” (1972), për të plotësuar pastaj si një opus të madh ku përfshihen tregimtaria, novela, romani e drama.
Pjesën më interesante të Jusuf Buxhovit e përbën edhe publicistika e tij e përmbledhur në librin “Fletëza gjermane” (2008).

Kurse një kapitull i veçantë i veprimtarisë se tij shkencore e intelektuale përfaqëson vepra e tij historiografike, që si kulm është vepra voluminoze në disa vëllime ”Kosova 1 2 3” më vonë e plotësuar edhe me pesë vëllime të tjera. Pra historia e Kosovës si pjesë e historisë shqiptare e shikuar nga një këndvështrim i ri ku përjashtohen stereotipet e deritanishme. Vepër kjo që u përkthye dhe u botua ne SHBA në gjuhën angleze.

Me veprën historiografike dhe me vëllimet nga proza artistike , tregime, novela, drama, kritikë letrare, romanet e njëpasnjëshme të karakterit historik, me publicistikën dhe veprat historiografike, ka ndërtuar një opus fenomenal prej një krijuesi dhe mendimtari të angazhuar e te guximshëm në mënyrë permanente. Rezultat i angazhimit të tij si mendimtar është edhe veprimtaria e tij poliedrike ku si majë e piramidës qëndron intelektualizmi i tij që është jetësisht i lidhur me proceset dhe ngjarjet historike e kulturore të vendit. /KultPlus.com

“Enigma” e kodit të dashurisë

Besnik Mustafaj: “Fati i marrë”, roman. Botoi “Onufri”, Tiranë 2023.

Nga Jusuf Buxhovi

Enigma e dashurisë është vetë dashuria. Ajo nuk ka kod, meqë nuk do të ishte dashuri. Kështu parafrazon Markezi dashurinë në romanin e njohur “Dashuria në kohën e kolerës”. Shkrimtari Besnik Mustafaj, në romanin e tij më të ri “Fati i marrë”, sikur të mos i besonte Markezit, ngreh çështjen e një enigme te një dashurie, e cila kohësisht ka dy pamje (njëra në mesejte dhe tjetra në shekullin e kaluar), siç ka edhe dy personazhe historike të ndërthurura në përjetimin e saj imagjinativ (Gjergj Kastriotin-Iskander beun me të bijën e Hunijadit hungarez, Idunës dhe të Benjamin Disraelit, kryeministër britanik me Hanën, një malësore nga Veriu shqiptar).

Në përputhje me prosedeun tashmë të njohur të Mustafajt nga tre romanët e fundit, ku participimi imagjinar i shkrimtarit në ndërtimin e rrëfimit ndërthuret me anticipimin nga veprat e botuar (këtë herë novela “Historia e një mushke”) me ç’rast madje ai kthehet edhe në personazh, kërkimi i “enigmës” së dashurisë paralele: asaj mesjetare (Gjergj Kastrioti-Iskander beut me Idunën hungareze) dhe të Benjamin Disraelit me Hanën malësore, mbështetet mbi dilemën si moto të veprës se ç’i bashkoi këto martesa aq të largëta, cilat interesa fshiheshin para tyre e të ngjashme, të cilat ndiqen fillimisht nëpër rrugë historike (lufta e Skënderbeut kundër osmanëve e vetmja asokohe ndër popujt e pushtuar, dhe më vonë nëpër ato politike, nga koha e Kongresit të Berlinit e deri te pavarësia e Shqipërisë), që për referencë kanë pikëtakimin e shqiptarëve me britanikët në planin kulturor, diplomatik dhe shtetëror.

Natyrisht se në këtë vorbull të dashurive paralele, shkrimtari ndërthur personazhet historike jashtë fakteve historike, kështu që në dashurinë mesjetare shohim Gjergj Kastriotin-Iskander beun, pas takimit me Huniadin, para se të largohet nga beteja e njohur e Nishit, fillimisht të dashurohet me të bijën e mbretit hungarez, Idunën dhe mandej edhe të martohet (pas një konflikti me shumë intriga me princin grek Niketa). Ndërsa në dashurinë e vonshme, shohim kryeministrin pritanik Benjamin Disraeli, me Hanën, gjatë qëndrimit në kullën e Resulajve, në kërkim të zbardhjes se një vrasjeje midis krushqve të familjes Resulaj me një tjetër te një urë kur “nga krenaria” nuk pranojnë t’ia lëshojnë rrugën njëra-tjetrës. Në këtë histori tragjike, që për Disraelin e kohës së rinisë, duket fare e pabesueshme, Hana shfaqet si urë që lidh dashuritë, përkundër asaj të malësisë, që për arsye të pakuptimta për të huajt, shkatërron dashuritë deri në tragjicitet. Leja që Hana të shkojë me të huajin me arsyetimin thuajse mazohist të bashkëshortit “që ajo të jetë e lumtur” (shpjegimi i të cilit gjendet te impotenca), dashuria e tyre rrugës si dhe martesa para se të shkojnë në Londër, në dukje të pakuptueshme për sjelljen e një familjeje fisnore patriarkale, ndërtojnë rrëfimin e një romance ndër më të parëndomtat, që është në gjendje t’i krijojë vetëm imagjinata krijuese, gjë që arsyetojnë referenin e dilemës “si mbiu ashtu papritur në zemrën e kryeministrit britanik Benjamin Disraeli dhe të mbretëreshës Viktoria kjo dashuti e pakufijshme për Shqiptarët”, mbi të cilën ndërtohet edhe i gjithë koncepti i romanit.

Hapjën e kësaj enigme dhe dilemat që e përcjellin atë, ku ecuria e zbërthimit të saj ngrihet mbi supozimin, në dukje të një interesi politik, por që porosia përfundimtare le për të kuptuar afrinë kulturore dhe shpirtërore mbi konceptet e civilizimeve të njëjta, për të cilat edhe luftohet, siç ndodh me atë të Gjergj Kastriotit me hungarezin Huniad kundër osmanëve, shkrimtari e ka mbështetur në dy plane rrëfimtare, në dukje kohësisht të shkëputra: nga Pëkthyesi M. B. dhe Historiani D.D.

Përkthyesi M.B. në pjesën hyrëse, shfaqet “si një intrigues” i rrëfimit në raport me vetë shkrimtarin, ku edhe ndërtohet pasazhi mesjetar i dashurisë së Gjergj Kastriotit-Iskander beut me Idunën, princeshën hungareze. Përqendrimi i përkthyesit te vepra “Naltësimi i Iskanderit” dhe “ngjashmëritë” me “Historinë e mushkës”, në të vërtetë paraqesin reminishenca të historisë kulturore, shpirtërore dhe shoqërore të një shoqërie perëndimore, që arsyetojnë sjelljen e Skënderbeut nga pasha i njohur osman te kundërshtari i pushtimeve osmane, ku Shqipëria dhe shqiptarët ngritën në nivelin e një shëmbëllese ndër më të fuqishmet e kohës.

Ndërsa te Hitoriani D.D. një shqiptar, pinjoll i një familjeje të vjetër në Tiranë, të nderuar nga një brez në tjetrin dhe njëri nga nxënësit më të mirë të gjimazit “Sami Frashëri”, i cili do të vazhdojë studimet në Britani të Madhe ku edhe do të mbesë përgjithmonë, me nënshtetësi britanike, i integruar tërësisht në mentalitetin kulturor, intelektual dhe politik të Mbretërisë së Bashkuar, kemi pjesën e dashurisë së Benjamin Disraelit me malsorën Hana dhe martesën e tyre në Londër, kur ajo do të shfaqet si njëra ndër damat më të njohura të lozhës politike të kohës.

Kështu, Përkthyesi M.B. dhe Historiani D.D. ndërtojnë kornizën e tërësisë së veprës, në të cilën argumentet historike vihen në shërbim të fakteve jetësore (shoqërore, kulturore dhe poltike) që i prodhon pikërisht historia, gjithnjë si mesazhe në kuadër të realiteteve jetësore.

“Shkëputja” nga historia dhe inkuadrimi i tyre imagjinativ në narrativen e veprës, ku përsëritjet e ngjarjeve (martesat mbretërore në mesjetë dhe në rrethanat e krijimit të shteteve në shekullin e kaluar), në rastin e dhënë të martesës imagjinatave të kryeministrit britanik Benjamin Disraeli me malësoren Hana, ndërton tablonë e simbolikës mbi të cilën qëndron edhe pragmatizmi politik i kohës në raportet e shqiptarëve me rendët mbretërore (ai britanik), si një faktor historik, i një kujtese nga lashtësia mbretërore dardane, maqedone, epirote dhe ajo e Skënderbeut, ku edhe mund të zbërthehet enigma e kodit të dashurisë midis një kryeministri britanik dhe një malësoreje shqiptare, si një avanturë që del jashtë koncepteve shoqërore dhe kulturore të kohës në njërën ose në tjetrën anë, por si të tilla, antagonizmi i kthen në monument letrar?…

Në fund, duhet thënë se, Mustafaj, romancën e dashurive historike, të parën e llojit të tillë në letrat tona, slilistikisht e brumos me filigraniznin e njohur nga romanët e fundit, gjë që veprës i jep një peshë të veçantë artistike. / KultPlus.com

Një roman me një stil kafkian

Esad Dujaka

( Duke lexuar romanin më të ri të Jusuf Buxhovit – Mendim Drini)

Jusuf Buxhovi me romanin më të ri “Mendim Drini”, solli një trajtim krejt tjetërfare të nji cope jete nga këto që ishim mësuar të lexonim nga ky edhe romansier…

Buxhovi në ato mbi 100 faqe trajton ngjarje historike të këtij nënqielli, por  që ato i shkrien aq bukur dhe i ngjesh mjeshtrisht…

Aty përmes asaj që thuhet dhe thot Mendimi, aty është edhe një pjesë e historisë së popullit shqiptar sipas asaj hamlwtianes ” të rrosh a t’mos rrosh”…

Dhe, fati i këtoj nënqielli shqiptar gjatë kohëve, që shpesh ishin kundër nesh ose edhe ne kundër vetëvetes, që romansieri Buxhovi me aq mjeshtri e shtjellon duke mos lënë hapsina as më të vogla që do të shkaktonin mëdyshje te lexuesi për të kaluarën e popullit tonë gjatë historisë, që shpesh ajo ishte kundër nesh…

Buxhovi, si rrallë kush në letërsinë tonë të re, përdorë MENDIMIN FILOZOFIK RRETH MENDIM DRINIT, pra me nji stil të themi lirisht KAFKIAN, që si i tillë ky roman lirisht mund ta them pa hamendje se nuk është i kollajshëm për ta zgjuar kurreshtjen e lexuesit të zakonshëm…

Pra, romani si i tillë meriton dhe sygjeroj të lexohet me vemendje e koncentrim tjetërfare fund e krye, e pse jo – të lexohet edhe për herën e dytë. /KultPlus.com

“Maqedonia nga atika deri te koha jonë”, vepër e rëndësishme e historiografisë shqiptare

-Theksime nga fjala e historianit Qerim Lita rreth veprës “Maqedonia nga atika deri te koha jonë” me rastin e promovimit në Shkup

Pas botimit të veprës madhore “Kosova” në tetë vëllime, historiani Jusuf Buxhovi, historiografisë shqiptare i dhuroi edhe një vepër tjetër po aq madhore dhe të rëndësishme: “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Vepra prej më shumë se një mijë faqeve tekst, krahas hyrjes dhe përfundimit ndahet në pesë pjesë kryesore dhe më shumë kapituj dhe nënkapituj. Pjesa e parë i kushtohet antikitetit, pjesa e dytë mesjetës, pjesa e tretë Perandorisë Osmane, pjesa e katërt copëtimit të Shqipërisë dhe pjesa e pestë rikthimit të Jugosllavisë, përkatësisht asaj komuniste të Titos. Në pjesën hyrëse të librit, autori duke bërë një krahasim midis Maqedonisë antike, si mbretëri ndër më të njohura të kohës dhe “Maqedonisë si shtet politik i krijuar në fund të shekullit njëzet”, me të drejtë thekson se “pos emrit dhe një takimi të vogël në një pjesë gjeografike”, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonasve antikë si pjesë e botës pellazge-ilire ku kishin shtratin e tyre të barabartë mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Dardanisë”, gjë që me të drejtë autori thoshe se “në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire”.

Në këtë vepër voluminoze, pos trajtimit të antikitetit, të mesjetës, ku Maqedonët, Dardanët dhe Epirotët shfaqen në themelet e Bizantit, me rëndësi paraqet kapitulli i gjashtë i pjesës së tretë “Fuqitë e mëdha dhe paraloja e luftërave Ballkanike”, për të cilën autori thotë se e ashtuquajtura “Krizë e Maqedonisë” ishte një skenar ruso-sllav, për ta shuar çështjen kombëtare shqiptare. Fqinjët e shqiptarëve, serbët dhe grekët, thekson më tej autori, lëvizjet e tyre nacionale do t’i fillojnë me shpalljen e programeve kombëtare mbi baza hegjemoniste (serbët me “Naçërtanjën” dhe grekët me “Megali idenë”, me anën zë cilave parashihej zhdukja e çështjes shqiptare. Të udhëhequr nga kjo strategji, Serbia dhe Mali i Zi, do të fusin diçka nga armët e tre në pjesën veriore të vilajetit të Shkodrës dhe në veri të Kosovës. Me këtë rast do të lidhin marrëveshje të veçanta me disa nga feudalët dhe bajraktarët e këtyre viseve, që të mbroheshin pronat e serbëve dhe ato të manastireve, por ata do të bëjnë çmos që kryengritjet e tyre kundër osmanëve të mbikëqyreshin prej tyre. Ndërkohë, për shkak të presionit të madh nga ana e Fuqive të Mëdha, sulltan Hamiti kishte lejuar hapjen e konsullatave ruse dhe serbe në vilajetin e Kosovës e të Manastirit. Tërë kjo, nga ana e shqiptarëve u përjetua “si një përgatitje për aneksimet e reja sllavo-ortodokse ndaj trojeve të tyre, që këtë herë bëhej edhe me miratimin e Portës së Lartë”. Në kuadër të kësaj pjese, përfshihet edhe kryengritja e Ilindenit, e cila, sipas Buxhovit, ishte pjellë e autoriteteve bullgare, të cilët, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me reformat që kishte shpallur sulltan Hamiti me rastin e “Udhëzimeve për Rumelinë” dhe krijimin e “megavilajetit” të Rumelisë, që sipas të gjitha gjasave do t’i shkonte për shtati ngritjes së çështjes shqiptare, dhe të shtryrë nga frika se mos reformat mund të shkojnë në dëm të Bullgarisë, komitetet e shumta bullgare-maqedonase në rrethet e Ohrit, Kosturit dhe Serezit, të shtyrë drejtpërdrejt nga Bullgaria dhe të frymëzua me parullat “Liri a vdekje” dhe “Maqedonia për maqedonasti”, në pranverën e vitit 1903, u ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane në atë pjesë. Për Buxhovin, Ilindeni ishte një kryengritje probullgare dhe ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, ngaqë shpërqendronte konceptin për Shqipërinë etnike të përbërë nga katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës), duke e kthyer atë në interes të fqinjëve (bullgarëve, serbëve dhe grekëve).

Edhe në kapitujt tjerë (Rilindja kombëtare, Luftërat Ballkanike, Krijimi i Jugosllavisë së Versajës dhe Krijimi i Jugosllavisë së Titos, ku shfaqet edhe Maqedonia e krijuar në kuvendin e ASNOM-it në verën e viti 1944), Buxhovi u ka dhënë përgjigje objektive këtyre zhvillimeve, duke e parë Maqedoninë në qendër të tyre, ndërsa shqiptarët në rolin e faktorit që është përpjekur të mbetet pjesë e botës shqiptare, përkundër faktit se nga Konferenca e Londërs,ajo e Parisit, Jallta e deri te shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas në vitin 1991, ka qenë pjesë e koniunkturave të huaj, që kanë bërë përpjekje që nëpërmes politikave të ndryshme antishqiptare, siç ishin programet për shpërnguljen e tyre për në Turqi e të tjera, t’ua shuajnë qenien etnike.

Në këtë zhvillim historik, vëmendje e madhe i kushtohet edhe pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, si pakicë kombëtare e më vonë si kombësi nga viti 1945-1991, dhe asaj pas shpalljes së shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991.

Për Buxhovin, pozita e shqiptarëve në shtetin maqedonas të mbështetur mbi parimin shtet komb, shfaqet diskriminuese, ngaqë reduktohen në pakicë (minoritet), gjendje kjo që do të prodhojë edhe luftën që shpërtheu në vitin 2001 me qëllim që shqiptarët ta avancojnë pozitën e tyre kushtetuese, nga pakica tek populli shteformues. Lita vlerëson se Buxovi, luftën e vitit 2001 e konsideron “të papërfunduar”. Në kuadër të kësaj lufte ai veçon tri aspekte të rëndësishme: atë ushtarak, diplomatik dhe politik. Sa i përket aspektit të parë, përkatësisht ushtarak, Buxhovi e vlerëson se lufta, ushtarakisht ishte mirë e organizuar, me dinamikë të përhapjes dhe e suksesshme për nga arritja e qëllimeve ushtarake. Edhe aspekti diplomatik i luftës, sipas tij pati jehonë pozitive, për shkak se UÇK-ja u shtri thuajse në mbarë hapësirën shqiptare në Maqedoni. Ndërsa aspektin politik, autori e konsideron të dështuar, për shkak se siç pohon “brenda tre muajve qëndrimet e UÇK-së kishin ndryshuar në kahun e tatëpjetës: nga ai i luftës çlirimtare kombëtare – që ishte iluzor, te opsioni për shtetin federal të dy popujve për të zbritur te opsioni i barazisë, që ishte real, te shteti multietnik, për ç’gjë nuk ishte nevoja të luftohej”.

Në fund, duhet cekur se autori Buxhovi, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm, në zbardhjen e realitetit historik të hapësirës gjeografike të quajtur “Maqedoni” si dhe prezencë e popullsisë shqiptare në të nga koha antike e deri më sot. Thënë shkurt, Jusuf Buxhovi e bëri atë që është dashur me kohë ta bënin dy akademitë e shkencave shqiptare, si dhe pesë institutet shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

(Shkup, 13 tetor 2020). / KultPlus.com

Mashtrimet e kishës ortodokse serbe me autoqefalinë dhe pasojat për shtetin e Kosovës

Nga Jusuf Buxhovi

Ngritja e shtetit hegjemon serb nga autonomia në vitin 1830 (në përmasat e pashallëkut të Beogradit) dhe pranimi si shtet në Kongresin e Berlinit 1878 e deri te zgjerimi me tokat shqiptare gjatë luftërave Ballkanike 1912-1913, me ç’rast Kosova dhe Maqedonia do t’i njihen Serbisë, u bë mbi “tapitë shpirtërore” të kishës ortodokse serbe dhe mashtrimeve të saj si “pjesë e identitet shpirtëror dhe kulturor serb nga mesjeta e këndej”. Ky mashtrim që ishte pjesë e konceptit sllavo-rus që në pjesën europiane të Perandorisë Osmane të krijojë shtete vasale (Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë), duhej të përcillej me faktorin Kishë Ortodokse Serbe si dhe gjoja autoqefalinë e saj nga shekulli XIII e këndej, që si do të shihet, ishte vetëm një autonomi e përkohshme nga Peshkopata e Ohrit (nga viti 1219-1275). Diskursi i këtij mashtrimi do të vazhdojë për tetë shekuj me radhë, meqë autoqefalia e Kishës Ortodokse Serbe do të fitohet në vitin 1922, pasi që të jetë formuar Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene. Meqë autoqefalia kishtare përherë lidhej me shtetësinë, Kisha Ortodokse serbe, këtë “të drejtë” e fitoi vetëm pas vendimeve të Konferencës së Parisit më 1919 kur u pranua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, në gusht të vitit 1920, me anën e një delegacioni shtetëror do t’i drejtohet Sinodit të Shenjtë të Patrikanës së Kostandinopojës për unifikimin e tri kishave (të Karllovcit, të Malit të Zi dhe të Mitropolisë së Beogradit) në një kishë të përbashkët, që do të quhej Kisha Ortodokse Serbe. Sinodi i Shenjtë, në përputhje me realitetet shtetërore të cilave u nënshtroheshin edhe ato kishtare (autoqefalitë), vendosi të miratojë kërkesën e shtetit SKS me kusht që të paguajë 1,5 milionë franka francezë për lejimin e kishave të Kosovës dhe të Maqedonisë (deri më atëherë nën juridiksionin e Patrikanës së Kostandinopojës) që të përfshihen në kuadër të hierarkisë së Kishës së bashkuar ortodokse serbe. Akti përfundimtarë i kësaj marrëveshjeje do të nënshkruhet në vitin 1922 nga Patriku i Kostandinopojës.

Meqë ky mashtrim prej tetë shekujsh po vazhdon të prodhojë pasoja politike për shtetin e Kosovës, ngaqë me pakon e Ahtisarit krishterimi ortodoks dhe objektet e kultit kishtar trajtohen si pronësi e Kishës Ortodokse Serbe, me ç’rast shqiptarët, që i kanë takuar krishterimit nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV, kur në Ilirik nuk ka pasë sllav, privohen nga një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tyre shpirtërore dhe asaj historike, është e udhës që të sqarohet historia e këtij mashtrimi. Ajo gjithsesi lidhet me fuqizimin e dinastisë së Rashës Nemanjane (me prejardhje tribale) si dhe kyçjën e saj në kryqëzatat katolike evropiane si dhe shfrytëzimi i rrethanave të dobësimit të Bizantit, që u krijoi mundësi për ngritje të fuqishme në Ilirik. Kështu, kur në Kostandinopojë kryqtarët katolikë do të rrënojnë kulturalisht dhe politikisht Bizantin, duke shpallur Perandorinë Katolike në vitin 1204, ndërsa qendra e Bizantit bashkë me kishën ortodokse do të kalojë në Nike, kisha e Rashës në qendrën e saj në Zhiçë, me ndihmën e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë, do të ndihmohet, që me veprime në kundërshtim me kanonet kishtare, për t’u shkëputur njëanshëm nga Peshkopata e Ohrit, në të cilën gjendej nga koha e Simeonit bashkë me të tjerat në pjesën perëndimore të Ilirikut. Kjo gjendje ishte konfirmuar edhe nga perandori i Bizantit Vasili II në vitin 1018. Nga dokumentet e rishkruara dhe të përpunuara të Kishës Ortodokse Serbe nga punëtoria e manastirit të Hilandarit veçmas me anën e “zhitive”(jetëshkrimeve të monahëve kishtarë) që nuk paraqesin tjetër pos një formë të haxhiografisë (jetëshkrime fetare), shumë prej tyre të përpunuar dhe të rishkruara në shekujt XVII-XIX në përputhje me qëllimet e caktuara politike, fitohet bindja se e ashtuquajtura Kishë Ortodokse Serbe “pranohet e pavarur” nga Patrikana e Kostandinopojës, pra fiton autoqefalin, ndonëse ajo që kishte ndodhur në Nike, në bazë të dokumenteve meritore, paraqet vetëm një pavarësim të Peshkopatës së Zhiçës nga Peshkopata e Ohrit dhe assesi autoqefali. Pra, në Nike, në rrethanat kur në Kostandinopojë asokohe sundonte Perandoria Latine, kishte ndodhur vetëm një riorganizim i përkohshëm kishtar në pjesën qendrore të Bizantit, si kundërpërgjigje realiteteve të reja të krijuara kur kisha katolike kishte fituar hapësirë të dukshme në këto pjesë dhe kërkonte që të faktorizojë aleatët dhe vasalët perëndimorë: Nemanjajt e Rashës dhe bullgarët. Në këtë drejtim Vatikani punoi me të madhe qe Kisha e Rashës me seli në Zhiçë dhe ajo bullgare të shkëputen nga Kostandinopoja. Natyrisht se edhe kisha e Kostandinopojës e dëbuar nga kryeqendra e vet, asokohe nuk e kishte kundërshtuar “mëvetësimin” e kishës së Rashës me seli në Zhiçë nga ajo e Ohrit, meqë ishte e interesuar që ajo të mos bëhej pre e Vatikanit, veçmas pas kurorëzimit kishtar të Stefan Ne-manjës në vitin 1217 nga Papati. Përkundrazi, si shihet, edhe Patriku i Nikesë, Manojllo, do ta kurorëzojë “mbret” Nemanjën duke e toleruar formalisht krijimin e Peshkopatës së Zhiçës, si të shkëputur nga ajo e Ohrit, por kjo me asnjë dokument nuk u vërtetua se fitoi edhe autoqefali kishtare. Rreth kësaj kemi edhe dëshminë meritore të Dr. Dimitrije Ruvarac, arkimandrit, menaxher i shtypshkronjës së kishave dhe Bibliotekës Patriarkale të Sremski Karlovcit dhe redaktor i “Srpski Zion”. Ruvarac pohon se “nuk ka dyshim se Sava mori disa privilegje për hierarkinë kishtare rasiene në Nikea, por është e pamundur të identifikohen të gjitha ato me bekimin për një ngjarje kaq të madhe kanonike, siç është krijimi i kishës autoqefale. Me fjalë të tjera, Sava mund të merrte një vetëqeverisje të caktuar nga Kostandinopoja për hierarkinë kishtare, me një listë të përcaktuar qartë të privilegjeve – por jo autoqefali.

Por, pas rrëzimit të Perandorisë Latine më 1261 dhe të rikthimit të Bizantit në Kostandinopojë, vendimet e Nikesë rreth shkëputjes së Peshkopatës së Rashës nga Peshkopata e Ohrit anulohen dhe ajo prapë do t’i kthehet gjendjes që ishte në vitin 1219. Madje, me rastin e rikthimit nën administrimin e Peshkopatës së Ohrit, bashkë me atë bullgare, në Koncilin e Lionit, më 1274, kërkohet falje për këtë “sjelle të pamirë të kishës së Rashës”.

Lajmet më të hershme të suksesit të Savës në fitimin e autonomisë – jo autoqefalisë – erdhën nga biografët e tij (higjiografët). Dhe me një vonesë të madhe. Domentian shkruan për këtë (rreth 1253, kështu që shkrimet e tij u “ripunuan” nga një autor tjetër pas vitit 1290); dhe më pas, të paktën një shekull më vonë (midis 1320 dhe 1330) dhe Teodosi.

Domentian dhe Teodosi lan një konfuzion në takimin në shkrimet e tyre. Njëri prej tyre shkruan për 14 vitet që Sava kaloi si kryepeshkop; kjo do të thoshte, me kushtin që në vitin 1233 (ose 1234) për disa arsye Sava dha dorëheqje nga froni i Kryepeshkopatës së Zhiçës, se ai mund të ishte shuguruar më 1219, dhe pastaj Patriarku Manojlo Sarantin (νοανουήλ Α΄ Σαραντητός ή Χαριτόπουλος).

Sidoqoftë, Domentiani dhe Teodosi janë të aftë për çështjet kishtare, kështu që, megjithëse ata zbukurojnë dukshëm gjëra – për shembull, thuhet gabimisht që Sava erdhi në Kostandinopojë me perandorin bizantin, megjithëse është e verifikueshme që Theodore I Lascaris mbretëroi në Nikea – ata nuk pretendojnë se bëhej fjalë për autoqefali të kishës.

Edhe te kjo çështje, ndërhyrja e dr. Ruvarac, heq mjegullimin e krijuar nga biografët e tij dhe të tjerët që i përpunuan ato. “Deri më tani, asnjë letër nuk është shtypur askund, e cila do të konfirmonte kush dhe kur Shën Savën e shuguroi kryepeshkop dhe mbi çfarë baze. Sepse, po të ishte kështu, atëherë duhej të lësho-hej një letër e tillë dhe një akt i tillë i rëndësishëm nuk mund të humbiste. Prandaj, nuk dihet saktësisht se cilin vit, për të mos përmendur muajin dhe ditën, është shuguruar Sava kryepeshkop, siç mungon edhe emri i patriarkut që e bëri atë”.

Ato që thotë dr. Ruvarac, mbështetet nga qëndrimet e Dr. Janko Shafarik, i cili u mor shumë me këtë çështje. Shafariku paraqiti një raport mbi rezultatet e hulumtimit të tij në arkivat e Kostandinopojës, botuar më 1855 në Beograd. Për atë që gjeti në Kostandinopojë, Shafarik shkruan:

“Ne nuk mund të dokumentojmë asnjë veprim me anë të të cilit Shën Sava u bë një kryepeshkop i pavarur. Madje, asnjë veprim tjetër i ngjashëm, nuk është gjetur deri më sot!”.

Edhe historiani i kishës serbe, Svetozar Niketiq, qysh më 1870 vlerëson se “Megjithëse kisha serbe ka qenë ajo që e konsideroi Sava si të pavarur, përsëri kryepeshkopët e saj, të zgjedhur nga asambleja e hierarkëve, u përcaktuan në atë titull nga patriarku i Kostandinopojës”. Por Niketiq, thotë se, falë Savës, u fitua e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre vetë në të ardhmen, por ata mbetën nën ohforionin e Kostandinopojës, praktikë kjo që përkohësisht do të ndërpritet nga Stefan Dushani. S’do mend, se e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre në të ardhmen, që si përvojë u shfrytëzua gjatë dy shekujve të ardhshëm në hapësirat kah Nemanjajt shtrinë pushtetin, u shfrytëzuar për t’u “promovua” autoqefalia. Kisha Ortodokse Serbe retushoi në këtë frymë thuajse të gjitha dokumentet kishtare që erdhën nga punëtoritë e Hilandarit.

Në të vërtetës, ky veprim, nuk anashkalohet as nga disa autorë objektivë serbë (ndër të cilët duhet dalluar Ilarion Ruvarac). Aty, me të drejtë, shihen edhe prapaskenat e Vatikanit, që asokohe luheshin në kurriz të Patrikanës së Kostandinopojës me rastin e pushtimit të kryeqytetit të Bizantit nga katolikët, në vitin 1204 që zgjati deri në vitin 1261, kur aty u kthye Perandori bashkë me suitën e klerikëve nga Nikea. Në këtë vënerim, gjithsesi, rolin kryesor kishte veprimi i Peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian (Demetros Chomateros), që sapo të përhapet lajmi nga Nikea, nxori mallkimin drejtuar Arhimandrit Sava të Rashës. Në letrën drejtuar Patrikut ortodoks në Nike thotë se Sava nuk e ka të drejtën të shkëputet nga Peshkopata e Ohrit, meqë kjo nuk lejohet nga kanoni i rregullit apostolik.

Letrat e peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian, do të mbesin një zë i shurdhër për mbi gjysmë shekulli, deri sa do të bjerë Perandoria latine e Kostandinopojës në vitin 1261. Bizanti sapo u kthye në kryeqytet e me të edhe qendër e Patrikanës Ortodokse, u kthye edhe rregulli i dikurshëm kishtar. Ky veprim ishte përcjellë me “miratim” edhe nga Vatikani, ngaqë ishte kthyer “normaliteti” midis dy qendrave botërore që thirreshin në të njëjtën perandori, e cila asokohe ndodhej përballë kërcënimeve osmane. Në kuadër të këtyre raporteve, për Patrikanën e Kostandinopojës me interes të madh shfaqej edhe rikthimi i fuqisë së humbur kishtare të Peshkopatës së Ohrit, me rastin e shkëputjes së njëanshme prej saj të Ipeshkvisë së Rashës dhe asaj bullgare, të cilat aktronin autoqefalin. Në këtë aspekt letrave të Homatianit do t’u hiqet pluhuri i kohës dhe madje, do t’u jepet përgjigje e drejtë, me atë që në Koncilin e Lionit do të thuhet se në Nikea ishte shkelë kanoni apostolik dhe se Peshkopatës së Ohrit i ktheheshin Ipeshkvia e Rashës dhe ajo bullgare. Natyrisht se këtij vendimi i parapriu dekreti i Perandorit Mihali VIII, me të cilin Peshkopatës së Ohrit i kthehej juridiksioni mbi Ipeshkvinë e Rashës dhe atë bullgare në përputhje me dekretin që kishte shpallur në fillim të shekullit XI Perandori Bazili II. Anulimi i pavarësisë së peshkopatës së Rashës, qendra e së cilës kishte kaluar në manastirin e Zhiqes, që në historinë kishtare të Kishës Ortodokse Serbe quhej autoqefali, kërkonte edhe largimin e peshkopit Danilo nga ajo pozitë. Kjo do të bëhet në vitin 1272.

(Shkëputje nga libri “Dardania – antika, mesjeta”, Prishtinë,2020). / KultPlus.com

33 vjetori i bashkimit gjerman, Buxhovi: Nga kombi i dy shteteve te kombi i dy pjesëve

Jusuf Buxhovi

Në ditën e 33 vjetorit të bashkimit gjerman, ajo që bie në sy nga shtypi vendor, gjithsesi është një koment i shkurtër në “Bild”, me ç’rast thuhet se sot gjermanët më shumë i gëzohen një goli të kombëtares së tyre të futbollit se sa 33 vjetorit të bashkimit!

Natyrisht, se ky vlerësim, paraqet anën emocionale, por si i tillë, nuk është jashtë realitetit të përjetimit të historisë si një normalitet, që tjekaloi një abnormalitet, siç ishte ndarja e Gjermanisë si ndëshkim, pas humbjes së lutës së dytë botërore nga fuqitë fituese të luftës antifashiste, në pjesën perëndimore (të mbikëqyrur nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Ftanca) dhe në atë lindore të mbikëqyrur nga Bashkimi Sovjetik. Pjesa perëndimore, do të konstituohet si shtet në vitin 1949 – Republika Federale e Gjermanisë (Bundes Republik Deutshland – BRD), me sovranitet të kufizuar, i mbikëqyrur nga aleatët perëndorë. Ndërsa pjesa lindore, do të konstituohet si Republika Demokratike Gjermane (Deutshe Demkratishe Republik – DDR). Pjesa perëndimore kishte si kryeqytet Bonin. Ndërsa pjesa lindore – Berlinin. Berlini, njëherësh kishte edhe statusin e qytetit të ndarë në katër zona: atë amerikane, britanike, franceze si dhe sovjetike. Zonat perëndimore (tri sosh ishin të përbashkëta), ndërsa lindorja, e ndarë dhe nën mbikëqyrjen e sovjetikëve. Statusi me tretmant të ndarë i Berlinit, në të vërtetë paraqet shkëndijën e parë të ndarjes blokiste lindje-perëndim, e cila, nga viti 1949 dhe veçmas nga viti 1960 kur pjesa lindore do ta rrethojë hapësirën e vet me mure 6 metra të lartë të shoqëruar me gjemba elektrik, në një perimetër prej 600 kilometrash, paraqet simbolin më të ashpër të luftës së ftohtë, që do të zgjasë deri më 9 nëntor 1989, kur ai do të bjerë, e me këtë do të krijohen rrethanat për bashkimin gjerman, që do të arrihet më marrëveshjen e të dy shteteve për t’u bashkuar në një, në Gjermaninë, më 3 tetor 1990.

Përshtypjet në këtë përvjetor nga këndvështrimi i gazetarit që për shumë vite, si korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Bon ka përjetuar të dy Gjermanitë: (Perëndimoren dhe Lindoren) si dhe atë të bashkuarën, nuk mund të jenë tjera pos të fokusuara në aktualitetin e pasqyruar figurativisht në komentin e “Bildit” të sotëm, ku në njërën anë, në të djeshmen, shihet një komb i ndarë në dy shtete, në dy sisteme antagoniste që për një gjysmë shekulli, raportet gjeostrategjike dhe gjeopolitike, do t’ia përcaktojnë karakterin shoqëror, politik, po edhe atë kulturor. Dhe në tjetrën anë, në të sotmen, shihet se si bashkimi shtetëror nuk do të thotë automatikisht bashkim i brendshëm, as ekonomik, as kulturor, që përkundër investimeve miliardëshe të perëndimit në pjesën lindore, përkundër projekteve të shumta për integrim, punësim dhe arsimim të përbashkët, përkundër zhvillimit dinamik të infrastrukturës rrugore dhe hapësinore, në pjesën lindore, i gjithë ky proces, do të përjetohet si një realitet i “kombit të dy pjesëve”, ku madje, edhe nofka e lindorëve si “osis”, nga perozhaviteti i fillimshëm do të marrë kuptimin e një “identitetit lindor”, që theksohet me të madhe, nga spektri politik e deri te ai ekonomik e mbi të gjitha edhe kulturor!

Duket paksa paradoksale por “lindorja” gjermane, tashmë është edhe identitet kulturor dhe shpirtëror në përgjithësi, ku fryma e dikurshme e protestantizmit të njohur prusian reinkarnohet në krijimtarinë artistike: në pikturë, letërsi, akitekturë dhe kinematografia. Por, ky identitet lindor, që nuk e përjashton kombin e përbashkët gjerman, në planin shoqëror dhe politik, kërkon që reminishencës së njohur historike të Gjermanisë së shkapërderdhur nëpër qindra e qindra feude, grafshtate dhe principata, t’ia krijojë baraspeshën e re perëndim-lindje, si një konkurencë që për shekuj u pasqyrua midis veriut liberal (protestant) dhe jugut konzervativ (katolik). Natyrisht se ky rivalitet, mbështetet edhe në historinë e bashkimit politik gjerman të vitit 1871 kur vilhelmizmi i Bizmarkut (lidhja strategjike me botën lindore, atë sllave-ruse) shfaqej interes gjerman, kundruall konzervatorizmit të pjesëve jugore (Bavarisë), të lidhura me Europën Juglindore prej nga hapësira e Ballkanit paraqiste një nyje të pashmangshme të lidhjes me Mesdheun, Lindjen e Afërme dhe atë të Mesme.

Pra, në këtë 33 vjetor, me pak fjalë, mund të thuhet se Gjermania e Bashkuar, politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht, reflekton rrymat historike të “dy pjesëve”: asaj veriore, vilhelmiste dhe jugores , euro-lindore. Këto “rryma”, mund të thuhet se, në njëfarë mase, sot ma shumë se kurrë, shfaqen shpërputhëse në aspektin gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Ngaqë rryma e parë, ndonëse gjeopolitikisht, i mbetet besnik verioatlantizmit dhe SHBA-ve, megjithatë përherë shikon që të ruhen balanset me Rusinë dhe vendet përreth, që mund të shihet edhe si interes gjerman në kuadër të atij europian, e ku, sipas kancelares Merkel, Rusia duhet ta ketë vendin e vet. Ndërsa e dyta, rryma konzervative, kërkon që Gjermania e tëra t’i përkushtohet aleancës me NATO-n dhe SHBA-të, paçka se kjo një ditë mund të sjell konfrontim edhe me Rusinë, si parterë të saj të fuqishme ekonomike.

Në këtë 33 vjetor të bashkimit gjerman, fitohet përshtypja se “kombi i dy pjesëve”, politikisht ka filluar ta humb balansimin, madje në një mënyrë fare absurde, ngaqë “pjesa lindore”, veçoritë historike të konfrontimeve të protestantizmit me katolicizmin, pra të liberalizmit verior (prusian) me konzervatorizmin katolik-bavarez , ka filluar t’i zhvendos në një drejtim të kundërt, në drejtim të nacionalizmit djathtist, që në njëfarë mënyre, gjen frymëzim te modeli i atij rus, që sot ndjek Putini dhe aleatët e tij në Lindje.

Shembull tipik i këtij çorientimi politik është forcimi i partisë nacionaliste-ekstremiste AFD, e cila, klientelën e vet e ka në pjesët lindore, ato të socializmit sovjetik. Kjo parti, e cila në shumë lande vendore shfaqet si forca kryesore politike dhe ka filluar të qeverisë disa prej tyre, tashmë vlerësohet si njëra ndër më të fuqishmet në vend me parashikimin që t’i fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme federative. Kjo parti, shfaqet si një alkemi midis ideologjisë dhe nacionalizmit, e ngjashme me putinizmin!

Pa hy në shkaqet që sollën forcimin e AFD-së dhe humbjen e popullaritetit të partive popullore CDU dhe SPD, ku sigurisht se refugjatët dhe neoliberalizmi ekonomik merren si kryesorët, megjithatë, në planin shoqëror dhe politik, ky zhvillim, doemos nxjerr në pah shtetin e bashkuar gjerman si një komb “të dy pjesëve” të ndryshme: perëndimorëve dhe lindorëve, ku të parët, historikisht konzervativiz, ndërsa të dytët – liberal. Por, ja që, gjatë këtyre 33 viteve të bashkimit, këto rryma kanë pësuar ndryshime thuajse jashtë konteksteve tradicionale dhe kulturore, me ç’rastë e para lindorja – në raport me frymën europiane dhe doktrinën veriatlantike shfaqet nacionaliste dhe ekstremiste, madje përjashtuese ndaj tyre. Ndërsa e dyta, perëndimorja, ekonomikisht mbron ekonominë neoliberale të përmasave botërore ku ekonomia gjermane është kampione, kurse politikisht ruan përkatësinë veriatlantike me NATO-n dhe SHBA-në si faktor të sigurisë gjermane, europiane dhe perëndamore në përgjithësi.

Sidoqoftë, kombi i “të dy pjesëve” të Gjermanisë, e ka të përbashkët Branderburgun, e bashkimit nga vitit 1871, i ndërtuar mbi idenë e vilhelmizmit se Gjermania duhet të ndërlidhë fundin e Europës me fillimin e Lindjes. Siç e ka dhe Beranderbugun e rrënimit të Murit të Berlinit të 9 nëntorit 1989, që paraqet fundin e bipolaritetit blokist, rrënimit të Bashkimit Sovjetik dhe bashkimit gjerman, që ua hapi rrugën proceseve të çlirimit të pjesës lindore nga diktatura e sistemit komunist.

Duhet shpresuar se rrymat e tanishme politike gjermane, pa marrë parasysh raportet e forcave në ndryshim e sipër, portën e Brandërbugurt do ta shohin si nyje gjeopolitike që lidh Perëndimin me Lindjen, ekonomikish dhe kulturalisht, por në kuadër të një bote të lirë, liberale dhe për të gjithë… / KultPlus.com

Mashtrimi i “konfliktit të ngrirë” me Serbinë dhe modeli i Dombasit

*Aspekti historik, diplomatik dhe politik i një prapaskene kundër shtetit të Kosovës, që siç u pa këto ditë me aksionin terrorist në Veri mbetet veprim aktiv i politikës së Beogradit në përputhje edhe me interesat e Rusisë për ruajtjen e sferave të interesit në rajon…

Jusuf Buxhovi

1.Aspekti historik:

Nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” me Serbinë. Ky është vetëm një konstrukt mashtrues, që si metaforë (“krushqit e ngrirë” në vend të “krushqve të masakruar”), sa nga konceptet ideologjike, sa nga mosnjohja e historisë, së fundi, ka depërtuar edhe në politikën shqiptare.

Por, nga aspekti historik, e vërteta është ndryshe, ngaqë pikëpjekjet midis shqiptarëve dhe sllavëve, që si serbë shfaqen vetëm në shekullin nëntëmbëdhjetë kur identiteti fetar ortodoks do të kthehet në atë nacional, janë lufta pushtuese të tyre për hapësirë, me pasoja të rënda për qenien shoqërore, kulturore dhe politike të shqiptarëve, të përcjella me etnocide, kulturocide dhe gjenocide të vazhdueshme dhe tragjedi, që siç ua pa edhe këto ditë me sulmin terrorist serb në Veri, mbesin veprime aktive të politikës hegjemoniste të Beogradit në përputhje edhe me interesat e Rusisë për ruajtjen e sferave të interesit në rajon.

Mbi këtë platformë që u mbështet në “Naçertanjen” e Garashaninit të vitit 1844, janë të njohura veprimet pushtuese të Serbisë ndaj etnisë shqiptare edhe pasi që shqiptarët ia dolën të shpallin shtetin e tyre të pavarur, që Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, në vitin 1913 e njohu si të përgjysmuar. Krahas rrezikimit të vazhdueshëm të shtetit shqiptar, Beogradi, bëri çmos, që me anën e dhunës shtetërore dhe programeve të vazhdueshme (kolonizimit, shpërnguljeve dhe terrorit policor-ushtarak), ta rrënojë qenien etnike dhe atë fizike të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Roli i kishës ortodokse serbe në këtë strategji ishte përherë i madh: frymëzues në planin shpirtëror, dhe mobilizues në planin ushtarak. Në luftërat pushtuese (ato të vitit 1878, 1912, 1919 dhe 1999), të përcjella me gjenocide, Klerikët ortodoksë jo vetëm që i bekuan armët dhe njësitë paramilitare, por njëherësh, shumë nga objektet e kultit i kthyen në depo armësh si dhe qendra logjistike të armatës serbe. Gjatë shpërthimit të luftës pushtuese serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në vitet 1991-1999, shërbimet informative perëndimore siguruan shumë dëshmi për këto veprime. Çështje e diskutueshme mbetet pse në Gjykatën e Hagës, krahas Millosheviqit dhe shpurës së tij politike-ushtarake, nuk u gjenden edhe klerikët ortodoksë serbë që frymëzuan dhe ndihmuan drejtpërdrejtë gjenocidet serbe në hapësirat e ish Jugosllavisë? Natyrisht, po të ishte përfshirë në Gjykatën e Hagës edhe ky aspekt, me siguri se nuk do ta kishim Pakon e Ahtisarit në formën që u aprovua me ç’rast Kishës Ortodokse Serbe iu njoh e drejta e trashëgimisë së krishterimit ortodoks në Kosovë bashkë me objektet e kultit (manastiri i Graçanicës, i Deçanit, Pejës, Deviqit, Prizrenit dhe të tjera), trashëgimi kjo që ia pranon “tapitë shpirtërore” Serbisë në Kosovë, të cilat shtetin e Kosovës e zhveshin nga trashëgimia shpirtërore dhe historike. Ndërsa, siç u pa edhe në rastin e Banjës, atë e kthejnë në një qendre të logjistikës terroriste!

2.Aspekti diplomatik:

Edhe nga aspekti diplomatik, nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, pos një luftë të përhershme të diplomacisë serbe, të përkrahur nga ajo ruse po edhe disa vendeve evropiane (pa përjashtuar edhe atë austro-hungareze e fokusuar te interesat e saj që sllavët e jugut të ruanin përkatësinë perëndimore), që ashtuquajturës “të drejtë historike”, të falsifikuar shumanshëm gjoja me shtetin mesjetar serb, që nuk ka ekzistuar kurrë, t’i krijohet “alibia” diplomatike si mjet për realizimin e këtyre qëllimeve. Kjo është parë qysh nga Kriza Lindore e vitit 1867, kur Rusia cariste pasi që në Paqen e Parisit të vitit 1856, fitoi të drejtën për mbikëqyrje ndaj ortodoksëve të Ballkanit, vuri në lëvizje diplomacinë e saj në shërbim të këtyre qëllimeve. Të tilla ishin nismat për dërgimin e konsujve rusë në viset shqiptare (Shkodër, Prizren, Shkup, Prishtinë, Janinë, Manastir dhe gjetiu), të cilët, krahas veprimtarisë subversive kundër shqiptarëve, do të fillojnë edhe ato të “misionarizmit” kulturor (hapjen e shkollave në gjuhën serbe) si dhe rindërtimin e kishave “ortodokse serbe” nga trashëgimia e përbashkët e krishterimit të zyrtarizuar në Dardani në shekullin IV nga perandori dardan Kostandini i Madh. Krahas këtyre punëve, konsujt rusë organizojnë edhe lëvizjet politike nacionaliste në përputhje me interesat hegjemoniste sllave, ku infiltroheshin edhe grupe të armatosura (komitë) nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria për arritjen e qëllimeve politike, siç ishin ato që nxorën në pah krizën e Maqedonisë (1889-1903) dhe të tjera me të cilat iu krijua platforma diplomatike luftërave pushtuese ballkanike (Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë), që shpërthyen në vjeshtën e vitit 1912 kundër Perandorisë Osmane dhe për pasojë patën pushtimin e trojeve shqiptare me pasoja tragjike.

Platforma diplomatike rusomadhe mbrojti interesat e vendeve sllavo-ortodokse në Ballkan në dëm të trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912 dhe kudo që iu dha rasti. Nën petkun e këtij hegjemonizmi, interesimi i Moskës për Serbinë vazhdoi edhe gjatë kohës së komunizmit. Tragjedia shqiptare e viteve 19944/45 si dhe kalvari i vuajtjeve shqiptare vazhdoi edhe në rrethanat e “bashkim-vëllazërimit”, nga që aleanca ideologjike Tiranë-Beograd u ndërtua mbi tragjedinë e Kosovës dhe luftën e vazhdueshme për bashkim kombëtar qoftë edhe në rrethanat e vetëvendosjes ideologjike, siç u pasqyrua në Konferencën e Bujanit. Kjo politikë vazhdoi edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe deri në ditët e sotme, me ç’rast Rusia shfrytëzon edhe KS të OKB-së për këto qëllime.

Shpërbërja e ish Jugosllavisë si dhe realitetet e reja që u krijuan në hapësirat e saj, me ç’rast, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, Kuvendin e Kaçanikut të 7 shtatorit të vitit 1990, Referendumit për Pavarësi të 26 shtatorit 1991 si dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidencial e të vitit 1992, iu krijua legjitimiteti demokratik procesit shtetformues, i cili u përmbyllur më 17 shkurt 2008, nuk do t’ia ndalë turrin diplomacisë së Beogradit kundër shtetit të Kosovës. Por, këtë herë, për ndryshim, nga destruksioni që ia bëri dialogut politik nga viti 2013-2018 edhe në saje të strategjisë së gabuar të politikës së Kosovës ndaj kësaj qasjeje, kur aspektet teknike të integrimit të komunitetit serb në Kosovë u zëvendësuan me implikimin e politikë së Beogradit në Kosovë, u pa se me veprimet e fundit në Veri, për ta luftuar shtetin e Kosovës, diplomacia serbe, iu kthye modelit të Dobasit, pra të përdorimit të agresionit shtetëror për qëllime politike!

3.Aspekti politik:

Meqë nga aspekti historik dhe diplomatik nuk ka kurrfarë “konflikti të ngrirë” midis shqiptarëve dhe serbëve, pos hegjemonizëm në vazhdimësi të shtetit serb ndaj shqiptarëve, shfaqja e sulmit terrorist këto ditë në Veri, pretendon, që shteti i Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i justifikuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës në vitin 2010, të rrezikohet me anën e modelit të Dombasit!

Ky skenar serb, vjen pas dështimit të përpjekjeve të dy-tre viteve të fundit që Kosova të hajë karremin e “pajtimit historik” me Serbinë me anën e shkëmbimit të territoreve në veri, me çka shteti i Kosovës do të futej në pazare të paparashikueshme politike me Serbinë, që për epilog do të kishin shpërbërjen e tij!

Kjo, pra tregon, që Serbia, tashmë është në rrugë e sipër që luftën e deritanishme politike kundër shtetit të Kosovës ta kthejë në politikë lufte.

Ky kurs, gjithsesi kërkon që politika e Kosovës të mbështetet te aleatët (SHB-a dhe vendet perëndimore), që i kanë ndihmuar të çlirohet nga pushtimi serb. Kjo nënkupton edhe përmbushjen e detyrimeve kushtetuese për integrimin e plotë të pakicave në jetën institucionale, ekonomike dhe kulturore të vendit, ku formimi i asociacionit të komunave në veri, pa kompetenca ekzekutive, duhet të përmbushet sa më parë.

Tek e fundit, kjo është kërkesë e vazhdueshme edhe e ndërkombëtarëve, të cilët mund të jenë të vetmit garant të parandalimit të modelit të Dombasit, që siç u pa këto ditë, politika e Beogradit tashmë e ka futë në lojë… / KultPlus.com

Në Gjakovë promovohet “Tokat e lirueme 1939-1946” e Romeo Gurakuqit

Libri “Tokat e lirueme 1939-1946” e Romeo Gurakuqit do të promovohet këtë të premte në Bibliotekën Komunale “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, në ora 12:00.

Rreth veprës flet historiani Jusuf Buxhovi, recensent i librit, i cili veprën “Tokat e lirueme 1939-1946” të Gurakuqit e vlerëson studim tejet të rëndësishëm që merret me ndriçimin e kthesave historike nëpër të cilat kaloi bota shqiptare në vitet 1939-1946, kur lufta antifashiste përmbysi shumë nga realitetet paraprake dhe solli të rejat, siç ishte fitorja e komunistëve, që ndikuan rrethanat politike dhe shtetërore të botës shqiptare.

Gurakuqi, këto zhvillime i trajton jashtë koncepteve të njohura ideologjike, me ç’rast fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe Jugosllavi e paraqet si një faktor të instalimit të diktaturës së njohur komuniste, që ushtroi terror ndaj kundërshtarëve politik. Me këtë rast, bashkëpunimi i udhëheqjeve komuniste shqiptare me atë jugosllave si dhe bashkëveprimi i tyre në shuarjen e rezistencës kombëtare në Kosovë në dimrin dhe pranverën e vitit 1945, paraqitet si një ripushtim sllavo-komunist i Kosovës me pasoja tragjike, ne mbi 50 mijë viktima.

Në promovim pritet edhe prononcimi i autorit rreth veprës. / KultPlus.com

Kosova dhe viset e tjera shqiptare në rrethanat e shkatërrimit të Jugosllavisë së Versajes

Në prag të 80 vjetorit të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”

Nga Jusuf Buxhovi

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste si dhe ngjarjet që pasuan nga prilli i vitit 1939 e deri te shtatori i atij viti, kur Gjermania e Hitlerit hyri në Poloni me çka praktikisht filloi Lufta e Dytë botërore, nuk ishin tjetër pos një uverturë e konceptit nazifashist për krijimin e një aleance botërore ky do të përfshiheshin edhe vendet tjera. Natyrisht se në këtë rrugë, Berlini kërkonte të përfshinte edhe Jugosllavinë e Versajës, e cila paraqitej si një faktor i rëndësishëm në Europën Juglindore, veçmas pas zbarkimit të Italisë fashiste në Shqipëri. Nën trysninë e këtyre zhvillimeve ishte edhe marrëveshja e Hitlerit me Stojadinoviqin e 27 marsit 1941 me ç’rast Jugosllavia iu bashkua forcave të Boshtit. Por, do të jetë Britania e Madhe, e cila, ia doli që në Beograd të vejë në veprim aleatët e saj për ta rrënuar këtë pakt, që do të përcillet me kundërpërgjigjen ushtarake gjermane ndaj Jugosllavisë më 4 prill 1941, me ç’rast, për disa ditë Jugosllavia kapitulloi.Kjo ia lëshoi vendin copëtimit të vendit në disa pjesë, me ç’rast u krijua shteti kroat, ndërsa, pos krijimit të Serbisë kuislinge të Nediqit, pjesët e tjera iu nënshtruan shkapërderdhjeve: një pjesë e Maqedonisë iu nda Bullgarisë, disa komuna në perëndim, bashkë me një pjesë të Kosovës, iu bashkuan “Shqipërisë së Madhe” të krijuar nga Italia fashiste.

Por, si rrodhi shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës dhe si dukej skenari i ndarjes së hapësirës shqiptare midis aleatëve të Boshtit? Ishin këto realitete që Shqiptarëve ua hapnin përnjëmend udhët e bashkimit të pandalshëm? Apo, bëhej fjalë për zhvillime në të cilat ishin përfshirë për interesa të huaja ndaj të cilave duhej përfituar sa më shumë që të ishte e mundur pa harruar që ato të drejtoheshin në përputhje me interesin shqiptar, i cili nënkuptonte sjellje të përgjegjshme të të gjithë faktorëve të saj?

Këto dilema fitonin edhe më shumë në peshë kur dihej se shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës, më shumë ishte pjesë e ndëshkimit të saj pse ishte larguar nga Pakti Trepalësh me Boshtin, që e kishte nënshkruar më 27 mars me qeverinë e Beogradit se sa pjesë e ndonjë koncepti të mëhershëm se ajo duhej të shkatërrohej për t’u krijuar realitetet e reja në hapësirën e saj (nga shteti i pavarur kroat, Serbia e Nediqit e deri te “Shqipëria e Madhe”).

Megjithatë, bëhet e ditur se Hitleri që në mars 1941 e kishte bërë planin për pushtimin dhe ndarjen e Jugosllavisë. Ky plan përmbahej në direktivat e përkohshme për ndarjen e Jugosllavisë, në tri zona: atë gjermane, italiane dhe atë bullgare. Krahas formimit të shtetit të lirë kroat, edhe territori i Serbisë “së vjetër” vihej nën administratën ushtarake gjermane. Zbatimi i këtij plani ishte shpallur më 12 prill 1941 nga kryeshefi i Shtabit të Komandës Supreme të ushtrisë gjermane, gjenerali Keitel.

Edhe pse në parim ishte marrë vendimi që një pjesë e madhe e tokave shqiptare t’i bashkoheshin “Shqipërisë së Madhe”, të cilën duhej ta drejtonte Italia, megjithatë midis Berlinit e Romës u shfaqën dilema rreth çështjes së kufijve. Kjo bëri që rreth kësaj çështje të mbahet një takim urgjent në Vjenë, më 21 dhe 22 prill 1941 midis ministrit të jashtëm gjerman, von Ribentrop e atij italian, Kontit Çiano. Çiano kishte kundërshtuar kërkesat maksimaliste territoriale të Bullgarëve në drejtim të Maqedonisë edhe Kosovës. Italianët përfaqësonin qëndrimin që Bullgarëve t’u jepeshin sa më pakë toka shqiptare, meqë vetëm ashtu fitohej besimi i Shqiptarëve si partnerë të ardhshëm të rëndësishëm në rajon, ndërkohë që një Bullgari e Madhe dëmtonte këtë koncept. Meqë Bullgaria iu kishte bashkuar Paktit, edhe ndaj kërkesave të tyre duhej pasur kujdes. Kjo bëri që edhe atyre t’u jepej një pjesë e rrethit të Gjilanit, Vitia, një pjesë e Zhupës së Sirini qit dhe rrethi i Kaçanikut. Më vonë, në janar 1942 zona bullgare zgjerohet edhe me Podujevën, ndërsa më 17 janar 1943 me Mitrovicën e Vuçitërnën.

Pjesa tjetër ndahej midis Italisë dhe Gjermanisë. Kështu, në Vjenë u caktua vija e demarkacionit ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë (nga drejtimi i Vincit në Slloveni, nëpër Leskovien e Plitivicës e nëpër Udbinë dhe Donji-Lapac në Livno, Prejnj, Bjellashnicë) – Priboj mbi Lim – Nova-Varosh – Sjenicë – Novi-Pazar – Mitrovicë – Prishtinë. Sipas kësaj ndarjeje, Rrafshi i Duka-gjinit dhe pjesa më e madhe e Kosovës i takuan protektoratit shqiptar italian. Tri rrethe: Mitrovica, Vuçitërna dhe Podujeva i takuan zonës gjermane të okupacionit, përkatësisht Serbisë së Nediqit. Gjermanët, pra ishin të interesuar të mbanin xeherorët e Kosovës si dhe hekurudhat që lidhnin Beogradin me Selanikun, ndërsa për të tjerat mund të bisedohej me aleatët e saj.

Për pjesën e Kosovës, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Maqedonisë që hyri në përbërjen e protektoratit italian të quajtur “Shqipëri e Madhe”, në verën e vitit 1941 u formua “Komisariati Civil për Kosovën, Dibrën e Strugën”.Në krye të tij ishte Komisari i Lartë, Fejzi Alizoti, që kishte rangun e ministrit të qeverisë së Tiranës. Administrata u konstituua sipas asaj në Shqipëri, përkatësisht në Itali. Në dhjetor të atij viti, qeverisjen e këtyre viseve e mori Ministria e Viseve të Çliruara në Tiranë, e cila u suprimua në shkurt 1943. Në këto pjesë u formuan prefekturat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Dibrës e më vonë edhe ajo e Tetovës. Prefekturës së Pejës iu bashkuan edhe rrethet e Plavës e Gucisë, Rozhajës e Tutinit, Istogut dhe Drenicës. Rrafshi i Dukagjinit dhe pjesa e Kosovës në zonën italiane të okupacionit përfshinte rreth 500 mijë banorë. Shqiptarët e këtyre viseve, me vendimin e qeverisë së Tiranës, më 18 tetor 1941, automatikisht u bënë nënshtetas të Shqipërisë fashiste.

Pas bashkimit, Italia dëshironte që edhe Kosova dhe viset e tjera të shfaqeshin sa më shpejt me petkun fashist. Kështu, “Partia Fashiste e Shqipërisë”, e formuar më 2 qershor 1939 në Tiranë, nisi t’i hapë degët e saj në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe qytetet e tjera shqiptare. Ministria e Arsimit e Shqipërisë u dha udhëzime shkollave, sipas të cilave ato kanë për detyrë “përhapjen e irre-dentizmit shqiptar dhe arsimimin në frymën e re”.

Për ndryshim nga zona gjermane dhe bullgare e okupacionit, ku si do të shihet, pati shumë vështirësi dhe mospajtime të Shqiptarëve me rrethanat në të cilat u vunë, veçmas në zonën e pushtuar nga Bullgarët. Në zonën italiane, nxitej jeta ekonomike dinamike: hapeshin punë, vazhdonte shfrytëzimi i xeheroreve, ngjallej tregtia me mallra të konsumit të gjerë, me drithëra etj. Që të përfitoheshin bejlerët, pushteti i Tiranës lejoi përtëritjen e marrëdhënieve çifligare.

Në Prizren u vendos selia e Komisariatit të Lartë dhe Shtabi i Forcave Italiane. Ky qytet, në të cilin u vendosen edhe përfaqësitë e shumta tregtare, ekonomike, administrative dhe kulturore, përjetoi një shkallë dinamike të zhvillimit dhe u bë njëri ndër qytetet më të zhvilluara shqiptare.

Por, gjendja nuk ishte e tillë në tri rrethet e Kosovës, që hynë nën zonën gjermane të okupimit, të cilat, së bashku me Novi-Pazarin, përbënin prefekturën e Kosovës me qendër në Mitrovicë, e cila, formalisht bënte pjesë në Serbinë gjermane të Nediqit dhe përfshihej në Banovinën e Drinës me seli në Uzhicë. Grupi i kombësisë shqiptare e kishte në Banovinën e Drinës të besuarin e saj në rangun e ndihmësbanit, i cili merrte pjesë në vendosje për të gjitha çështjet që kishin të bënin me Kosovën.

Sipas dekretit të “Këshillit të Komisarëve”, që nxori Milan Aqimoviqi më 6 gusht 1941, Prefektura e Kosovës, në krye të rretheve (nënprefekturave) kishte nënprefektët, pjesëtarë të shumicës (Shqiptarë), kurse zëvendës të tyre ishin pjesëtarët “e pakicës prej së paku 25%” (do të thotë Serbë), nëpunësit e tjerë ishin nga radhët e Shqiptarëve dhe Serbëve në përpjesëtim me raportin e tyre, numrin në rrethe (nënprefektura). Kjo vlente edhe për xhandarmërinë. Emërimin e bënte “pushteti administrativ serb në Beograd”, kurse emërimi i personelit të Shqiptarëve bëhej “në pajtim me udhëheqësin e grupit të kombësisë shqiptare”.

Krahas të ardhurave financiare, të administruara në përputhje me nevojat e prefekturës së Kosovës të përfshira në zonën okupuese gjermane, Shqiptarët kishin të drejtën e shkollave shqipe, por i obligueshëm ishte edhe mësimi i gjuhës serbe. Personeli arsimor në shkollat shqipe emërohej nga Ministria e Arsimit me propozimin e udhëheqësit të grupit të kombësisë shqiptare.

Në rajonin e Qarkut të Kosovës, ishte stacionuar një regjiment i ushtrisë gjermane, nga përbërja e Divizionit 717 të këmbësorisë, i cili gjithashtu qendrën e kishte në Mitrovicë. Por, në Qarkun e Kosovës ishte formuar edhe “Xhandarmëria shqiptare”, nën komandën e kolonel Bajazit Boletinit, oficer i ishushtrisë jugosllave, e përbërë prej rreth një mijë pjesëtarësh. Aty ishin edhe njësitë e “Rojës shtetërore serbe”, në të cilat më shumë se dy të tretat ishin Shqiptarë, dhe të cilat një kohë ishin nën komandën e Ali Bej Dragës, të birit të Ferhat Bej Dragës, udhëheqësit të “Grupit të Kombësisë Shqiptare”. Aty ishin edhe aradhet çetnike të Kosta Peçancit, të cilat kishin njësi “vullnetarësh” të shpërndara nëpër katunde bashkë me formacione të tjera.

Për të luftuar që Kosova dhe viset e tjera të pushtuara nga ish Jugosllavia, tani të shpërndara në tri zona okupuese, t’i bashkoheshin sa më shumë një tërësie (me këtë rast Shqipërisë së Madhe), në maj të vitit 1941 në Kosovë kishte kaluar Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës”, me në krye Bedri Pejanin – kryetar, Rexhep Mitrovicën – nënkryetar e Xhelal Mitrovicën – sekretar, në përbërje të të cilit gjendeshin edhe Ibrahim Gjakova, Tafil Boletini, Qerim Begolli, Shaqir Curri, Qemajl Prishtina, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e të tjerë.

Një numër i anëtarëve të Komitetit u ndalën në Prizren, kurse pjesa tjetër, në krye me Bedri Pejanin, shkoi në Mitrovicë, në mënyrë që atje të vepronte që edhe kjo pjesë e Kosovës të përfshihej në “Shqipërinë e Madhe”. Në Mitrovicë, Komiteti filloi botimin e gazetës “Kosovari”, e cila bënte thirrje të vazhdueshme që edhe kjo pjesë t’i bashkohej shtetit të përbashkët shqiptar nën protektoratin italian.

Tema e “bashkimit shqiptar”, do të ndajë Komitetin në dysh. Në proitalianë (Ferhat Draga dhe Bedri Pejani, të cilët angazhoheshin që kjo pjesë e Kosovës të ndahej nga “shteti” i Nediqit dhe t’i bashkohej Shqipërisë) dhe në pro-gjermanë (Xhafer Deva, i cili më shumë e dëshironte autonominë e Shqiptarëve nën Gjermaninë me anën e së cilës mund të arriheshin hap pas hapi aspiratat kombëtare të Shqiptarëve, që sipas tij kërkonin një mbështetës të fuqishëm, siç ishte Gjermania, e cila bashkimin e Shqiptarëve do ta shohë edhe si interes të saj për një aleat të fuqishëm rajonal).

Për t’i pajtuar këto dallime, do të përkujdeset “Lidhja Kombëtare Shqiptare”, që do të themelohet në Mitrovicë me në krye Ali Dragën, i cili, si prijës i “Grupit Shqiptar” përfaqësonte Shqiptarët para pushtetit okupues gjerman. Sekretar i “Lidhjes” ishte Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, ish kryetarit të qeverisë mbretërore shqiptare dhe kryetarit të mëvonshëm të Këshillit të Regjencës së Shqipërisë (pas kapitullimit të Italisë).

Në këto rrethana, pra, do të zhvillohet edhe jeta politike në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë italiane, por edhe në pjesët në zonën okupuese gjermane, me përjashtim të zonës okupuese bullgare, e cila e tëra iu nënshtrua bullgarizimit dhe me të shpejtë bashkoi Shqiptarët që të veprojnë kundër saj. Si do të shihet, ajo nuk kishte preokupim luftën kundër fashizmit, siç ndodhte në Shqipëri që nga fillimi, por luftën si do të arrihej që bashkimi kombëtar, ndonëse me vështirësi nga shkaku i ndarjes në tri zona okupuese, të kthehej në një realitet të përhershëm.

(Shkëputje nga libri “Kosova histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021, faqe 430-434). / KultPlus.com

“Mendim Drini” i shkrimtarit Jusuf Buxhovi promovohet në Gjakovë

Shkrimtari Jusuf Buxhovi sapo ka publikuar romanin “Mendim Drini”, roman që është promovuar sot në Gjakovë, përkatësisht në Bibliotekën e Qytetit “Ibrahim Rugova”, shkruan KultPlus.

Për këtë promovim libri është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Komunës së Gjakovës, ku KultPlus ju sjell njoftimin e plotë.

Në ambientet e Bibliotekës “Ibrahim Rugova”, në praninë e adhuruesve të fjalës së shkruar, është promovuar libri “Mendim Drini” nga shkrimtari jonë Jusuf Buxhovi 📚.

I pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës Ardian Gjini, i cili ndër të tjera, u shpreh se Jusuf Buxhovi dhe krijimtaria e tij letrare, janë vlerë e shtuar e kombit tonë, dhe ky fakt na bën krenarë si Gjakovë. “Jusuf Buxhovi është në kulmin e karrierës si shkrimtar dhe unë gjithmonë mburrem kur mbaj në duar librat e tij të jashtëzakonshëm dhe me shumë vlerë për historinë, letërsinë dhe kulturën tonë. Shëndet dhe suksese në krijimin e veprave të ardhshme” tha ai./ KultPlus.com