I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.
Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.
Sa fort më mundon Vetmia, o nanë E votrën braktisa një ditë N’vendlindje ështe vjeshtë Tani është vonë Më presin të korrat e brengat
N’mendime më ke tretur Tani, o nanë Për birin që të la në vetmi Shikimi përhera kah dera përgjon Trokitje të lehta dëshiron.
Kthehu shpejt më ke pas thënë Se brengat më kanë molisur Të presin shokët një varr nën bli Porositë e babit tënd
Kaluan pranvera e vjeshta o nanë Që kur ti e ndjell veç një kthim Nëse vetë nuk do të mundem Do i them birit tim Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim
Të lutem jeto me shpresa o nanë Se dikush një ditë do të trokllojë Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com
Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet, tragjeditë e të mirat e jetës së tij.
“ Nanë e dashtun! Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!
Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!
Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.
Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë. Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?
Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” . / KultPlus.com
Sot janë bërë 81 vite nga lindja e veprimtarit të shquar shqiptar, Jusuf Gërvalla.
Jusuf Gërvalla ka lindur në Dubovik, më 1 tetor 1943. Ai ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar, si dhe themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.
Lindi në Burrëmadhi, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte Gërvalla.
Më 18 janar 1982, Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.
Disa prej veprave letrare të tij të cilat janë të botuara: Fluturojnë e bien (1975), Kanjushë e verdhë (1978), Shtëpia në kornizë, Skena nga jeta e fshatit, Shenjat e shenjta (1979), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora,1992/KultPlus.com
Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak E të flemë. Po jemi lodhur. Këmbët të ënjtura Nën tryezë. Koka që rëndon. Aspirinë? Tash po nisemi? U bë vonë. Edhe ylli i fundit Ra përmbi tryezë.
Jemi bërë si planeti që kërkon ta pranojnë Si palaço të punojë Në cirkun e verdhë.
Unë hënë e zbehtë ai diell i zjarrtë -që të dy prej letrës së verdhë- Që me nesër na pret takim’ i ri, bisedat për shëndetin Dashurinë, poezinë. E mbaruam bisedën mbi sëmundjen e poetit shëndetlig -të ngrihemi, u bë vonë në këtë tavernë Vetëm tym duhani e fjalë që shkëlqejnë Prej fjalësh të pathëna Dhe prej mëlçisë së zezë.
Shtrati i madh nën një çati diku do të ftohet Në pritjen e vet Rrugicat e përgjumura ritmin e mugën dritareve Të fikura derdhin kot Si një pikë në det Jemi si yje Në qiell. Tash po nisemi në mundshim të heshtim pak Dashuria s’është ilaç as helm. Me kokën time e krijoj Me duart e mia dhe eci nëpër planet. Natën e mirë: Mua më duhet të shkoj atje prej nga mund t’ju gjej./KultPlus.com
Më 1 tetor të vitit 1943 lindi Jusuf Gërvalla. Ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar, si dhe themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.
Sot në ditëlindjen e tij, KultPlus ju sjell një pjesë të shkëputur nga gazeta ”Liria”, nga Jusuf Gërvalla, që daton në gusht të vitit 1981.
Qyqarinë e tyre nuk e preku as vajtimi i djepeve shqiptare, loti i nënave e as malli i burrave shqiptarë, që u dëbuan nga vatrat stërgjyshore dhe morën në sy shkretëtirat e Anadollit. Tradhtarët ishin gjithnjë këtu, të pranishëm kudo, si biberi në tavë…
E di mirë Beogradi se nuk gjendet dot ilaç për ta shëruar te populli ynë kujtimin e vrasjeve e të plagosjeve, as akullin e burgjeve të kësaj pranvere…
Kur ushtria e milicia fashiste mbulojnë në gjak Kosovën, duke shkelur mbi popullsinë e pambrojtur, ata çirren: “Të distancohemi nga nacionalistët, shovinistët, reaksionarët e kundërrevolucionarët shqiptarë, që duan të rrezikojnë revolucionin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë”!
— Jusuf Gërvalla, “Tradhëtarët e vjetër dhe tradhëtarët e rinj”, gazeta “Liria”, nr. 4-5, gusht 1981. / KultPlus.com
Në manifestimin e “Flakës së Janarit” në Gjilan, do të mbahet Akademia tematike për vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 40-vjetorin e rënies së tyre.
Në këtë manifestim, që është i përvitshëm, pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, derisa Akademia do të fillojë nga ora 19:30.
Më 17 janar janë mbushur 40 vjet nga atentati ndaj vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. /KultPlus.com
Në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.
Aty u pritën nga Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.
Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.
“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.
Tutje Kurti deklaroi se ata do të bashkëpunojnë edhe me shtetet e tjera, veçanarisht me Republikën Federale të Gjermanisë për të zbardhur të vërtetën.
“Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.
Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni.
Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, i pari i ekzekutivit, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë. /KultPlus.com
I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.
Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.
Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.
Sa fort më mundon Vetmia, o nanë E votrën braktisa një ditë N’vendlindje ështe vjeshtë Tani është vonë Më presin të korrat e brengat
N’mendime më ke tretur Tani, o nanë Për birin që të la në vetmi Shikimi përhera kah dera përgjon Trokitje të lehta dëshiron.
Kthehu shpejt më ke pas thënë Se brengat më kanë molisur Të presin shokët një varr nën bli Porositë e babit tënd
Kaluan pranvera e vjeshta o nanë Që kur ti e ndjell veç një kthim Nëse vetë nuk do të mundem Do i them birit tim Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim
Të lutem jeto me shpresa o nanë Se dikush një ditë do të trokllojë Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.
Edhe pse kanë kaluar 39 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre. Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova.
Atentati ka ndodhur derisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë pre tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe ju ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit. Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur.
Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që drejtuesit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë:”Ka qenë UDB-ja”.
Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.
Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hübner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”, shkruan KP. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.
Gjatë kësaj kohe shtetasit jugosllavë në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë jugosllave. Reagimet kriminele dhe terroriste të Beogradit në këto raste kanë qenë gjithnjë të ngjashme./ KultPlus.com
“Anibar” dhe kinemaja “Jusuf Gërvalla” këtë dhjetor po e vazhdojnë organizimin e “Peja Jazz” – serisë së koncerteve që lindi si shpresë në kohën kur pandemia COVID-19 goditi skenën e kulturës gjithandej globit.
Një vit më vonë “Peja Jazz” rikthehet për ta vazhduar qëllimin e promovimit të muzikës jazz dhe shndërrimin e qytetit të Pejës në stacion për adhurues të këtij zhanri.
Programi i sivjetmë është shtrirë përtej rajonit duke sjellë para publikut bandeonistin italian, Daniele di Bonaventura, një muzikant i jashtëzakonshëm, shoqëruar nga miku i tij prej 30 vjetësh, kitaristi Roberto Zechini.
Publiku do ta prekë nga afër edhe performancën e “AJS Quartet” nga Tirana, me Gent Rushi, Ermal Rodi, Emilijan Dhimo dhe Roni Gjura. “AJS Quartet” tash dhjetë vjet, përveçse njihet si grupi më i suksesshëm i xhaz-skenës shqiptare, është edhe avokues i xhazit bashkëkohor ballkanik.
Rrugëtimi i sivjetmë do të përmbyllet me kitaristin shkodran Kejdi Barbullushi, student në Vjenë dhe një nga muzikantët e dalluar të gjeneratës së re të muzikantëve shqiptarë. Në “Peja Jazz” vjen me formacionin e tij të themeluar së voni, bashkë me dy multiinstrumentistë të xhaz-skenës kosovare: Visar Kuçi dhe Enes Beu.
Programi “Matinée” sivjet zëvendësohet me “MirëmënJAZZ”, si thirrje për t’i kaluar mëngjeset së bashku duke risjellë fonotekën e “Peja Jazz” dhe jo vetëm.
Ju mirëpresim nga 15 deri më 17 dhjetor në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.
Ky edicion i “Peja Jazz” është kuruar nga Dardan Selimaj. /KultPlus.com