Bashkia e Durrësit miraton vendimin, Mirush Kabashi merr titullin ‘Qytetar Nderi’ 

Bashkia e Durrësit miratoi sot vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale.

Ditën e nesërme në qytetin e Durrësit do të organizohet nën kujdesin e kryebashkiakes Sako edhe ceremonia e dhënies së titullit për aktorin Mirushin Kabashi.

Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.

Kabashi në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Kabashi është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com

Vajza e Mirush Kabashit: E deshti jetën e skenën deri në fund!

“E donte shumë jetën. Deri në fund e deshti shumë!” Kështu do e kujtojë vajza e tij aktorin e njohur Mirush Kabashi.

Në një intervistë për Report Tv, Mendi Kabashi tregon përkushtimin e të atit për skenën e shenjtë dhe publikun

“Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë. Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë. Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të intepretonte me parimet e vlerat e tij. Një njeri që do na mungojë të gjithëve, na ka lënë pasuri të madhe”.

Si ishte Mirush Kabashi si baba?
“Mirushi nuk ishte i kafeneve as i lokaleve. Ishte me Lolën (bashkëshorten) përkrah duke bërë ecje. Qeshte me sy e fliste me zemër. “Mësonte dhe na mësonte. Ishte i hapur për biseda. Unë e kam pasur shumë shok e baba. Do më mungojnë pafundësisht bisedat e tij. Të dëgjonte. Njerëzit sot kanë harruar të dëgjojnë’ tha Mendi Kabashi.

Sot u mbajtën homazhe për artistin Mirush Kabashi, i cili u shua dje në moshën 75-vjeçare/shqiptarja.com/KultPlus.com

‘Ishte vetë arti’, Margarita Xhepa rrëfen takimin e fundit me Mirush Kabashin: Më buzëqeshi dhe më tha se do bënim film tjetër

Aktorja Margarita Xhepa ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, Mirush Kabashi. Nëpërmjet një lidhje ‘skype’ për Report Tv, ajo foli për karakterin e Mirush Kabashit, duke e përshkruar atë si një njeri shembullor që jetonte për artin gjë që e tregonte në çdo rol të tij.

“I dashur, i sinqertë. Më fliste dhe buzëqeshte. Ishte një bashkëshort dhe prind shembullor. Po ashtu shembullor për kolegët e teatrit. Me atë buzëqeshjen e tij, me atë humorin e hollë. Ishim duke xhiruar në një azil pleqsh në Kavajë “Ne dhe Lenini”. Ai kishte një personazh të dorës së dytë, por ai shkëlqen edhe aty. Ai ishte një merak i jashtëzakonshëm, ai merrej dhe me detajet më të holla. Kishte pasion, e donte artin, shumë serioz në punë. Bënte vërejtje nga më të mirat, më të mençurat. Sepse ai ishte vetë arti. Ai sikur ishte vetë arti. E bënte gjithmonë çdo rol të vërtetë”- tha Xhepa.

Ajo theksoi se Kabashi ishte aq i përqendruar ndaj artit saqë kudo që e takonte, vetëm për atë fushë fliste kudo që shkonte.

“Ai ka qenë gjithmonë i shqetësuar në kuptimin e mirë për teatrin dhe kinemategrafinë. Studionte metoda nga më modernet sesi të rritej më shumë arti shqiptar. Meraku i tij ishte që gjithmonë duhet të evoluojmë. Vërejtjet e tij ishin të mençura. Edhe në plazh që jemi takuar njëherë ishte me bashkëshorten e tij, edhe aty fliste për artin. Ishte i pazakontë. Ishte i përkushtuar për artin, kishte merak të jashtëzakonshëm, i qëndiste karakteret e roleve të tij. Ai kishte merakun e veçantisë, e shikonte jetën me seriozitetin më të madh”- tha aktorja.

Ndërsa më tej ajo rrëfeu edhe takimin e fundit me “Mjeshtrin e Madh”, duke treguar se Kabashi i kishte shprehur dëshirën për të pasur edhe role të tjera me të.

“Kur mora vesh se ishte i sëmurë, nuk e pyeta fare sesa e rëndë ishte. Vetëm e takova, më buzëqeshi i buzëqesha i thashë po ku je se na mori malli kur do bëjmë ndonjë film tjetër.  Po më tha, do ta bëjmë patjetër i kemi disa skenarë do jesh edhe ti Margarita se edhe ti je e përkushtuar ndaj artit.  Ai mori shumë nga brezi ynë. Plejada e artistëve, ka qenë një përkushtim i jashtëzakonshëm. Ai do mbetet i paharruar në memorien e popullit tonë me veprat e tij”- përfundoi aktorja./Shqiptarja.com/KultPlus.com

‘Në qofsh burrë i menqur’, një interpretim me shumë urtësi nga Mirush Kabashi (VIDEO)

Sot në moshën 75 vjeçare ka ndërruar jetë aktori i njohur, Mirush Kabashi. Ai ishtë aktor i më se 100 roleve në teatër dhe kinematografi, ku ndër to më i veçanti është ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”.

Kabashi përgjatë viteve të fundit ka interpretuar poezi dhe monologje duke u bërë një nga interpretuesit më të mëdhenj shqiptar, me të cilat do të mbetet i paharruar në mendjen e publikut.

Sot në ditëvdekjen e tij, KultPlus jus sjell interpretimin e tij “Në qofsh burrë i menqur”: