Mbahet diskutim publik për Draft Statutin e Muzeut të Kaçanikut

Organizuar nga Komuna e Kaçanikut, sot u mbajt diskutim publik lidhur me Draft Statutin e Muzeut të Kaçanikut, ku për hapat e deri tanishëm foli drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport Hafize Sallahu, ndërsa pjesëmarrësit i përshëndeti Nënkryetari i Komunës Sabedin Vishi i cili falënderoi këshillin punues në hartimin e këtij draft statuti.

Pjesëmarrësit përgëzuan këtë iniciativë dhe me pyetje të ndryshme nga këshilli punues i këtij draft dokumenti kërkuan sqarime më të hollësishme rreth funksionalizimit të Muzeut.

Sqarime pjesëmarrësit morën nga  kryesuesi i këshillit punues të Muzeut Hajredin Rramajli me anëtarët e tjerë të këtij këshilli. Ky dokument tani më është në fazën e dërgimit në kuvend për miratim.

Presidentja Osmani përkujton masakrat e Lagjes të Re dhe Rakocit të Kaçanikut

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës në Lagje të Re dhe në Rakoc të Kaçanikut.

Presidentja Osmani ka thënë se ata që ranë heroikisht dhe ata që u martirizuan do të kujtohen përherë, ndërkaq drejtësia do të jetë synim i yni i vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën.

Më poshtë gjeni komunikatën e presidencës:

Më 9 prill të vitit 1999, në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut, ranë 28 dëshmorë të kombit të UÇK-së, në mbrojtje të të popullsisë civile nga barbaria e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Rrethimi dhe granatimi i vazhdueshëm i Kaçanikut shkaktoi vrasjen e 32 martirëve.

Ata që ranë heroikisht dhe ata që u martirizuan do të kujtohen përherë, ndërkaq drejtësia do të jetë synim i yni i vazhdueshëm për ta mbrojtur të vërtetën.

Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!/KultPlus.com

Në Kaçanik gjatë punimeve në parkingun nëntokësor haset në mure mesjetare

Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se gjatë punimeve për rregullimin e parkingut nëntokësor kanë hasur në bazamente të mureve mesjetare.

Në krye me arkeologun Hajredin Ramajli, gërmimet janë ndërprerë, teksa pritet të vazhdohet me procedura të tjera.

“Në koordinim dhe komunikim të plotë me ta, kemi ndërprerë punimet, për të vazhduar me procedurat e tjera të parapara në këso lloj rastesh”, ka shkruar Komuna e Kaçanikut.

Njëherësh është bërë e ditur se largimi i përkohshëm i bustit të veprimtarit Sali Bajra është bërë në konsultim me njërin prej anëtarëve të familjes së tij. / KultPlus.com