Simbolikat e pirjes së kafes tek shqiptarët

Shqiptarët kanë pasur simbolika të shumta në ritualin e pirjes së kafes. Ato shënjonin mesazhe pozitive dhe negative kur miqtë kishin marrëdhënie, takime apo situata të ndryshme. Po cilët janë këto mesazhe që shprehte rituali i shërbesës së kafes?

Nëse një malësor shkonte për shembull me kostumin e mikut në shtëpinë e një bashkëfshatari tjetër, qoftë ky i afërm ose thjeshtë i njohur, për të vazhduar një bisedë të nisur më parë, si të thuash, në një seancë të rastësishme ndërrim duhani që kishte të bënte me ndonjë fejesë, zbutjen ose tejkalimin e ndonjë konflikti me pajtim gjaku ose me çështje të tjera të rëndësishme, i zoti i shtëpisë nuk e pyeste mikun se si e dëshironte kafenë.
Nëpërmjet shkallës së ëmbëlsisë ose të idhëtisë së kafesë simbolikisht miku merrte mesazhin e duhur për ecurinë e çështjes që qëndronte në sfondin e një vizite të tillë.

Nëse i servirej kafja fare e ëmbël, miku merrte mesazhin se çështja ishte zgjidhur ose ishte në rrugë të mbarë dhe pa kthim prapa.

Për të përforcuar kuptimin e një mesazhi të tillë pozitiv miku, si rregull, në një formë tjetër vinte në dukje ëmbëlsinë tej mase të kafesë, duke përdorur përgjithësisht shprehje të tipizuara në motërzime të tilla: “E paskeni ngatërruar kafenë me mjaltin”, “kafesë i paskeni hedhur mjaltë, jo sheqer”, “një qyp me mjaltë i paskeni hedhur kafesë” etj.

I zoti i shtëpisë përgjithësisht i miratonte pohime të tilla, domethënë, në thelb tundjes së kokës lart-poshtë ose buzëqeshjes. Pas një miratimi të tillë, miku fliste me frymë optimiste dhe më shpenguar për zgjidhjen e çështjes në shqyrtim.

Nëse i servirej kafe e mesme, merrte mesazhe se çështja për të cilën ishte i interesuar kishte mbetur pezull, pra nuk mund të parashikohej ecuria e zgjidhjes së saj. Për të konfirmuar se kafeja e mesme, që nënkuptonte ngrirje të çështjes, miku gati me tone diplomatike shprehej: “Nuk di nëse ka pasur ose jo sheqer në anët tuaja”, “bora ka zënë rrugët e nuk ka ardhur sheqer nga shehri qysh kur nuk mbahet mend” etj. Në situata të tilla burrat e palës mikpritëse heshtnin.

Miku që kishte një mision në bisedë merrte mesazhin se duhej të ishte shumë i kujdesshëm në arsyetime, se duhej të përdorte me mençuri gjithë arsenalin e argumenteve, për ta lëvizur çështjen në kahun e zgjidhjes më të mirë.

Mikpritësit mund t’i servirnin mikut kafe pa sheqer. Në situata të tilla miku sillej në dy mënyra. Më rrallë e përforconte këtë fakt me shprehje disi diplomatike, si: “Ka qenë mot i keq dhe nuk kanë ardhur mallrat nga qyteti”, “bota ia ka zënë vendin sheqerit” etj.

Si rregull, mikpritësit heshtnin. Në shumicën e rasteve idhësia e kafesë nuk kishte nevojë për konfirmim. Heshtjes së mikpritësve miku i përgjigjej me heshtje, çka nënkuptonte se përgjigja negative për çështjen ishte e padiskutueshme.

Në rrethana të tilla shfaqej më qartë profili prej fermani ose dekreti mbretëror i mesazhit ngjizur nga idhtësia e kafesë. Prandaj miku nuk çelte fare bisedën, për të cilën ishte në rolin e ”nënpunësit” mik.

Përgjithësisht, miku ruante qetësinë shpirtërore ose, të paktën, paraqitej i tillë dhe niste biseda për çështje të tjera që kishin të bënin me ndikimet e motit në ecurinë e punëve të stinës në bujqësi, me mbarështrimin e blegtorisë e deri me problemet e luftës ruso-japoneze etj.

Në të shumtën e rasteve miku bënte kujdes që në biseda të tilla t’i largohej me zgjuarsi dhe sa më shumë çështjes për të cilën ishte i interesuar drejtpërdrejt.

Vlen të theksohet se përdorimi i idhtësisë së kafesë dhe i mjeteve të tjera simbolike për të përcjellë përgjigje negative, sidomos për çështje jetike që kishin të bënin me fatet e individëve, të familjeve ose të anëtarëve të bashkësive më të zgjuara, kishte rëndësi të veçantë në shumë”segmente” të shoqërisë tradicionale shqiptare, ndërkohë që fjala mohuese kishte peshë mjaft të rëndë, deri në nivelin e shpërfilljes ose të fyerjes për palën tjetër, pra jo vetëm për familjen e individin që prekte drejtpërdrejt hija e fjalës së keqe, por edhe për gjithë fisin e tij.

Gjithashtu, edhe shkalla e ëmbëlsisë ose e hidhësisë së kafesë që servirej në ceremoninë mortore në shumë krahina të Shqipërisë, shprehte simbolikisht shkallën e hidhërimit për të ndjerin, shprehte moshën e të ndjerit dhe mprehtësinë e shqetësimeve familjare, fisnore ose më gjerë që shkaktonte largimi i tij nga kjo jetë.

Nëse personi i vdekur ishte i moshuar dhe me fëmijë të rritur, të martuar dhe në gjendje ekonomike të stabilizuar, servirej kafe e ëmbël; nëse i ndjeri ishte në moshë mesatare dhe me fëmijë pjesërisht të martuar dhe të pamartuar, servirej kafe e mesme; dhe, nëse personi i vdekur ishte i ri ose e re, me fëmijë të vegjël ose i pamartuar servirej kafe fare e hidhur, pa sheqer.

Sipas paragjykimeve të përhapura gjerësisht në shoqërinë shqiptare paramoderne, në filxhanin e kafesë pasqyronin edhe mjaft element të personalitetit, të mënyrës së jetesës dhe të gjendjes shpirtërore të personave që pinin kafenë.

Për shembull, nëse burri e pinte kafenë e nxehtë, mendohej se ai sipas bestytnive ishte aq frikacak saqë kishte frikë edhe gruan. Gjithashtu, sipas bestytnive, nëse personi e pinte kafen e ëmbël, kishte jetë të hidhur dhe e kundërta, nëse pinte kafen e hidhur, kishte jetë të lumtur.

Si rregull, servirja e kafesë shënonte simbolikisht përfundimin pothuajse të çdo lloj ceremonie gëzimi dhe rrezatonte mesazhe simbolike kompleke dhe mjaft të nuancuara në ceremonitë mortore.

Përveçse në mjedise të tilla dhe në bar-kafe e restorante, kafeja ishte ndoshta e vetmja pije, e cila në një pjesë të konsiderueshme të trojeve shqiptare servirej edhe në varreza.

Por, çfarë mesazhi përcillte kafeja e servirur në vareza, fill pas varrosjes së të ndjerit?

Një kafe e tillë, sidomos në krahinat veriore të Shqipërisë, dëshmonte simbolikisht se i ndjeri kishte kryer funksione shoqërore të rëndësishme për anëtarët e fisit, banorët e fshatit, kraniës etj., pra ishte burrë i shquar.

Servirja e kafesë me dorën e majtë dhe sidomos nën gju konsiderohej një fyerje shumë e rëndë, veçanërisht për burrat që kishin vonuar marrjen e gjakut në emër të ndonjë anëtari të familjes ose të afërmi të vrarë. /Marrë nga “Lente të ndërveprimit simbolik” /Zyhdi Dervishi/ KultPlus.com

Italia do ta dërgojë kafen ‘espresso’ si trashëgimi kulturore në UNESCO

Pas picave napolitane, ekspresi i famshëm pret që të njihet nga agjencia e OKB-së, si trashëgimi kulturore: Italia do të çojë në UNESCO edhe kafen ekspres.

“Është një ritual autentik dhe një shprehje e socializimit tonë si popull, tipar që na dallon në mbarë botën”, – shprehet Gian Marco Centinaio, nënsekretari për Bujqësinë, duke konfirmuar se aplikimi ishte dorëzuar.

Kafeja ekspres u bë shpejt një pjesë integrale e identitetit kombëtar, pasi u shfaq për herë të parë në Torino, në fund të shekullit XIX.

Konsumimi i një ekspresi, sjell edhe një rast për t’u takuar, për të diskutuar mbi politikën, a futbollin, për të shprehur pakënaqësitë apo ankesat, për t’u pjtuar me dikë ose për t’i paguar borxhin.

Sipas Institutit Italian Espresso, themeluar më 1998 me qëllimin specifik për të mbrojtur dhe promovuar ekspresin origjinal, tregu vlen më shumë se 4 miliardë euro (3.3 miliardë £) në vit. Ndërsa,  më shumë se 90 për qind e italianëve, pijnë të paktën një filxhan në ditë.

Rregulloret strikte të institutit për ekspresin e përsosur, përfshijnë përdorimin e një përzierje të çertifikuar kafeje, pajisje të çertifikuara dhe deri te personeli i licensuar.

Tradita e ekspresit italian kërkon që shkuma e lehtë që qëndron në sipërfaqe të pijes “duhet të jetë uniforme dhe e qëndrueshme, për së paku 120 sekonda, nga koha kur kafeja është bërë dhe nuk është përzier ende”.

Ngjyra e ekspresit ideal, duhet të jetë “kafe- lajthi, në kafe të errët dhe karakterizohet nga reflekse të errëta“.

Centinaio thotë, se kandidatura e ekspresit është një mënyrë për të festuar rikthimin në ndërveprimin social në Itali, pas kufizimeve që kushtëzoi pandemia, dy viteve të fundit./konica.al /KultPlus.com

Në Turqi gruaja mund të divorcohej nga burri nëse ai nuk i siguronte kafe të mjaftueshme

Ekzistojnë shumë ligje të pazakonta për divorc në të gjithë botën në varësi të kulturës dhe historisë së njerëzve dhe duket se kafeja ndodh të jetë pjesë e listës gjithashtu, shkruajnë mediat e huaja, transmeton KultPlus.

Kafeja për shumë është mënyra e vetme për të filluar një mëngjes të mbarë, dhe mungesa e një doze të kafeinës në mëngjes mund ta dërgoi dikë deri në atë pikë sa të kërkoj edhe divorc.

Dashuria turke për kafenë filloi nga shekulli i 16, kur në 1555 u prezantua në Kostandinopojë (Stambolli i sotëm) dhe filloi kulturën e shtëpive të kafesë në vend. Pija që stimulonte energjinë tek kushdo që e konsumonte atë, nga delet te burrat, ishte arsyeja kryesore pse u bë kaq e njohur.

 Kafeja ka origjinën nga Etiopia ku sipas legjendave thuhet se delet ishin ato që zbuluan manaferrat e kuqe që u jepnin atyre një kënaqësi të papritur kur e konsumonin. Barinjtë pasi e kishin vërejtur këtë vendosën ta provojnë vet dhe gjetën manaferrat për ti pjekur dhe shijuar. Sidoqoftë, në Kostandinopojën e Shekullit 16, pijet filluan të bëhen me fasulet e pjekura dhe jo me manaferrat. Popullariteti i saj i dha rrugë kulturës për kafene dhe i inkurajoi ata të jenë qendrat sociale ku burrat do të zhvillonin mbledhjet e tyre dhe do të kalonin kohën duke biseduar mbi kafenë.

Kafeja u futë aq thellë në kulturën turke sa burrat e konsideronin të merrnin një grua për martesë bazuar në mënyrën se si ajo përgatiste kafenë. Madje erdhi një kohë kur kjo i ngjalli edhe pasiguri Sulltanit (sundimtarit) të Perandorisë Osmane, i cili mendonte që ti mbyllte kafenetë. Ai ishte i shqetësuar për numrin e burrave që mblidheshin së bashku, e të ndanin pikëpamjet e tyre rreth kafesë, pasi qe kjo mund ti shkaktonte probleme shumë shpejtë.

Kafeja dhe Gratë Turke

Megjithëse rëndësia e vërtetë e kafesë mbi shoqërinë e tyre mund të shënohet nga fakti se mungesa e saj mund të qëndronte si baza shumë e vërtetë dhe e kuptueshme për divorc ose jo, por jo për burrat, ky ligj ishte në favor të grave të vendit. Përndryshe të drejtat e grave në Turqi panë një rritje të papritur kur erdhi në jetë ky ligj. Sipas saj, nëse burri nuk do t’i siguronte gruas së tij diçka aq të qartë (në kulturën e tyre) dhe të nevojshme, gruaja mund të divorcohej prej tij. Nuk ka edhe shumë raste të tilla të raportuara ku një grua do të pranonte të linte familjen e saj dhe të shkonte për të mbijetuar vetëm me të gjitha të drejtat e pakta për të cilat është bekuar. Përveç Turqisë, ligji sheh dritën e pranimit edhe në Arabinë Saudite. Ky ishte një hap përpara për t’i dhënë më shumë të drejta liberale pjesës më të injoruar të shoqërisë së tyre, grave. / KultPlus.com

Shtyhet për një ditë festivali i Kafes dhe Çajit

Për shkak të kushteve atmosferike, të reshurave të shiut, është shtyrë për 1 ditë Festivali i Kafes dhe Çajit i paraparë të mbahet me datën 27 dhe 28 shtator 2017.

Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali do të nis të enjten me 28 shtator dhe do të zgjatë deri më 29 shtator.

Njoftimi i plotë:

Shtyhet për 1 ditë COFFEE AND TEA FESTIVAL – Edicioni 3

Për shkak të kushteve atmosferike, të reshurave të shiut, është shtyrë për 1 ditë Festivali i Kafes dhe Çajit i paraparë të mbahet me datën 27 dhe 28 shtator 2017.

Festivali do të mbahet me 28 (e Enjte) dhe 29 shtator (e Premte) 2017 .

Hapja zyrtare do të bëhet të Enjten me dt.28.09.2017 duke filluar nga ora 10:00 deri 23:00 dhe do zgjasë për 2 ditë rresht .

Në festival do të ekspozohen loje të ndryshme të kafes dhe çajit, do të përformojnë DJ të njohur vendor, do të ketë maskota me karaktere të ndryshme të cilat do të përkujdesen për argëtimin e vizitorëve, ku nuk do të mungojnë edhe dhuratat e shumta për të cilat do të përkujdesen pjesëmarrësit e festivalit./ KultPlus.com