A do të kthehet kafeja në luks në Shqipëri – çmimet pritet të rriten

Çdo mëngjes miliarda njerëz në mbarë botën e fillojnë ditën me një filxhan kafeje. Por ky ritual i përditshëm po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë.

Kolumbia, Brazili dhe Vietnami janë tre prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në botë. Megjithatë prodhimi i kafesë po përballet me sfida serioze. Temperaturat e larta dhe reshjet e paqëndrueshme po ndikojnë negativisht tek bimët e kafesë.

Sipas studimeve deri në vitin 2050, gjysma e tokave të përshtatshme për kultivimin e kafesë mund të zhduken.

Ndryshku i gjetheve

Përveç kushteve atmosferike, fermerët po luftojnë edhe me sëmundje si “La Roya”, një lloj ndryshku i gjetheve që ka shkatërruar deri në 50% të prodhimit në disa rajone të Amerikës Latine.

“Më parë, një pemë kafeje prodhonte qindra kokrra. Tani mezi nxjerrim gjysmën. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë,” – thotë për DW Cristian Cano, kultivues kafeje në Kolumbi.

Kjo krizë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun botëror. Vetëm në vitin 2024 çmimi i varietetit Arabica u rrit me 80%, një nga rritjet më të mëdha në dekada.

Nga një kafe e lirë, në një kafe luksi?

Në Shqipëri kafeja nuk është thjesht një pije – është një traditë, një moment social dhe një zakon i përditshëm. Por çmimet kanë filluar të rriten ndjeshëm dhe shumë vetë pyesin: A po e humbasim “kafen e lirë” si pjesë të kulturës sonë?

Sipas Enri Jahajt, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe të Restoranteve, Shqipëria ka funksionuar për vite me një treg anormal të kafesë:

“Ne kemi qenë një treg i korruptuar në këtë aspekt, sepse nuk jemi prodhues dhe as pjekës të mëdhenj të kafesë. Shumica e kafesë që përdoret këtu është e importuar. Për vite me radhë, çmimi i kafesë në Shqipëri ka qenë më i lirë se në vendet e rajonit, gjë që nuk përkon me logjikën e tregut të lirë. Tani që rregullat janë përforcuar, rritja e pagave dhe taksave po sjell një ndryshim në treg. Kjo po ndikon drejtpërdrejt te bizneset, të cilat janë të detyruara të përshtatin çmimet, sepse kanë edhe koston e personelit. Rritja e kostove është një realitet i pashmangshëm,” thotë Jahaj.

Sa është rritur dhe sa pritet të rritet çmimi i kafesë?

“Brenda një viti çmimi i kafesë është rritur me 20%, dhe pritet të rritet edhe me 20% të tjera. Në Tiranë çmimi mesatar i një filxhani kafeje tashmë është 90-130 lekë, ndërsa në zonat elitare arrin deri në 150 lekë. Sipas parashikimeve gjatë muajve të ardhshëm çmimi minimal pritet të shkojë në 120 lekë, ndërsa ai maksimal do të mbetet në të njëjtat nivele”, shpjegon Jahaj.

A do të kthehet kafeja në luks në Shqipëri? Për momentin ajo mbetet ende një kënaqësi e përditshme për shumicën e shqiptarëve. Por me ritmet aktuale të rritjes së çmimeve, mund të vijë një ditë kur një filxhan kafeje nuk do të jetë më aq i përballueshëm sa dikur./DW/ KultPlus.com

Ekspertët konstatojnë: Kafeja e mëngjesit është e nevojshme

Hulumtuesit e universitetit të Baltimores “Johns Hopkins” kanë konstatuar që kafeja e mëngjesit vërtet është e nevojshme, sidomos në rastet kur jemi mësuar me të, sepse në të kundërt mund të vihen re simptoma të krizës së abstinencës.

Ekipi i ekspertëve amerikanë thekson që një filxhan kafe në ditë çon në varësi nga kafeina, stimulimit më të përhapur në botë.

Profesori i psikiatrisë, i cili ka udhëhequr këtë studim, Roland Griffiths ka treguar se njerëzit të cilët nuk pinë dozën e tyre ditore mund të vuajnë nga një sërë simptomash të krisës së abstinencës, nga dhembja e kokës deri te plogështia, vështirësitë në përqendrim, madje mund të ndiejnë sikur janë me grip me të vjella dhe dhembje të muskujve.

“Shumë njerëz as që janë të vetëdijshëm sa shumë kafeinë marrin,” thotë Lynn Goldman, dekani i “Shchool of Public Health” pranë “George Washington University”.

Si pasojë, njerëzit mund të kenë probleme me pagjumësinë, tretjen, apo shtypjen e gjakut.

Të sfidosh “hegjemoninë” e kafesë sot mund të paraqesë një detyrë të rëndë për një planet që konsumon 120 000 tonë kafe në vit.

Për shumicën e konsumuesve të kafesë, dobia kryesore e saj është se, nëpërmjet stimulimit të përqendrimit, të ndihmon të bësh më shumë. /KultPlus.com