“Nga dhimbja, dalin shpirtrat më të fortë”, 20 mësime jete nga poeti i zemrave të pastra

I cilësuar si poeti i tretë më i lexuar në botë, pas Shekspirit dhe Laozit, Khalil Gibran është ende edhe sot një margaritar i çmuar i zemrave të pastra poetike që flasin fjalë frymëzuese për dashurinë, jetën dhe mirësjelljen.

Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez.

I lindur në qytetin Bsharri në Veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare.

Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve.

Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike.

Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.

Libri “Profeti” i dha famën në botën anglishtfolëse.

Khalil Gibran është poeti i tretë më i shitur në botë pas Shekspirit dhe Laozit, ndërsa në vijim do të njiheni me 20 mësime jete kjo mendje brilante…

1. Ji mirënjohës për kohët e vështira, ato të kanë treguar sesa i fortë mund të jesh.

“Nga dhimbja kanë dalë shpirtrat më të fortë, karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët.”

2. Sjellja e mirë është virtyt i të fortit.

“Sjellja e mirë dhe të qenët njerëzor, nuk janë shenjë e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri.”

3. Nuk ekziston e vërteta absolute.

“Mos thuaj kam gjetur të vërtetën, por thuaj kam zbuluar një të vërtetë”, thotë Khalil Gibran.

“Nuk e di të vërtetën absolute. Por jam i përulur përpara injorancës sime dhe aty qëndron nderi dhe vlerësimi im.”

4. Vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët.

Kush nënvlerëson është vlerëpak.

5. E keqja që të bëjnë të tjerët, harrohet më lehtë se e keqja që u bën të tjerëve.

Nëse dikush të lëndon, ti mund ta harrosh plagën, por kur ti lëndon dikë, do ta mbash mend gjithmonë.

6. Mund t’i harrosh njerëzit që të bënë të qeshësh, por nuk do t’i harrosh kurrë ata me të cilët qave, ata që të qëndruan pranë në orët më të vështira.

“Zemrat që bashkohen në dhembje dhe brengë, nuk do të ndahen nga gëzimi dhe lumturia.

Lidhjet që krijohen në trishtim, janë më të forta se ato të kënaqësisë dhe gëzimit.

Dashuria që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike.”

7. Gjërat e thjeshta në jetë janë ato më të jashtëzakonshmet.

“Në ëmbëlsinë e miqësisë, gjendet e qeshura dhe ndarja e kënaqësisë.”

8. Dashuria është jetë. Dhe jeta është dashuri.

“Kur dashuron, nuk duhet të thuash ‘Zoti është në zemrën time’, por ‘Unë jam në zemrën e Zotit’.”

9. Bëje punën me dashuri.

“Puna është pamja që merr dashuria.

Nëse nuk mund të punosh me dashuri, por vetëm me neveri, lëre punën dhe ulu në portën e një tempulli dhe merr mësime nga ata që punojnë me gëzim.

Nëse e pjek bukën me shpërfillje, ti po pjek bukë të hidhur, që ushqen vetëm gjysmën e urisë së njeriut.

“Ata më çmendin, sepse nuk i shes ditët e mia për para; dhe unë i çmend ata, sepse mendojnë se ditët e mia kanë një çmim.”

10. Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai.

Beso tek ëndrrat, aty gjendet porta e fshehur e përjetësisë.

11. Dashuria e vërtetë nuk mund të zotërohet.

Për dashurinë, mjafton dashuria.

Dhe mos mendo se mund të ndryshosh drejtimin e dashurisë, nëse dashuria të sheh si të vlefshëm, ajo e ndryshon drejtimin për te ti.

Dashuria s’ka dëshirë tjetër veç të vetëpërmbushet.

12. Përballu me sjelljen e keqe në mënyrë të këndshme.

“Testimi i vërtetë i sjelljeve të mira, është të jetë në gjendje të përballet sa më mirë me sjelljet e këqija.”

13. Dashuria bashkon gjithçka në harmoni perfekte.

Një shprehje thotë: “Nëse një njeri e njeh veten, ai njeh të gjithë njerëzimin”, ndërsa Khalil Gibran thotë: “Nëse dikush e do njerëzimin, atëherë ai di diçka për veten”.

14. Gjithnjë shiko anën e ndritur të jetës.

“Optimisti sheh trëndafilin, jo gjembat; pesimisti ua ngul sytë gjembave, harron trëndafilin.”

15. Ne nuk i shohim gjërat siç janë.

Ne i shohim gjërat siç jemi ne.

“Pamja e gjërave ndryshon sipas emocioneve; ne shohim gjëra të bukura dhe të magjishme te to, kur në fakt magjia dhe e bukura janë brenda nesh.”

16. Dashuria e vërtetë është produkt i tërheqjes shpirtërore.

Është e gabuar të mendosh se dashuria vjen nga shoqëria e gjatë.

Dashuria është produkt i tërheqjes shpirtërore dhe nëse kjo tërheqje nuk krijohet në çast, nuk do të krijohet edhe nëse kalojnë vite apo breza.

17. Lër hapësirë në marrëdhënien tënde.

Kur je me dikë, lër hapësirë që të fryjë erë e re mes jush.

Duajeni njëri-tjetrin, por mos e kufizoni dashurinë: lejoni që ndërmjet brigjeve të zemrave tuaja, të jetë një det i gjallëruar.

18. Nëse lutesh kur bie shi, sigurohu të lutesh edhe në ditë me diell.

“Ti lutesh kur ke nevojë dhe je në tension, por do të ishte mirë të luteshe edhe në gëzimin më të madh dhe në ditët më të lumtura.”

19. Kur jepesh vetë, ai është çasti kur jepesh plotësisht.

“Kur jep nga pasuria, ke dhënë pak. Kur jep nga vetja, atëherë ke dhënë vërtet.”

20. Bukuria e vërtetë vjen nga brenda.

“Bukuria nuk është te fytyra; bukuria është një dritë në zemër.”/ KultPlus.com

Për fëmijët*, nga Kahlil Gibran

Kahlil Gibran

Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj
ata janë bijtë dhe bijat e mallit të Jetës për veten
ata vijnë përmes jush por jo nga ju
dhe ndonëse ata janë me ju, ata ende nuk ju përkasin juve
ju mund t’u jepni atyre dashurinë tuaj por jo mendimet tuaja
ata vetë kanë mendimet e tyre
ju mund t’i strehoni trupat e tyre por jo shpirtrat e tyre
shpirtrat e tyre banojnë në shtëpinë e së nesërmes
të cilën ju nuk mund ta vizitoni, as edhe në ëndrrat tuaja
ju mund të përpiqeni që t’i ngjani atyre
por përpiquni që ata të mos i bëni t’ju ngjajnë juve
jeta nuk ka kthim prapa e as nuk e pret të djeshmen
ju jeni kthesa nga e cila fëmijët tuaj
si shigjeta të gjalla të ecin përpara
ku shigjetari vështron shenjën në rrugën e pafund
dhe Ai ju kthen juve me fuqinë e Tij
që shigjetat e Tij të shkojnë me shpejtësi dhe larg
drejtimi ynë qoftë në dorën e shigjetarit për ngazëllim
sapo Ai shigjetën duke fluturuar ta dojë
që gjithashtu Ai të dojë kthesën që është e qëndrueshme.

Kahlil Gibran : Mbi dashninë

Atëherë Almitra i tha: “Na fol për dashninë!”
Ai ngriti kryet, kqyri popullin… dhe nji qetësi e mahnitshme zbriti mes tyne dhe me zà të naltë iu tha:
Kur t’iu thërrasë dashnia, ndiqeni mbas,
edhe nëse rruga asht e ashpër dhe e vështirë.
Edhe nëse flatrat e saj iu mbështjellin,
edhe nëse shpata e mshehun ndër pupla mbrrin me ju plagosë, braktisuni në të.
E kur ajo t’ju flasë ju besojeni,
edhe nëse zàni i saj mundet me jua thye andrrat, njashtu si era e veriut shkatërron kopshtijet.
Sepse njashtu si mund t’ju kunorzojë lavdie, njashtu edhe mundet t’ju kryqëzojë.
Njashtu si mundet me ju ndihmue në rritën tuaj, njashtu mundet me ju a sjellë edhe venitjen.
Njashtu si ngjitet naltsive tuaja e ledhaton degët e brishta që drithërojnë ere,
njashtu zbret edhe ndër rranjë dhe i shkundë n’at kapërthimin e tyne me tokën.
Njashtu si dengjet e grunit mblidhen të gjitha bashkë.
e shkunden për me u pastrue.
e siten me u lirue mbetjesh,
e bluhen gjer në zbardhje të plotë.
e mbruen gjersa t’bahen të buta,
e ma së fundi i dorzohen zjarrit të shenjtë, me e shenjtnue bukën për mensën e Perëndisë.
E gjitha kjo ka me sjellë ndër ju dashni, pse veç ju i njihni sekretet e zemrës suaj, e n’at njoftje baheni nji fetë zemre e Jetës…
Edhe nëse ju kaplon frika ju kërkoni veç paqen e knaqësinë e dashnisë,
do t’ishte ma e mira gjà, me e mbulue lakuriqësinë tuaj, e me dalë prej lamit të saj,
n’at botë pa stinë ku ju veç do qesheni, dhe mos i harxhoni krejt të qeshunat tuaja, po edhe n’se qani, mos i derdhni krejt lotët tuaj.
Dashnia nuk dhuron asgja veç vetvedin, dhe s’humb asgja veç vetvetes.
Dashnia s’bahet Zot i askujt po as dëshiron me ju bà ndokush Zot,
Sepse dashnisë i del dhe i tepron veç dashnia.
Kur dashuroni, mos thoni: “Perendia asht në zemrën time!”, thoni: “Unë jam n’zemrën e
Perendisë!”
Dhe as nëpërmend mos t’iu shkojë se ju mund ta drejtoni zejen e dashnisë, pse asht Ai, që nse ju gjen të denjë, ka me e drejtue zejen tuaj…
Dashnia s’ka asnji dëshirë tjetër veç me ju ba të ndjeheni të mbushun përplot.
Dhe nëse dashuroni, e keni nevojë për dëshira… këto janë:
Me rrjedhë e me u bà t’rrëmbyeshëm si përroni që i këndon meloditë e veta nëpër terr.
Me e njoftë ndëshkimin përmes nji dhimbsunie t’pafund.
Me u ndje të plagosun prej njoftjes me dashninë tuej.
Me u përgjakë plot dëshirë e kënaqsi.
Me u zgjue n’agim të dritës me zemër ndër flatra dhe me e falenderue edhe nji tjetër ditë dashnie.
Me u ndalë në mesditë dhe me reflektue mbi ekstazën e dashnisë.
Me u kthye në mbramje në shtëpi me mirnjoftje të pafund.
Dhe me ra me fjetë me nji lutje për të dashurin e zemrës, e me nji kangë lavdie ndër buzë…

(Shkëputë nga “Profeti” Kahlil Gibran)
Përktheu: Jozef Radi