Dokumentari për shqiptarët e Kalabrisë, për kë biente kambana e Sant’Adriano-s?

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Janar 2022

“Radiocorriere” ka botuar, me 19 mars 1955, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me një dokumentar asokohe mbi shqiptarët e Kalabrisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Për kë biente kambana?

Një dokumentar nga Antonio Federici mbi shqiptarët e Kalabrisë

Burimi : Radiocorriere, 19 mars 1955, f.6
Burimi : Radiocorriere, 19 mars 1955, f.6

Kisha mijëravjeçare e Sant’Adriano-s, tashmë gjysmë e rrënuar, ndodhet në Kalabri, pranë San Demetrio Corone, pra në zemër të rajonit shqiptar. Sipas një legjende të lashtë, kambana e Sant’Adrianos kishte një tingull, në kohë të tjera, që dëgjohej nga të gjithë shqiptarët, edhe përtej Adriatikut, në atdhe.

Sot ky tingull është shumë i dobët: shqiptarët e Kalabrisë ende rezistojnë, rreth Sant’Adrianos, në përpjekje për të ruajtur traditat e tyre, zakonet e tyre të lashta, por “përparimi” përparon dhe nuhat mbetjet e fundit të jetës së mirëfilltë dhe të vrazhdë shqiptare. Ndoshta është afër koha kur edhe kambana e Sant’Adrianos do të heshtë përgjithmonë.

Në fotot e mësipërme, nga e majta: kostumet e komuniteteve me origjinë shqiptare në Castrovillari dhe Lungro (Cosenza) – Majtas: Kisha e Sant’Adriano-s. – Djathtas: Vajza nga Lungro me kostumin e saj tradicional (Fotografi të Bruno Stefani-t)

https://www.darsiani.com/la-gazette/radiocorriere-1955-dokumentari-per-shqiptaret-e-kalabrise-per-ke-biente-kambana-e-sant-adriano-s/ / KultPlus.com

Burimi : Kisha e Sant’Adriano-s (Bruno Stefani) – Radiocorriere, 19 mars 1955, f.6


Nga Kalabria me dashuri…

Kolë Kamsi, është një ndër studiuesit më të njohur që ka botuar mbi arbëreshët e Italisë dhe dialektin arbëresh, duke i kushtuar disa botime librash e artikuj në revista shkencore e letrare. Në shkrimin e cituar më poshtë ka referenca nga një studim i tij mbi elementet e të shkuarës që arbëreshët i kanë ruajtur të paprekura.

Ato vishnin këmisha të bardha mëndafshi dhe një jelek të mëndafshtë, ndërsa fundi i gjatë deri tek këmbët ishte qëndisur bukur me stoli. Në belin e hollë ato mbajnë një petk të gjerë të qëndisur me fije ari. Ato e quajnë brez dhe zakonisht ai është i argjendtë, dhe përpara mban figurën e ndonjë shenjti, sidomos të Shën Gjergjit, a të Shën Mitrit… Flokët i kanë ndarë thjesht me krehër në mes, ose mbi to hedhin një shami të qëndisur me lule të vogla të bardhë… Me këtë veshje, vajzat arbëreshe ecnin në rrugët e Kalabrisë, apo Bazilikatës, ku sharmi i tyre dallohej prej copës së shndritshme që mbanin në trup. Ditën e kremteve të mëdha, kur shkojnë në Kishë, ato zgjedhin rrobat më të bukura. Një kostum që prej shekuj e shekuj me radhë, nënat e tyre i kishin ruajtur në sënduk, duke i trashëguar me fanatizëm, si një element që i kujtonte të shkuarën e tyre. Në këtë pjesë të Italisë, ku prej gati 500 vitesh jetojnë shqiptarë (arbëreshë) historia ngjason me atë të shekujve më parë. Traditat shqiptare janë ruajtur me aq kujdes breza me rrallë, ndërsa gjuha duket sikur vetëm ka ndryshuar timbër, por në thelb është një shqipe e bukur.

Ndryshe nga femrat, burrat vishen si vendasit. Petkat kombëtare duket se i kanë lënë pas dore që në kohët e mërgimit të hershëm, e në asnjë nga këto vise nuk mund të gjesh dikë që t’i ketë mbetur ndonjë shenjë a ndonjë kujtim nga të parët e tyre. Por brenda tyre, në shtëpitë karakteristike, në zakone, në gjithë rrjedhën që merr jeta, ata ruajnë elementët e origjinës së tyre shqiptare. Profesor Kol Kamsi i kushtoi gjithë jetën e tij, studimit të arbëreshëve të Italisë, duke studiuar elementë, e duke mbledhur detaje për ta bërë më të plotë historinë e kësaj pjese të rëndësishme të Shqipërisë së madhe. Që kur ishte student në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitër Koronës e deri sa mbylli sytë më 1960, ai nuk reshti së kërkuari, së mbledhuri e së shënuari fjalë, e tekste për arbëreshët. Ai gjeti në mjediset e arbëreshëve vatra të pashuara të shqiptarisë së moçme, këngë e valle të hershme, veshje e zakone të bukura, që ngjanin sikur nuk ishin prekur fare nga ndikimi italian. Pikërisht aty ai ndjeu vetëm një dëshirë: të mblidhte më shumë fjalë e shprehje, të hulumtonte më tepër në ato mjedise e të ndriçonte këtë pjesë të kulturës shqiptare në dhe të huaj…

Më 23 shkurt të vitit 1960, një ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë, teksa i dorëzonte i shtrirë në shtrat veprën e tij prof. Mahir Domit, ai i thotë ngadalë: Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë e mbajta?. Profesor Kol Kamsi ishte zotuar të dorëzonte Fjalorin arbërisht-shqip, dhe deri në hartimin e tij, nuk ishte i qetë. Por dhe pse i përfunduar me aq zell, fjalori i dorëzuar me përkushtim do të flinte për dyzet vjet me radhë në raftet e Institutit. Kohë më pas, fjalori dhe veprat e tjera të Kamsit do të vlerësoheshin nga njerëz të njohur të arbëreshëve të Italisë. Në një letër që profesor Francesko Altimari i dërgon vëllait të Kolë Kamsit, Gjonit, më 30 prill 1981, i shkruan: “Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat tuaja Zef Farakom, drejtor i revistës “Zjarri” ka përgatitur një artikull mbi jetën dhe veprën e vëllait tuaj të nderuar, që do të dalë nga shtypi së shpejti”. Më vonë, një nga punët e tij titanike, të cilën nuk mundi ta përfundojë por dhe të gjitha dorëshkrimet janë mbledhur në një libër “Shqiptarët e Italisë”, botohet në kolanën e sektorit shkencor të Albanologjisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Studimi i Kamsit jo vetëm bën të njohur pasuritë etno-folklorike të arbëreshëve të Italisë, por bën të njohur dhe emra të panjohur më parë, personalitete të kulturës arbëreshe si: Nikollë Keta, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Bernard Bilota, Anton Argondica, Agostin Ribeko, Salvatore Braile, Anselmo Lorekjo, Vinçenc Stratigoi.

“Të pajisur me një karakter të fortë mbetën për plot katër a pesë shekuj shqiptarë me gjuhë, me vëshë, me tradita e doke. E këtë lidhje gjaku nuk e treguan vetëm tue ruajtur ma të madhin kujdes me një qëndresë të rrallë që shihet veç në popullin e Izraelit, veti e karakteristika të veçanta të rracës sonë, por e shfaqën më së miri dhe me dashurinë ndaj shqipes, dashuri që e treguan jo veç me fjalë por edhe me punë, duke i sjellë shërbime të mëdha letërsisë shqipe e rilindjes sonë kombëtare”, shkruan prof. Kamsi për arbëreshët. Në studimin e lënë prej tij, ne ndalemi në një atmosferë tepër interesante sesi është ruajtur e zhvilluar kultura shqipe në këtë pjesë të Italisë, ku dhe pse për më shumë se 45 vjet kontakti me Shqipërinë ka qenë i ndaluar, ata kanë ditur të ruajnë Shqipërinë e tyre. Kamsi na njeh në këtë studim dhe me personalitete të tjera të rëndësishme të kulturës arbëreshe. Një prej tyre është dhe At Anton Santori (1819-1894) nga Pizziljia e Shën Katerina Albanese, koloni shqiptare në krahinë të Kozencës. Pas De Radës, ai ka qenë një nga shkrimtarët më të njohur të arbëreshëve të Kalabrisë. Autor i disa librave, në dokumentet e kohës del në pah fakti i një drame të papërfunduar të tij, e quajtur “Emira”. Kjo dramë ka mbetur ende e pabotuar dhe për prof. Kamsin, për historinë e letërsisë italo-shqiptare ka rëndësi të veçantë, e para pasi është shkruar në gjuhën shqipe. Në të është historia e Emirës, një vajze arbëreshe, por dhe e jetës së thjeshtë të vendit ku ajo jetonte. Në kujtimet e tij, De Rada shkruan dhe për Santorin, duke treguar dhe për një roman të cilin ai kishte nisur ta shkruante. Janë një mori botimesh në të përditshmet e kohës të këtij shkrimtari arbëresh, emri i të cilëve ka mbetur vetëm në dorëshkrime. Arbëreshët e Italisë kanë pasur një kontribut në rilindjen shqiptare. Gustav Meyer, filolog i njohur gjerman, shkruante në një artikull të 1885-s mbi gjuhën e letërsinë shqipe në një revistë italiane, duke thënë se “nëse unë i jap vendin e parë veprimtarisë letrare të shqiptarëve të Italisë, e bëj se aty mbretëron prej disa kohësh një jetë e gjallë mendore, krejt ndryshe nga çfarë ndodh në Itali”. “Shqiptarët e Italisë”, – shkruante më vonë gazeta franceze “Le temps” më 12 shtator 1913, – “kanë pasë në zhvillimin e idesë kombëtare në Shqipëri një pjesë të madhe, të cilën historia e ardhshme e Shteteve Ballkanase nuk mund të mos e përmend”.

Më i vjetri dokument shqip i italo-shqiptarëve që njihet deri më sot është “Doktrina e Krishterë” e Mantrangës, që u botua më 1592 e që ka rëndësi si vepër e parë e dialektit të Arbëreshëve të Sicilisë. E në këtë hapësirë do të zhvillohet një letërsi, që do të udhëhiqet nga atdhedashuria e malli për atdheun e largët. Në Kalabrinë e shekujve më parë, një grup shokësh, flisnin mbi vargjet e shkruara në kafene, duke u bërë protagonistët e zhvillimit të shqipes, dhe pse mijëra kilometra larg.

Doket e morteve

Ndër kolonitë shqiptare të Molise-s si në Portocannone, në Uri etj., gratë në vaj lëshojnë thirrma: puh, puh! Puh, puh! Vemeje! Thirrmat e para janë marrë prej Homerit, e tjetra është frazë latine e cila do të thotë “mjera unë”. Ndoshta thirrja “vemeje” mund të jetë dhe një shtrembërim i frazës shqipe “vaj për mue”!. Vajtimet s’prajnë në rasë vdekje deri sa kufoma të jetë në shtëpi. Sa herë që të shihen tue hy n’odë të të vdekuri gra të huaja që vijnë për me u pjekë a për krye shëndosh, gjinija e të afërmit çojnë zërin dhe vajtojnë. E vajtimet i bëjnë me radhë, që të mos lodhen kështu që tek pushon njëra ia nisë tjetra.

Ndër koloni të Siçilijes e të Kalabrijes përveç brimvet rrahin kryet me grushta e zhgulin prej kres flokë që i hjedhin përmbi kufomë. Ndër morte shpesh gratë kujtojnë në vaj dhe rob të tjerë që u kanë vdekur më përpara: dikush qan fëmijën e vetë të humbur ditë më të mirë, dikush prindërin, burrin vetë, ndonjë tjetër motrën apo vëllanë. Me një zë të përmalluar ia sjellin gjithnjë fjalën të vdekurit sikur të ishte gjallë e të mund ti dëgjonte apo kuptonte, i përshkruajnë jetën e punët e mira, qajnë mbi të keqen që i ka rënë familjes e ndonjëherë i japin edhe ndonjë porosi për të dashurit e tyre që gjenden në jetët e përtejme. Një grue e ve prej kolonisë së Lungro-s, duke vajtuar mbi kufomën e një mbese i jepte këtë porosi për burrin e vetë: “Terezë o bija ime: shko te Gjambattista e çoi një këmishë: e thuaj se e kam qepë me flokët e shkulur prej kokës sime, e kam larë me lot të syve të mijë dhe e kam terë me zjarrin e zemrës sime”.

Në këto lloj vajtimesh ndihen dhe përfytyrime të larta poetike. Një tjetër vajtocë duke qarë vdekjen e një djali të ri bujar të fshatit të Shën Sofia d”Epiro, mbasi pasi ankohej për morten që po i merrte në moshën më të bukur djemtë e rinj, thoshte: Lëkundju, lëkundju, që prej themelit, o mure të kësaj shtëpie bujare, pse u rrëzua mbështetja juaj. Stolija më e mirë e kësaj familjeje u shue porsi një lule që vyshket në kohën e mbrëmjes. A nuk i dëgjoni hingëllimën e kalit të tij? Ai në garazh ku gjendet i mbyllur pyet për të zotin e vet, por vaj! I zoti ka vdekur! E qeni i tij besnik, shoku i pandamë në gjueti, me të kujisurat e shpeshta e lypë edhe ai të zon, e kuisjet e tija janë jeku i fshamevet? tona. Vajtojnë pra, edhe kafshët humbjen e këtij djali bujar, si mund të rrimë pa e vajtuar ne, që e kemi nderuar për virtytet e tij të rralla.??. Kur vjen koha e varrimit atëherë, të qarat dhe të bërtiturat bëhen shumë të tmerrshme. Të gjithë robt e shtëpisë e të pranishmit shpërthejnë në vaj e në dënesa të thella. Miqtë e familjes e farë-fisi më i hidhen sipër të vdekurit, e duke qarë i japin të puthurën e fundit, e gratë tue bërtit me zë të lartë e tue rrah vedin me grushta nuk duan të ndahen prej kufomës, nuk luajnë vendit e mundohen mos me e lënë të dalë nga shtëpia, por burrat i kapin prej krahu, i ngrenë dhe i largojnë tue i ngushëlluar e duke i thënë se duhet me iu nënshtruar vullnetit të Zotit. Ndër disa koloni të Kalabrijes së mesme, në kohë që trupi i të vdekurit del prej shtëpie, e kanë zakon që të shkrepin në shenjë pikëllimi, dritaret e shtëpisë. Mbas arkivolit të të vdekurit, mbrapa mbas kortezhit shkojnë dhe gratë të cilat me flokët e lëshuem e të shprishun si praeficat romake e përcjellin kufomën tue vajtue me za të lartë gjatë gjithë rrugës deri në kishë apo deri në varrezë.

Arbëreshët e disa fshatrave të Kalabrijes, përpara se ta varrosin të vdekurin i fusin në xhep lekë të vogla 10 a 20 qindarka, ndoshta në kujtim të monedhës që në kohë të pagajve ish zakon t’i shtrihej kufomës në gojë që të paguante Karontin për më qitë një lundër mb’at anë të lumit t’Akerontit.

Një shenjë për të treguar dhembjen është dhe të shuarit e zjarrit në vatër porsa vdes ndonjë pjesëtar i familjes. Njerëzve të shtëpisë nuk u bie ndërmend as të hanë, por për to mendojnë, “më parë gjinija e më vonë miqtë, të cilët për disa ditë rresht u çojnë me radhë drekë e darkë”.

Ndër koloni të Siçilijes familjet që kanë mort u ndajnë të varfërve për shpirtë të vdekurit bukë të gatuemë në formën e kryqit ose u japin me ngrënë grurë të zier e u japin dhe me pirë. Në Contessa Entellina në të tretën, deri në të dyzetën ditë të mortit, gjinija e të vdekurit, veshë me petka jazi, shkojshin përmbi vorr, tue marrë me vehte diana e enë me zjarr ku digjeshin lijvanën, ndërsa thohej mesha për shpirt të të dashurit të tyre. Kjo ceremoni tashmë nuk bëhet më, pasi të vdekurit nuk i varrosin më në Kishë por në varrezë. Jazi mbahet mbas shkallës së gjinis. Burrat për vdekje të nji pjesëtari të familjes, në shenjë jazi nuk rruhen dhe e lëshojnë mjekrrën për 15 ditë, e kur dalin jashtë mbështjellë me mallota të zeza si në dimër e verë, tue mbulue deri kryet.

Nënat e gratë e veja për vdekje të djemve e të burrave rrijnë në të zeza për tërë jetën e rrallë ndodh që ndonjë të vejë e të martohet përsëri mbas vdekjes së burrit të parë. Kaq e madhe është dashnija e besnikërija për bashkëshortin sa kanë mbërrijtë me pre e deri krejt flokët mbi kufomën e fatit.

Martesa

Të shtunën mbrëma, natën e dasmës ndër koloni të Shqiptarëve të Kalabrijes si në Frashineto, në Spezzano, në Civita, etj., kumarët e kishin zakon, të shtrojnë për darkë në shtëpi të dhëndrrit. E aty, në tryezë. ndërsa ndonjë i ftuar çonte kupën e verës, e pinte për shëndet të dhëndrrit, ndonjë tjetër kapte pushkën. Këngë, valle e të shtime pushkësh, dëgjoheshin në atë kohë edhe në shtëpinë e nuses. Ruajtësit e rendit për këto të shtëna nuk thoshin gjë, sepse e dinin se ky ishte një rit i vjetër i vendit të tyre. Të dielën në mëngjes, djem e vajza të farefisit, e të miqësisë shkojnë në shtëpi të dhëndrrit e të nuses. Ndërsa vallet e argëtimit vlojnë në shtëpinë e nuses, jashtë ndihen këngë të tjera. Ato vijnë nga dhëndrri, i cili është duke u përcjellë me kumarë prej dasmorëve për të marrë nusen. Dikur burrat merrnin me vete dhe armë të cilat i zbraznin gjatë rrugës për të marrë nusen. Kortezhit të njerëzve i prijnë dy njerëz që mbajnë në dorë dy flamujë shqiptarë. Kur krushqit arrijnë në shtëpinë e nuses, këtu nuk u del askush përpara për me i pritë, përkundrazi sipas zakonit e mbyllin derën, kështu dhëndrri dhe dasmorët do të bëjnë sikur nisin një luftim për të marrë nusen. Dasmorët e dhëndrrit këndojnë e kërkojnë që t’i nxjerrin nusen. Në këtë çast dëgjohet krisma e një pushke. Krushqit shtyjnë derën e cila hapet me njëherë e dhëndrri bashkë me kumarë, e me dasmorë, hyjnë në odën e nuses, e kapin për dore, e çojnë prej karriges e me krenari thotë “Është imja”. Një entuziazëm shpërthen në të gjithë shtëpinë. Por në këtë gëzim vetëm nusja duket e zymtë, e pikëlluar. I vjen keq që po lë shtëpinë, prindërit, e po ndahet prej fqinjëve me të cilët ka kaluar moshën e vajzërisë. Ajo ul sytë e qan”. / KultPlus.com

Jeta e Arbëreshëve në Kalabri gjatë viteve 1950

Rimëkëmbja e pasluftës në komunitetet italo-shqiptare në periudhën 1945 – 1956 karakterizohet nga kriza e thellë ekonomike dhe shoqërore e trashëguar nga periudha Fashiste dhe lufta që zbrazi fshatrat nga rinia më e mirë që kishte vendi.

Rënia e monarkisë së Savojës dhe lindja e Republikës u japin një frymë shprese popullatave të rraskapitura nga vështirësitë e luftës dhe nga abuzimet e një klase të pronarëve të tokave të cilët përpiqen të mbajnë një pushtet shtypës mbi një pjesë të madhe të popullsisë së pambrojtur.

Me Republikën e re vjen në 1948 Kushtetuta e re Republikane, e cila në Nenin 6 parashikon një ligj të posaçëm të mbrojtjes për pakicat e brendshme dhe historike të territorit Italian. Pastaj miratohet ligji për caktimin e tokës fshatarëve të varfër, i ndjekur gjithashtu nga ligji i reformës agrare. Ndërkohë, rifillon sërish migrimi në kërkim të shpresës që i shtyu jugorët të emigrojnë në vendet e largëta të Amerikës dhe Australisë. Vetëm me nënshkrimin e Traktateve të Romës për ndërtimin e KKZ-së dhe me fillimin e rindërtimit të vendit, i cili do të çonte në lulëzimin ekonomik, mënyrat e emigrimit ndryshuan: Arbëreshë të rinj hipën në trenat që do t’i çonin në qytetet e Italisë Veriore dhe përtej kufirit në Beneluks, Francë, Belgjikë, Zvicër dhe Gjermaninë Perëndimore.

1953 – Paolo Cinanni

Në 1953, Paolo Cinanni, historian social dhe ekonomik i Kalabrisë, ishte i pranishëm në Konferencën e parë dhe mbresëlënëse Përkujtimore të përvjetorit të pesëdhjetë të vdekjes së Jeronim De Rada, organizuar më 13 shtator nga administrata komunale e San Demetrio Corone [Shën Mitri] dhe promovuar nga “Shoqata Italiane për Marrëdhëniet Kulturore Italo-Shqiptare”, e kryesuar nga avokati Franco Bugliari i “Santa Sofia d’Epiro” [Shën Sofia]. Studiuesi kalabrez, pas një përshkrimi të luginave të organizuara nga gratë arbëreshe nga shumë komuna shqipfolëse dhe pasi ka zhvilluar një ekskurs të shkurtër, por të përmbledhur mirë të historisë së Arbëreshë të Kalabrisë, merret me çështjen e kushteve ekonomike dhe sociale në të cilat jeton popullsia e gjuhës shqipe në Kalabri.

“Janë pikërisht këto merita patriotike”, shkruan Paolo Cinanni, “që u japin shqiptarëve të drejtën për të bërë disa pretendime, si një pakicë kombëtare – e cila për shkak të vetë kushteve që shoqëronte formimin e kolonive – është sot në një pozitë inferioriteti krahasuar me shumicën autoktone. Në fakt, në kohën e përmbysjes së feudalizmit, komunitetet u ngritën në komuna autonome, duke ruajtur kufijtë e mëparshëm feudalë. Shqiptarët mbanin kufijtë e ngushtë në të cilët ishin pritur, pa korrigjimet e nevojshme. Prandaj, mjerimi dhe papunësia e vendeve shqiptare, për shkak të dendësisë më të lartë të popullsisë dhe varfërisë së territorit (shpesh malor) janë më serioze se gjetkë.

Me përjashtim të Lungro [Ungra] ku miniera e kripës së gurit – ku minatorët, punëtorët dhe punonjësit janë të punësuar përgjithmonë, krijojnë idenë e një qendre të vogël industriale-bujqësore – të gjithë të tjerët janë fshatra thjesht bujqësorë.

Ndër kategoritë e popullsisë, më të shumtat janë ato të fermerëve të vegjël të drejtpërdrejtë dhe atyre të punëtorëve bujqësorë, të cilët shpesh gjejnë punë jashtë zonës komunale, në luginën Crati ose në Piana di Sibari, në periudhat sezonale të shkuljes dhe korrjes së grurit, vjeljes së ullirit, etj.

Janë gjithashtu shumë të aftë në endjen e mëndafshit, e cila ka qendra të specializuara në Cerzeto [Qana], S. Demetrio [Shën Mitri], etj. Në Spezzano Albanese [Spixana], S. Demetrio [Shën Mitri] dhe në disa qendra të tjera ekziston gjithashtu një industri e vogël sezonale për përpunimin e ullinjve.

Por kur bëhet fjalë për industritë, popullsia e këtyre vendeve mbetet ndër më të varfërit në Italinë e Jugut”.

Të dhëna nga Indeksi i parë Statistikor në vitin 1958

Botimi në vitin 1958 i Vjetarit Statistikor të Komunave të Italisë, në të cilin sigurohen të dhëna nga Regjistrimi i vitit 1951 dhe të dhënat e mbledhura në 1955, konfirmon në numra gjetjet analitike shoqërore të komuniteteve Italo-Shqiptare të vëzhguara nga Paolo Cinanni.

Këto qytete, për pjesën më të madhe, janë të vendosura në zonat e brendshme të sistemeve malore të provincave të Cosenza dhe Catanzaro, shumë larg, për pjesën më të madhe, nga kryeqyteti. Spezzano Alb. [Spixana] (320 m), Caraffa di Catanzaro [Garafa] (360 m) dhe Firmo [Ferma] (369 m) janë të vetmet komunitete që nuk i kalojnë 400 metra mbi nivelin e detit, ndërsa Plataci me 930 metra dhe më e larta e ndjekur nga Castroregio [Kastërnexhi] me 857 metra dhe Acquaformosa [Firmoza] me 758 metra. Qendrat e mbetura ndryshojnë ndërmjet 430 dhe 634 metra mbi nivelin e detit, shumica e të cilave tejkalojnë 500 metra mbi nivelin e detit. Sistemi i komunikimit rrugor midis komuniteteve gjuhësore dhe kryeqytetit është gjithashtu i vështirë dhe i mundimshëm. Shumë larg nga Catanzaro janë Pallagorio [Puheriu] (130 km), Carfizzi [Karfici] (120 km) dhe San Nicola dell’Alto [Shën Kohu] (119), ndërsa në provincën e Cosenza më të largët nga kryeqyteti janë Castroregio [Kastërnexhi ] (128 km) dhe Plataci [Pllatani] (110 km). Nëse qyteti më i afërt me Catanzaro është Caraffa di Catanzaro [Garafa] (34 km), ata që janë më afër kryeqytetit të Cosenza janë Falconara Alb. [Fallkunara] (20 km) dhe San Benedetto Ullano. [Shën Bendhiti] (30 km). Të gjithë të tjerët udhëtojnë në distanca që tejkalojnë 40 kilometra. Ka shumë pak qendra të përshkuara nga rrugë shtetërore në distanca të gjata. Spezzano Alb. [Spixana] është më me fat pasi përshkohet nga Rruga Shtetërore 19, e njohur historikisht si rruga konsullore “Via Popilia-Annoia”, e filluar në vitin 132 para Krishtit. për të lidhur qytetin e Gaeta me portet e ngushticës për Siçilinë. Prandaj, këto janë rrugë të ndërtuara në shekullin e nëntëmbëdhjetë, disa nga periudha Bourbon, të tjera pas bashkimit të Italisë, por të gjitha me një udhë të bardhë, të pashtruar, përveç disa qindra metrave të kalimit të shtrirjes së banuar.

Informacioni i Cinanni mbi shtrirjen territoriale të komunave Italo-Shqiptare është shumë i duhur në lidhje me kufijtë e territoreve komunale që praktikisht datojnë nga ato të shënuara nga noteri Sebastiano La Valle në Platea të vitit 1544, porositur nga Perandori Charles V. Gjithcka mund të verifikohet duke lexuar “Buletinet” të lëshuara nga Komisionet Shtetërore në pjesën e parë të shekullit XIX. Informacioni mbi gjendjen e produktivitetit të tokës komunale është gjithashtu i saktë, për pjesën më të madhe të shpërndarë në rrjedhën e sipërme të zonave të banuara, me fonde të mëdha të mbuluara me bimësi malore dhe pastrim, kryesisht joproduktive, duke përjashtuar plantacionet e gështenjave. Janë vetëm tre bashki me territor të shtrirë drejt fushës, pa shtrirje mali: Spezzano Alb. [Spixana], Firmo [Ferma] dhe Caraffa di Catanzaro [Garafa]. Ndërsa Spezzano Alb. [Spixana], qendra më e banuar, ka vetëm 3333 hektarë shtrirje, Vaccarizzo Alb. [Vakarici] ka një sipërfaqe prej 846 hektarë dhe San Nicola dell’Alto, e cila është më e vogla, ka një sipërfaqe prej vetëm 763 hektarë. Nga ana tjetër, San Demetrio Corone [Shën Mitri] është qyteti më i madh me 5778 hektarë.

Në vetëm katër vjet, 1951-1955, dendësia e popullsisë për kilometër katror ndryshon në mënyrë drastike. Ka 88 njësi për km katrorë në 1951, të cilat bëhen 100 në 1955. Ka, pra, disa maja me intensitet të lartë në San Nicola dell’Alto [Shën Kohu], e cila ka një shtrirje prej 763 hektarësh dhe një popullsi prej 2843, me 372 banorë për kilometër katror dhe në Vaccarizzo Alb. [Vakarici] me një popullsi prej 1915 banorë në 846 hektarë të barabartë me 226 banorë për km katrore.

Vjetari statistikor ndihmon shumë për të kuptuar se si ndodhi jeta e përditshme në këto vende gjatë viteve 1950. Popullsia rritet me 8417 njësi. Shkon nga 56595 banorë në 1951 në 65012 në 1955. Një rritje e jashtëzakonshme e popullsisë, mbase e pashpjegueshme me mjetet aktuale të hetimit që posedojnë, veçanërisht në lidhje me lëvizjen e migracionit, e cila do të shpërthejë disa vjet pas nënshkrimit të Traktatit të Roma për themelimin e Tregut të Përbashkët Evropian.

Një tregues, por vetëm i tillë, ofrohet nga seksioni në lidhje me lëvizjen që banon në 1955. Negativ është regjistri i të dhënave personale. Personat që regjistrohen në bashkitë italo-shqiptare janë gjithsej 1004. Nga këta anëtarë të rinj, 969 vijnë nga bashkitë italiane dhe vetëm 35 nga vendet e huaja, ndërsa 1578 janë anuluar; nga këto, 241 u zhvendosën jashtë vendit dhe 1337, në vend të kësaj, në komuna të tjera italiane. Nga ana tjetër, lëvizja natyrore është pozitive, me një ndryshim prej 865 njësish midis lindjeve të gjalla (1402) dhe të vdekurve (537).

Në llogaritjen e përgjithshme midis lëvizjes së regjistrit dhe lëvizjes natyrore ekziston një bilanc pozitiv prej 331 njësish të cilat rrisin popullsinë rezidente. Përveç kësaj informacioni skematik, është shumë e vështirë të vazhdohet, veçanërisht me analiza të ndryshme dhe të hollësishme që duhet të kenë të bëjnë me një periudhë historike duke filluar të paktën nga viti 1935, para se Italia të hynte në luftë.

Siç analizon Paolo Cinanni, ndër aktivitetet prodhuese më e shumta është ajo e sektorit bujqësor nga një popullsi aktive prej 30218 punëtorë, e barabartë me 53.40% të tërë popullsisë së vitit 1955. Duke analizuar përqindjen e popullsisë së përfshirë në aktivitete bujqësore, dalin të dhëna nxjerr në pah një realitet fshatar me shumë kontradikta kiaroskuro dhe laike, midis pasurisë së ndritshme të disa pronarëve të tokave dhe varfërisë së përhapur që arrin pothuajse 90% të popullsisë dhe origjina e të cilave ndoshta e ka burimin në reformën e Kadastrës Onciario të Mbretit Charles III të Bourbon në 1743, i konsoliduar, më pas me reformën feudale Napoleonike dhe dështimin për të shpërndarë tokat në pronësi të shtetit për qytetarët e varfër të komunave të lindura me reformat e filluara në 1806 nga Giuseppe Napoleone, mbreti i Napolit.

Nga 25 komunitete shqipfolëse, në 16 prej tyre, me shifra mbi 80%, popullsia aktive është e angazhuar në bujqësi dhe në 4 përqindja është ndërmjet 70/80%. Pra, në 20 komunitete nga 25 më shumë se tre të katërtat e popullsisë aktive i merr mjetet e jetesës nga bujqësia. Për pjesën më të madhe është një pjesë e vogël e pronarëve të vegjël dhe fermerëve të drejtpërdrejtë, dhe një turmë e madhe e përbërë nga punëtorë bujqësorë, të cilët shpesh gjejnë punë jashtë territorit të komunës, në Piana di Sibari ose në luginën e Crati, gjatë punës sezonale të bujqësisë, korrje gruri, vjelje ulliri. Padyshim, familjet e pronarëve të mëdhenj të tokave që zotërojnë më shumë se 80% të tokës bujqësore nuk i përkasin kësaj figure.

Pesë komunat që nuk i kalojnë 70% në rend zbritës janë: Spezzano Albanese [Spixana] (68%), San Benedetto Ullano [Shën Bendhiti] (65%), San Basile [Shën Vasili] (56%), Lungro [Ungra ] (51%) dhe Shën Nikolla i Lartë [Shën Kohu] (50%). Komunat që, megjithatë, nuk shkojnë nën 50%, duke konfirmuar pohimin se brenda të gjitha komunave arbëreshë ekziston një bandë e madhe e pronarëve të vegjël bujqësorë, kryesisht fermerë që kultivojnë drejtpërdrejt parcelat e vogla të pronës së tyre dhe nuk përbuzin merren me aktivitete artizanale si kovaçë, rrobaqepës, këpucarë, marangozë dhe në muajt e vjeljes së ullirit ata janë me fat që të punësohen në mullinj për transformimin e ullinjve.

Gratë janë të angazhuara ekskluzivisht në aktivitete bujqësore: vjelje ullinjsh, korrje dhe përpunim fiku dhe gështenja, endje me tezgjahun antik të batanijeve leshi ose fije fshesë dhe leckë për veshje. Dhe, përsëri në fushën e prodhimit të pëlhurave, në atë dekadë prodhimi i mëndafshit ishte ende i gjallë në shumë komunitete.

Shkrimi vijon me të tjera të dhëna interesante që do të publikohen në mënyrë periodike.

Artikulli është kortezi e Damiano Guagliardi (President i FAA–Federatës së Shoqatave Arbëreshe) për “Diaspora Shqiptare”. / KultPlus.com

Lagjia “Kalabria” në Prishtinë bëhet me çerdhe moderne

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, deklaroi se të hënën kjo çerdhe do t’i ketë 85 fëmije derisa kapaciteti i saj është për 120 fëmijë.

Mes tjerash, Ahmeti njoftoi se çerdhja e radhës me BE-në është në lagjen Dardania, me pas vetëm komuna do të hap çerdhet në Arbëri dhe Kolovicë.

“Edhe një çerdhe e mrekullueshme në komunë. Të hënën do ti kemi 85 fëmije, kapaciteti 120 fëmijë, në një hapësirë prej 1 mijë metra katror. Intervenimi në fëmijërinë e hershme është intervenimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë. Çerdhja ka kushtuar mbi 600 mijë euro”.

“Çerdhja e radhës me Komisionin Evropian është në Dardani me kapacitet 100 fëmijë. Derisa vet si komunë do të kemi çerdhet në Arbëri dhe Kolovicë”, u shpreh Ahmeti.

Zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, njoftoi se do të ndryshohet plani legjislativë dhe rritje të buxhetit për arsimin.Thaçi theksoi se nuk do të lejohen çerdhe pa licencë në Komunën e Prishtinës.

“Falënderojmë BE për këtë donacion. Uroj prindërit e kësaj lagje qe ti edukojnë fëmijët e tyre në këtë kopsht. E kemi paraparë në planin legjislativë të futet ne ndryshim ligji me udhëzime administrative. Kemi bërë përpjekje për të rritë buxhetin në nivel vendi. Do ta adresojmë edhe çështjen në komunitet. Dhe çështje private ku ndodhin skandale dhe nuk janë të evidentuar fare në Komunën e Prishtinës”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i BE-së, Luigi Brusa, tha se BE beson në gjeneratën e re të Kosovës. 22 edukatore do punojnë në këtë çerdhe.

“Është një projekt për të ardhmen e Kosovës, fëmijët e Kosovës. Ne besojmë në Kosovën dhe në gjeneratën e re. Qe të sjellin një perspektiv të re. 85 fëmijë mund të jenë pjesë e kësaj çerdhe dhe 22 edukatore mund të punojnë këtu. Ftoj komunën dhe organet kompetente që të kujdesen për të ardhmen. 50 milionë euro kemi ndihmuar në edukimin pasi ne besojmë në Kosovën”, ka thënë Brusa. Klan Kosova / KultPlus.com