Me mbylljen e sezonit turistik maj-tetor 2024 nuk është ndalur fluksi i vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, njoftoi se kalaja e Lezhës, në 10-mujorin 2024, prej 1 janarit-31 tetor 2024, është vizituar nga 7371 persona.
“Kjo shifër shënon një rritje prej 74,2% nga viti i kaluar, duke qëndruar në krye të listës së siteve dhe monumenteve të vendit tonë”, shkroi DRTK Shkodër në rrjetet sociale.
Megjithëse zyrtarisht sezoni turistik është mbyllur, kushtet e motit kanë favorizuar deri më tani vizitat turistike nëpër objekte të ndyshme si kala, parqe arkeologjike apo muze, të vizitorëve që dëshirojnë të njihen me bukuritë dhe lashtësinë.
Sa i përket kalasë së Lezhës, pranohet nga të gjithë, se fillimi i ndërtimit i përket shekullit të 8-të. Kalaja ka njohur shumë faza ndërtimi, për të ardhur në atë të fundit të vitit 1520, nga sulltan Selimi I. Në literaturën historike dhe arkeologjike kalaja e Lezhës njihet për një kohë të gjatë me emrin Kështjella e Elisonit.
Ajo ka tre porta të cilat ishin mjaft të mbrojtura nga kulla e kthina të maskuara, të cilat të favorizuara nga pozicioni gjeografik e bënin atë të pamposhtur. Në vitin 2002 pas restaurimit të themeleve të kalasë mesjetare u vu re se trashësia e mureve arrinte deri në 4.30 m, nga 3.50 m trashësi që mendohej të ishte më parë. Deri më sot janë zbuluar 12 porta dhe 48 kulla mbrojtëse.
Me mbylljen e sezonit turistik maj-tetor 2024 nuk është ndalur fluksi i vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, njoftoi se kalaja e Lezhës, në 10-mujorin 2024, prej 1 janarit-31 tetor 2024, është vizituar nga 7371 persona.
“Kjo shifër shënon një rritje prej 74,2% nga viti i kaluar, duke qëndruar në krye të listës së siteve dhe monumenteve të vendit tonë”, shkroi DRTK Shkodër në rrjetet sociale.
Megjithëse zyrtarisht sezoni turistik është mbyllur, kushtet e motit kanë favorizuar deri më tani vizitat turistike nëpër objekte të ndyshme si kala, parqe arkeologjike apo muze, të vizitorëve që dëshirojnë të njihen me bukuritë dhe lashtësinë.
Sa i përket kalasë së Lezhës, pranohet nga të gjithë, se fillimi i ndërtimit i përket shekullit të 8-të. Kalaja ka njohur shumë faza ndërtimi, për të ardhur në atë të fundit të vitit 1520, nga sulltan Selimi I. Në literaturën historike dhe arkeologjike kalaja e Lezhës njihet për një kohë të gjatë me emrin Kështjella e Elisonit.
Ajo ka tre porta të cilat ishin mjaft të mbrojtura nga kulla e kthina të maskuara, të cilat të favorizuara nga pozicioni gjeografik e bënin atë të pamposhtur. Në vitin 2002 pas restaurimit të themeleve të kalasë mesjetare u vu re se trashësia e mureve arrinte deri në 4.30 m, nga 3.50 m trashësi që mendohej të ishte më parë. Deri më sot janë zbuluar 12 porta dhe 48 kulla mbrojtëse./atsh/ KultPlus.com
Kalaja e Rozafës është atraksioni kryesor i qytetit të Shkodrës që tërheq mijëra vizitorë çdo vit, ndërsa ngrihet në një zonë dominuese dhe me trashëgimi të pasur.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kalaja e Rozafës dhe muzeu, të mbushur me vizitorë.
Kalaja e Rozafës në Shkodër ka mirëpritur vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, të moshave të ndryshme, ndërsa janë organizuar një sërë aktivitetesh për trashëgiminë historike.
Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, ajo përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare./atsh/ KultPlus.com
Kalaja mbi 200-vjeçare e Ali Pashës në Porto Palermo është atraksion turistik, dhe oaz qetësie për vizitorët e huaj.
Kalaja trekëndore unike, për llojin e saj të arkitekturës pret cdo ditë pushues të huaj , disa prej tyre të panjohur me historinë e saj e të tjerë nga kureshtja e historisë së dashurisë mes Pashait të Janinës e Vasiliqisë.
“Përshtypjet për kalanë janë shumë të mira, pamje e bukur, epoke e bukur ne histori me çfarë lexova nga ato që ishin shkruar në tabelën informuese, tani di për atë periudhe, di që është ndërtuar për dashurinë dhe kjo është mbresëlënëse. Kjo kala duket shumë e fortë dhe e pamposhtur”, thotw njw turist.
Për këtë turist francez nga arkitektura dhe emocionet qe përcjell kalaja e dashurisë, nuk ka një tjetër simotër. Ndërsa në Shqipëri arsyeja e udhëtimit është të mësoj më shumë mbi historinë.
“Erdhëm të vizitonim kalanë e Ali Pashës, sepse ne e duam historinë e Shqipërisë. Ne në Francë nuk kemi një kala të tillë, kaq të fortë dhe kaq emocionale. Arkitektura është fantastike, e rrethuar me det, me ullinj është një vend shumë i mirë për ta vizituar. Kalaja duket intime, e larte, me driten që hyn nga pjesa e siperme e kalasë. Tani që po mesoj se Vasiliqia paska pasur një plazh të sajin, dua të shkoj prap lart në kala dhe të mësoj më shumë”, shprehet turisti.
Kalaja e quajtur në disa emra, tërheq përmes vendndodhjes, pamjes, e historisë që vjen e gjallë në ditët e sotme nga muret e gurta, që rrëfejnë histori të së shkuarës. Rreth 100 vizitorë në ditë kryesisht të huaj, vizitojnë Kalanë në Porto Palermo./euronews/ KultPlus.com
Kalaja e Gjirokastrës është monumenti më i vizituar në vend, teksa prej fillimit të vitit numëron mbi 120 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se qyteti i UNESCO-s po tërheq edhe numrin më të lartë të vizitorëve.
“Kalaja e Gjirokastrës renditet e para ndër sitet kulturore me 120 723 vizitorë nga janari në korrik që kanë zbuluar shpirtin, historinë dhe vlerat e këtij monumenti për të zbritur më pas në atraksionet e tjera magjike të qytetit UNESCO”, theksoi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Turistët e huaj përbëjnë edhe numrin më të lartë të vizitorëve, ndërsa ata vijnë nga Europa, SHBA e deri nga Australia.
Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.
Kalaja u bë e njohur në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do të priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut në kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.
Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.
Kalaja e Rozafës, një destinacion i rëndësishëm historiko-kulturor në Shkodër po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj ndërsa nuk resht edhe interesi i vendasve.
Vizitat turistike në Kalanë e Rozafës vijuan trendin rritës gjatë muajit qershor, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj.
18.078 vizitorë mikpriti kalaja e Shkodrës gjatë muaji qershor, shifër e cila është 4,5% më e lartë se ajo e një viti më parë.
Kalaja e Shkodrës, e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë, duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.
Kalaja e Shkodrës është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës, por dhe nga udhëtarët e shumtë, jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave të një populli, i cili ka një histori të hershme./atsh/ KultPlus.com
Kryemnistri i vendit, Albin Kurti, e ka quajtur zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm gjetjen e Altarit romak vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut, në Drenas.
Kryeministri Kurti ka thënë se Kalaja e Vuçakut ishte tipike për kohën e antikitetit të vonë dhe shërbente si sistem mbrojtës për popullatën vendase.
“Gjatë hulumtimit u gjet Altari romak i cili i takon gjysmës së parë të shek.III, pas Krishtit, i ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 p. Kr).
Zbulimi formëson edhe më tej historinë, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës në trojet tona nga parahistoria, antika deri në mesjetë” ka shkruar Kryeministri Kurti në facebook.
Më tej ai ka falënderuar ekipin e ekspertëve, të përbërë nga arkeologët Shafi Gashi dhe Sali Islami dhe skicografin Arbnor Morina, për punën e tyre të kujdesshme dhe për këtë kontribut sipas tij të çmueshëm./ KultPlus.com
Bashkia e Elbasanit i ka dhënë një rëndësi të veçantë trashëgimisë kulturore me qëllim nxitjen më tej të zhvillimit të turizmit.
Një ndër to, është edhe Kalaja e Menglit, e cila përfaqëson një ndërtim ushtarak të realizuar në kohën e sundimit të perandorit Justinian.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja e ka cilësuar një xhevahir këtë kala në kodër të Menglit, ku edhe nga kjo lartësi kontrolloheshin plotësisht lëvizjet në rrugën Egnatia që kalonte në fundin e kodrës.
Nisur nga pozicionimi gjeografik, synohet që kalaja të shërbejë për forcimin e pikave turistike kudo ku ndodhen në Elbasan, me qëllim që turistët të njihen edhe me trashëgiminë kulturore të kalave të qytetit jo vetëm në fushë, por edhe në kodrina.
“Me krijimin e Agjencisë së re të Turizmit dhe Kulturës në bashki, nisëm t’i japim një rëndësi edhe të forcojmë pikat tona turistike. Xhevahiri më i ri që po i shtohet guidave tona turistike në Elbasan është Kalaja e Menglit, një nga më të vjetrat që ne kemi në Labinot-Fushë”, u shpreh Llatja.
Në këtë kuadër, ai theksoi se bashkia bashkë me Agjencinë e Turizmit dhe Kulturës ka ndërmarrë një nismë ku aktualisht punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve publike po punojnë për pastrimin dhe sistemimin e të gjithë vegjetacionit që rrethon këtë xhevahir të kulturës por edhe të arkeologjisë shqiptare, për ta vënë atë edhe në përdorim të turizmit.
Sipas tij “shumë shpejt kjo kala do të bëhet e aksesueshme për të gjithë turistët, si edhe ata që pëlqejnë ecjen, pasi ndodhet vetëm 25 minuta nga rruga kryesore”.
Kalaja e Mengëlit ngrihet mbi luginën e lumit Shkumbin në një lartësi prej 300 metra, dhe është e rrethuar nga kodra dhe male të Labinotit.
“Ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë destinacioneve tona turistike, patjetër kalaja fushore në qendër të qytetit është një nga destinacionet kryesore, por nuk i kemi lënë pas dore edhe destinacionet e tjera turistike, siç është “Ad Cuintum”, si edhe shumë të tjera për ta bërë guidën e Elbasanit të plotë”, pohoi Llatja.
Kalaja e Menglit përfaqëson një ndërtim tipik të arkitekturës bizantine të shek. V e.s. Në formën e një shumëkëndëshi kjo kala përforcohet nga 8 kulla, që ndodhen në largësi të ndryshme nga njëra-tjetra në varësi të terrenit.
Prania e 8 kullave kushtëzohet nga fakti që ajo ndodhej pranë rrugës Egnatia, arteria kryesore për të kaluar në perëndim. /atsh/KultPus.com
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku përcolli në rrjetet sociale pamje nga punimet për rijetësimin e Kalasë së Pogradecit, që pritet të jetë një tjetër atraksion turistik gjithëvjetor për qytetin liqenor.
Sipas Maznikut, projekti financohet nga projekti IPA ndërkufitar Maqedoni e Veriut-Shqipëri.
“Në Pogradec ka nisur zbatimi i projektit për rijetësimin e Kalasë së Pogradecit, një vendbanim i cili daton në shek IV-V para Krishitit”, shkruan Mazniku.
“Projekti i cili financohet nga projekti IPA ndërkufitar Maqedoni e Veriut-Shqipëri. Punimet përfshijnë gërmime arkeologjike për zbulimin e mureve të kalasë dhe objekteve arkeologjike, ndërtimin e një muzeu arkeologjik, ballkon panoramik për vizitorët, ndriçimin e gjithë zonës dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore për aksesimin e këtij siti. Me përfundimin e punimeve, Pogradecit i shtohet një tjetër atraksion turistik gjithëvjetor”, përfundon Mazniku./ath/KultPlus.com
Gjatë vitit që lamë pas, turistët që vizituan Kalanë e Gjirokastrës, arritën një numër të lartë për periudhën 1 janar -31 dhjetor 2023. Sipas statistikave të bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, vizitat kanë ardhur gjithnjë në rritje, duke arritur në 217,906 vizitorë gjatë vitit 2023 ose rreth 79 mijë vizitorë më shumë se në vitin 2022.
Gjirokastra ishte ndër destinacionet më të kërkuara në turizmin ndërkombëtar gjatë 2023. Rreth 300 mijë turistë priti ky qytet, duke i surprizuar, jo vetëm me atraksionet historike, kulturore e natyrore, por edhe me standarde premium të bujtinave dhe restoranteve falë një bashkëpunimi shumë të frytshëm e në sinkron me sektorin privat. Kjo e ka çuar qytetin drejt 12 muajve turizëm.
Turistët, kryesisht e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Pjesa më e madhe e tyre janë të huaj. Përveç kalasë, nuk lihet pa u vizituar pazari karakteristik, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta, etj./atsh/KultPlus.com
Shtatori ka shënuar një numër të madh vizitash turistike në Kalanë e Argjirosë.
Sipas statistikave numri i vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, ka ardhur gjithnjë në rritje. Për periudhën 1 shtator-30 shtator 2023, kalaja është vizituar nga 42737 vizitorë, ose 10805 më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022.
Kalaja e Gjirokastrës ndodhet në rrugën e Zejtarëve, mbi kodër me lartësi 335 m. Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Megjithatë, historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.
Sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672: “Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi. Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”.
Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën, e mbrojtur nga UNESCO./atsh/KultPlus.com
Për të gjithë ata që po planifikojnë pushimet e tyre, gazeta gjermane ”Bild” sugjeron kalanë e Petrelës si destinacion turistik.
Sipas gazetës gjermane, kalaja e Petrelës, rreth 15 kilometra në jug të Tiranës në Shqipëri, ofron një pamje të mrekullueshme.
“Ndërtesa shekullore, peizazhe të larmishme, pafundësi me pyje, por edhe bollëk supermetropolesh, pasi Evropa ka shumë për të ofruar dhe është destinacioni më i popullarizuar i udhëtimit për njerëzit nga e gjithë bota. Për të gjithë ata që po planifikojnë pushimet e tyre, ne këshillojmë ekskursione, shëtitje dhe plazhe si në parajsë. Dhe, prej andej, ju mund të shihni anën më të bukur të Evropës. Kalaja e Petrelës, rreth 15 kilometra në jug të Tiranës, në Shqipëri, ofron një pamje të mrekullueshme”, shkruan ”Bild”.
“Bild” shkruan se atje ka edhe një restorant në një kështjellë shkëmbore mesjetare.
“Ka plot njerëz në verë, shtuar këtu tregjet dhe festivalet”, thekson ”Bild”.
Shqipëria priti në 6-mujorin e parë të këtij viti 3.4 milionë turistë të huaj, ndërsa autoritetet në vend thonë se vetëm përmes Rinasit pritet të hyjnë në vend 8 milionë pasagjerë./atsh/KultPlus.com
Kalaja e Gjirokastrës ka arritur një numër të lartë vizitorësh për periudhën nga 1 janari deri më 15 qershor 2023.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, thotë se vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për këtë periudhë kanë ardhur gjithnjë në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Madje, rritja kësaj here llogaritet në 122,6%.
50 mijë vizitorë janë regjistruar gjatë kësaj periudhe ose 27541 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022. Një vit më parë nga 1 janari-15 qershor u regjistruan rreth 22 mijë vizitorë vendas e të huaj.
Kalaja mesjetare e Gjirokastrës është nga më të mëdhatë në rajonin e Ballkanit. Për herë të parë Gjirokastra dhe kalaja përmenden në 1336. Kalaja ka formën e një anijeje të madhe të gurtë, e cila shtrihet në një hapësirë prej 335 metrash, mbi kodër, nga ku mund të shihet qyteti./atsh/KultPlus.com
Pikërisht 1000 vjet më parë këtë muaj, filloi ndërtimi i një ndërtese të mrekullueshme ishullore në brigjet e Francës, e cila, duke qenë se ngrihej në mënyrë të pamundur nga ujërat e rrëmujshme të Oqeanit Atlantik, do të bëhej një simbol i qëndrueshëm i forcës kombëtare.
Abati mesjetare në majë të Mont Saint-Michel, një kaskadë muresh dhe mbështetësesh që zbresin nga një majë qendrore e lartë, ishte një krijim spektakolar që ka luajtur një rol vendimtar në historinë franceze gjatë shekujve.
Sot, ndërsa shënon një mijëvjeçar që nga fillimi i punës, është një nga atraksionet turistike më të njohura të vendit jashtë Parisit – herë pas here i mbytur nga popullariteti i tij në një shkallë të tillë që kujdestarët e tij i kanë nxitur njerëzit të qëndrojnë larg.
Abacia, e cila shtrihet në brigjet e rajonit të Normandisë të Francës, në perëndim të Parisit, ka tërhequr legjione pelegrinësh gjatë shekujve. Sot ajo tërheq 1.3 milionë turistë çdo vit.
“Në harkun e 1000 viteve, silueta e saj është bërë një emblemë e universalizmit francez”, shkroi presidentifrancez Emmanuel Macron në Twitter më 5 qershor pas një vizite zyrtare në vend. “Abacia e saj, simboli i asaj që ne jemi: një popull ndërtuesish.”
Për të festuar ditëlindjen e abacisë, Mont po pret koncerte, konferenca dhe një shfaqje vizuale të quajtur “Millennium Solstice” më 23 qershor që do të shfaqë një shfaqje të paprecedentë të dritës. Vizitorët mund të shijojnë gjithashtu një ekspozitë për historinë dhe arkitekturën e saj deri në nëntor 2023.
Një dëshmitar i historisë
Duke u ngritur nga një gji i rrethuar nga rajonet e Normandisë dhe Brittany, i rrethuar nga rëra e gjallë, abacia gotike e Mont Saint-Michel ngrihet mbi fshatin e saj dhe muret e trasha të fortesës.
Kur batica rrokulliset, Monti del nga uji si një Atlantis franceze, një mrekulli arkitekturore e vendosur në një peizazh të bukur natyror. Ai u bë një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 1979.
Një “martesë e gjeniut njerëzor dhe natyrës”, komentoi Presidenti Macron në një fjalim duke festuar mijëvjeçarin e abacisë.
I mbiquajtur “çudia e botës perëndimore”, historia e Montit shkon prapa në vitin 709 kur u ngrit një vend i shenjtë për nder të Shën Mihail Kryeengjëllit në shkëmb. Ai u bë një vend i shenjtë i cili vazhdoi të evoluonte nga shekulli i 11-të në shekullin e 16-të.
Abacia ka dëshmuar momente kyçe të historisë franceze, veçanërisht duke u bërë një kështjellë gjatë Luftës Njëqindvjeçare të shekullit të 14-të dhe 15-të dhe duke i mbijetuar një rrethimi 30-vjeçar nga britanikët.
Ai u bë një burg gjatë Revolucionit Francez të shekullit të 18-të. Deri në vitin 1863, 14,000 të burgosur kishin kaluar kohë në “Bastillën e Deteve”, ku baticat dhe rëra e gjallë e bënë të pamundur arratisjen. Familjet e të burgosurve zëvendësuan pelegrinët që dikur kishin ecur nëpër korsitë e fshatit.
Ishte gjatë Belle Époque para Luftës së Parë Botërore që monumenti gradualisht u bë atraksioni turistik në mbarë botën që njohim sot. Një nga monumentet e tij të njohura është bujtina e famshme Mère Poulard, e quajtur pas themeluesit të saj, kuzhinieres brilante Annette Poulard, e cila ka pritur vizitorë që nga viti 1888.
Në vitin 1944, autori Ernest Hemingway, në atë kohë një korrespondent lufte, me sa duket u ul në tryezën e La Mère Poulard për të përshkruar shfrytëzimet e zbarkimeve të ditës D, duke përfshirë një nga betejat vendimtare për çlirimin e Francës dhe Evropës, e cila u zhvillua një disa kilometra nga Mont Saint-Michel, pranë qytetit të shkatërruar plotësisht të Avranches.
Shqetësimet mbi turizmin
Mont Saint-Michel ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht popullor, duke tërhequr miliona pelegrinë gjatë gjithë historisë së tij. “Ishte vendi më i madh i pelegrinazhit në Perëndim, shekuj më parë, përpara Santiago de Compostela,” tha për CNN Thomas Velter, drejtor menaxhues i Mont Saint-Michel National Public Establishment.
Në ditët e sotme, rreth 3 milionë njerëz e vizitojnë faqen çdo vit, me disa fundjavë më të ngarkuar se zakonisht. Fundjava e Ngjitjes në maj e pa sitin të mbingarkuar nga vizitorët midis orës 11:00 dhe 15:00 – një numër që zyrtarët e alarmuar zakonisht e presin vetëm në pikun e verës.
“Ne shitëm 10,500 bileta në abaci, që është një rekord”, tha Velter për CNN. “Fundjava e Ngjitjes është zakonisht mjaft e ngarkuar, por në këtë rast, kishte shumë njerëz të gjithë në të njëjtën kohë.”
Në total ishin rreth 33.000 njerëz në terren, jo një rekord në vetvete, por ende shumë për Montin, i cili zakonisht pret këtë sasi turistësh në gusht, në kohën e sezonit të lartë.
“Është kryesisht vizitori ai që vuan sepse vizita e Montit është më pak komode,” tha Velter për CNN. “Që nga Covid, turistët kanë më pak tolerancë për ditë të mbushura si kjo, sepse ata ishin në gjendje të shijonin gëzimin e vizitës së vendeve me pothuajse asnjë vizitor.”
Me festimet e mijëvjeçarit, shifrat fillestare për vitin 2023 sugjerojnë se Mont-Saint-Michel do të mbetet një atraksion turistik shumë i njohur, i cili paraqet disa probleme për dhjetëra banorët e tij, dyqanet dhe peizazhin natyror.
“Unë nuk mendoj se është një gjë e mirë për shitësit, hotelierët dhe restorantet, sepse ata thjesht nuk mund të përballojnë kërkesat e klientëve. Mont Saint-Michel është një kilometër katror në perimetër, dhe një rrugë tregtare. Kur vendosni më shumë se 5000 njerëz në një kohë të caktuar në rrugë, nuk mendoj se është shumë e këndshme, “tha Velter.
Në përpjekjet për të rritur qëndrueshmërinë, autobusët që lidhin vendin tani punojnë me biokarburantet dhe jo me naftë. Ndërkohë, vizitorëve u kërkohet të eksplorojnë zonën më të gjerë të gjirit gjatë orëve të pikut 11:00-15:00 dhe të përfitojnë nga parkimi falas pas orës 18:30.
“Përfitoni nga turnetë në natyrë dhe me varkë që kemi krijuar, për shembull. Këtu ka foka, ngjala dhe salmon të Atlantikut”, tha Velter. “Ajo që ne shpesh harrojmë është se ekziston kolonia më e madhe e delfinëve në Evropë, kështu që është gjithashtu një shans për të zbuluar Mont Saint-Michel ndryshe.”/cnn/KultPlus.com
Në kalanë e Bashtovës, e cila iu nënshtrua një restaurimi të plotë për rijetësimin e saj, janë zbuluar gjetje arkeologjike.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se këto gjetje hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit.
“Bashkë me lajmin e mirë të restaurimit të kalasë unike të Bashtovës, vjen dhe ai i gjetjeve arkeologjike, që na hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit”, u shpreh kryeministri në rrjetet sociale.
“Sipas studimeve në kala ka gjurmë të periudhës otomane të shek. XVIII, bëhet fjalë për gjylet e përmasave të ndryshme si dhe materiale qeramike të së njëjtës periudhë”, u shpreh Kryeministri.
Jo vetëm gërmimet e mëtejshme, por edhe dokumentimi dhe studimi i materialeve të gjetura do të japin përgjigje më të sakta lidhur me këto gjetje.
Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi e kthen atë në një qendër tërheqëse për vizitorët.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.
Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra.
Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.
Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve. /atsh /KultPlus.com
Franz Kafka konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë artistike të shekullit të 20-të, transmeton KultPlus.
Puna e tij përfshin tregime të shkurtra si Metamorfoza (1912) dhe Në Koloninë Penale (1914) dhe romane, duke përfshirë Gjyqi (1925), Kalaja (1926) dhe Amerika (1927).
Shumë prej veprave të tij u botuan nga miku i tij i ngushtë Max Brod, i cili injoroi dëshirën e Kafkës për t’i shkatërruar dorëshkrimet.
Letërsia e tij vazhdon të jetë e njohur edhe sot e kësaj dite dhe Albert Camus, Gabriel García Márquez dhe Jean-Paul Sartre janë ndër shkrimtarët e ndikuar prej tij.
BBC Culture u kërkoi lexuesve të ndajnë citimet e tyre të preferuara nga veprat e tij.
“Një libër duhet të jetë sëpata për detin e ngrirë brenda nesh“, – Franz Kafka, nga një letër për Oskar Pollak (1904).
“Ka një sasi të pafund shprese në univers … por jo për ne“, – Franza Kafka, nga një letër që dërgoi për Milena Jesenska (1920).
“Disa mohojnë ekzistencën e mjerimit duke treguar diellin; ai mohon ekzistencën e diellit duke treguar mjerimin“, Franz Kafka, nga ditari i tij. /KultPlus.com
Qëllimi parësor i Kalasë së Templarëve ishte të mbrohej Rruga e famshme e Shën Jakobit, e cila përdorej nga pelegrinët në Santiago de Compostela
Kalaja e Templarëve e Ponferradas (El castillo de los templarios de Ponferrada) është e vendosur në qytetin e Ponferrada në provincën kasteliane Leon, transmeton KultPlus.
Hulumtimet e hershme pohuan se ajo u ndërtua në shekullin e 12-të mbi rrënojat e një kështjelle keltike. Mirëpo, hulumtimet e mëvonshme e kundërshtuan këtë pretendim dhe sot konsiderohet se ajo ishte ndërtuar në të vërtetë mbi mbetjet e një vendbanimi romak dhe vizigotik.
Si e mori emrin?
Kur Ponferrada u bë e varur nga Urdhri në vitin 1178, anëtarët gjetën një fortifikim të vogël për veten e tyre, i cili u përmirësua dhe u zgjerua për ta me donacione nga mbretërit e viseve të provincës Leon.
Qëllimi parësor i Kalasë së Templarëve ishte të mbrohej Rruga e famshme e Shën Jakobit, e cila përdorej nga pelegrinët për në Santiago de Compostela.
Sot, kështjella ka një rëndësi të madhe artistike për shkak të ndërthurjes së kullave, mes kateve, fasadave lozonjare, oborreve të bollshme … / KultPlus.com
Në qytetin e Durrësit ka nisur puna për ringritjen e kullës C, një nga kullat fortifikuese të kalasë, e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi nga afër punimet për restaurimin e kullës.
“Rehabilitimi i kullës u bë i mundur nga një financim i qeverisë suedeze, që na ndihmoi në ditë të vështira. Bashkë me profesorët e nderuar Pirro Thomo e Gjerak Karaiskaj ishim sot pranë objektit, ku qytetërime, ngjarje historike e fatkeqësi natyrore kanë lënë gjurmët e tyre”, – tha Margariti.
Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme. Riparime të mureve janë kryer që prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.
Muret mesjetare aktualisht rreth 4,6 metra në lartësi dhe tri hyrjet e disa prej kullave të fortifikimit janë ruajtur në gati një të tretën e gjatësisë fillestare të qytetit kala.
Lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit nuk kanë kursyer as monumentet e kulturës, të cilat datojnë prej shekujsh. /Atsh /KultPlus.com
Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje Monumentet e kulturës vijojnë të mbeten atraksioni turistik i preferuar për turistët e huaj dhe vendas në këtë sezon veror.
Gjatë 20 ditëve të para të muajit gusht kalaja e Beratit është vizituar nga 14.669 vizitorë, mes të cilëve 9.612 kanë qenë vizitorë të huaj. Berati është një ndër qytetet më interesantë dhe tërheqës, i cili çdo vit e më shumë po tërheq turistë të huaj dhe vëmendjen e mediave të huaja, ku ky qytet është i pranishëm në shkrimet që bëhen për Shqipërinë, kjo edhe për faktin se është trashëgimi botërore e UNESCO-s.
Kalaja e Beratit është një ndër pikat turistike e cila ka një numër vizitorësh që vjen gjithnjë në rritje. Ajo përbën një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri për turistët e huaj dhe ata vendas.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Ajo është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r.
Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë. Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj. Muzeu i Ikonave Onufri: Ndodhet në lagjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri.
Muzeu u hap në vitin 1986, emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare Onufrit. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon./ KultPlus.com
Kalaja e Prizrenit edhe sivjet mirëpret edicionin e 8-të më radhë, të Festivalit NgomFest, i cili pritet të tundë gurët e kësaj kalaje, shkruan KultPlus.
Edicioni i 8-të i NgomFest sivjet nisë nga 12 e deri më 15 korrik.
Publiku dhe ndjekësit e festivalit NgomFest janë mësuar që të rrugëtojnë së bashku me festivalin, duke u zhvendosur nëpër hapësira të ndryshme si skena në Shatërvan, skena në Marash e të tjera. Mirëpo edhe në këtë edicion ky festival ka zgjedhur Kalanë e Prizrenit, e cila mbanë copëza të historisë dhe trashëgimisë sonë.
Kujtojmë se Festivali “bredhacak” i Prizrenit i cili në fillimet e tij ishte i njohur për zhvendosjen nga një lokacion në tjetrin, për herë të parë ishte vendosur në kala në edicionin e tij të 6-të. Edicion i cili përveç muzikës përcolli edhe mesazhin kryesor të festivalit e që është mbrojtja e monumenteve historike.
Edhe ky edicion si të tjerë do njihet për veçantit e tij theksoi për KultPlus Ulpiana Emra, nga stafi organizativ i festivalit.
“Ajo që tashmë është bërë e zakonshme edhe është veçantia e këtij festivali është vendndodhja në kalanë e qytetit të Prizrenit si dhe periudha kohore e cila e përfshin edhe lindjen e diellit në mëngjes, ku audienca jone përpos që mund të kënaqet me muzikën do e shijojë edhe një pamje të mrekullueshme”, tha ajo.
E përpos këtyre dy veçantive normalisht do të ketë edhe artist të njohur të cilët do e argëtojnë publikun për 3 net radhazi. Ndër ta janë: Nick Warren, Insolate, Deepbass, GJIKO, The Black Room, Bottlecap, dhe shumë të tjerë që do të bëhen publik së shpejti.
“Gjithashtu kemi edhe artistë të ri për të cilët skena jone gjithmonë është e hapur. Ata deri më tani kanë aplikuar që të jenë pjesë e këtij festivali dhe mendoj që është një mundësi shumë e mirë për promovimin e tyre si artistë”, u shpreh ajo.
Në kala, në kuadër të festivalit do të vendosen dy skena “Skena Kryesore” ku artistë të ndryshëm do të performojnë deri në ora 2:00 të mëngjesit dhe “Skena e Lindjes së Diellit” ku publiku mund të shijojë pamjen që ofron kalaja gjatë lindjes së diellit ndërkohë që argëtohen me muzikë.
E për gjithë këtë punë festivali i është mirënjohës të gjithë atyre që e kanë ndihmuar në edicionet e mëparshme por edhe në këtë edicionin.
“Në krahasim me vitin e kaluar këtë vit kemi pak më shumë përkrahje nga ana e institucioneve. Shpresojmë që kjo përkrahje të rritet çdo vit e më shumë për faktin se edhe ne dëshirojmë që të zhvillohemi më tepër si festival e të sjellim më shumë risi”, tha për fund Ulpiana Emra.
Biletat për këtë edicion tashmë janë në shitje dhe bileta 3 ditore kushton 10 euro, si dhe oferta: 3+1 Gratis ./ KultPlus.com
Biletat mund të blihen në dy pika në Prizren, tek Kafja Jeme si dhe Qarshia. Gjithashtu për të interesuarit jashtë Prizrenit është mundësia e rezervimit të biletës nëpërmjet emailit: [email protected]. /KultPlus.com