Kalaja e Argjirosë, më e preferuara e turistëve nga e gjithë bota

DRTK Gjirokastër njoftoi për një rritje prej 45% të vizitueshmërisë në kalanë e Argjirosë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër tha se vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në kala, e cila regjistron sërish një numër të lartë vizitorësh për periudhën janar-korrik 2024.

Kjo e bën Kalanë e Gjirokastrës, destinacionin turistik më të vizituar dhe pëlqyer prej turistëve nga gjithë bota në trevat shqiptare.

100.000 mijë vizitorë vendas e të huaj e kanë vizituar Kalanë e Argjirosë gjatë kësaj periudhe, thënë ndryshe, 31.000 vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë./atsh/KultPlus.com

Nga Gjermania në Australi, turistët e verës në kalanë e Argjiros

Në këto ditë vere kalaja e Gjirokastrës po mirëpret vizitorë të ndryshëm.

Janë mbi 35 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar kështjellën e gurtë.

Krahas vlerave historike kështjella e Argjiros ofron për turistët edhe një pamje mbresëlënëse të qytetit të gurtë.

 Mysafirë në kështjellë

Vizitorët që mbërrijnë gjatë këtyre ditëve korriku në kalanë e gurtë janë vendas po nuk mungojnë edhe vizitorët e huaj.

“Është hera e dytë që vizitoj Kalanë e gurtë. Edhe vitin e kaluar kam qenë në Gjirokastër. Është një qytet i veçantë dhe kalaja është një prej pikave më tërheqëse”, thotë një i ri nga qyteti i Tiranës, i cili me një grup bashkëmoshatarësh po kalojnë fundjavën në jug të Shqipërisë. “

Kalaja është me të vërtetë e veçantë. Një monument tërheqës me shumë vlera”, shprehet Anisa që së bashku me familjen e saj po udhëton nga Elbasani për një vizitë turistike në zonën e Gjirokastrës. Por ka edhe nga ata turistë vendas të cilët vizitojnë për herë të parë kështjellën e Argjiros, duke ngelur të impresionuar nga vlerat e saj.

“Do të më ngelet në kujtesë kjo vizitë e parë në kështjellën e gurtë të Gjirokastrës”, shprehet Andi nga Korça. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve vere në kështjellën e gurtë nuk mungojnë edhe turistët e huaj.

“Jam nga Gjermania. Është hera e dytë që vizitoj kështjellën por falë bukurisë së saj gjithmonë vizitat këtu janë tërheqëse”, shprehet një tjetër vizitor.

Turistët i japin gjallëri mjediseve të kalasë së gurtë. Gjermanë, italianë, grekë, maqedonas, madje edhe turistë nga SHBA, Kanadaja dhe Australia e largët udhëtojnë për të vizituar Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, duke qenë pjesë e sezonit turistik në qytetin e gurtë këtë verë.

 Punimet mirëmbajtëse zgjerojnë hartën e vizitueshmërisë

Këtë sezon veror kalaja e gurtë ofron me shumë pika të vizitueshme për turistët. Falë ndërhyrjeve mirëmbajtëse dhe restauruese, të cilat vazhdojnë ende, është bërë e mundur evidentimi i vlerave të reja historike dhe ndërtimore të këtij monumenti.

“Ne kemi punuar për pastrimin e bimësisë dhe vegjetacionit në disa zona të kështjellës, duke bërë të mundur jo vetëm lehtësimin e vizitës për turistë por edhe evidentimin e vlerave të këtij monumenti”, shprehen specialistet e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare.

Punë mirëmbajtëse e tyre dhe strukturave të bashkisë Gjirokastër ka bërë të mundur evidentimin e disa dëshmive me vlera historike dhe ndërtimore të kështjellës.Pastrimi nga bimësia i mureve të gurta apo rehabilitimi i zonës në brendësi të kështjellës, krahas dëshmive historike të reja përcjell edhe vlera estetike për syrin e turistëve.

“Tashmë turistët kanë më shumë mundësi për të vizituara Kalanë dhe vlerat e saj”, shprehen guidat turistike.

“Porsa vizituam kështjellën e Gjirokastrës, është një monument me bukuri të veçantë. Na tërhoqi vëmendjen zona e Kullës së Sahatit, për të cilën kam lexuar edhe në guidat turistike për kalanë”, thotë Elga, turiste nga Bjellorusia.

“Është vizita ime e parë në Gjirokastër. Këtu në kala më duket i veçantë ky mjedis ku janë ekspozuar edhe disa armë të mesjetës”, thotë Mario nga Italia. Ndërkohë edhe rruga e kalldrëmtë që të çon në këtë monument është e pastruar dhe mirëmbajtur.

“Përgjatë verës ne do të kujdesemi vazhdimisht për pastrimin e rrugëve të kalldrëmta që të çojnë në kalanë e gurtë, mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik, etj”, pohojnë përfaqësuesit e Bashkisë Gjirokastër.

 Pak histori

Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e kalasë pret me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare, në kuadër të organizimit të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Kalaja e gurtë është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e UNESCO-s. /atsh /KultPlus.com

Margariti: Falë projektit të ndriçimit, Kalaja e Argjirosë si kurrë më parë

Projekti i ndriçimi në kalanë e Gjirokastrës nxjerr në pah vlerat e këtij monumenti të kulturës. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Gjirokastra nuk duhet të jetë qytet gri, dhe se gjirokastritët do të kenë një arsye më shumë për të qenë krenarë.

“Falë projektit të ndriçimit, kalaja e Argjirosë duket si kurrë më parë. Gjirokastritët do të kenë më tepër arsye të jenë krenarë për këtë monument, i cili tashmë nxjerr edhe më tepër në pah vlerat e vërteta, që bart”, shkruan Margariti, në një status të saj. Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës.

Nga kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit osman-shqiptar të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur. Sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672: “Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi.

Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”. Në vitin 1417, kalaja u pushtua nga turqit pas një rrethimi të gjatë. Me kalimin e viteve, ajo filloi të luajë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Në vitin 1812, kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena, i cili filloi rindërtimin e saj. Rindërtimi i kalasë, i një saraji dhe i disa godinave anekse, u bë me një ngutësi aq të madhe sa të gjitha punimet u kryen brenda një viti e gjysmë.

Kalaja përmbante përveç barakave për vendosjen e një garnizoni prej 5 mijë ushtarësh, magazina të shumta nëntokësore që ishin llogaritur mirë për sigurimin e municioneve dhe ushqimeve të nevojshme. Kronikat e kohës përmendin se vetëm për ndërtimin e vendqëndrimit të Ali Pashës, një kullë pranë këndit juglindor, punuan 1500 vetë./sot/ KultPlus.com

Gjirokastra ndër vite vjen përmes ekspozitës në kalanë e Argjirosë

“Gjirokastra si ishte, si është, si po zbukurohet dhe sa punë do të na duhet t’ia kushtojmë asaj” titullohej ekspozita e çelur sot në qytetin e gurtë në kuadër të “Ditët Europiane të Trashëgimisë”.

Specialistja e Trashëgimisë Jo Materiale në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Eni Çuçi, tha sot për ATSH-në se “ekspozita kishte rreth 60 fotografi të ndara në 3 periudha, në atë para viteve ’44, në vitet ‘44-’90 dhe periudhën pas viteve ‘90 deri në ditët e sotme”.

“Gjithashtu ekspozita përmbante edhe foto të kostumeve popullore të hershme të zonave të ndryshme të Gjirokastrës, Lunxhit, Dropullit, Përmetit e Libohovës”, – tha Çuçi.

Sipas saj, ekspozita u çel në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, ku nëpërmjet zhvillimit të ngjarjeve kulturore synohet nxjerrja në pah e vlerave të trashëgimisë kulturore.

“Një tjetër veçanti e kësaj ekspozite ishte çelja e saj në një nga pjesët më të bukura të kalasë e restauruar së fundmi, pjesa e kupolës poshtë sahatit aty prej ku qyteti gjarpëron e shihet të flejë i qetë”, – u shpreh Çuçi.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com

Kumbaro në Gjirokastër me drejtorin e Bankës Botërore, gati investimi tjetër në Qendrën Historike

Në Gjirokastër pritet të nisë së shpejti një tjetër investim i rëndësishëm në drejtim të ruajtjes së vlerave muzeale të qytetit dhe zhvillimit të turizmit. Bëhet fjalë për rikualifikimin e Qendrës Historike dhe Kalasë së Argjirosë.

Lajmin e konfirmoi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëkohësisht edhe deputete e qarkut. “Ne e kemi përfshirë Gjirokastrën në një seri projektesh. Kam kënaqësinë të ndaj me ju sot lajmin e mirë që Gjirokastra do të ketë rikualifikimin e rrjetit muzeal, ku përfshihet jo vetëm Qendra Historike, por edhe rehabilitimi i Muzeut të Armëve, Muzeu Etnografik etj. Ky investim është në kuadër të programit të Bankës Botërore”, tha Kumbaro gjatë një komunikimi me mediat, shkruan gazetatema.net

Ndërkohë gjatë mbrëmjes ministrja e Kulturës pati edhe një darkë pune në Gjirokastër me Patrizio Pagano, një prej drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore, si dhe vizituan pazarin karakteristik. Projekti për Zhvillimin e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore i mbështetur nga Banka Botërore do të zbatohet në 4 qytete; Gjirokastër, Berat, Sarandë dhe Përmet. Më herët gjatë ditës Kumbaro ishte edhe në Universitetin ‘Eqrem Çabej’, ku u zhvillua një leksion i hapur nga Adrian Majuru, i cili kishte mbërritur në qytetin e gurtë bashkë me një delegacion rumun, të përbërë nga 4 drejtorë muzeumesh të Bashkisë së Bukureshtit./ KultPlus.com