Restaurimi i Kalasë së Bashtovës, aset i trashëgimisë kulturore

Kalaja e Bashtovës është një prej xhevahireve të trashëgimisë kulturore shqiptare që do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë.

Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë, bën të ditur se, falë programit EU4Culture, financuar nga BE dhe implementuar nga UNOPS, Kalaja e Bashtovës do të restaurohet sipas teknikave më bashkëkohore, duke ruajtur të veçantën dhe historiken e saj.

Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi synon të rijetësojë atë e ta kthejë në një qendër tërheqëse për vizitorët.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve./ atsh / KultPlus.com

Kalaja e Bashtovës, monument me vlera historike (FOTO)


Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore fton turistët ta vizitojnë.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar një video me pamjet mahnitëse të kësaj kalaje, që ndryshe nga të gjitha kalatë e tjera, veçantinë e saj e ka së është ndërtuar në fushë.

“Kalaja e vetme në Ballkan në fushë. Me bukuritë natyrore dhe vlerat historike, ju pret ta vizitoni dhe shijoni”, shprehet ministri Klosi.

Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.

Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Kalaja e Bashtovës është një monument kulture me vlerë që ju do ta gjeni vetëm disa kilometra jashtë Kavajës dhe që dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.

Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve. / atsh / KultPlus.com

Kalaja e Bashtovës, një perlë e fshehur në afërsi të Shkumbinit

E pozicionuar në afërsi të lumit Shkumbin vetëm 4 km larg nga deti Adriatik, Kalaja e Bashtovës është një perlë e fshehur në Shqipërinë qendrore, që pak njerëz, për momentin, kanë fatin për ta parë.

Kështu shkruan gazetarja italiane Francesca Masotti në blogun e saj “Letters from Balcan” duke i kushtuar një tjetër shkrim potencialeve turistike e kulturore të Shqipërisë si ftesë për turistët e huaj.

Fortesa, në fakt, nuk gjendet afër qytetit-muze të vendit, as përgjatë bregdetit të famshëm dhe për pasojë, ende është pothuajse e panjohur për turistët të cilët, të tërhequr nga destinacionet më të famshme, nuk dinë për ekzistencën e saj.

Shtojeni kësaj faktin se informacioni për Kështjellën është shumë i vogël: Bashtova është një nga thesaret më të mira të fshehura të Shqipërisë.

A keni qenë ndonjëherë vizitorët e vetëm në një vend arkeologjik dhe kulturor në Europë?
Mua, për momentin, më ka ndodhur vetëm në Shqipëri dhe gjithashtu në Bashtovë kam pasur këtë fat të madh. Por le të shkojmë në historinë e kësaj kalaje.

Sipas shkrimtarit dhe udhëtarit turk Evliya Çelebi, Kalaja u ndërtua nga Venediku në shekullin e 15-të dhe më pas, në vitin 1478, u pushtua nga osmanët. Roli i saj strategjik për kontrollin mbi Detin Adriatik dhe vendndodhja ideale pranë rrugës historike Via Egnatia, ka bërë të mundur që prej dy vjetësh Kalaja është përfshirë në listën paraprake të Unesco, lista e pritjes për t’u regjistruar në trashëgiminë botërore të njerëzimit.

Sot vetëm këto mure (nëntë metra të larta) dhe dy kulla (dymbëdhjetë metra të larta) mbeten nga kjo kala e shkëlqyer drejtkëndore, por sipas disa studimeve arkeologjike, në të kaluarën fortesa duhej të ishte në dy kate.

Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve.

Vendndodhja, në të vërtetë, në mes të fushave të kultivuara është thjesht spektakolare. Këshilla ime? Nxitoni ta vizitoni tani, para se të gjithë ta dinë./k.s/KultPlus.com