Vijon restaurimi në Kalanë e Bashtovës

Kalaja e Bashtovës, ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër destinacion për t’u vizituar nga turistët.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga puna restauruese në Kalanë unike të Bashtovës.

Rama thekson se ky investim do ta kthejë më pas këtë kala në një nga destinacionet më të vizituara të trashëgimisë tonë kulturore.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.

Restaurimi i kësaj kalaje po kryhet si pjesë e projektit EU4Culture i zbatuar nga UNOPS.

Specialistët austriakë po studiojnë materialet që përbëjnë objektin, për t’i hapur udhë kështu një faze të re në jetën e këtij monumenti kulturor.

Kalaja është ndërtuar në dy periudha dhe puna e specialistëve po fokusohet në të kuptuarit e strukturave, kohën e ndërtimit, materialet e përdorura.

Sipas specialistëve, janë marrë më shumë se 1 mijë lloje të ndryshme mostrash nga konstruksionet e ndryshme të kalasë së Bashtovës. Këto materiale do të analizohen në laboratorin shkencor të Arteve të Aplikuara në Vjenë dhe specialistët shpresojnë të marrin prej tyre më shumë informacion mbi periudhën e ndërtimit të kalasë./atsh/ KultPlus.com

Kalaja e Bashtovës, shumë shpejt destinacion i trashëgimisë kulturore


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi se Kalaja unike e Bashtovës, shumë shpejt do të kthehet në destinacionin më të kërkuar të trashëgimisë kulturore. “Ajo tashmë po i nënshtrohet restaurimit falë programit të ringritjes pas tërmetit”, shkroi Margariti në rrjetet sociale.

Kalaja e Bashtovës është një kështjellë mesjetare katërkëndore, e pozicionuar aty ku lumi Shkumbin derdhet në Adriatik. Kalaja ngrihet në terren të sheshtë, pranë rrugës Egnatia. Historianët janë të ndarë sa i përket faktit se cilës periudhë i përket ndërtimi i kalasë. Disa pretendojnë se është ndërtuar në periudhën kur vendi ishte nën pushtetin e Venedikut ndërsa të tjerë thonë se venedikasit ndërtuan mbi rrënojat e një kalaje ekzistuese, e cila mund të ketë qenë e shekullit të gjashtë, kur zona ishte nën Perandorinë Bizantine, gjatë dinastisë së Justinianit.

Struktura ka 3 hyrje, me mure 9 metra të lartë që rrethojnë një hapësirë 60 x 90metra. Në veri dhe në lindje ka kulla rrethore, secila prej tyre 12 metra e lartë. E veçanta e kësaj Kalaje qëndron tek fakti se është e vetmja në Ballkan, që është ndërtuar në fushë.

Kalaja e Bashtovës do të restaurohet me mbështetjen e programit EU4Culture të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com

Ekspertë nga Vjena, bashkë me zejtarë shqiptarë në restaurimin e Kalasë së Bashtovës

Si pjesë e Programit EU4Culture, ekspertë të Institutit të Konservimit të Universitetit të Arteve nga Vjena, erdhën në Shqipëri për të ndarë ekspertizën e tyre me zejtarët shqiptarë që punojnë në Kalanë e Bashtovës që po restaurohet.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e kalasë.

“Ekspertët po punojnë së bashku për të siguruar që kjo perlë kulturore të restaurohet, duke marrë parasysh punimet tradicionale, materialet origjinale të vendit dhe teknologjitë e konservimit për të arritur rezultatet më të mira të mundshme”, tha Margariti.

Margariti bëri të ditur se ekspertët nga Vjena bashkë me studentët e Universitetit të Tiranës studiuan dëmtimet e gurëve dhe mësuan teknika shekullore të përzierjes së llaçit dhe punimit të fugave, duke siguruar përcjelljen e mjeshtërive për të mundësuar  restaurimin e saktë të pjesëve të dëmtuara të muraturës.

Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi synon të rijetësojë atë e ta kthejë në një qendër tërheqëse për vizitorët.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve./ atsh/KultPlus.com